TË PATHËNAT DHE TË FSHEHTAT E BLLOKUT TË UDHËHEQJES

144
Bardhyl Berberi 

Të pathënat dhe intimitetet për bllokmenët komunistë në Tiranë
Dash Çollaku një nga pinjollët e familjes së njohur madhe të Çollakëve një mëngjes më ftoi për një kafe. E dija se Dashi kishte qenë njeri i rëndësishëm në bllokun e udhëheqjes së lartë komuniste. Duke qenë se vëllai i tij i madh Mehdini ishte dhëndri i Kadri Hazbiut, Dashamiri pas mbarimit të shkollës teknologjike për merceolog, emërohet fillimisht Sekretar i Parë i Rinisë së Gardës dhe më pas si përgjegjës për kontrollin e ushqimeve që konsumonin Byroja Politike. Dashi me vështrimin nga liqeni, duke rrufitur kafenë e mëngjesit më thotë: Eh, sa kujtime kam unë, o gazetar nga udhëheqja e lartë e asaj kohe, por do të tregoj për gazetën disa intimitete, se po të tregoj të gjitha çfarë kam parë atje duhet të iki nga Shqipëria. Kisha disa kohë që po punoja tek garda e Republikës si sekretar i Parë i Rinisë së Gardës. Një mëngjes më thonë se duhet të shkoja tek zyra e Kadri Hazbiut ministër i Brendshëm, ishim krushq vëllai im i ndjeri Mehdin Çollaku kishte marrë grua vajzën e madhe të Kadri Hazbiut, Helenën. Kështu që ai më priti në zyrë si mik i familjes dhe fillimisht bëmë një muhabet familjar. Befas më thotë Dashi: Partia ka nevojë që t`i të punosh në Drejtorinë e Dytë, të merresh me sigurimin e udhëheqjes dhe me ushqimin e tyre. Ti je merceolog dhe duhet të jesh vigjilent natë e ditë që të mos helmohet udhëheqja e larët Byroja Politike. Nga Japonia do të vijë një aparaturë moderne ku do të kontrollosh ushqimet. Mos na turpëro, o Çollak!, e mbylli bisedën Kadriu 

-Dashi çfarë kujtime kini me Enver Hoxhën?
Dëgjo, kisha vetëm pak ditë që kisha filluar punë tek Blloku, ishte marsi i vitit 1971. Po qëndronim jashtë tek blloku dy shoqëruesit e Enver Hoxhës; Axhem Abazi dhe Halim Zano dhe unë. Ata të dy ishin të veshur me pallto gub ndërsa unë kisha një kostum të zakonshëm gati të dalë boje. Papritur del nga shtëpia e Partisë Enveri me një bastun në dorë dhe më drejtohet mua: -Po t`i more djalë nga je? -Jam nga Mokra, i thashë Enverit 

-Po Çollakët i njeh ? -Po, shoku Enver, unë nga ai fis jam 
-Po ju jeni nga Pogradeci apo jo 
-Po ju thashë për origjinën shoku Enver, nga Mokra e kemi 
-Të lumtë që the se jam nga Mokra, Mokra është një krahinë patriotike e lidhur me partinë… 

-Unë e kam takuar Reshitin në Mokër, Reshiti ishte djalë trim dhe patriot. A e di ti se kur ka mbaruar akademinë italiane nuk ka pranuar që të betohet para flamurit Italian? 
-Po ti pse ke vetëm kostum, nuk ke pallto si këta të tjerët dhe drejtoi shkopin nga dy shoqëruesit e tij që ishin veshur me pallto gub, nuk ke ftohtë?. -Unë mblodha supet por të nesërmen më sollën pallto gub dhe mua dhe të gjithë shoqëruesit u bllokut ishin të veshur me pallto gub pas asaj ndodhie që pata unë me Enver Hoxhën.

Po me familjen Hoxha ?
-Të them të drejtën kam një nga skenat më skandaloze. Isha me punë fizike dhe punoja tek vila e re e Enver Hoxhës si njeri i besuar. Vijnë dhe montohen dy vaska për dush nga 60 mijë dollarë secila. Njëra ishte e kuqe tjetra ishte blu. Teuta, nusja e Ilirit donte vaskën e kuqe, por të kuqen donte dhe Liljana, nusja e Sokolit. Jo e kam unë të kuqen, jo e ke ti dhe kur u mbërthyen për flokësh të dyja duke u zënë si dy gra ordinere. Unë isha prezent dhe përballë tyre qëndronte Nexhmia. Ajo pa skenën dhe nuk foli asnjë fjalë, deri sa ato i shkulën flokët njëra tjetrës për gati dhjetë minuta. Këtë skenë nuk kam për ta harruar kurrë e kam të gjallë para syve të mi. 

Po me Nexhmie Hoxhën ?
Kur ishte kongresi i Frontit Demokratik në Vlorë dy ditë para Kongresit vjen në vilën e Enverit në Vlorë fillimisht Nexhmia para dite. Pas dite vjen Ramiz Alia. Atë natë qëndruan në të njëjtën vilë edhe Nexhmia dhe Ramizi. Të nesërmen paradite vjen Semiramizi gruaja e Ramiz Alisë një grua e përkryer. Sapo mbërriti tek oborri i vilës më drejtohet mua duke më tërhequr anash më hodhi dorën në sup. -Dashi, ti je Çollak dhe Reshiti Çollaku me Ptoleme Xhuvanin pjesëtarin e familjes sime janë vrarë në një llogore në Pojskë të Pogradecit. Dua të më thuash vetëm mua miqësisht mbrëmë këtu kanë qenë ata të dy ( Pa ia zënë emrin në gojë, as Ramizit e as Nexhmies ) 

-Po ju i treguat?
– I pohova lehtë me kokë nuk mund të gënjeje atë grua të mrekullueshme, ja ku po ua u them Ramiz Alia para Semiranit ishte një zero. 

Çfarë ndodhi më pas ?
-Asgjë, ajo nuk takoi asnjërin, hipi makinën dhe u nis në Tiranë. 
Desha të theksoj se kur ka vdekur Semirani kam qarë sikur kishte vdekur nëna ime, ishte modeli i një gruaje të mirë, si nuk e pamë të hipte një herë në makinë. Nisej nga blloku në këmbë deri tek shkencat e natyrës tek materniteti në erë, në shi, në vapë …Semirani ishte pedagoge tek shkencat e natyrës. Ja ku po ta them Nexhmie Hoxha ka qenë gruaja më e zezë dhe shpirtkeqe dhe Ramiz Alia një njeri dinak që i hante shokët e tij mbrapa shpine. Janë dy njerëzit më të neveritshëm për mua …

Po me Mehmet Shehun?
Kontaktin e parë me Mehmet Shehun e kam pasur kur vdiq Hysni Kapua. U thirrën shumë persona të besuar se kush do të mbante ballin e arkivolit të Hysni Kapos, pasi siç dihet në krye ishte Enveri dhe në anën tjetër Mehmeti, por ata e mbanin dorën kot se peshën e arkivolit e mbante personi që vinte pas tyre. E provuan shoqëruesin e Enver Hoxhës, Beharin dhe shoqëruesin e Mehmet Shehut, Ali Çenon dhe e bënë provë, por nuk e mbanin dot as dy metra në krahë arkivolin e jo 200 m që duhej mbajtur. Më thirri komandanti i gardës, Haki Liço dhe më tha : -Dashi e pe që atyre iu hapën këmbët, nuk e mbajnë dot arkivolin e shokut Hysni, kështu që do ta kapim ne të dy. Dhe kështu u bë, unë u vendosa mbrapa Mehmet Shehut ndërsa Haki Liçua mbrapa Enver Hoxhës. 

Të them të drejtën arkivoli ishte shumë i rëndë na krisën shpatullat megjithatë ne e kryem detyrën. Duke ecur me arkivol që nga salla e homazheve deri tek shtrati i topit pa dashur i shkela këmbën Mehmet Shehut. U preva fare, të shkelje Mehmetin, por ai ktheu kokën dhe më tha: “S’ka gjë Çollak, ec je djalë flori!” …Për Mehmet Shehun desha të tregoj disa kuriozitete intime. Mehmeti po të dëgjonte që këndonte pranë vilës kukuvajka ngrihej dhe nisej më 1 të natës në vilën e Durrësit, një herë tjetër kishte qenë tek vila në Fier, se ishte me shërbim, një të dëgjuar kukuvajkën dhe më 2 pas mesnate u nis për në Tiranë. Ne që ishim në grupin e shoqërimit e dinim këtë dhe sapo dëgjonim ndonjë kukuvajkë bëheshim gati. Shefi i shtëpisë së Mehmet Shehut, Ferik Çaushi kur shikonte ndonjë kukuvajkë nëpër pemët rrotull shtëpisë së Mehmetit e qëllonte me snajper pa zhurmë dhe e vriste. Mehmeti kishte shumë qejf gjuetinë e derrave të egër, shkonte në Kutërman midis Librazhdit dhe Elbasanit. ishte një rezervat derrash të egër. Me vete morëm edhe kryetarin e shoqatës së gjuetarëve të Elbasanit Skënder …nuk po më kujtohet mbiemri. Në gjueti gjatë kohës që shtinin mbi një kope derrash të egër gabimisht plagoset Skënderi, Mehmeti u shqetësua dhe lajmëroi një helikopter i cili u ul në stadiumin e Elbasanit e çuan me urgjencë në spitalin ushtarak dhe fatmirësisht Skënderi shpëtoi. Mehmeti pas gjuetisë një derr e mbante për ta ndarë me anëtarët e byrosë, një derr na i jepte ne shoqëruesve që ta ndanim midis nesh, ndërsa derrat e tjerë i çonim në grumbullim për t’ia shitur popullit e nuk largohej pa i sjellë faturat që ishin bërë dalje në grumbullimin e mishit. Për hir të së vërtetës, Mehmeti ishte mjeshtër në gjuetinë e derrit, ndërsa Kadri Hazbiu ishte për rosën e egër. Ishim një herë në malin e Dajtit tek vila me grupin e shoqërimit pranë Mehmet Shehut. Kur shikojmë ne rreth orës 11 të natës del Mehmet Shehu i veshur me tuta sporti dhe nga këmbët ishte zbathur. Ecte mbi disa guriçka të vogla si tip zhavori të trashë. Ne shqyem sytë, të shikoje kryeministrin e vendit të ecte zbathur në mesnatë. Ai e kuptoi hutimin tonë dhe na foli me ton ushtarak: Po ju ç’më shikoni, hajt hiqini shpejt këpucët dhe ecni siç ec unë zbathur mbi guriçkat!” Ne shtangëm. “Hë, nuk e dini se pse. Këto gurët e vegjël lëshojnë disa impulse në tru që ju bën mirë për shëndetin, ju mpreh kujtesën dhe bëheni më inteligjentë”. Filluam dhe ne të ecim pas tij nëpër guriçkat rrotull vilës, na qeshej me vete, por prej Mehmetit nuk na i mbante. Një herë, Kryeministri do të shkojë në Korçë, më thonë dhe ti Dashi je në grupin e shoqërimit. Pa shkuar në Korçë qëndroi në vilat e Pogradecit për të ngrënë drekë dhe për të pushuar pak. Po shëtiste buzë liqenit kur sheh që ishin prerë disa plepa anës liqenit. Thirri ata përgjegjësin e vilave.

-Pse i keni prerë plepat? 
-Kështu na dhe urdhër kryetari i komitetit të Pogradecit të asaj kohe Bexhet Zagorçani. Siç ishim grumbull grupi i shoqërimit Mehmeti më thërret, Çollak eja këtu se ti je pe Pogradeci. 

-Urdhëroni shoku kryeministër i thashë unë. -Merr një makinë shoqërimi dhe shkoji në zyrë atij Bexhet Zagorçanit dhe i thuaj se ke prerë plepat dhe kryeministri do të vari mu në Zagorçan për këtë shëmti që i ke sjellë parkut. Sapo shkova në komitet i thashë dezhurnit se kam një porosi nga kryeministri për Kryetarin e komitetit më çuan atje menjëherë. Sapo i them Bexhetit porosinë e Mehmetit ai u zbardh i tëri në fytyrë si ato statujat e Greqisë. Pastaj piu nja dy hapje …

-Bo bo ç’na gjeti!, tha më pas filloj të justifikohet unë dhashë urdhër të priten si ishin plepa të vjetër dhe mund rrëzoheshin se ishin të kalbur dhe në atë rrugë buzë liqenit shëtit shoku Enver , Bexhetit filloi që t`i merret goja, “Unë i shkreti për mirë u mundova!”. Urgjent i them unë, mbill filiza të tjerë në atë vend. Pas dy ditësh kur u kthyem nga Korça qëndroi përsëri në Pogradec tek vilat dhe duke shëtitur e pa se ishin mbjellë ca filiza të rinj shumë të zhvilluar në vend të atyre që ishin prerë. Nuk foli më, por i erdhi mirë që ishte zbatuar porosia e tij. Në vitet `70 Mehmeti pati një problem me shëndetin dhe vendosën që të kurohet në Francë. Kuptohet që përveç Mehmetit ishte një grup shoqërimi. Qëndruam 20 ditë. Mehmeti foli me persona zyrtarë që të mos e shqetësonte asnjë radio apo TV. Një ditë aty në spital Mehmeti e pyet Bashkim Musain nga Fratari i Përmetit : O Bashkim në Tiranë të kam falur një thikë shumë të veçantë desha ta di, e ke me vete këtu në Francë ? -Po shoku Mehmet iu përgjigj Bashkimi dhe nxori thikën nga brezi. Të lumtë, i tha Mehmeti, je djalë trim dhe e puthi në ballë. Një ditë na thotë Mehmeti, Hë keni mbledhur ndonjë dollar juve apo jo ? Ne mblodhëm supet, dëgjoni ju kur të ikni do ta merrni nga një televizor por do t’iu them atyre të ambasadës që t’ju çojnë tek një treg që të shtunave ka skonto të madhe dhe t`i blini atje televizorët. Dhe ashtu u veprua. Mehmeti dukej shumë i rreptë, por kishte një zemër të madhe 

Dashi ju keni qenë për shumë kohë dhe pranë Hysni Kapos ?
-Më thërret përsëri në zyrë Kadri Hazbiu dhe më thotë : – Dashi do të shkosh pranë shokut Hysni Kapo është ndër shokët tanë më të mirë dhe është pa qejf prandaj do të bësh sytë katër. Qëndroja në paradhomën e Hysniut. Aty së bashku me mua që kujdesej për shëndetin e tij ishte një grup mjekësh midis tyre dr Berisha. Ne qëndronim aty të dy unë bëja shërbim ndërsa dr Berisha ishte në pritje të ndonjë emergjence. Hysniu ishte shumë i sëmurë. Desha të theksoj një fakt me dr Berishën u miqësuam dhe unë arrita deri atje sa t`i kërkoj një nder të më nxirrte nga leksioni të dashurën time sot bashkëshorte Luljeta Mehqemeja kur ai kishte mësim me grupin e saj në fakultetin e mjekësisë dhe dr Berisha ma bënte këtë nder. Desha të theksoj, se në paradhomë kishte një frigorifer të madh me tërë llojet e pijeve vinin këta mjekët e tjerë të bllokut si dr Ylli Popa dhe të tjerë dhe pinin këto pijet e rralla si uiski, kampari, xhin, fërnet Branka etje vetëm dr Berisha nuk pinte asnjë lloj pije, pinte vetëm ujë dhe ndonjë kafe. Desha të nënvizoj një fakt ne qëndronim gjithë natën në pardhomë dhe kishte disa divane që mund të shtriheshim. Dr Berisha nuk qëndronte në divan por në një karrige dhe me kufje studionte gjithë natën gjuhë të huaja kishte një vullnet të paparë. Më thotë se i pëlqente Pogradeci dhe në verë do të vinte me familjen me pushime. E çoj tek kushëriri im Seit Çollaku. Më thotë Seiti një ditë me dr Berishën po kalojmë shumë mirë por nuk pi raki ….Edhe kur doktor Berisha u bë president dhe kryeministër kur shihemi më përshëndet me përzemërsi dhe më thërret –Ku je Çollak!

Më thatë në fillim të bisedës se keni një histori të veçantë me Llambi Gegpriftin, çfarë ju ka ndodhur ?
Llambi Gegprifti ishte djalë nga Mokra, dhe kuptohet ishte nga anët tona. E kishin thirrur me urgjencë dhe nga drejtor e kishin zgjedhur si kandidat të Byrosë Politike. Por aty pas pak do të fillonte mbledhja e Byrosë Politike të KQPPSH. Rrotull në korridor ku do të fillonte mbledhja të gjithë anëtarët e Byrosë Politike ishin të kollarisur me kostume thikë. Llambi nuk e dinte që do të zgjidhej në Byronë Politike dhe kishte veshur një kostum të zakonshëm bezhë dhe një këmishë të thjeshtë ku ja kishte nxjerrë jakën sipër xhaketës. E shoh Llambin të veshur fare thjeshtë dhe mbi të gjitha pa kollare. Më erdhi keq pastaj e kishim nga anët tona. E takova dhe e urova. E pashë më pas nga koka tek këmbët dhe i them ; -Ku do të vesh kështu si je t`i në mbledhje të Byrosë Politike mbi të gjitha ti s`ke kollare. -E ku ta dija unë se do të zgjidhesha atje më thotë Llambi si i zënë në faj. -Eja, i them unë dhe shkuam tek një cep i korridorit, dhe unë hoqa me shpejtësi kollaren time dhe ja vura Llambi Gegëpriftit në qafë dhe ai pas pak minutash u fut në mbledhjen e Byrosë Politike. Më pas Llambi më solli tre kollare të tjera mua për atë kollare që i dhashë unë atë ditë në mbledhjen e Byrosë Politike kishte simbolikë tjetër …por s`kishte rëndësi kjo, kishte rëndësi që ai e hodhi lumin atë ditën e parë u fut me kollare në mbledhjen e Byrosë Politike. Pas disa kohësh Llambi më kërkon një nder, pasi unë isha edhe sekretar i Parë i Rinisë së Gardës. Çfarë i them unë, të ndërhysh ti Dashi dhe të më sjellin si shoqërues të parë Agron Shkëmbin. Kishte një rregull që shoqëruesit e anëtareve të Byrosë Politike duhet të ishin mbi 1,80cm. Agroni ishte i shkurtër rritën takat e këpucëve që të dukej disi më i gjatë dhe ia plotësuam Llambi Gegëpriftit dëshirën dhe mori si shoqërues të parë Agron Shkëmbin. 

Keni një histori me Rita Markon ?
Shkonte Rita Marko në Korçë dhe u caktova unë ta shoqëroja. Kur po i afroheshim Pogradecit më thotë i inatosur, -Ore Dashi nga Çollakët je ti? Po shoku Rita, i them unë. -Po Astrit Çollakun çfarë e ke ? Jemi kushërinj të afërm, i them unë. Pah ç’më ka bërë ai njeri mua, më ka hequr guzhinjerin më të mirë nga kampi i kuadrove, Risto Çomon dhe e ka marrë në turizmin e ri ku është vetë drejtor. Qëndruam tek turizmi i ri dhe Rita Marko takoj Astritin. Filluan të përplasen me fjalë. Rita Marko ahere ishte anëtar i byrosë politike por dhe President i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë por Astrit Çollaku ishte vëllai i “Heroit të Popullit” Reshit Çollakut. Astriti i qëndroi serioz dhe i tha se e ka marrë Risto Çomon se mendon që këtu është më mirë vijnë njerëz të rëndësishëm dhe shumë të huaj që vizitojnë Pogradecin dhe hanë në turizëm dhe duhet patjetër një mjeshtër kuzhine…Po dhe atje do të hajë me cilësi klasa punëtore i thotë Rita…Atje nuk ha klasa punëtore, por kuadrot kryesore të vendit, prandaj quhet pallati i kuadrove. Rita këmbëngulte, se do të hedh në gjyq se ke vendosur autoritetin tënd me drejtuesit e rrethit që e ke marrë. Astriti iu preu shkurt kam dërguar një kuzhinier tjetër atje Asim Sokolin dhe ai është i mirë për atje, kot që bëjmë llogje …Më pas hëngrën një drekë të dy, gatoi Ristua një tavë me Koran …Iku Rita Markua në Korçë dhe nuk e hapi më atë muhabet…

Kur u larguat nga Blloku, Dashi ?
Menjëherë pas arrestimit të Kadri Hazbiut. Vëllain tim Mehdinin që kishte grua vajzën e Kadri Hazbiut së bashku me të shoqen e internuan në Rrëshen ndërsa mua më çuan si shef policie në Kukës. Në Kukës ruaj përshtypjet më të mira nga populli i Kukësit e dua Kukësin si Pogradecin. Që ditën e dytë më thërret sekretari i Parë i Kukësit Sulë Bushati dhe më thotë: Dashi mos çaj kokën fare shiko punën nuk të ngacmon njeri, ke mbrojtjen time. Me familjen e Çollakëve unë jam mik i ngushtë