Të ngremë në një nivel më të lartë gjithë veprimtarinë e Organizatës së Veteranëve të LANÇ

Odhise Porodini
Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar

Periudha katërvjeçare, nga Konferenca 10-të e gjer sot, që jemi mbledhur në këtë kuvend të madh, u karakterizua nga veprimtari të gjera e komplekse, me qëndrime konsekuente e të vendosura, nga e gjithë Organizata e Veteranëve në shkallë vendi; në mbrojtje të idealeve e vlerave të patjetërsueshme të Epopesë së Lavdishme të LANÇ, të gjakut të derdhur dhe sakrificave të mëdha të popullit patriot shqiptar, si dhe për mbrojtjen e çështjeve të rëndësishme me karakter kombëtar. Nisur nga përvoja e grumbulluar gjatë katër viteve dhe nga konkluzionet që dolën nga Konferencat zgjedhore të këtij viti të komiteteve të veteranëve në rrethe, të cilat u kryhen me një përgatitje e zhvillim serioz, me analiza të thella e objektiva të përcaktuara saktë; nisur nga kërkesat që shtron gjendja dhe situata aktuale; po ashtu si dhe për të pasur në të ardhmen arritje sa më të larta e më cilësore, mendojmë të ndalemi në disa probleme kryesore: 

Së pari: Të përsosim në një nivel më të qartë metodën e drejtimit e të organizimit në gjithë strukturat e Organizatës sonë, si faktor me rëndësi për të pasur një Organizatë të fuqishme e gjithnjë aktive 

Së dyti: Tërheqja e pasardhësve cilësorë e të përkushtuar e, në mënyrë të veçantë e shoqeve të devotshme; përtëritja e strukturave drejtuese të Organizatës dhe mbulimi me organizata të reja e të gjithë territorit, ka qenë e mbetet detyrë parësore. Është fakt se në këto drejtime, gjatë periudhës katërvjeçare, janë siguruar tregues pozitivë. Si një dukuri e veçantë, paraqitet ngritja e Organizatave të Veteranëve në shkollat 9-vjeçare e ne të mesme, si në Urën Vajgurore të Beratit, Gramsh, Skrapar, Mallakastër e në ndonjë rreth tjetër, në përbërjen e të cilëve, janë arsimtarë, drejtorë shkollës e nxënës të klasave të larta, në të cilat kryejnë veprimtari shumë të mira për njohjen në thellësi e jashtë shtrembërimeve që u janë bërë, teksteve të historisë, si dhe duke marrë pjesë në ngjarje e data të lidhura me LANÇ, ku ata lozin një rol aktiv, me këngë e recitime për ngjarjen. 

Së treti: Ta bëjmë propagandën tonë më të fuqishme dhe të tillë që të prodhojë efekte ngulitëse, në mendjen dhe në zemrat e patriotëve, nëpërmjet përsosjes së metodave, formave e mjeteve të posaçme. Sikurse dihet, simbolet e LANÇ dhe varrezat e dëshmorëve janë pjesë e rëndësishme e historisë së Epopesë së Lavdishme të LANÇ, por dhe objekt i veprimtarisë së organizatës tonë, për ti mbrojtur e propaganduar ato. Megjithatë, konstatohet se në disa rrethe, mungon evidentimi mbi numrin, llojin dhe gjendjen e tyre fizike. Rrjedhimisht edhe kujdesi ndaj tyre lë për të dëshiruar. 

Së fundmi: Edhe pse në vazhdimësi është tërhequr vëmendja për likuidime në kohë të aboneve të gazetës e të kuotave të anëtarësisë, jo të gjithë komitetet e kryejnë këtë detyrim. Duhet të jetë e qartë se pa ardhur lekët nga ju, ne e kemi të vështirë të plotësojmë shumën që kërkon botuesi prej një milion lekë për çdo botim. Kështu mund të themi edhe për përqindjen e kuotave. Prandaj shtrohet kërkesa, për masa që do ta përmirësojnë këtë gjendje jo të mirë. Këto ishin disa problem që menduam të trajtojmë në këtë raport, por shokët me diskutimet e tyre, do ta bëjnë edhe më të plotë atë.