Të ikë Janullatos, kreu i Kishës Autoqefale të jetë shqiptar

812
(vijon nga numri i kaluar)
INTERVISTA II/ Rrëfimi i kolonel Myslim Pashës, njeriut që tronditi Athinën

Letra për Kryeministrin
Si u vu nё dijeni Berisha dhe Oketa
Letër nga Prof. Myslim Pasha (Kolonel në rezervë) Mjeshtër Kërkimesh, ish-drejtor i Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë në vitet (1997-2007)
Drejtuar: Ministrit të Mbrojtjes: z. Gazmend Oketa.
Për dijeni: Kryetarit të këshillit të ministrave: z. Sali Berisha

I nderuar z Ministër.
Përshëndetje sipërore!
E nis këtë letër, si një aspekt historie, sepse ndodh shpesh që nuk të vërshëllen njeri. Ato ngelen si dëshmi të harruara, diku në sirtarë e kësisoj nuk bien në dorë të titullarëve, për shkak të ngarkesës së tyre dhe punëve të mëdha që ka Shteti. Megjithatë unë po e përcjell.

1. Pas dallgëzimit mediatik që solli njoftimin e Ndarjes së Detit dhe zhurmimit të asisojshëm, mora ç’të mundesha prej shtypit dhe arkivit tim, prej publikimeve të së drejtës Detare Ndërkombëtare dhe në pataksje shifrash, m’u desh që t’i jap fund një studimi për Marrëveshjen tanimë të shumëpërfolur. Është një nga ngjarjet më shpërthyese të kohëve të fundit, e cila u mënjanua me të drejtë nga media, për një farë kohe, sepse ajo në radhë të parë, ndot dinjitetin kombëtar. Po edhe kjo që po them nuk është, mbroth.

2. Vetë, biseduesit, specialistët, hidrografët, gjeografët, gjeodetët, me gjithçka që kanë përgatitur për këtë marrëveshje, të çuar për firmë, dhe të firmosur tanimë, paraqet, ndofta një nga gjeoturpet më të mëdha, që nga krijimi i shtetit shqiptar, gjer në Kohë të Integrimeve të mëdha Evropiane. Është përgatitur një dokument i cili është në mënyrë tërësore një: Lajthitje!? Indiferencë!? Dhurim!?, Hi sysh!? A ç’gjësend tjetër? P.sh: qoftëlarg, siç thuhet – një shitje? Nuk më takon të merrem me hulumtime dhe investigime të kësisojshme. Fqinjëve tanë grekë, me duart tona u kemi shpërfaqur një marrëveshje detare, duke injoruar gjeohistorinë tonë kombëtare. 

3. Gjithçka e zhvilluar më vonë është e turpshme, gjithashtu, e fshehtë e misterioze.

4. Shteti, qeveria, u vu në siklet të madh, por së fundi e quajti një trillim primitiv. Ç’mund të bëj një Ministër, Kryeministër apo President kur i çojnë përpara një dokument të tillë!? Nëse është ky version!?

5. Instituti Gjeografik Ushtarak me ligje menaxhon nё vёshtrimin gjeodezik kufijtё shtetёrorё dhe ai kёtё nuk e ka bёrё. 

6. Lloisem me vete se ç’do të bëhet? Kjo kokolepsje më shumë se sa humbjen e Detit na përcjell një humbje dinjiteti. S’kam rrugë tjetër! Do të publikoj studimin tim, me dashurinë për miqësinë dhe bujarinë ballkanase (aq sa) midis të dy popujve tanë, e si një gjoedet dhe hartograf të modeloj se si e kemi shkelur UNCLOS (United Nations Convention on the Lavv of the Sea- 1982) dhe i kemi falur Greqisë Mesdhetare, zotërueses gjeografike më të madhe ujore në rajon, (pra i kemi falur) detin tonё…

7. Në vetëdijen time intelektuale dhe kombëtare, po i sjell shtetit tim një farë kokëçarje, nisur nga firmosja dhe vulosja ilumineshente e rrëzëllitëse. Ta bëj, këtë përpjekje që të mund të gjendet një mënyrë për të shmangur njëfarësoj, atë që ka ndodhur. Po a ka vallë kohë, ky Shteti im, të shqyrtojë çka thashë atypari?
Flas, shkruaj fjalë dhe vizatoj skema detare, për të shpëtuar jo vetëm shpirtin tim.
Prof. Myslim PASHA (Kolonel në rezervë), Mjeshtër Kërkimesh

Konferencë shtypi dhe hartash
Pse u njoftuan gazetarët që nuk duhet të bëjnë asnjë pyetje 
“Si asnjëherë tjetër, në zyrën e konferencave për shtyp, aty ku më parë zhvilloheshin mbledhjet e qeverisë, ishin zhdukur gjysma e karrigeve, ku në raste takimesh të rëndësishme, uleshin të gjithë përfaqësuesit e medias.” Në një konferencë për shtyp, folësit përfaqësues, të këtij shteti, kishin ardhur në alarm, ashtu të shqetësuar, me të shpejtë duke pasur në duar të tyre një hartë detare të Shërbimit Hidrografik Helenik, që e befasoi tërë gjendjen. Kompasi me majën e tij, nuk mund të mbulonte, emërtimet e viseve tona në gjuhën greke. Sikur asgjë tjetër të mos kish patur, edhe asnjë fjalë të mos ishte thënë, vetëm ajo hartë, ajo dërgatë hidrografike misionare, e kishte bërë vetëzbulimin dhe vetëdemaskimin e saj. Të nesërmen në media, u shfaq një hartë e huaj. Studimet hidrografike detare, kanë pasur, në dhjetëvjetëshin e fundit një “boom” të dhënash matëse moderne nga ekspedita të SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë. Po kështu ka pasur edhe ekspedita të përbashkëta greko-shqiptare për grumbullimin elektronik të dhënave detare, të thellësive të matura me ultra tinguj, të hartografimit të saktë të shtratdetit nënujor etj. Është kryer hartografimi i gjirit të Durrësit dhe të Vlorës. U fillua hartografimi i Gjirit të Sarandës, po ai u ndërpre. Ndërkaq, ende vijon të jetë një hartë detare e prodhuar në vitin 1981. Në këtë periudhë, nuk u bë asgjë për të përtërirë këtë hartë, e për ta plotësuar me një material të ri detar, që ekziston me bollëk, të shndërruar në Standarde të NATO-s. Nuk mund të flitet për grumbullim baze të dhënash në fushën detare, nëse mungon kjo hartë. Prandaj folësit, ashtu të papërgatitur siç ishin, as që u shkoi në mendje se harta ishte e palës tjetër dhe ata, gati në mosbesim të syve, “ngritën supet”. Të nesërmen u soll një hartë tjetër. Tabloja ishte groteske. Ata që ishin në Konferencë Shtypi, duke mos qenë specialistë, nuk qenë në gjendje të hetonin, nëse ajo hartë, ishte prodhim shqiptar apo i palës tjetër. Megjithatë ajo i kishte toponimet në gjuhën shqipe.
Ai ishte nga të paktët që u vu në mbrojtje të interesave të Shtetit Shqiptar në mënyrë publike. Zërat e tjerë, ose kishin heshtur, ose hidhnin batuta. Kolonel Myslim Pasha, ish- drejtori i Institutit Gjeografik Ushtarak, ishte i vetmi që kundërshtoi mbështetur në baza shkencore marrëveshjen famëkeqe, ku grekët kërkonin të bëheshin zotër në një pjesë të ujërave tona. 
Gjatë pjesës së dytë të rrëfimit të tij për “Telegraf”, kolonel Myslim Pasha, i cili mban dhe titullin e Doktorit të Shkencave e Profesor, thotë: 

Pse u ndez kaq shumë ky debat kur mund të mbetej në kuadrin e çështjeve teknike?
Më së shpejti më vjen ndër mend thënia e Faik Konicës: “Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe tragjik.” Ndarjen e kampeve partiake në Shqipëri, politika e sotme po e rimbjell me ngulm dhe ne ngelemi të ndarë, njëri krahë në armiqësi me tjetrin, si një epidemi, s’e heqim dot prej vetes, dhe s’e heqim dot. Këto sa thamë, na tregojnë se kemi prapambetje reale sado që “po prekim Evropën”. Të mos e zgjas, edhe në rastin e këtij Pakti sërish shqiptarët afërsisht u ndanë në dy kampe: Ata që ishin me qeverinë e sotme dhe pjesa tjetër, ajo e opozitës shqiptare. Diaspora Shqiptare, ishte tjetërlloj; ajo u radhit përkrah ashtit të interesave tona gjeohistorike kombëtare. Atë që “mbronte Qeveria…” duhet, medoemos ta pranoje se sikundër mund të perifrazojmë thënien latine: “Roma locuta est; Causa finite est.= Foli Roma. Çështja është e mbyllur.” (Shën Agustini). Po si mund të mbyllej “symbyllur” ky Antipakt? Si mund të ndaheshim kësisoj, edhe për interesat tona kombëtare, për detin tonë gjeohistorik, duke u nisur, jo thjesht prej dëshirave, por prej gjykimeve, hartografimeve dhe trajtimeve teknike në përputhje me Ligjin e Detit? Diplomacia kërkon si pararendje qartësimin e zgjidhjeve teknike. E ja ku dalim se, as ky debat nuk mund të ishte civil, po ai u fut njëtrajtshëm si gjithë debatet e tjerë në Shqipëri. Kështu u ndërmorën edhe sulme, (siç mund t’i quajmë) sepse në absurd këtë sulm ta bën vëllai yt, bashkësia jote, me sharje dhe fyerje, të cilat përcillen me dhimbje tek çdokush.

Debati për Detin risolli në vëmendje marrëdhëniet tona me Greqinë. Ka të bëjë kjo me mendim se Shqipëria toleron ndaj fqinjit të Jugut që të mos pengohet në rrugën drejt BE-së? 
Është normale që ndaj Greqisë të mbahet vijimisht një qëndrim prej të maturi, fqinjësi, miqësi, sepse kjo është jetësore, po të kemi parasysh interesat e sotme politiko-ekonomike e gjithëpërfshirëse. Mos harrojmë se në Greqi sot punojnë mbi 600 mijë shqiptarë. Kjo nuk do të thotë që ne të jemi të pushtuar nga kompleksi i përulësisë, të pranojmë gjithçka, veç të realizojmë hyrjen tonë të vonuar në BE. Pakti Detar i përmbysur, në të vërtetë nuk solli, nga ana e Greqisë ndonjë irritim atavik si në të shkuarën. Ishte e pazakontë. Nuk pati ndonjë fushatë, apo vënie kushtesh etj, nga ana e Qeverisë greke, veçse përsëri, me një kujdes diplomatik, u etiketuan qarqe ekstremiste e nacionaliste, të cilat në përkim ishin të njëjta me ato të Qeverisë shqiptare. Kjo u tha nga politikanë të epërm të dy vendeve ku u përdor e njëjta teknologji dhe terminologji. Kjo linte të nënkuptohej, nga të dy anët se: “Pakti është ky që u krye dhe firmos… asnjë shqetësim të mos ketë, veçse gjithçka që ndodhi kish lidhje me ato qarqe që nuk bëjnë pjesë në asnjë infrastrukturë të të dy shteteve.” Shpreh bindjen se grupi negociator i palës greke kish dalë fitimtar, sepse vepra e tyre çoi në pranimin e ndërsjellët të Paktit, të cilin, ata në mënyrë mjeshtërore e kishin qepur dhe veshur me metodën aq shumë të lakuar të “baraz-largësisë”. Kurse ekipi ynë ishte si një peshk i verbër, në Detin e tij. Pala fqinje e njihte shumë mirë Ligjin e Detit dhe po kështu edhe metodën tjetër të cituar. Mirëpo ata, natyrshëm janë nisur nga interesat e tyre kombëtare dhe nuk kishin se pse t’i hynin debatit që erdhi më pas. Vepra e tyre kish mbaruar. 

Përpara tyre ka qenë e nxehtë çështja e kreut të Kishës Ortodokse. A ishte çështja e Paktit pjesë e të njëjtës linjë problemi?
Sa i përket Kryepiskopit Anastas, ai është një figurë e shquar e religjionit në Shqipëri, me një natyrë sa teologjike aq dhe filozofike. Nuk dua ta përgojoj figurën e tij të lartë dhe kontributin e tij, por ka ardhur koha që kreu i Kishës Autoqefale të Shqipërisë të jetë shqiptar.

Cilat ishin reagimet nga vendi fqinjë pas rrëzimit të Paktit nga Gjykata Kushtetuese?
Reagime të tjera në Greqi, kanë qenë si ca geizerë politikë e nacionalistë, por që nuk u dëgjuan, aq shumë. Qenë edhe disa opinione të veçuara që e konsideruan Kushtetuesen e Shqipërisë si: “nën trysninë turke” e që po kështu edhe shëmbëllesën e rrëzimit të Paktit e quanin pothuajse të njëjtë me qëndrimin e Turqisë, kur në vitin 1995, kur Parlamenti turk shpalli “cassus belli = gjendje lufte” kundër Greqisë e cila lidhej me ratifikimin që kishte bërë ajo, ndaj: “UNCLOS-82 = United Nations Convention on the Law of the Sea- 1982. “duke e e zgjeruar Detin Territorrial nga 6 në 12 milje detare, prej brigjeve detarë. Përfytyroj, dhe besoj kësisoj, se pala greke në heshtje, ka pranuar rinegocim sepse ka qenë shumë optimist premtimi i Qeverisë Shqiptare, duke marrë sigurinë, se ndarje e mëvonshme do të jetë po ajo që ish kryer me Paktin famëkeq. 

Shërbimit Hidrografik
Si u siguruan hartat detare tё Greqisё
Hartat, fragmente të së cilave, po paraqesim më poshtë, janë prodhime të Shërbimit Hidrografik Hellenik, një nga institucionet më të njohura hartografike dhe hidrografike jo vetëm të Greqisë, por dhe të të gjithë vendeve të Mesdheut. Këto harta tregojnë, detyrën, misionin, kujdesin që paraqet ky institucion në studimet dhe projektet e shtetit, në zhvillimin e vendit të tyre, në fusha të ndryshme. Mbërritja e këtyre kopjeve mesa duket, u lidh me nevojën dhe kërkesën e publikut shqiptar, që po kërkonte një pasqyrë të marrëveshjes së fundit, për ndarjen e ujërave detare, midis të dy vendeve. Njëra prej tyre, hamendësohet se është paraqitur në një konferencë për shtyp, për të treguar saktësinë e hartografimit të vijës mesore në bazë të parimit të baraslargësisë. Ardhja e këtyre hartave të cilat po i paraqesim më poshtë na dha mundësi që prej njoftimeve të sakta, të zhbirohej, sa më shumë të ishte e mundur, për projektin e përfunduar, të cilin e kishim vetëm në formatin e koordinatave gjeografike. Harta në shkallën 1: 40 000, nuk është as hartë topografike e as hartë detare. Kjo hartë në përcaktimin e saj themelor që shkruhet në fund të saj është “vija e mesme midis Greqisë dhe Shqipërisë (Ngushtesa Veriore e Korfuzit)”. Ajo paraqet një format ta saktë të gjeohapësirës që kufizohet në veri prej paralelit 400, dhe në jug nga paraleli: 390 36’ 00” dhe në kufizimin meridional në perëndim 190 45’ 00” e lindje: 200 04’ 00”. Vija e mesme kufitare detare është paraqitur më një dendësi të madhe pikash të cilat hera herës janë edhe deri 80 metra larg njëra-tjetrës, dhe më të vogla se kaq. Ajo që ka rëndësi për të shqyrtuar, si njoftim i rëndësishëm, është koha, kur kjo hartë është krijuar, 28 mars 2008. Kjo kohë, nuk përkon me asnjë datë nismimi të negociatave midis të dy vendeve, kur dihet se pala shqiptare filloi një veprimtari të dendur të saj aty nga shtatori i vitit 2008. Mesa kuptohet ky është një projekt hartografik i përcaktimit të vijës kufitare detare, midis të dy vendeve, atëherë kur ende, nuk ishte përcaktuar asnjë hulli parimesh, metodash, dhe kur nuk ishte këmbyer asnjë projekt apo përvojë në diskutime. Pala e Republikës së Greqisë, ka zgjedhur parimin e baraslargësisë, ka futur në punë zbatimin e tij në versionin e një baraslargësie të përpiktë, duke kryer edhe përpunimin digjital nisur nga formati i një harte të krijuar më parë. Kjo na shpërfaq në hamendim, se do të ketë qenë një punë paraprake e palës tjetër, e cila nisur prej përvojës së saj të bollshme, t’ia ketë çuar palës shqiptare, si një Projekt, çka duket e natyrshme. Koordinanat tregojnë se nuk ka asnjë ndryshim me ato tё Marrëveshjes, veçse nё kёto harta numri i pikave ёshtё mё i madh dhe jo 150. Zbulimi i kёtyre hartave e nxori “lakuriq” palёn tonё. Zhveshja e butё ishte bёrё nga pala greke, e cila nuk kish gjetur asnjё pengesё nё kёtё krah.
L. VEIZI

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI
-Sheri për varrezat e ushtarëve grekë në juglindje të Shqipërisë
-Si trajtohej emigracioni shqiptar në Greqi dhe ai “vorioepiriot”
-Përse Greqia hesht për çështjen e pazgjidhur të Çamërisë
Sigal