Takimi në Lidhjen e Shkrimtarëve pas arratisjes së Bilal Xhaferrit

1063
Sigal

Mbledhja urgjente dhe deklarata e Kadri Hazbiut: Nëse nuk do ta vras, nuk më tret dheu. Qëndrimi i Koreshit, Buxhelit, Agollit dhe bisedat mes Kadaresë dhe Paçramit. Këshilla e Myftarit për Bilalin mbi kritikën ndaj romanit “Dasma” dhe deponimi i komandantit të kufirit.

Vath Koreshi ishte krijuesi që kishte më shumë besim te pena e Bilalit

Kadri Hazbiu në Lidhjen e Shkrimtarëve disa ditë pasi iku Bilali: ëse nuk do ta vras, nuk do të më tresë dheu

Hyqmet Zane

 

Dy fjalë për Bedri Myftarin:

Është njeri nga shkrimtarët miq të Bilal Xhaferrit, bashkëkohës dhe bashkëvuajtës i dënuar më pas nga regjimi komunist më 1971. Ai është autor i disa romaneve, novela, tregime dhe vëllime me poezi. Njihet si një nga gazetarët e grupit të të rinjve të viteve ’60 që dolën nga kornizat e realizmit socialist dhe u bënë pjesë e letërsisë së lirë që më pas u kushtoi jetën të gjithëve me dënime të ndryshme për agjitacion e propagandë.

Ka lindur mbi brigjet e lumit Kalama në fshatin Sklav, në Filat të Çamërisë, më 21 dhjetor 1938.

Pas vitit 1991 punoi përsëri si gazetar, fillimisht në gazetën “Kosova” e më pas kryeredaktor i “Tribuna Demokratike”, kryeredaktor i gazetës “Çamëria”, “Bota Shqiptare” etj.

Ka qenë këshilltar i zgjedhur në Bashkinë e Tiranë në vitet 1992-1996. Ka qenë kryetar i Shoqatës “Çamëria” në vitet 2000-2002.

Bedri Myftari për Bilal Xhaferrin

Mërzitja ime e parë me Bilalin ishte për arsyen e romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. Unë i thashë që të mos fliste, por ai nuk më dëgjoi, foli dhe si përfundim, pas asaj që ndodhi, edhe vetë Bilali e kuptoi që nuk kishte bërë mirë që foli. “E prisha” – më tha ai. Ndërsa unë i thashë, “Ik, s’ke punë më me mua”. Unë i thashë mos fol se do të kesh pasoja, se babain ai e kishte të pushkatuar nga regjimi, por ai nuk më dëgjoi. Që aty ku ishim tek Lidhja e Shkrimtarëve ku u diskutua për romanin “Dasma” ne na rrethuan ata të sigurimit. Unë nuk isha dakord se ky ishte edhe një kurth për ne të gjithë, se unë isha caktuar që të bëja edhe artikullin në gazetë. Isha bashkë me Liri Lubonjën. Bile Liria tha: “Bobo ç’bëri ai, nuk e di se çfarë do ndodhë”. Tha kështu, se Todi (Lubonja) e kishte përkrahur shumë Bilalin.

Që Bilali iku, mua më tha Namik Mane, se tek ky rrinte ai. Namiku më tha që të më jepte poezitë që kishte lënë që t’i ruaja, ndërsa unë i thashë do vij që t’i marr, por për neglizhencë nuk vajta dhe bëra mirë që nuk vajta se nuk i dihej se çfarë mund të ndodhte. Pyetja e parë që më bënë në hetuesi kur më arrestuan edhe mua më pas, ishte se ku i ka lënë poezitë Bilali. Baza e hetuesisë sime kur më arrestuan, ishte për Bilalin, më thoshin ku e ke çuar me shërbim, kur unë nuk kisha asnjë mundësi që të çoja njeri me shërbim, aq më tepër në një situatë të mbikëqyrur. Bile gazeta ku punoja më çuan vetë me shërbim në Konispol. Unë vajta dhe nuk mora vesh që kishte ikur. Kur më arrestuan, më thanë se, përse vajte në Konispol që bëre edhe 340 kilometra, kot i bëre ti? Dhe unë për të shpëtuar nga kjo, u tregova bisedën që kisha bërë me Bilalin tek i ashtuquajturi “Parku Miqësia” ku është parlamenti sot, “O Bilal çfarë bëjnë këta me kinezët do të lidhen që hanë krimba?”. Ai mbylli gazetën e më tha “Ti do merresh me politikë apo me letërsi. Unë kam vajtur 30 e ca vjeç e nuk kam lexuar një herë “Zërin e Popullit”. Ua tregova enkas hetuesve për t’u thënë se unë nuk kisha dorë në ikjen e tij. Dhe më pas kjo ishte e baza e akuzës që Bedri Myftari e bëri armik Bilalin me këto fjalë.

Bilali iku me të vërtetë vetë i tretë dhe akuzat që ngre një farë Meto Kondi nuk janë të vërteta, se Bilali të gjitha shkrimet dhe gazetat që ka bërë i ka bërë kundër regjimit dhe Enver Hoxhës, duke shkruar se koka e Enver Hoxhës është bërë si oturak i atyre, se shkon nga Beogradi në Moskë e më pas në Pekin e kthim. Është absurditet thënia se e ka çuar sigurimi. Këtë gjë nuk e ka thënë njeri deri më sot. Bile, se ata të sigurimit nuk do të më bënin gjithë atë hetuesi mua për Bilalin. Bile u arrestuan edhe të gjithë ata që ishin shokë të Bilalit unë e Sadri Ahmeti etj.

Për Bilalin si shkrimtar mund të them se ishte një talent i madh. Veprën “Krastakraus” e ka shkruar në shtëpinë time. Rrinim bashkë e shkonim tek një pyll me pemë ku sot është Don Bosko. Ishte korrik, vapë e madhe. Bilali kishte një vullnet dhe durim të jashtëzakonshëm, se m’i lexonte kapitujt dhe unë mrekullohesha. Një natë Bilali, erdhi në shtëpinë time dhe më tha që do të shkruaj një tregim për minatorët që është ai “Era shtyn mjegullat e mbrëmjes” e shkroi gjithë natën e në mëngjes më tha mua që, na merre lexoje. U habita se si ndenji gjithë natën zgjuar dhe e mbaroi, por me një artistllëk të mrekullueshëm. Më vonë e bëri edhe skenar filmi atë. Ai ishte i lindur për letërsi. Pena e Bilalit lëshonte mjaltë. Reportazhet e tij janë të mrekullueshme dhe kur një herë e dërguan me shërbim në jug, thoshin se Bilalit ia shkruan ndonjë me biografi të keqe ato dhe jo vetë ai. Ishte krijuar mendim edhe në redaksinë tonë të “Zërit të Rinisë’.. një herë Vath Koreshi, që ishte mik i tij dhe që nuk kishte si ta besonte një gjë të tillë, i tha që “Bilal na duhet shpejt shkrimi, ndaj duhet të të mbyllim këtu tek një dhomë, do të sjellim bukë e ujë dhe ti shkruaj. “Mirë, – tha ai, – megjithëse jam shumë i lodhur”. Dhe ai shkroi një reportazh që ishte një kryevepër. Të gjithë u habitën.

Bilali ishte si një meteor që ndriçoi qiellin e letërsisë shqipe dhe që la shenjën e tij.

 

Për mua ishte i jashtëzakonshëm. Andej nuk ia dimë krijimtarinë e tij se e kanë plagosur disa herë, i kanë djegur redaksinë. Në mbledhjen që ka bërë Kadri Hazbiu në lidhjen e shkrimtarëve disa ditë pasi ai iku, ka thënë se “nëse nuk do ta vras Bilal Xhaferrin, nuk do të më tresë dheu!”. Kuptohet se kush mund të ishte i interesuar për ta vrarë Bilal Xhaferrin.

Kur dolëm atë ditë nga mbledhja në Lidhjen e Shkrimtarëve tek oborri doli edhe Fadil Paçrami me Ismail Kadarenë dhe Ibrahim Uruçi. Edhe aty, veç çfarë u tha në mbledhje, shtoi, sërish dëgjohej “ja armiku i partisë” ndërkohë që Ismaili u kthye dhe tha “mjaft se i bëmë të gjithë armiq. Ai i kishte menduar ato se edhe unë vetë do ta ribotoj romanin, do i rikthehem”.

Megjithëse të gjithë shkrimtarët e donin Bilalin si talent që ishte, por për shkakun se kishte babanë e pushkatuar, ishte partia në pushtet që e urrente. Bile edhe nga fshati i tij vinin letra në redaksi se përse ia botoni reportazhet në gazetë. Qamil Buxheli është njeri nga ata që e kanë mbështetur Bilalin, e donte shumë dhe e vlerësonte penën e tij. Qamil Buxheli ia ka botuar për herë të parë krijimtarinë atij, edhe pse ishte njeriu i partisë. Unë e kam nga krahina ime, u tha Qamili atëherë. Bile Todi Lubonjës ia thanë edhe në akuzë atëherë, se ke përkrahur një njeri me baba të pushkatuar. Por Todi në gjyq u ka thënë se unë e di që babai i tij është nacionalist e jo të ketë vrarë shqiptarë. Bilalin e kanë ndihmuar shumë vetë, edhe Adriatik Kallulli, Trim Gjata, por në mënyrë të veçantë e kanë ndihmuar edhe Vath Koreshi, edhe Agim Cerga, si dhe Miço Verdhi, që ishte kryeredaktori, se po të mos donte Miçua nuk botoheshin ato të Bilalit. Edhe Ali Abdihosha e ka përkrahur Bilalin, sa një herë ka thënë se ky është Çehovi ynë dhe nuk ka çmim për të se po t’i japim çmim të parë, duhet të ketë shumë vende bosh e pastaj të ketë çmim tjetër. Edhe Dritëro Agolli e donte shumë, bile ka shkruar edhe një shkrim për të, edhe Ismail Kadare e donte, të gjithë e donin, nuk kishte njeri veç ata të partisë e shihnin shtrembër. Ata që hedhin insinuata për Bilalin janë njerëz anonimë të padëgjuar. Shiko se si u shua Bilali, ky është treguesi se cili ishte Bilali.

Dy fjalë për Ibrahim D. Hoxha

Është një ndaër historianët e mirënjohur të vendit tonë dhe një nga botuesit e suiksesshëm të shumë veprave me karakter historik dhe enciklopedik. Është një nga njohësit e veprës së Bilal Xhaferrit edhe për shkakun se është me orgjinë nga ana e Bailalit dhe mik i të atit të tij. Në kohën që ka ndodhur ajo mbledhja e famshme e majit të vitit 1968 për diksutimin e romanit “Dasama” të Bilal Xhaferrit, në Lidhjene Shkrimtarëve, ka qenë i dënuar dhe i larguar nga kjo Lidhje. Me gjithë moshën e madhe, 91 vjeç, ai është në gjendje të mrië shëndetësore dhe krijimtarie, si autor i shumë e shumë veprave dhe kryetar dhe drejtues i shoqatës “Hasan Tahsini” që nga themelimi i saj më 1991.

Ibrahim D. Hoxha për Bilal Xhaferrin

Unë Bilalin nuk e njohja më përpara, por pashë një vjershë të tij mbi Çamërinë që thoshte “Lamtumirë Çamëri”. Lamtumirë do të thotë që të heqësh dorë nga një gjë. Dhe unë u detyrova të shkruaj një vjershë “Jo lamtumirë, por mirëupafshim Çamëri”. E shkrova unë këtë vjershën dhe e pa edhe Bedriu(Myftari), e pëlqeu edhe ai dhe ia thotë Bilalit, megjithëse nuk e njihja atë, por njihja fare mirë babanë e tij, Xhaferrin, se isha bashkëluftëtar me të. I thotë Bedriu dhe takohem ja këtu para shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe më tha që dua që ta shoh atë vjershën që ke shkruar. Ia dhashë se e kisha të shkruar në një letër. E pa menjëherë dhe buzëqeshi ëmbël. “Kjo është një kundërvënie e vjershës sime, – më tha ai, – por po më pëlqen shumë, vërtet e bukur”. Në atë moment zbulova një karakter jo ambicioz, por shumë të pastër, të thjeshtë që nuk zemërohet që thotë tjetri një fjalë jo siç do ai. Duke qenë se ai e dinte që unë njihesha mirë me të atin, fillova të shoqërohesha shpesh me te.

Atë ditë që do të bëhej ajo analiza e romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë, realisht unë nuk qasesha në Lindhjen e Shkrimtarëve, se nuk më qaste njeri, se isha i përndjekur dhe nuk na kishin qef neve në mjedise të tilla. Por e shoqërova Bilalin deri atje se më pas shkoja te vëllai im që banonte atje. Më tha që çfarë do bënte. Unë e kisha marrë vesh se ma kish thënë Bedriu. I thashë me sinqeritet që “mos iu fut kësaj pune, se kam frikë që dikush të ka mballosur ty me këto, se nuk duan të dalin vetë, por duan të të shtyjnë ty dhe ti hyn në sherr që të fitojnë ata”. Mu përgjigj “Mendimi i atyre”. Më në fund që e pashë që këmbëngulte në të tijën, i thashë “të gjithë ata që janë atje janë me hundë të madhe, me hundë të trashë dhe plumbi yt nuk i shpon dot. Se ti e ke pas babain të mirë, nacionalist, ka qenë luftëtar dhe ngaqë është pushkatuar, do ta përmendin ata, si kundërgoditje për ty”. E këshillova gjatë se je djalë i ri e se e ke të ardhmen përpara, i zoti je, se me të vertët kishte një aftësi të jashtëzakonshme në krijimtarinë letrare. Jam habitur kur kam lexuar novelën e tij të parë. Shumë i shkathët, jepte shenjat e një letrari me të vërtetë pararojë. Këto këshilla i thoja se doja që këto kokra çame që kishim doja që të lulëzonin. Unë u gëzova shumë që Bedriun e çuan redaktor të gazetës “Zëri Rinisë”. Se sa ishte Bedriu më botoi disa artikuj se shfrytëzonim çdo mundësi se nuk kishim rrugë tjetër. Mirëpo edhe i thashë që atë e gjurmonin. 

Çdo kohë ka njerëzit e vet, mirëdashës dhe keqdashës. Bilali deri sa iu kundërvu haptas zyrtarisht Kadaresë, nuk kishte rrugë tjetër veçse goditjes së rrufeshme. Ma kanë thënë, pasi kishte ikur Bilali se në mbrëmjen para se të shtrohej çështja e librit të Ismail Kadaresë, “Dasma” në Lidhjen e Shkrimtarëve, në mesnatë, në shtëpinë e Kadaresë shkoi Nexhmije Hoxha, gruaja e Enverit dhe duhet t’i ketë thënë ‘Ismail, mos u shqetëso fare për këtë punë. Janë marrë masat, nuk të bën dot gjë njeri ty. Fjalë për fjalë këto janë thënë si thashethem, por kur u shtrua çështja, pati zëra çingërima, kurse kur u ngrit Bilali i ra me shpatën e Darait dhe tha këto fjalë siç m’i thanë në mbrëmje “vepra e Ismail kadaresë është një turp kombëtar që tregon se ky njeri nuk e njeh fare jetën e njerëzve për të cilët ka shkruar. Kadareja thotë se malësorja që kishte ardhur në hekurudhë u tremb nga uji i dushit ku do të bënte banjë. Por a ka malësore që të mos ketë shkuar disa herë brenda ditës në krua. Nga çdo gjë mund të trembet ajo, por nga uji, jo”.

Në këtë kohë Fadil Paçrami, siç më kanë thënë, i shoqëruar edhe nga Dhimitër Shuteriqi, i tha “bëj biografinë tënde ti. E dini ju se kush është ky? Është djali i atij që ne kemi pushkatuar, prandaj flet kështu kundër Ismail Kadaresë”. Kështu u mbyll ajo çështje dhe Bilali u vu në gjurmim dhe, po të mos kishte ikur, do ta kishin arrestuar. Bilali shfrytëzoi festën e Bogazit në markat ku kishte edhe disa kushërinj dhe që ishin njihës të mirë të vijës së kufirit, ndaj dhe u shpëtoi atyre të kufirit.

Ato që thuhen për Bilalin se mund të jetë rekrutuar nga sigurimi, unë nuk di të them. Ka raste kur sigurimi shfrytëzonte njerëz me biografi të cenuar dhe i rekrutonte. Supozojmë sikur ishte i rekrutuar. Por ai, pasi vajti në SHBA, mbajti qëndrim kombëtar. Kjo duket nga dokumentet që ai ka botuar. Atëherë, ata, për tu hakmarrë, e vranë. Atë që nuk e bënë dot në Shqipëri, e bënë në SHBA. Hamendësitë e bëra nga Meto Kondi janë fjalë në erë dhe të pavërteta, se ju thashë që, edhe nëse mund të ishte i rekrutuar, jeta e tregoi se ai nuk ishte i tillë. Ai ishte i edukuar në gjirin e një familjeje me tradita të forta atdhetarie, se unë ia kam njohur mirë të atin dhe ai ishte një luftëtar i çështjes kombëtare dhe Bilali ishte djali i Xhaferrit që i ngjante në këtë drejtim.

Çe do çfarë thonë tani, unë dua të them se Bilali ka qenë një yll që shkëlqeu dhe filloi ngjitjen drejt kupës së qiellit, por, që, për shkak të rrethanave, u shua në mes të rrugës dhe nuk arriti të ngjitet në kupolë, jo sepse nuk deshi vetë, por i shkurtuan jetën. Kjo është e vërteta e Bilal Xhaferrit. Bilal Xhaferri nuk ka vdekur vetë, Bilal Xhaferrin e kanë vrarë ata që mendimet e tij nuk i pëlqenin.

Në lidhje me marrëdhëniet e Bilalit me Kadarenë, unë nuk dua të ngatërrohem se Kadareja atë që e pështyn tani e lëpin pastaj. Mos u zgjat në mendimet e mëvonshme kur i vinë mend Kadaresë. Më ka mbetur plagë ai shkrimi te Ftesë në Studio kur Kadare ka shkruar për Bilalin kur thotë se mua mu kundërvunë shumë njerëz, si dhe një farë Bilal Xhaferri, që kishte një farë aftësie. Kadare nuk e thotë haptas se ai kishte aftësi të më zhvendoste mua. Egoizmi i Kadaresë në Konferencën e dytë albanolgjike hodhi poshtë edhe Naim Frashërin, kundër të cilit edhe unë u ngrita dhe më morën në qafë edhe mua.

Më vjen keq për jetën e Bilal Xhaferrit se iku i ri, se ai ishte një yll që shndriste, siç ta thash më sipër. Se po të ishte ai gjallë do të ishte një Stendal ose një Viktor Hygo ose një Tolsto. Kishte një aftësi të jashtëzakonshme, ishte idhulli im, me aftësi absolute.

 

Emin Riza, në vitin 2002

“Prej vitesh matem dhe tërhiqem, për të shkruar pak rreshta për Bilal Xhaferrin, të cilin e njoha në rinin time, të thjesht njerzor, me vullnet të epërm dhe trim. Afria thuajse e menjëhershme me të, intimiteti dhe vlerësimet e ndërsjella i kam pasur vijueshëm të shtrenjta. Ato morën një vlerë tjetër kur vrullshëm Bilal Xhaferri u shfaq si një meteor në qiellin plot yje krijuesish dhe patriotësh shqiptare. Ai tashmë nuk i përkiste vetëm një rrethi të afërmish intimë, familjar dhe miqësor, por mbarë kombit, pra mbarë brezave, duke fituar përjetësinë e merituar.

Nuk di se ç’bëri Bilali me librat që i huajta, por shpejt mësova se ai ishte duke kritikuar romanin “ Dasma”, duke u sulmuar rëndë prej një gjeraku të Partisë. Më pas Bilali iku nga atdheu, për atdheun, pa reshtur veprën në cilësinë e krijuesit patriot. Ndërroi jetë në rrethana të dyshimta.

Biri i shquar i kombit shqiptar dhe më ngushtaz i Çamërisë martire, të tradhtuar vijueshëm prej mbarë qeverive shqiptare të pas luftës së dytë botërore. Bilal Xhaferri ishte shembulli i patriotizmit shqiptar shfaqur me një talent krijues të bashkëlindur në rrethanat e një jetë plot dhembje dhe vështirësi, por të jetuar njerëzisht në lartësi thuajse të paarritshme”.

Bashkim Kuçuku

Çdo shkrimtar i vërtetë është origjinal. Ndërsa Bilal Xhaferri është më tepër se origjinal. Ai është një shkrimtar i veçantë. Edhe vepra e tij është e veçantë, sepse e veçantë është jeta e tij, bota e tij, interesat dhe prirjet shoqërore të tij.

Pas largimit nga Shqipëria duke u arratisur për t’i shpëtuar ndjekjes dhe persekutimit fizik të tij, Bilal Xhaferri emigron në SHBA, ku gjen edhe prehje tek shumë bashkatdhetarë të tjerë që vuanin si ai për mallin e Shqipërisë që kishte mbetur në kthetrat e diktaturës së kuqe staliniste.

Ishin mesi i viteve ’70 kur në këtë vend po përjetoheshin skenarë ogurzinj mbi popullin pa asnjë të drejtë njerëzore. Është kjo arsyeja që ky poet i madh me pak fjalë shpreh një botë të egër që ka zaptuar vendin e tij.

Nesër do të lexoni:

Flasin Namik Mane, Kipe Avdia, Vath Koreshi

-Namik Mane: Bashkë me Bilalin kam ndenjur 6 muaj që të arratiseshim nga deti, por ai nuk rrinte dot në ujë

– Bilali nuk ka pasur armiqësi me Ismailin më ka thënë këto fjalë: Më vjen që e zhgënjeva Ismailin, se ai kujtoi se unë do ta lavdëroja për romanin

Kipe Avdia, bashkëfshatar i Bilal Xhaferrit: Në vitet 1973 – 1976 kam punuar me Bilalin në “Krahu i Shqiponjës”, ishte perefekt