Takimi/ Ja çfarë u bisedua më 23 tetor 1987 pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike

1180
Sigal

ARKIVA/ Nga vizita e ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Republikës Federale Gjermane. Çarçani i kujton  Gensherit mësimet e Enver Hoxhës, Gensher-Çarçanit: Duhet të  shkëmbejmë pikpamjet politike

Bisedim i zhvilluar në 23 tetor 1987, në pritjen që i bëri Kryetari i Këshillit të Ministrave, Adil Çarçani, Ministrit Federal të Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskancelarit të Republikës Federale Gjermane, Dr, Hans Ditrih Gensher. Në pritje merrnin pjesë zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Vangjel Çërava, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Niko Gjyzari, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjon Gorishti, dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka. Pas përshëndetjeve të rastit u zhvillua kjo bisedë:

Adil Çarçani: Si jeni me shëndet zoti ministër?

Dr. Hans Ditrih Gensher: Shumë mirë, u pritëm me përzemërsi shumë të madhe e me kohë shumë të mirë

Adil Çarçani: Kohën në vendin tonë e gjetët shumë të bukur dhe, sikurse koha, jam i mendimit dhe kam besim se edhe vizita juaj, megjithëse e shkurtër, do të kalojë me sukses dhe do të jetë e frytshme.

Dr. Hans Ditrih Gensher: Ky është edhe qëllimi im: ne duhet t’i futemi me seriozitet të madh zhvillimit të marrëdhënieve tona. Kemi bërë një hap të rëndësishëm me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por kjo nuk duhet të mbetet formale. Ne dëshirojmë që këto marrëdhënie t’i mbushim me jetë. Duhet të  shkëmbejmë pikëpamjet tona politike me njëri -tjetrin, të shikojmë ku puqemi e ku nuk puqemi dhe ne dëshirojmë të zhvillojmë një bashkëpunim shumë të gjatë në ekonomi, shkencë, teknikë e kulturë. Ne nuk duhet të kursejmë asnjë fushë ku mund t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona.

Adil Çarçani: Ashtu është, pajtohem me ato që thatë. Në radhë të parë, e ndjej të nevojshme t’ju uroj mirëseardhjen në vendin tonë dhe t’ju them se vizitën tuaj Qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, opinioni zyrtar dhe i gjithë opinioni i vendit tonë e kanë mirëpritur dhe e shikojmë si diçka mjaft pozitive. Shfaq besimin tim, të Qeverisë e të popullit, se vizita juaj do të shërbejë me siguri zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona në të gjitha fushat e ndryshme. Është e domethënës fakti që vizita juaj bëhet brenda një kohe relativisht të shkurtër, pas ngjarjeve të shënuara, do të thosha historike, ndërmjet vendeve tona – pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, gjithë populli shqiptar, tërë opinioni i brendshëm e përshëndeti këtë si një akt të rëndësishëm, që do të hapë një perspektivë të mëtejshme intesifikimi në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Edhe para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona ka pasur shkëmbime të ndryshme, si shkëmbime tregtare, shkencore, kulturore-artistike e në fushën e turizmit, të cilat kanë qenë në përgjithësi të dobishme. Personalitetet zyrtare e shkencore të Republikës Federale Gjermane dhe të Republikës Socialiste të Shqipërisë kanë bërë vizita reciproke, studiues të ndryshëm shkencorë të degëve të ndryshme kanë marrë pjesë në konferenca e simpoziume që janë zhvilluar përkatësisht në Republikën Federale Gjermane e në Shqipëri. Marrëdhëniet tona tregtare  janë zhvilluar normalisht e me korrektësi, sikurse dhe marrëdhëniet kulturore-artistike etj. Ne mendojmë se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona janë krijuar edhe më tepër mundësitë që këto shkëmbime të zhvillohen më tej, të intesifikohen deri në përfundimin dhe të marrëveshjeve të veçanta ekonomike, tekniko shkencore, në lëmin e transferimit të teknologjisë, kulturore-artistike, turistike etj. Të gjitha këto do të shërbenin shumë për njohjen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet popujve dhe dy vendeve tona. Dëshiroj t’ju siguroj se predispozicioni i Qeverisë sonë, i të gjithë organeve e institucioneve tona shtetërore, është i tillë që këtyre marrëdhënieve, zhvillimit të tyre të mëtejshëm t’u jepet një impuls i ri. Siç edhe mund të jeni njohur pak a shumë, Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore ka qenë nga vendet më të prapambetura në Evropë nga ana ekonomike dhe e zhvillimit shoqëror e kulturor, kurse pas çlirimit, në këta 43 vjet të pushtetit popullor, ajo ka bërë hapa të mëdhenj përpara e të pakrahasueshëm me të kaluarën. Janë ngritur degë të shumta të industrisë, sidomos të industrisë së rëndë, të nxjerrjes së mineraleve, pa lënë pas dore industrinë e lehtë dhe ushqimore. Në krahasim me të kaluarën është bërë një zhvillim i dukshëm i bujqësisë drejt një progresi shkencor në rritje, në zbatimin e të rejave agroteknike dhe marrjen e rendimenteve më të mëdha në prodhimet bujqësore e blegtorale, pa folur pastaj për zhvillimin e arsimit e kulturës, ku është bërë një përmbysje e vërtetë, një revolucion i tërë. Para çlirimit mbi 85 për qind e popullsisë ishte analfabete, kurse sot kemi një sistem të tërë shkollash deri Universitetin, Akademinë e Shkencave etj. Me gjithë këto arritje të mëdha, në planet tona e sidomos në planin e tetë pesëvjeçar që miratoi Kongresi i 9-të i Partisë, ne kemi caktuar detyra të mëtejshme e të rëndësishme për të zhvilluar më tej, në radhë të parë, ato degë të ekonomisë sonë që mbështeten në shfrytëzimin e lëndëve tona të para, sidomos nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve të ndryshme, si të mineralit të kromit, ku  ne kemi rezerva të konsiderueshme, të hekur-nikelit, ku gjithashtu kemi rezerva të mëdha, të mineralit të bakrit etj. I kemi kushtuar rëndësi zhvillimit të  energjitikës, nxjerrjes së naftës e të gazit dhe shtimit të energjisë elektrike, sot e në perspektivë. Në të njëjtën kohë kemi caktuar detyra të rëndësishme dhe për industrinë e lehtë dhe ushqimore, për t’u dhënë një zhvillim të tillë të mëtejshëm që të përballojnë më mirë nevojat në rritje të popullit me mallra të konsumit të gjerë, pa folur pastaj për bujqësinë që, siç e dini është baza e sigurimit të ushqimit të popullit, e sidomos të drithërave të bukës, sigurimi i së cilës në vend ka qenë për ne një arritje historike. Në planin tonë të pesëvjeçarit të 8-të kemi parashikuar masa për të intesifikuar degët e industrisë minerare në shtimin e prodhimit të tyre, por edhe për të përmirësuar nga ana cilësore teknologjinë e nxjerrjes së kësaj pasurie, teknologjinë e pasurimit e të shkrirjes së mineraleve, për t’u marrë atyre sa më shumë nga komponentët që ato përmbajnë. Mekanizmi i proceseve të punës në pasurimin e mineraleve të kromit, hekur nikelit, bakrit etj., si dhe vendosja e teknologjive të reja dhe shkrirjen e këtyre mineraleve, janë disa nga objektivat tona të rëndësishëm për t’u arritur gjatë pesëvjeçarit të 8-të e në vijimësi. Parashikojmë, gjithashtu, masa e detyra të rëndësishme për shtimin e zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit bujqësor e blektoral, për t’i rritur me ritme më të larta, por kjo kërkon masa të rëndësishme për një mekanizëm të mëtejshëm të bujqësisë, kimizimin e mëtejshëm të saj e mobilimin e tokës. Shtimi i prodhimit industrial e bujqësor, rezultat i zhvillimit me përparësi të këtyre dy degëve të rëndësishme, ku mbështetet kryesisht ekonomia jonë, sot e në perspektivë, kërkon që gjatë planit të 8-të pesëvjeçar të zhvillohet intensivisht dhe transporti, sidomos të rriten kapacitetet e tij dhe të modernizohet ai, për të përballuar zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit tonë. Në të gjitha këto drejtime të zhvillimit të këtyre degëve bazë të ekonomisë tonë dhe, në radhë të parë, të zhvillimit të atyre degëve që i shërbejnë prodhimit të mjeteve të prodhimit siç është industria e rëndë, ne mendojmë se janë të gjitha mundësitë që të konkretizojmë me Republikën Federale Gjermane masa dhe bashkëpunim të mëtejshëm, , nëpërmjet marrëveshjeve ekonomike, teknike, shkencore, transferimit të teknologjive, vendosjes së teknologjive të reja, automatizimit të prodhimit, mekanizimit të proceseve të punës etj., siç është biseduar edhe ndërmjet delegacioneve tona gjatë takimeve të ndryshme që kemi pasur, veçanërisht kohët e fundit. Kjo nuk përjashton, përkundrazi, kërkon që edhe marrëdhëniet tregtare, zhvillimi i tyre, shkëmbimi i mallrave të eksportit e të importit ndërmjet të dy vendeve,  të marrin një zhvillim më të madh. Mendimi ynë është se kemi ç’të blejmë në Republikën Federale Gjermane, por në të njëjtën kohë kemi dhe se çfarë të shesim. Dëshira jonë është që Republika Federale Gjermane të ishte partneri kryesor, në radhën e shteteve evropiane, në zhvillimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve tona dhe ekzistojnë mundësitë në këtë drejtim, si dhe vullneti nga ana jonë. Kemi besim të plotë se një predispozicion e vullnet të tillë do të gjejmë edhe në organet e institucionet përkatëse të Republikës Federale Gjermane. Ekzistojnë edhe mundësi të tjera. Ne disponojmë në vendin tonë pasuri të tjera, sidomos minerale që gjer më sot nuk i kemi shfrytëzuar, siç është nikel-silikati, rezervat e mëdha të kripës minerare, rezervat e konsiderueshme të azbestit e të tjera minerale që ende nuk i kemi vënë në qarkullim. Vënia në qarkullim e këtyre mineraleve nëpërmjet shfrytëzimit të tyre do të ishte në interes si për vendin tonë, ashtu dhe për Republikën federale Gjermane, sigurisht në bazë të leverdisë e të interesit reciprok. Unë dëshiroj t’ju them e t’u siguroj se përfitimi që do të kishte vendi ynë nga një zhvillim i tillë i marrëdhënieve tona ekonomike, teknike, shkencore, tregtare, etj., me Republikën Federale Gjermane, do të përdorej në radhë të parë, për zhvillimin e mëtejshëm të forcave prodhuese, sepse në politikën tonë ekonomike që ka zbatuar gjer më sot Partia dhe Qeveria jonë, sipas mësimeve të arkitektit të Shqipërisë socialiste, shokut Enver Hoxha, i është përmbajtur gjithnjë parimit të zhvillimit me përparësi të forcave e të mjeteve të prodhimit, si bazë për rritjen e mirëqenies së popullit, sot e në perspektivë, dhe për fuqizimin e mbrojtjes së atdheut.

KRYEMINISTRI

Ja çfarë shkruan Fjalori Enciklopedik Shqiptar

Adil Çarçani është një nga udhëheqësit e shquar të partisë dhe të shtetit, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, nga Kongresi i IV (1961), kryetar i Këshillit të Ministrave të RPSSH (1982). Lindi më 05.05.1922 në fshatin Fushë-Bardhë të rrethit të Gjirokastrës. Që në moshë të re përqafoi idetë komuniste. Anëtar i Partisë Komuniste më 1942, veprimtar i shquar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u dallua si kuadër politik e ushtarak, i aftë dhe trim në detyrat e ngarkuara, si zëvendëskomisar politik Batalioni në vitin 1943, më pas zëvendëskomisar politik i Brigadës së Shtatë Sulmuese në vitin 1944 dhe komisar politik i Divizionit të Katërt Sulmues. Pas çlirimit u ngarkua me detyrat e përgjegjësi të larta në organet udhëheqëse të partisë dhe të shtetit. U zgjodh sekretar politik i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare të ish-qarkut të Durrësit më 1945 dhe ish-qarkut të Shkodrës më 1946, ku punoi me të gjitha forcat për forcimin organizativ dhe kalitjen ideologjike të organizatave të Partisë. Kongresi III i PPSH e zgjodhi anëtar të Komitetit Qendror dhe kandidat të Byrosë Politike. U caktua ministër i minierave dhe gjeologjisë në 1959-1965 dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave të RPSSH në vitet 1965-1982. Në detyrat e funksionet shumë të rëndësishme që i ka ngarkuar partia, ka punuar me ndërgjegje të lartë e besnikëri për zbatimin dhe mbrojtjen e vijës së Partisë dhe vendimeve të saj, ka dhënë një ndihmesë të madhe për forcimin e pushtetit popullor, për zhvillimin e gjithanshëm të ekonomisë e të kulturës socialiste dhe për fuqizimin e mbrojtjes së Atdheut. Ndihma e tij ka qenë veçanërisht e frutshme në zhvillimin e industrisë së rëndë e të bujqësisë, për rritjen e efektivitetit dhe përsosjen e mëtejshme të metodës së drejtimit të të gjitha hallkave të aparatit shtetëror. Ka luftuar gjithnjë me vendosmëri për mbrojtjen e vijës marksiste-leniniste të Partisë kundër imperializmit, revizionizmit modern dhe gjithë armiqve të brendshëm e të jashtëm. Deputet në Kuvendin Popullor që nga legjislatura e dytë në vitin 1950.

Tri vizita e Gensher në Shqipëri


Vizita I

Të parën herë H.D.Gensher ka ardhur në Shqipëri në vitin 1987, të nesërmen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë Federale filluan në Bon, nga fundi i vitit 1984 dhe vazhduan deri në vitin 1987. Nënshkrimi i dokumentit përfundimtar u bë në Tiranë.

Vizita II
Më 15 qershor 1991 H.D.Gensher vjen sërish Shqipërinë. Kjo ishte vizita e tij e dytë. Si herën e parë, ashtu edhe në qershor të vitit 1991, bisedoi si dashamirës i vendit tonë dhe i popullit shqiptar. Gjatë vizitës së qershorit 1991 H.D.Gensher bisedoi me ne për fazën e dytë, për pranimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në KSBE.
Vizita III
Vizitën e tretë H.D.Gensheri e bëri në Shqipëri, në muajin prill 1992. Duhet thënë se Gjermania në përgjithësi, ka qenë vazhdimisht më afër pozitës sonë lidhur me çështjen e Kosovës, me njohjen e të drejtave të saj dhe ka dënuar qendrimin antishqiptar të serbëve.

ARKIVA/ Nga vizita e ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Republikës Federale Gjermane. Çarçani i kujton  Gensherit mësimet e Enver Hoxhës, Gensher-Çarçanit: Duhet të  shkëmbejmë pikpamjet politike

Përgatiti për botim: Leonard Veizi

(Vijon nesër)