Sulmi i pabesë ndaj popullisë çame në fund të luftës së Dytë Botërore

1122
Lufta e Parë Ballkanike (8 Tetor 1912 – 30 Maj 1913) filloi me sulmet e Serbisë, Greqisë e Bullgarisë kundër Perandorisë Osmane dhe mbaroi me firmosjen e Traktatit të Konferencës së Paqes të Londrës. Kjo konferencë filloi punimet me 16 Dhjetor 1912 duke patur si shkak shpalljen e Pavarësisë Shqiptare më 28 Nëntor 1912 dhe në fund njohu pushtimet e bëra nga Serbia, Greqia e Bullgaria dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Lufta e Dytë Ballkanike (16 Qershor 1913 – 10 Gusht 1913) filloi kur Bullgaria, e pangopur me pushtimet e saja, sulmoi Serbinë e Greqinë dhe mbaroi me firmosjen e Traktatit të Bukureshtit. Bullgaria e sulmuar edhe nga Rumania e Perandoria Osmane dorëzohet dhe humb atë që pat fituar gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Kufijtë e sotëm të Shqipërisë zyrtare u përcaktuan nën kujdesin e Britanisë, Francës, Austrisë, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë me Protokollin e Firences më 17 Dhjetor 1913.
Shkurt 1914
Para e pas kësaj date, Greqia edhe u përpoq të gjente përkrahje nga shtetet Evropiane për rishikim kufiri edhe organizoi fshehurazi shqiptarë të greqizuar të ngrinin krye kundër shtetit Shqiptar, që qeverisej prej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, me qendër në Durrës dhe kryetar princin Gjerman William of Wied. Përkrahja Greqisë për këtë gjë nuk i erdhi dhe një arsye për këtë mund të gjendet tek fjalimi në Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik më 8 Maj 1913 nga Walter Guiness, i cili tha: “Greqia po kërkon territor në Shqipërinë e Jugut ku raca Shqiptare është shumicë absolute”. Në Shkurt 1914, këto gjashtë fuqi të mëdha Evropiane i bënë të ditur Greqisë se shumica e ishujve të Detit Egje do t’i jepeshin asaj më kusht që ajo të tërhiqte ushtrinë pushtuese nga Shqipëria e Jugut brenda muajit Mars 1914 dhe ta respektonte shtetin Shqiptar.
28 Shkurt 1914 formohet e vetëquajtura “Republikë Autonome të Epirit të Veriut”
Por nën nxitjen e drejtpërdrejtë të Greqisë (në dukje zyrtarisht asnjanëse), grekërit në Jug të Shqipërisë me në krye priftërinjtë e tyre deklaruan më 28 Shkurt 1914 se formonin një të vetëquajtur “Republikë Autonome të Epirit të Veriut, e cila përmblidhte Himarën, Gjirokastrën, Sarandën dhe Delvinën”. Kryetar i saj u emërua Gjergj Kristaq Zografo nga Lunxhëria, i cili më 2 Mars 1914 në Gjinokastër u shpreh se “është e pamundur të vihemi nën zgjedhën e një populli barbar…”. Në fund të Marsit 1914, qeveria shqiptare kërkoi nga Fuqitë e Mëdha ta detyronin Greqinë të t’i jepte fund masakrave në Shqipërinë e Jugut. Theksi u vu në faktin se ndërsa në dukje ushtria greke po largohej prej Shqipërisë së Jugut, në fakt ajo edhe po lente mbrapa banditë të organizuar e të armatosur prej saj edhe po ua ndërronte veshjet ushtarëve të saj për t’i rreshtuar me “ushtrinë e Epirit të Veriut”. Me qëllim që t’i jepte sa më parë fund shkretimit dhe të sillte paqen në Jug të Shqipërisë dhe në kushtet e një shteti shqiptar akoma me kërthizë të lidhur, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit luajti lojën e bisedimeve, të mbajtura në Korfuz, me “grekërit e Epirit të Veriut”. Frika, se nëse përfundimet e këtyre bisedimeve të zhvilluara në Korfuz nuk do ishin të kënaqshme do të shkaktonin pushtimin e Shqipërisë së Jugut prej trupave Italiane dhe Austro- Hungareze, bëri që një marrëveshje (që mund të njihet edhe me emrin si Protokolli i Korfuzit) të firmosej më 17 Maj 1914. Me këtë iu jepej garanci “grekërve të Epirit të Veriut se kryetarët e bashkive të qyteteve kryesore të ishin të krishterë ortodoksë, që grekërit të mos thërriteshin në ushtri dhe të kishte liri fetare e arsimore për ta”, por gjithmonë duke ruajtur kontrollin e sipërm të qeverisë shqiptare.
Në korrik 1942 u arrit të ngrihej Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes
Pas shpartallimit dhe asgjësimit të ushtrisë greke, më prill 1941 dhe vënies së shtetit grek nën vartësi të dy fuqive, të “Boshtit”: Gjermanisë dhe Italisë, çamërit dhe tërë shqiptarët prisnin me padurim të shpëtonin nga skëterra greke. Duke u nisur nga zotimet para luftës të bëra me aq bujë nga qeveria italiane, për Shqipërinë Etnike, për Kosovë dhe Çamëri. Me marrëveshjen gjermano-greke të 8 prillit 1941, kufiri shtetëror mbetej ai i caktuari më 1913. Kështu Çamëria mbeti brenda kufirit grek. Meqë vuajtjet e ndryshme të bëra nga grekët po dendësoheshin dita-ditës, për palën shqiptare nuk mbeti shteg tjetër shpëtimi, veç organizimit të vetëmbrojtjes së përbashkët në shkallë krahine. Në korrik 1942 u arrit të ngrihej Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes, organizëm politik, administrativ e ushtarak me qendër në Gumenicë dhe me degë në shkallë rrethi në Filat, Margëlliç, Paramithi e Pargë. Në krye të Këshillit u zgjodh Mazar Dino dhe nënkryetar për mbrojtjen Nuri Dino. Këshilli i Përgjithshëm i Çamërisë përbëhej nga 42 vetë. Anëtarë për drejtësinë, Av. Spiro Xhakulla , Paramithi. Prokuror, Mulla Murat Cane, Gurrëz. Anëtarë për arsim e kulturë, Haxhi Sejko, Filat. Anëtarë për financën Refik Pronjo, Paramithi. Sekretar, Gani Mulla Bako, Paramithi. Kështu, identik si Këshilli i Përgjithshëm, u zgjodhën edhe këshillat nëpër rrethe, Filat, Gumenicë, Margëlliç, Paramithi, Pargë, Arpicë, Groboçar, Grikohor, Kurtez, Lopës, Luarat, Mazrrek, Varfanj e Volë. Këshilli, si organ i tërëfuqishëm fuqizoi tërë unazat e pushtetit të deriatëhershëm grek…përfshi këtu korofillaqinë (policinë), gjykatën, prokurorinë etj. Rrëzoi flamurin grek dhe ngriti flamurin kombëtar shqiptar, hapi shkolla shqiptare etj. Vendosja e kësaj administrate në Çamëri irritoi më shumë se çdo gjë tjetër qeveritarët e Athinës. Më 13 shkurt 1944 komanda gjermane lëshoi një dokument “ripushtimi i prefekturës së Thesprotisë”.
Deklrata e pabesë e Zervës
Më 22 maj 1944 iu njoh Zervës të shtrihej në Epir, që nga Preveza e lart. Kështu që fati i shqiptarëve të Çamërisë kalon në duar e kriminelit Zerva. Këshilli dhe komanda ushtarake mundën të rrisnin disi fuqinë mbrojtëse, në mars 1944 numri i luftëtarëve arriti në 600 vetë. Po këta ishin luftëtarë çamë që mbronin me vetmohim vatanin. Me këmbënguljen e qeverisë greke dhe me përkrahjen e komandës gjermane përzunë atë njësi nga Çamëria përtej kufirit. Në këto kushte të tilla rreziku i vërshimit të zervistëve në Çamërinë e përtejmë bëhej gjithnjë e më e mundshme dhe më e afërt. Agjenturat greke i shtuan përpjekjet për të mashtruar muslimanët me fjalët më të mira si: mos kini frikë, se s’ju nget kush as në një lule! Askujt s’ka për t’i hyrë gjemb në këmbë. Pastaj ju jeni me mall e gjë, si do t’ju ktheni krahët e t’i lini shkretë t’i hajë derri e dosa! Kishte shumë që i besonin dhelpëritë e tye, por, siç thotë Pukëvilli: “Kush mposhtet nga dëshira që të ndodhë, ashtu siç i pëlqen atij, e lejon veten të gënjehet. Këshilli ishte njoftuar nga shumë perona për grackën e përgatitur nga zervistët. Brenda ditës 10 qershor 1944, Riza Nexhipi dhe Din Metmeri, erdhën nga Janina në Paramithi dhe bënë të ditur betimin e Zervës: “Çamëve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë që të mos na ikin nga duart deri sa t’u zëmë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur në vathë, jo vetëm nga njerëzit që nuk do të lëmë në këmbë shtruar, por do të shkojmë në thikë edhe macet e tyre”. Por fatkeqësisht nuk i vlerësuan fjalët që sollën dy të sipërcituarit. Historiani Ibrahim Hoxha citon: “Më kot e lodhi frymën Riza Nexhipi me arsyetime të gjithfarëshme për t’u mbushur mendjen. “Qeveritë greke që nga 1912 e këtej as kanë përtuar e as janë turpëruar për të bërë të liga ndaj nesh. S’u ka ardhur hiç rëndë as për nderin e tyre e as të kombit. Përkundrazi, çdo herë e kanë ngrënë turpin me bukë. Që të mos vemi më tej, kur dhe si e harruat kaq shpejt internimin aq të egër dhe aq poshtërues që na bënë më 1940-1941? Me Italinë luftonin, ne na u vërsulën. Përse? Se donin të na shfarsonin. Përse se patën për gjë turpin? Pse s’u bënë merak për njollat? Dijeni si bukën që keni ngrënë se, me t’u rivendosur pushteti i mëparshëm, grekërit do të vënë dorë jo vetëm mbi pasuritë tona, por edhe mbi kokat tona. Kush ua zuri dorën, kur zbuan për në Turqi më shumë se gjysmën tonë ? Kush u tha dot “JO” kur na grabitën edhe kopshtet?” Gjendja erdhi duke u ashpërsuar përditë e më shumë. Njerëzia në mbrëmje nuk ishin të sigurtë nëse do të gdhiheshin të gjallë. Kjo gjendje bëri që populli të mbidhej në xhaminë e madhe të Paramithisë.
Veprimtaria e ethshme antiçame e EDES-it
Popullsia çame gjendej përballë veprimtarisë së ethshme antishqiptare të EDES-it të Zervës, i cili e kërcënonte atë me raprezalje dhe shfarosje. Zerva u përpoq ta përdorte popullsinë çame si forcë kundër ELLAS-it. Kjo manovër djallëzore synonte së pari ta fuste popullsinë shqiptare në kurthin e luftës midis forcave politike në Greqi, së majtës ekstreme dhe së djathtës ekstreme, me synimin që cilido të ishte rezultati i konfrontimit politik në Greqi, të krijohej preteksti dhe konjuktura e përshtatshme politike për shfarosjen dhe dëbimin e saj.Së dyti, të shtonte forcat për të goditur EAM-in kundërshtar, pra ta përdorte popullin shqiptar si mish për top. Në bisedimet e zhvilluara në fshatin mininë në -3-6 korrik 1944, të dërguarit e Zervës i parashtruan popullsisë çame këto kushte: Çarmatimin e plotë
1.Mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë çame në radhët e EDES-it si dhe të pranonin pushtetin e EDES-it në Çamëri.
Populli çam u gjend në pozita të vështira. Ai nuk pranoi të futet në luftën midis forcave rivale në Greqi dhe si ndëshkim Zerva filloi ndaj kësaj popullsie sulmin e përgjithshëm të 8 korrikut 1944 që ka patur ato konsekuenca që dihen. Ky fakt pohohet dhe në letrën e Këshillit Antifashist të Çamërisë dërguar: Qeverisë greke të Bashkimit Kombëtar, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Qeverive të Fuqive të Mëdha, Komitetit Qendror të EAM-it, Guvernatorit të Epirit, Komitetit Panepirot të EAM-it.
Sigal