Sulë Domi, një jetë për atdheun, me pushkë dhe penë!

1106
Gëzuar 90 vjetorin, i dashur Sulë, vëllai ynë i madh, shok armësh e idealesh. Na del nga zëmra ky urim këto ditë rreth 15 korrikut tënd jubilar. Ti kol. Sulë Domi, bir i Matit, atdhetari i flaktë, artileri veteran, aq i përkushtuar e i lidhur me Luftën dhe ushtrinë, ke një jetë të pasur veç “për Mëmëdhenë, me pushkë dhe penë”. Kthehemi sot 70 vite përpara, kur ti, një djalosh 19 – vjeçar, komandoje vetëm një batalion partizan, nuk ishe artiljer, as efektiv i njësitit që qëlloi me top Asamblenë Kuislinge të Tiranës në 1943. Por nëpër vite, u bëre komandat i Artilerisë, le emër që mbeti si sinonim i kësaj arme, e “Zotit të luftës” dhe “Tmerrit të armiqve”. Lidhja me Luftën dhe përkushtimi ushtarak i gjatë, u bënë përmbajtja dhe qëllimi i jetës, sepse atdhedashurinë e kishe në gjak e me vepra. Më 6 prill 1939, ishe nxënës, as 14 vjeç, kur përcolle një grup matianësh të armatosur për në Durrës. Aktiv u tregove edhe më 16 prill me grupin e të rinjve që refuzuan të prisnin fashistët në Burrel, me të cilin u bashkua krejt shkolla. Me bindjen se trimëria ka komponent të rëndësishëm të saj edhe diturinë, u gjende në Gjimnazin e Tiranës, në këtë vatër antifashiste, ku konsolidove me tej ndjenjën atdhetare. Në maj 1943, more rrugën e malit, në çetën partizane të vendlindjes; përballove me trimëri e vetëmohim tërë rrugën luftarake si kuadër i Brigadës 23 Sulmuese; demonstrove denjësisht traditën atdhetare liridashëse të familjes, të Burrelit të pazogollizuar dhe të krejt popullit. Nëpërmjet jetës tënde, kundrojmë pagëzimin si bir besnik i popullit, i gatuar vendosmërisht për të sakrifikuar për Atdheun, kujtojmë e nderojmë edhe atë gjeneratë të lavdishme, që u tregua në lartësinë e misionit historik. Është tekstualisht ashtu siç e ke thënë dhe vetë: “Pjesëmarrjen në LANÇ, e cila realizoi vendimet historike të Konferencës së Pezës, e quaj periudhën më të lavdishme të jetës sime; kreva detyrën e shenjtë të Çlirimit të Atdheut nga nazifashistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Nëpërmjet Luftës II Botërore, Shqipëria u bë anëtare aktive e Aleancës së Madhe Antifashiste”.
Jeta e pasur aktive dhe luftarake
Ke një jetë e pasur, aktive, luftarake, thellësisht të motivuar dhe me përkushtim atdhetar. Sa fakte të jetuara, janë dëshmi të gjalla, përbëjnë një biografi shembullore dhe model për brezat. Në shtator 1968, kur pushtimi i Çekosllovakisë nga ushtria sovjetike, në emër të Traktatit të Varshavës, na imponoi edhe ne të kalonim në gatishmërinë numër një. U organizua stërvitja, me objektiv kundër “armikut që përgatitej të desantonte”. U demonstrua teknika e rëndë ushtarake prej topash e diagaçesh në qendër të kryeqytetit. Këtu ne prekëm nga afër përkushtimin dhe aftësitë e tua si komandant, që u bëre shpirti, frymëzimi dhe talenti i artit ushtarak. Ishe për të gjithë një mësim, shembull e përvojë e vyer. Nuk harrohet as 30 prilli 1980, kur u krye qitja prej Brigadës së Maliqit (grupi i Korçës). Ishe po ti, shef i ekipit, që pas atmosferës së gëzuar gjatë udhëtimit, bëre ndarjen e detyrave dhe porosite për vlerësim real e korrekt të qitjeve. Rezultatet e larta të asaj stërvitjeje, dëshmuan për profesionalizëm të lartë të oficerëve rezervistë, nderuan drejtuesit e Brigadës, me ish-komandantin Sofokli Dhamo dhe artiljerët e saj. Njërit prej tyre, Fredit, komanda e grupit të Korçës i kish ngjitur dhe nofkën “Ujku i Sulës”. Mbresa të pashlyeshme të një personaliteti të dashur, njerëzor, le edhe në qitjen e Brigadës së Delvinës (grupi i Gjirokastrës), në Dërmish të Livadhjasë, me të gjitha llojet e armëve të artilerisë. Gjatë kthimit për në Tiranë, u mirëprit propozimi për të bërë një vizitë në Porto Palermo. Pas stërvitjes luftarake, që ishte detyrë, kjo vizitë na dha kënaqësinë e takimit dhe ç’malljes me shokët e armëve. Vetëm ti s`të shkon fare slogani “Artiljer mund të mos jesh, po qytetar je i detyruar të jesh”, sepse i bashkon të dyja harmonikisht, njërën të trashëguar e të përcjellë me virtytet njerëzore më të spikatura; tjetrën, të kultivuar në jetë, që t`u bë “natyrë e dytë”, për mos të thënë, përmbajtja kryesore e jetës. Mbete artiljer me shpirt qytetar e atdhetar, korrekt, kërkues, i njerëzishëm. U bë dhe mbeti proverbiale thënia: “Veç mos të ardhtë Sula për kontroll, ama, po që për dënim, prej tij të ardhtë e keqja!”. Mbajtjen afër të të rinjve, ndihmën dhe aftësimin e tyre, e kishe prindërore.
Përkushtimi ndaj artit ushtarak
Kur kujton të kaluarën, ndjehesh krenar që i përket atij brezi, i cili ngriti një ushtri që s’e ka patur ndonjëherë Shqipëria, iu përkushtove e mishërove në artin ushtarak të Artilerisë njohuritë e 8 viteve arsimim, deri në Akademinë e Artilerisë në Moskë (1955). Gjithnjë je udhëhequr prej parimit “sa më e vështirë stërvitja në paqe, aq më e lehtë lufta reale”. Profesionalizmi, shpirti kritik, krijues e kërkues, vizioni dhe përshtatje konkrete ndaj terrenit, mjeteve dhe aftësive të trupës, ishin veti, që nuk të munguan. Si “Kolonel” qëndrove për rreth 27 vjet në detyrën e shefit të shtabit, mandej të komandantit të Artilerisë, e cila përfaqësonte rreth një të tretën e krejt Forcave të Armatosura. I kujton e vlerëson lartë kolegët, themeluesit e Armës së Artilerisë, ushtarakët e shquar T. Kadare, H. Spahiu, T. Noço, S. Hado, S. Godo, M. Mulosmanin dhe sa të tjerë, përvojën e të cilëve e thithje dhe e pasuroje me tënden. Kolegjialitetin e kishe metodë e punës. Bazuar në faktin se personaliteti i secilit, krahas nivelit profesional, ka për komponent të rëndësishëm edhe karakterin, këtë po e ilustrojmë me dëshminë e ish-ushtarakut Mikado Shakohoxha, se: “Sulë Domi, ndër oficerët elitë të Ushtrisë Shqiptare, me emër, një figurë nga më të pastërtat e rezultative, që njohu vetëm ngritje vertikale, që përjetoi në mënyrë aktive tërë veprimtarinë problematike të ushtrisë, manifestoi qëndrim dinjitoz, të bazuar, unikal e paprecedent edhe në Aktivin e Ministrisë së Mbrojtjes (Durrës, 1974). Atje ku po viheshin me shpatulla për muri P. Dume e H. Çako, ai dhe vetëm ai, në prani të 200 kuadrove kryesorë të Partisë e të Ushtrisë, sado befasues, u doli në mbrojtje “të akuzuarve”, foli burrërisht e trimërisht”. Të tilla i ke tërë dekadat e karrierës. Ndër konsideratat dhe vlerësimet të jetës dhe veprës tënde, po shënojmë edhe atë të kolonel Perikli Koliçit dhe pikërisht, Sulë Domi, është “etalon i thjeshtësisë, model i ngrohtësisë dhe përkujdesjes shoqërore, oficer i kompletuar, jo vetëm i artilerisë. Ai e pozicionoi artilerinë në marrëdhënie të drejta e shkencore me armët e shërbimet e tjera … është zotërues i profesionit dhe novator… realizues i zjarrit nga pozicionet tip tunel, që janë e mbeten karakteristikë e veçantë e jona…simbol i gjallë, pjesëtar i asaj plejade të shkëlqyer artiljerësh që figurojnë në historinë e Armës si komandantë dhe pedagogë, shkencëtarë dhe prakticienë të shumë brezave të artiljerëve, oficerëve dhe efektivave aktive e rezerviste”. Me gjithë se edhe gjatë karrierës aktive, nuk mbete vetëm dhe thjesht ushtarak, se përfaqësove dhe Burrelin në Kuvendin Popullor për 4 legjislatura (1970 1984), me daljen në pension, (fundi i nëntorit 1982), 57 vjeç, tek Ti, pa u shuar kurrë shpirti i artiljerit,mori përparësi e spikati qytetari aktiv, veprimtari shoqëror. Në lulen e moshës, në kulmin e pjekurisë, të përvojës, aftësive dhe të prodhimtarisë, hoqe vetëm veshjen ushtarake, po jo dhe shpirtin profesional, dorëzove topin, shtrëngove më fort penën. Kalimtarët e rrugës me emrin e sotëm “Ibrahim Rugova”, prej vitesh po vërejnë atë trup të imët, me peshë të lehtë, që shpesh mbulohej prej trupmëdhenjve, me ecje të ngadaltë e të qetë, me fytyrë të një çiltërsie të brishtë dhe shikim dashamirës, ngjitet në zyrat e Komitetit Kombëtar të Veteranëve,për të shpalosur vizionin dhe përvojën e tij, si nënkryetar i Organizatës, ulej në Bibliotekën Kombëtare, takohet, bisedon e çmallet me miq e shokë trotuareve e lokaleve të Kryeqytetit. Nuk të ndahet shpirti nga Lufta dhe Artileria, prandaj ke punuar për Pavionit e LANÇ në Muzeun Kombëtar; bashkëpunove në Fjalorin Enciklopedik Ushtarak Shqiptar, je pranishëm në punimet shkencore për Artilerinë, etj. 
Nderimet e njëpasnjëshme
Kur Bashkia të shpalli “Qytetar Nderi të Burrelit” (2003), shoku i jetës prej 70 vjetësh, i paharuari Mëhill Doçi i tha: “Virtytet e tua të larta u kultivuan gjithnjë në kahje pozitive, si karakteri, fisnikëria, pastërtia e figurës, dashuria për shokët, familjen e të afërmit, respekti dhe përkushtimi për popullin”. Je edhe “Nderi i Organizatës së Veteranëve”, të është akorduar edhe medalja “Për shërbime të shquara” (2005). Në gjoksin e tënd të vogël, duket sikur s`ka vend për 17 dekorata, përfshi dhe tre nga shtete të huaja. Brenda kraharori tënd rreth një zemër e madhe, atdhetare dhe njerëzore, shoqërore dhe e përkushtuar. Kjo është kryesorja, që nuk llogaritet e nuk vlerësohet me asnjë lloj shifre stimujsh moralë. Një grup ish ushtarakësh, emigrantë ekonomikë, që nga Greqia, të kanë përshëndetur përzemërsisht, duke të cilësuar “Simbol të Armës së Artilerisë, personalitetin me karrierën drejtuese më të gjatë”. (Prof. Hulusi Hako, veteran, Perlat Sula, Gjeneral-Major në pension, Dhori Prifti, Ish artiljer). 
Sigal