Sul Domi:Sot mbushen 70 vjet nga kryengritja e madhe popullore ku morën pjesë fshatarë të thjeshtë dhe formacione nga radhët par

118

Kryengritja e Matit si u mblodh Kuvendi që ngriti në këmbë vullnetarët e luftës më 31 korrik

Nclër të parat rrethe të vendit që u çlirua nga forcat fashiste, ishte Mati. Vetëm 21 ditë pas 10 Korrikut të vitit 1943,  ku u krijua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, u çlirua rrethi i Matit. Një nga dëshmitarët asaj kohe, dhe pjesëtar aktiv i sulmit, ishte Sul Domi, i cili më pas ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të ushtrisë shqiptare, ka rrëfyer se si u zhvillua kjo kryengritje mbarëpopullore. Ja çfarë ka treguar ai.

Ju keni qenë pjesë e kryengritjes popullore të Matit. Si u zhvillua ajo?

Kryengritja mbarëpopullore e Matit ka hyrë në historinë e krahinës së Matit, si kulmi kësaj lufte dhe në historinë e LANÇ-it, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të saj. Konferenca e Labinotit, e mbajtur më 4.9.1943, e ka vlerësuar këtë kryengritje. si një nga veprimet më të mëdha luftarake të kohës, në vendin tonë kundër pushtuesit fashistë italian. Ishte koha kur situata politike luftarake në krahinë dhe në të gjithë vendin, si dhe ajo e jashtme, ishin, në favor të kryengritjes. Në krahinën e Matit në këtë kohë, pushteti  vendor, si ai civil edhe ai ushtarak, ishte inekzistent, nuk ushtronte asnjë ndikim në popull dhe  nuk njihej më nga ai. Të gjitha postë komandat e xhandarmërisë e komunat ishin larguar nga qendrat e tyre dhe ishin grumbulluar në qytetin e Burrelit, ose kishin shkuar në shtëpitë e tyre. Kështu që në fakt në këtë kohë, me përjashtim të qytetit të Burrelit dhe të kampit të përqendrimit të të burgosurve politikë, në Komës, e gjithë krahina ishte e lirë. Të dy çetat partizane-vullnetare lëviznin lirisht, pa asnjë shqetësim ditën nëpër të gjitha fshatrat, ku “bënë një punë intensive për përgatitjen e kryengritjes. Në shkallë vendi në këtë kohë, lëvizja dhe lufta NAÇl kishte marrë një zhvillim dhe rritje të madhe, ajo po shkonte drejt kryengritjes së përgjithshme, gjë që u konfirmua në korrik 1943, me formimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL ku në proklamatën e tij, bënte thirrje për ngritje të përgjithshme kundër pushtuesit fashist italian. Pikërisht, kësaj thinje populli i Matit, iu përgjigj flakë për flake, duke dhënë shembullin për gjithë vendin.

A u bashkëpunua midis forcave të ndryshme në zonë>

Populli i Matit e kishte dhënë pëlqimin dhe gatishmërinë e vet për kryengritjen. Çështja qëndronte te paria, pa të cilën s’mund të bëhej kryengritja, sepse ajo kishte influencë në një pjesë të popullit dhe përkrahjen e simpatizantëve të ish mbretit Zog. Bisedimet që u zhvilluan në fillim, veçmas, kokë më kokë me parinë, në përgjithësi, qenë pozitive. Shumica e tyre ishte pro kryengritjes. Pati ndonjë që për momentin ishte i pa vendosur, por nuk e refuzoi. Vetëm Isuf Selmani refuzoi të marre pjesë, me arsyetimin se nuk ishte koha, se Italia ishte akoma e fortë dhe do digjte e shkatërronte të gjithë krahinën. Por më vonë gjithçka u bë gati dhe u caktua mbajtja e kuvendit, më 26 korrik, ku  vendi më i përshtatshëm i sigurisë u caktua fshati Bruç.

Kush u ngarkua për sigurinë e mbledhjes?

Për organizimin e mbledhjes dhe për masat që duheshim marrë për sigurimin e saj, u ngarkuan dy komandat e çetave (në fakt me sigurimin e morr vetëm çeta partizane). Më datën 26 korrik, sipas vendimit, u mblodh në Bruç, Kuvendi, që ka hyrë në histori si “Kuvendi i Bruçit”. Aty morën pjesë: nga paria; Sul Kurti, Bilal Kola, Ndrec Lufi (përfaqësues i tre bajraqeve të Kthellës), Isuf Çela, Haziz Kasemi, Frok Gjeta, Xhemal Lleshi, Din Ahmeti, Rustem Koxhuku, Ismail Lala, Ram Tusha, Mahmut Lezi. Nga çetat partizane vullnetare; Mustafa Kaçaçi, Sali Llani (dhe si përfaqësues i parisë) dhe Beqir Minxhozi.

Si u zhvillua kryengritja në fjalë?

Në harkun kohor 27-31 korrik anëtarët e Shtabit drejtues dhe shokët e tjerë të ngarkuar me detyra bënë një punë intensive për zbatimin  e detyrave. Dhe në mbrëmjen e 31 korrikut, rreth 3 mijë partizanë e vullnetarë ishin përqendruar gati për sulm. Para sulmit komandës së garnizonit të  Burrelit siç ishte vendosur në Kuvend, iu dha ultimatumi por komanda nuk iu përgjigj. Pas kësaj filloi sulmi. Në fillim u çlirua qyteti i Burrelit dhe pa asnjë rezistencë nga milicia u liruan të burgosurit rreth 200 vetë. Një pjesë e xhandarëve dhe milicëve u bashkuan me kryengritësit pjesa tjetër shkuan nëpër shtëpitë e tyre. Pas çlirimit të Burrelit sulmi filloi mbi garnizonin gjatë natës dhe në mëngjesin e 1 gushtit por kryengritësit nuk mundën të depërtonin në territorin e kazermave jashtë qytetit meqë u ndeshën me zjarrin e dendur të armikut.

Si vepruat më vonë, pas fuqizimit të forcave armike?

Në këto kushte forcat kryengritëse u tërhoqën. Aviacioni armik furnizonte me ushqime të hedhura me parashutë nga ajri. Kjo gjendje vazhdoi deri më 4 gusht. Pastaj ekspeditat ndëshkuese të ushtrisë italiane nisën marshimin por ndeshën në rezistencën e plotë të vullnetarëve nga radhët e kryengritësve. Ekspedita ndëshkimore, tre tentativat ë bëri për të shkuar në Bulqizë rezultuan të dështuara. Sepse vullnetarët e Suçit, Kurdarisë dhe forcat partizane rezistuan. Kjo gjendje e pandërprerë lufte vazhdoi deri n kapitullimin e plotë të fashizmit, madje edhe pas kësaj date pati luftime të veçuara, midis forcave kryengritëse dhe ushtrisë armike.