Sul DOMI*/ Si u krijua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë 71 vjet më parë në Labinot

971
Sigal

Ai ishte i vetmi organizëm ushtarak që organizoi, planëzoi e drejtoi luftën deri në çlirimin e vendit

Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Labinot të Elbasanit ishte një ngjarje e rëndësishme që do të përcaktonte dhe fatin e luftës Nacionalçlirimtare e çlirimin e  vendit. Në fillim të korrikut 1943 situata politiko-ushtarake, e brendshme dhe e jashtme në Shqipëri, ishte krejtësisht në favor të Luftës NaÇl të popullit shqiptar, e cila pas Konferencës historike të Pezës kishte marrë masa të gjëra dhe ishte gjithnjë në rritje, drejt kthimit të saj në Kryengritje të Përgjithshme Popullore kundër pushtuesit fashist italian. Barrën e rëndë të bashkimit të popullit shqiptar në një front të vetëm dhe hedhjen e tij totalisht në luftën për çlirimin e plotë të atdheut e mori përsipër PKSh, e vetmja forcë politike që merrte përsipër një  mision të tillë.

   *         *     *

Bashkimi politik e luftarak i popullit shqiptar rreth Frontit Antifashist NaÇ, nën patrullën: “Bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje”, hedhur që në Pezë më 16 shtator të vitit 1942, tashmë ishte bërë një realitet i padiskutueshëm. Forcat partizane vullnetare të organizuara në çeta e batalione të rregullta e territoriale ishin rritur së tepërmi. Në formacionet e rregullta ishin mbi 10.000 luftëtarë, të organizuar në 22 batalione e në një numër akoma më të madh çetash. Jo më pak se 20.000 luftëtarë të tjerë ishin të organizuar në çeta dhe batalione territoriale dhe në njësitet guerile në qytete. Pikërisht në këtë kohë ishin pjekur të gjitha kushtet për realizimin e idesë së parashtruar në Konferencën e Pezës, se: “Prej lufte dhe në luftë ka për të dalë dhe Shtabi Madhor” dhe do të shkohet drejt Kryengritjes së Përgjithshme Popullore për çlirimin e gjithë Shqipërisë. Kalimi në Kryengritje të Përgjithshme Popullore, nuk mund të realizohej pa pasur atë Shtab Madhor që bëhej fjalë që në Konferencën e Pezës, prandaj u bë e domosdoshme krijimi i tij. Ai u krijua në Konferencën e Labinotit më 10 korrik të vitit 1943. Ky Shtab me komandant Spiro Moisiun dhe me komisar politik Enver Hoxhën, nisi të kryente funksionin e organit më të lartë të udhëheqjes politike e ushtarake të UNÇSH.

SHTABI

Në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH u zgjodhën 12 vetë, këta nga kuadrot udhëheqës të LANÇ, që kishin kulturë ushtarake, përvojë në udhëheqjen e luftës dhe që gëzonin autoritet dhe respekt tek të tërë luftëtarët të lirisë e të popullit. Anëtarë të këtij Shtabi ishin Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Xhani (Baba Faja), Dali Ndreu, Ramadan Çitaku, Nustafa Gjinishi, Abaz Kupi (në dhjetor 1943 përjashtohet), Imer Dishnica, Sejfulla Malëshova e Bedri Spahiu. Gjithashtu u caktua dhe struktura e Shtabit, me degë e seksione të ndryshme, që plotësonin strukturën organizative të Shtabit të një Ushtrie të rregullt. Vendimi i parë dhe më imediat që mori Shtabi i Përgjithshëm me krijimin e tij ishte organizimi i UNÇSH, shndërrimi i saj në një Ushtri të rregullt Nacional-Çlirimtare dhe marrja sa më parë në dorë e drejtimit të saj operativo-strategjik. “Ndër këto rrethana, shkruhej në urdhrin përkatës, kur duhej me i dhënë grushtin e vdekjes zaptuesit dhe veglave të tij dhe me i shporr këto nga toka e atdheut tonë të dashur, Shtabi i Përgjithshëm urdhëron formimin e Ushtrisë NAÇL, në të cilën populli ynë ka vënë shpresat dhe pret çlirimin e plotë të Shqipërisë nga thonjtë e zaptuesit”.

USHTRIA

Hapi i parë për krijimin e Ushtrisë së rregullt NAÇL ishte bashkimi shkallë-shkallë i çetave, batalioneve dhe i grupeve partizane-vullnetare në brigada sulmuese, pastaj, të brigadave në divizioneve dhe të divizioneve në Korparmata. Në Kongresin e Përmetit struktura organizative e Ushtrisë NAÇ u ngrit në një shkallë më të lartë, tanimë të një ushtrie të rregullt, me krijimin e komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Shqiptare me Komandant të Përgjithshëm Enver Hoxhën, me vendosjen e gradave dhe me kalimin në formacionet e mëdha operative: në Divizione e në Korparmata. Tani UNÇSH ishte në gjendje të përballonte me sukses operacionet e armikut, si atë të qershorit të vitit 1944, por të zhvillonte dhe operacione të shkallës operative e strategjike, siç ishin operacionet e zhvilluara për çlirimin e krahinave të Shqipërisë së mesme e të veriut, si dhe mësymja e Përgjithshme për çlirimin e gjithë vendit nga pushtuesi i huaj më 29 nëntor 1944. Përveç kësaj, 2 divizione të UNÇSH ndihmuan për çlirimin e Kosovës dhe të trojeve të tjera të ish-Jugosllavisë. Shtabi i Përgjithshëm, paralel me punën për organizimin e Ushtrisë së rregullt NAÇ, filloi të merrte menjëherë në dorë edhe drejtimin operativo-strategjik të reparteve e komandave operative të zonave e të qarqeve në të gjithë vendin, si dhe të koordinojë veprimet luftarake midis tyre dhe Ushtrisë së rregullt. Një masë tjetër shumë e rëndësishme që mori Shtabi i Përgjithshëm ishte dhe organizimi i pushtetit ushtarak të prapavijave, si pjesë përbërëse e UNÇSH. Për organizimin dhe funksionimin e tij ushtarak, Shtabi i Përgjithshëm nxori një urdhër dhe rregullore të posaçme, ku jepeshin me hollësi masat që duheshin të merreshin dhe veprimet që duheshin të kryheshin për funksionimin e rregullt të pushtetit ushtarak të prapavijave.

RREGULLI DHE DISIPLINA

Shtabi i Përgjithshëm, në kryerjen me sukses të detyrës nga UNÇ, e lidhte këtë ngushtë dhe me edukimin politiko-atdhetar të luftëtarëve të UNÇ dhe formimin e rregullit të disiplinës. Në themel të edukimit u vunë cilësitë dhe virtytet më të larta morale të popullit tonë, si atdhe dashuria, trimëria, vetëmohimi, përballimi i vështirësive, disiplina e ndërgjegjshme, dashuria për popullin dhe për shoku-shokun, etj.. Në punën e tij një rëndësi të veçantë, iu dha ndërtimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit me misionet ushtarake (anglo-amerikane) të atashuara në vendin tonë, për të ndihmuar luftën e popullit tonë kundër pushtuesve nazifashistë me armatime, veshmbathje dhe me para. Shtabi i Përgjithshëm si dhe komandat e shtabet e njësive e të qarqeve ku kishte misionarë të tillë, Shtabi i Përgjithshëm mbajti një qëndrim shumë dashamirës e mirënjohës. Një qëndrim i tillë e përligji rreshtimin e Shqipërisë në radhën e shteteve të popujve të inkuadruar në Koalicionin e madh Antifashist  Botëror, d.m.th, në radhët e vendeve fituese të Luftës së dytë Botërore. Çlirimi i Shqipërisë më 29 Nëntor 1944 dhe radhitja e saj në anën e Koalicionit Antifashist Botëror, janë dy meritat dhe vlerat më të mëdha të LANÇ, me rëndësi historike për popullin Shqiptar. Kush e injoron dhe e deformon me etika LANÇ-in, si me “luftë civile” etj, ose akoma më keq, duke e konsideruar LANÇ jo si çlirim të Shqipërisë, por “si pushtim komunist”, ai është kundër të vërtetës historike dhe mbron vlerësime antikombëtare.

ORGANIZIMI

Organizimi i pushtetit ushtarak (në zonat e çliruara), u bënë bazat e rëndësishme kryesore, sidomos për furnizimin me ushqim, por dhe me materiale të tjera, si dhe për transportimin me kafshë të tyre për në njësitë dhe repartet partizane që kishin nevojë. Përpunimi i taktikës dhe i strategjisë ushtarake të Luftës NaÇ, ishte një nga detyrat më kryesore të Shtabit të përgjithshëm. Për këtë ai u bazua në përvojën luftarake shumë shekullor të popullit tonë për liri dhe pavarësi, duke filluar që nga epopetë historike e legjendare të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kundër ushtrisë më të madhe të asaj kohe, asaj osmane e deri në luftërat në prag të Shpalljes së Pavarësisë më 1912. Gjithashtu, mori parasysh edhe luftërat që po bënin popujt dhe vendet e tjera të kontinentit të robëruar nga nazifashistët. Strategjia ushtarake e LANÇ i përpunuar nga Shtabi i Përgjithshëm, ishte plotësisht në përputhje dhe në zbatim të strategjisë politike, të hartuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Antifashist NaÇ që në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942 dhe erdhi duke u zhvilluar e duke u plotësuar vazhdimisht në përshtatje me situatat e krijuara brenda e jashtë vendit. Ky unitet mes dy strategjive politiko-ushtarake, çoi në përcaktimin e drejtë, të saktë e të qartë të detyrave e objektivave politiko-ushtarake në çdo fazë të LANÇ dhe në fitoren përfundimtare më 29 nëntor 1944: në çlirimin e gjithë vendit nga pushtuesi i huaj.

PLOTËSIMI I DETYTRAVE NË TERREN

Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH i drejtoi me profesionalizëm, me aftësi dhe me kompetencë të lartë të gjitha veprimet luftarake të UNÇSH, duke kryer me nder detyrën e ngarkuar nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Ai ishte toka dhe truri i UNÇSH. Shtabi i Përgjithshëm e drejtoi ushtrinë e rregullt NÇ në zjarrin e luftës, në ato kushte shumë të vështira e të ndërlikuara, duke e shpënë misionin e tij deri në çlirimin e plotë të vendit. Shtabi i Përgjithshëm sipas situatave të krijuara, përdori me shumë mençuri e sukses të gjithë format e luftimit e të operacionit, si sulmin, mbrojtjen, manovrën, tërheqjen, manovrimin e shpejtë në vendin dhe kohën e duhur, për ta goditur armikun në befasi, manovrën mashtruese etj. Me këtë rast nuk mund të lë pa përmendur, qoftë dhe shkurtimisht, ushtrinë e sotme shqiptare, që është pasardhëse e drejtpërdrejtë e UNÇSH. Gjatë kësaj rruge 71- vjeçare ushtria jonë ka pësuar vazhdimisht zhvillime e ndryshime, në strukturën organizative, në sasi e në cilësi, në pajisjen me armatime e me teknikë luftarake, me doktrinën politiko-ushtarake etj. Brezin tonë e gëzon fakti, se brezi pasardhës i tanishëm me gjithë traumën shumë të rëndë që pësoi ushtria jonë nga trazirat e vitit 1997, me punën e tij vetëmohuese, me ndihmën e shquar të NATO-s, të SHBA-ve dhe vendeve të tjera mike, e rimori veten shpejt dhe ushtria shqiptare tani është në NATO-s si anëtare me të drejta të plota në këtë organizëm.