Spiro Mëhilli/ Pazari i vjetër-qytezë në zemër të Tiranës

3575
Sigal

Kryeqyteti po humb identitetin me pallate që mbysin traditën

Qyteti i Tiranës ngrihet në cepin veriperëndimor të një fushe pjellore me të njëjtin emër, në lartësinë 95 deri 125 metra mbi nivelin e detit dhe zgjatet afërsisht 14 kilometra. Ai rrethohet në lindje me Malin e Dajtit, me lartësi 1612 metra mbi nivelin e detit; në veri, me malin e Krujës, që të dy e mbrojnë nga erërat kontinentale; në jug, me kodrat e Saukut dhe Selitës, për ta mbyllur rrethin në perëndim, me kodrat e Bërzhitës, Kasharit dhe Prezës. Nga Mali Dajtit marrin rrjedhë mjaftë përrenj, që derdhen në lumin Erzen dhe në lumin Ishëm. Ndër ta, për nga madhësia, shquhet lumi i Tiranës ose i Rigllatës dhe lumi i Lanës, që kalon mes për mes qytetit. Nga mesi i shekullit XVII [21], Tirana nisi të zhvillohej dhe u pajis me një pazar, që do pagëzohej me emrin “Pazari i Vjetër”. Në kujtesën e tiranasve ka mbetur pazari i rikonstruktuar pas vitit 1905, mbi bazën e hershme, dhe i quajtur “Zemra e Tiranës”. Mbi atë është folur dhe shkruar pak nga K. Miho[19] M. Greblleshi [22]. Ai ndodhej brenda hapësirës së kufizuar nga lindja me rrugën “Mbretërore” (e Barrikadave); nga veriu me Rrugën e Dibrës; në pjesën jugore, me Rrugën “28 Nëntori” dhe nga perëndimi me Sheshin “Skënderbej”, e shtrihej në një sipërfaqe afërsisht prej tre hektarësh. Dyqanet kanë qenë prej qerpiçi e tulle, njëkatësh e rrallë me dy kate, të vegjël dhe të ulët, me qepena e taftabenë dërrase, ngjitur me njeri-tjetrin e sipër kishin strehë prej druri. Në qendër të pazarit, hunj të ngulur,

ku fshatarët, që vinin për ditë pazari, lidhnin kuajt, mushkat apo gomarët, ndërsa në shesh, shiteshin pula e gjela deti. E vështirë ta përfytyrosh sesi ka qenë kur nga e kaluara ka mbetur vetëm fusha pas Pallatit të Kulturës. Sikundër e përshkruan Mazzuçoni,

Tiranasit, mbajnë mend rrugicat e ngushta e të shtruara me kalldrëm që të çonin në qendër të pazarit, këmbësoret që janë të ngushta e nën to rrjedh uji i kanaleve që në ditë shiu gurgullon me zhurmë; një pus me emrin “Pusi i Shijakut” dhe pranë tij një man, që dhe ai, një zot e di pse quhej i Shijakut, që mblidhnin jabanxhinjtë të freskoheshin e të pushonin”. Aty ndodhej Xhamia e Pazarit ose e Shufaive, vendi ku bëheshin ZIQE, ritet e shpimit, ku hoxhallarët vinin vërdallë duke thirrur Hu, hu, Ha, ha deri në tejlodhje e pastaj shpoheshin me gjilpëra në vende të ndryshme të trupit, e ne çuditeshim sesi ata nuk kishin dhimbje. Ky rit bëhej Natën e Kadrit. Hyrja në pazar të vjetër bëhej nga ana

e xhamisë së Haxhi Et’hem Beut, ose nga rruga e Dibrës, në anë të Mapos, ku shquhej kafja e Mol Tufinës dhe e Qazim Çekës dhe pas saj vinin pijetoret që tregtonin birrë me krikëll e qofte zgare, ose kukurecin e famshëm, që kur piqej, mbushte me aromë gjithë rrugën. Në mëngjes herët uleshin qepenat e vareshin: kapistra, kularë, opinga apo këpucë, që atyre me qafa i thoshin kundra, që me aq mjeshtëri i punonin Hysen Zalta e vëllezër; xhoket me thek, dimitë të mëndafshtë, linjat e qëndisura me ar, veshje karakteristike të grave të fshatit. Më tej, jelekë, qeleshe të bardha, me trup të shkurtër ose të gjatë, që Sal e Shit Sallaku, i bënin sipas dëshirës së blerësve; çibukët që shkonin deri një metër apo pipat e vockla të mjeshtrit Ismail Zaimi, megjithëse burrat më shumë e pinin duhanin me të dredhur. Ja dhe mjeshtrit e jorganve, te rruga e Rrobaqepsëve, që vinin rrotull tavolinës së madhe për të qepur jorganë, zakonisht prej atllasi në ngjyrë të kuqe ose gurkali, me kutia në formë rombi, me flutura e lule anash. Usta Qazim Hajdari ngrinte kokën dhe si na shikonte nëpërmjet gjyzlykëve që i vareshin tek hunda, qeshte dhe thoshte: “shpejt do t’ju vijë radha dhe juve”, e ne largoheshim.

Rruga e “Farkëtarëve”

 Më tej, te rruga e “Farkëtarëve” ishin kovaçët, ku shquhej Fadil Xhemal Kuka, që lëviznin calikun e gjyrykut për të ndezur qymyrin e të skuqeshin copat e hekurit që ata më pas i godisnin me çekiç; rremtarët e teneqepunuesit, ku shquhej Hysen Zorba; në radhë vinin Bonecët, Konat, Hanxhari, Haxhi Dingu, Kaini e të tjerë. E ç’ shikonim atje? Mangallë, kusia e tava prej bakri, nagaçe, kaci, masha, kandila, bishtukë për të bërë dritë, dhe si për inat Mustafa Tafaruçin, Tafën, të birin e Sulejman Tafaruçit, ardhur nga Kruja në vitin 1924, që e fillonte shitjen e pishës nga Pazari i Vjetër e më pas rrugicave të Tiranë me kanistër në dorë duke bërtitur me zërin e tij karakteristik: “pishë, hajde pishë”, për të shitur dru pishe të prerë hollë e të veshur me rrëshirë, që nënat tona i përdornin për të ndezur zjarrin. Në atë rrugë ndodheshin sapuneria “Afërdita” me pronar Sadik Tabakun dhe sapuneria “Pogu” e vllazërve Pogo, degë e fabrikës moderne të sapunit në Shkodër, që prodhonte sapunin me famë e mjaft të preferuar “Venus”. Aty kishin zyrën avokatore, Ali Begeja dhe Dhimitër Gode. Kënaqësia ishte e madhe në rrugën e Drithit, kur ndodheshim para dyqaneve të kadaifit. Tava e madhe vendosur mbi shpuzë e Sadik Katroshit, me hedhësen e brumit në dorë (setile), derdhte brumin e lëngët në fije të holla, duke filluar nga periferia në qendër. Ai priste sa ato të thaheshin dhe si i mblidhte tufë,

i varte në banak që t’i shikonin blerësit ose kalimtarët kureshtarë. Pak më tej ishin Muharrem Tela e vëllezërit Ismail e Gëzim Hajdari, tregtarët e miellit. Në atë rrugë, në ndërtesë me dy kate, ndodhej Agjencia e Fabrikave të “Vllazën Hobdari”, për shitje akulli, sapuni, pijesh freskuese dhe parfumesh. Nuk mund të lë pa përmendur mjekun popullor Lok Kurdarin që kuronte te dëmtuarit në rrugën e Drithit, e fuste në jaki këmbë e duar të thyera e që zanatin ia la trashëgim dhëndrit, Hysen Kazazit, që në popull është njohur si doktor Ceni, apo familjen Qosja që jepte pare me fajde.

 Rruga e Argjendarëve

Po ishte dhe rrugica e dyqaneve të kujxhive, ose rruga e Argjendarëve, ku

shiteshin unaza sermi e floriri, varëse, vathë, kuti duhani, byzylykë, e çfarë nuk gjeje te usta Spiro Findiku apo Abedin Toskën, mikun e babait tim, i cili në vitet e diktaturës më bëri unazat e martesës. Po në atë rrugicë, nga e djathta ishin berberhanet. Aty qethte Hasan Xibri me Agim Brajën. “Ecni çuna”, – thoshte Hasani me gërshërën në dorë. Pa pritë e pa kujtuar gjendeshin dibranët, që me gjyma të mëdha e gota në duar, çanin mes për mes pazarin duke thirrur në gjuhën e tyre karakteristike “bozë, hajde bozë”, ose “kush do bozë”. Përballë rrugës së Pishës, ndodhej Zingoni, ja dhe andej futeshe në Pazar te Vjetër. Aty pranë, Xhorxh Rota kishte ngritur studion e tij fotografike “Skënderbeu”. Dikur aty ishte hamami. Kujtoj dyqanin e tim ati, në zemër të pazarit, që tani është e vështirë të thuash se ku ndodhej saktësisht. Në pjesën lindore të pazarit ndodhej rruga Laradani, ku binin në sy restorant-kafe “KAVAJA”, e Rakip Rapit nga Kavaja, vend që pihej kafeja alla-turka, ku kamerier Llazi e sillte bashkë me një gotë ujë të ftohtë dhe më tej restorant “KOLOMBO” me pronar z. Shehu me shokë. Përbri ndodhej rruga e Kripës, ku kishin zyrat e tyre avokatët Spiro Stringa dhe Stefan Shundi, dhe dyqane tregtarë të ndryshëm. Në atë hapësirë prej 3 hektarësh ndodhej dhe rruga e Hasrave, me sheshin e vogël ku shiteshin hasra. Në hyrje të Pazarit, ndodhej Karakolli dhe gjatë natës shërbente një xhandar që nuk e di pse thirrej Pavzan. Ai dhe kur shikonte ndonjë dyqan të pa mbyllur mirë, bënte çmos që mos të vidhej. Ja, në atë Pazar, ndodhej dhe Kolegji i Avokatëve. Në pjesën perëndimore të pazarit, ndodhej Restorant “TRIESTE” me pronar H. Taganin dhe shërbente Kadri Toska, për t’u prishur në vitin 1934 dhe u ngrit Kinema Verore “Skënderbej”, dhe në cep, nga ana e xhamisë, “HOTEL SPLENDID”; ndërsa në Rrugën “Mbretërore” që në vitin 1929 ishte e hapur Shtëpia Italiane e Bukurisë. Ajo ishte pothuaj ngjitur me pastiçeri “Bella Venecia” dhe një hoteli që nuk ia kam gjetur emrin, e që të tria i përkisnin pjesës lindore të Pazarit të Vjetër. Në brendësi të pazarit ndodhej Hotel “ELBASANI” me pronarë vëllezërit Zemblaku, dhe më vonë Ali Habibi nga Gjirokastra. Në mjediset e tij ndodhej restoranti me pronar Lluka Papadhopullin dhe kafeja që administrohej nga Muharrem Neviri. Pas vitit 1944 hoteli u kthye në Shkollën e Kuzhinierëve. Nuk duhet ngatërruar me Hotel Elbasanin që ndodhej përbri sahatit e që në vitet njëzetë u kthye në spitalin e qytetit, vendi ku vdiq Avni Rustemi. Po kështu kemi dhe “HOTEL DIBRA”, me kujdestar Teufik Çapari. Ja, ai, Pazar i Vjetër, ishte një qendër e vogël, një qytezë në zemër të Tiranës, mjaft interesante dhe që në kohët e tanishme do kishte vlera të mëdha jo vetëm historike por dhe turistike, për vizitorët vendas e të huaj. Në vitin 1947, ra kazma e parë mbi Pazarin e Vjetër. Për hapjen e rrugës së re, në atë vend u shpronësuan 99 pronarë, që i përkisnin: Bllokut Nr. I (26 veta): Ali Halebi-berber; Adem Agalliu-këpucar; Mahmut Kruja, Shaban Bega Ademi-jorganxhi; Gaspër Kurti, Mahmut Mjolli-jorganxhi; Stefan Prifti, Hysen Bardhoshi, Ali Demrreshi, Bajram Tresa, Ali Kazazi-bulmetore; Shefqet Kulheku, Haxhi Muharremi, Shaqir Alimehmeti-këpucar; Iljaz Dyrnjaja, Ramazan Balluku, Halil Shijaku, Ali Demneri-xhamaprerës; Ismail Caslli, Muhamet Havani, Mustafa Turdiu-opingar; Kasem Kadiu, Rexhep Përmeti, Hysen Xhaferri, Xhemal Zenuni, Monc Ilia. Bllokut Nr. II (22 veta): Hysen Harifi-opingar; Mehmet Nazifiopingar; Zaj Dalip Kruja, Dhimitër Janku, Kasem Jonuzi-opingar; Muharrem Cara, Sali Çizmja-ushqimore; Iljaz Çizmja-ushqimore; Islam Spahiu, Muharrem Ahmet Aga-pemëshitës; Ibrahim Ahmet Aga, Qemal Katroshi, Beqir Katroshi, Qazim Keçi-ushqimore; Mehmet Tugu-mobilie; Sulejman Ademi-kuinxhi; Sadik Sokoli, Prokop Nushi, Qazim Bardhi, Petro Martini-shtamaxhi; Muharrem Shala, Ibrahim Taladhi.