Sot, 88 vjet nga vendosja e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri

738
Përgatitën: Kujtim borçi, Syrja Xhelaj, Nuri Çimi.

Kryegjyshi Botëror Baba Edmond Brahimaj: Ngjarje e shënuar për miliona bektashinj në 8 shekuj të këtij besimi
Sot është një ditë e shënuar për bektashinjtë shqiptar dhe miliona bektashinj në mbarë botën, pasi shënohen plot 88 vjet nga transferimi i Selisë së Kryegjyshatës Botërore nga Turqia në Shqipëri, përkatësisht në Korçë. Referuar dokumenteve zyrtare, Selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u vendos në Turan të Korçës më 28 janar të vitit 1930, mbështetur në vendimin përkatës të Kongresit të III-të, mbajtur në shtator të vitit 1929. “Në transferimin e Selisë Botërore Bektashiane nga Haxhi-Bektashi në Turqi në teqenë e Turanit në Korçë për rrethana historike, është një ngjarje e shënuar që shënon pikënisjen e dekadave pune në vazhdimësi të klerikëve shqiptarë bektashianë, ku një meritë e veçantë i takon ish-Kryegjyshit Botëror, Sali Niazi Dede…”-pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Shenjtëria e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
KRYEGJYSHATA BOTËRORE NGA TURQIA NË SHQIPËRI
Kur parlamenti turk, më 25 dhjetor të vitit 1925 me vendim të veçantë, urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në Turqi, Sali Niazi Dedei i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Natyrisht ai e dinte fort mirë se bektashizmi në trevat shqiptare kishte shkelur shekuj që ish lindur dhe rritur, ndaj dhe transferimi aty i qendrës botërore të këtij besimi, do të shihej si një ogur i bardhë për shqiptarët, pamvarësisht se çfarë feje i përkisnin. Janë disa letërkëmbime midis tij dhe Mbretërisë shqiptare në vitin 1929, të cilat nxjerrin në pah jo vetëm dëshirën e këtij kleriku për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri, por edhe garancitë pa asnjë interes të Mbretit Zog, për ndihmën e nevojshme. Kjo padyshim bëri që Sali Niazi Dede, duke u këshilluar edhe këshillat gjyshërore nëpër vende të ndryshme, të merrte vendimin për të zhvendosur qëndrën botërore bektashiane prej Turqije në Tiranë. Ky akt madhor, sot e kësaj dite, qëndron plot ndinjitet midis zgjidhjeve të ndryshme të shqiptarëve, përgjatë historisë së vet… Sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, kleriku i shquar bektashian, provoi përveç frymës tradicionale të besimit bektashian edhe atë të besimtarëve të thjeshtë… Në momentin e largimit nga Turqia Kryegjyshi Sali Njazi Dedei shkruan: “Unë Kryegjyshi Botëror i bektashinjëve, i detyruar nga rrethanat e krijuara, detyrohem të largohem nga kjo qendër e shenjtë, duke parë të arësyshme shpërnguljen në vatanin tim, ku gjyshër e baballarë më ftuan për të vazhduar misionin e lartë, për të vënë në jetë amanetetet e Hynqarit të përjetshëm, Haxhi Bektash Veliut”. Dekretimi i Hirësisë së Tija Sali Njazi Dedeit si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit u bë në mars të vitit 1930. Në dokumentacionin arkivor të asaj kohe thuhet: “Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Drejtësisë, në shkurt të vitit 1930, miratuan statutin bektashian, duke i dhënë atij fuqi ligjore. Po në mars 1930 mbreti Zog dekretoi emërimin e Hirësisë së Tij Sali Njazi Deden Kryegjysh bektashian”. Më tej MPB njoftonte më 21 mars Ministrin e Drejtësisë se: “Ju njoftohet se, si mbas shkresës Nr. 523 datë 20. III. 1930, të Ministrisë s’Oborrit Mbretnor, Nalt – Madhnia e Tij Mbreti pati mirësinë me udhënue dekretimin e emnit të Hirësisë së Tij Sali Njazi Dedes, Kryegjysh Bektashian”… Gjatë vitit Në dhjetor të vitit 1930, me vendim të qeverisë, Selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, u vendos përfundimisht në Tiranë.
KRYEGJYSHI SALI NIAZI DEDEI
Sali Niazi u lind në Starje të Kolonjës në qershor të vitit 1876… Na kapërcyej të shekujve 19 dhe 20, bektashizmi në Shqipëri kish ardhur duke u zhvilluar së tepërmi. …Ka qënë ndikimi i teqesë së famshme të Starjes, por edhe ato të Leskovikut, të Qesarakës dhe Kreshovës, që lanë gjurmë të thella në fëmijërinë e Sali Niaziut të vogël. Me imazhin e pastër dhe real të këtij bektashizmi, Sali Niazi u gjend në moshën 8-vjeçare në Stamboll me familjen e tij, në kërkim të një jete më të mirë. Plot trembëdhjetë vjet, ky ndoqi mësimet në Stamboll dhe falë asaj trashëgimie shpirtërore shqiptare, vendosi të futet në rrugën plot mirësi bektashiane.
Në vitin 1897, sipas dokumentave osmanë, djali i Starjes, shkon në Nevshehir, në teqenë e famshme të Haxhi Bektash Veliut dhe regjistrohet në shkollën e teqesë… Këtu, është menjëherë në vemendjen e ish-Kryegjyshit të kohës, Haxhi Fejzi Dedeit. Me largimin nga kjo jetë e ish Kryegjyshit Bektashian Haxhi Fejzi Dedei, këshilli i lartë gjyshnor, cakton Sali Niazi në postin e lartë të udhëheqjes të këtij besimi. Ky ishte nder jo vetëm për Sali Niazi, por për krejt shqiptarë… Sali Niazi Dede, vazhdoi i sigurtë dhe krejt i dlirë, rrugëtimin e nisur nga dervishët dhe baballarët bektashinj, 800 vjet më parë. …Sali Niazi Dede, mundi të edukonte dhe frymëzonte dhjetra e dhjetra dervishë dhe baballarë bektashian, për të ecur pa u lëkundur dhe plot dlirësi në rrugën e Hakut… Roli i pazevendësueshëm i këtij kleriku është gjithashtu edhe në aspektin e ruajtjes të tradicionit brenda besimit bektashian. 
KRYEGJYSHI BOTËROR BABA EDMOND BRAHIMAJ
Ja si shprehet për këtë eveniment Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Baba Edmond Brahimaj: “Sali Niazi Dede ka qënë dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit në vendin tonë. Ai ka qënë dhe mbetet modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë. Ai ka qënë dhe mbetet reformatori i parë i këtij besimi në vendin tonë, duke e ngritur bektashizmin në nivele të lartë përfaqësimi. Unë jam i sigurt se emocionet, gëzimin dhe krenarinë që ndjejmë sot në 88 vjetorin e vendosjes së Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri dhe jetës e veprimtarisë së Sali Niazi Dede do të mbeten të pashlyera do të shumfishohen e përcillen nesër me po këtë madhështi edhe në brezat e tjerë. Na shumfishon forcat për të rritur akoma më shumë vlerat tradicionale të besimit tonë, duke dashur Zotin, atdheun, familjen, duke falur dashuri dhe shpresë…”
Përgatitën: Kujtim Boriçi, Syrja Xhelaj, Nuri Çuni.
SOM
“Baba Mondi: Unë jam i sigurt se emocionet, gëzimin dhe krenarinë që ndjejmë sot në 88 vjetorin e vendosjes së Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri dhe jetës e veprimtarisë së Sali Niazi Dede do të mbeten të pashlyera do të shumfishohen e përcillen nesër me po këtë madhështi edhe në brezat e tjerë. Na shumfishon forcat për të rritur akoma më shumë vlerat tradicionale të besimit tonë, duke dashur Zotin, atdheun, familjen, duke falur dashuri dhe shpresë…”
Sigal