Sot 75-vjetori i Brigadës VI/ Prof. Kastriot Bezati: “Dil nëno të shikosh jashtë, si lufton Brigada’ e Gjashtë”. Udha luftarake nga Shqipëria deri në ish-Jugosllavi, partizanët dhe 2013 dëshmorët e saj

1046
Sigal

Brigada VI zë një vend nderi ndër 24 brigadat e UNÇSH, të cilat lindën e jetuan në vitet e LANÇ-it, luftuan e çliruan bashkë me popullin Shqipërinë. LANÇ-i (7 prill 1939 – 29 nëntor 1944) qëndron brenda hapësirës kohore të Luftës II Botërore (edhe pse tek ne LANÇ – i filloi 146 ditë më parë dhe përfundoi 161 ditë po më parë se Lufta II Botërore), e cila u zhvillua në 2077 ditë (1 shtator 1939 – 9 maj 1945), përbën një nga epokat më të lavdishme të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Lufta II Botërore është lufta me përmasat më të mëdha në historinë e njerëzimit. Shqiptarët u rreshtuan në anën e aleancës më të madhe që është bërë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, në aleancën midis Anglisë, BRSS e SHBA. LANÇ-i, që u zhvillua në 2064 ditë, shpëtoi nga copëtimi Shqipërinë. Shqiptarët, Mujo Ulqinaku nga Ulqini dhe Hamit Dollani nga Gramshi, janë dëshmorët e parë kundër fashizmit në Evropë në vitet e Luftës II Botërore, të cilët ranë heroikisht më 7 prill 1939.

Ishte pranverë e vitit të fundit të luftës, kur poeti i lirisë Memo Metua nga Kuçi i Kurveleshit, ngriti këngën: “Dil nëno, të shikosh jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë! …”.

Në luftë ajo edhe u formua. Të katër batalionet që u inkuadruan në të, “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Baba Abaz” dhe “Naim Frashëri” (ku u rreshtua edhe një pjesë e partizanëve të Batalionit “Thoma Lula”), gjithsej 912 partizanë, mëngjesi i 26 janarit 1944 i gjeti në të dy anët e Luginës së Përmetit. Kodrat pranë xhadesë u bënë “vendi i përurimit”, ndërsa “duartrokitjet” ishin krismat e armëve që zbrazeshin mbi nazistët e tradhtarët, të cilët suleshin si bisha të egra drejt Përmetit nga Berati e Tepelana, Konica e Leskoviku, Poliçani e Zagoria.

Kush ishin këto 4 batalione që u inkuadruan në Brigadën VI? “Asim Zeneli”, batalion i formuar më 7 gusht 1943 në rrepet e Prongjit të Kardhiqit të Gjirokastrës me komandant Shefqet Peçin. U formua nga çetat “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rustemi” dhe “Toto Bolena”. Asim Zeneli, nga Progonati i Tepelenës, komisar i çetës “Hajredin Tremishti” të Kurveleshit, ra heroikisht më 2 korrik 1943 në luftë me fashistët italianë në Grykën e Mezhgoranit. Vite më vonë, me vargjet e Qamil Buxhelit, këngëtari i madh, partizani Mentor Xhemali, do të këndonte në shumë skena brenda e jashtë Shqipërisë këngën kushtuar Asim Zenelit “Një zë po del nga Grykë e Mezhgoranit …”. “Abaz Shehu”. Më 12 dhjetor 1943 u nda Batalioni “Asim Zeneli” dhe u formua edhe Batalioni “Abaz Shehu”. Abaz Shehu, nga Bënça e Tepelenës, u caktua komandant i Brigadës V të UNÇSH, por këtë detyrë nuk arriti ta kryente sepse ra dëshmor në luftë me nazistët gjermanë më 4 dhjetor 1943 te Ura e Gjormit të Vlorës. “Baba Abaz”, batalion i formuar më 10 gusht 1943 te rrepet e Vjosës në Donie të Kalivaçit të Tepelenës me komandant Baba Fejzon e komisar Zenel Shehun. U formua nga çetat “Selam Musai”, “Ismail Kaso” e me pas u rreshtua edhe çeta “Sulo Hyso”. Baba Abazi (Abaz Sherif Memushaj) u pushkatua nga pushtuesit 20 ditë më parë (në korrik 1943), sepse e ktheu Teqen e Rabijes në bazë të LANÇ-it. “Naim Frashëri”, batalion që mbante emrin e poetit të madh, ndërgjegjes së kombit shqiptar, Naim Frashërit. U formua më 16 gusht 1943 në Poliçan të Gjirokastrës nga çetat “Musa Fratari”, “Koto Hoxhi” dhe “Rrëza”, me komandant Pano Xhamballo e komisar Bexhet Mema. Batalioni “Naim Frashëri” u riorganizua, më 18 tetor 1943 në qytetin e Përmetit nga çetat “Musa Fratari” dhe “Dangëllia”, me komisar Petrit Radovickën dhe zv/komandant e më vonë edhe komandant Feti Bubësin. Tri kompanitë e këtij batalioni në ditën e riformimit morën emrat “Abdyl Frashëri”, “Sami Frashëri” dhe “Musa Fratari”. Kompania e katërt e këtij batalioni u formua nga partizanët e Batalionit “Thoma Lula” të Grupit IV të Zonës I. Të katër batalionet ishin nga batalionet më me veprimtari ndër 54 batalionet partizane që u krijuan gjatë LANÇ-it në Shqipëri.

Udha luftarake e Brigadës VI

Udha luftarake e Brigadës VI fillon në Përmet. Qyteti i Përmetit u pushtua nga fashistët italianë më 11 prill 1939 dhe u çlirua më 13 shtator 1943. Qëndroi i pushtuar dhe luftoi me pushtuesit 1615 ditë. Edhe pas kësaj dite pushtuesit hitlerianë e kanë riokupuar Përmetin edhe tri herë të tjera gjatë operacioneve të tyre ushtarake: më 3 nëntor 1943, 1 dite, më 28 janar – 2 shkurt 1944, 6 ditë, më 11 – 29 qershor 1944, 19 ditë, por pa mundur të ngrenë pushtetin dhe administratën e tyre në qytetin e Përmetit. Në dimrin e viteve 1943 – 1944 Përmeti u përfshi në operacionin e madh të pushtuesve gjermanë të quajtur “Horridoh” (thirrje për të çuar gjahun), i cili u zhvillua në rajonin Gjirokastër, Përmet, Berat, Ballsh, Tepelenë nga 21 janari deri më 6 shkurt 1944 dhe, në këtë operacion, morën pjesë 10 000 ushtarë gjermanë të Korpusit XXI e XXII. Më 20 janar 1944, një batalion i regjimentit të 227 të Divizionit të 100-të hyri nga Fieri në Mallakastër me qëllim që të mbërrinte në Këlcyrë. Po atë ditë një batalion i Regjimentit të 54-t po i këtij divizioni u nis nga Çorovoda për të dalë në Dëshnicë dhe kishte si qëllim të arrinte në Këlcyrë e në Përmet. Batalioni i Regjimentit të 54-t (1000 ushtarë) si detyrë të parë kishte të kapte Tendën e Qypit e pastaj të vazhdonte marshimin për në Këlcyrë. Sa kaloi Veleshnjën ai ra në goditjen e Grupit III të Beratit (Skraparit), i formuar 3 ditë më parë, më 18 janar 1944, në Qafën e Liqedhit të Skraparit me komandant Zylyftar Veleshnja e komisar Iliaz Sevrani. Dy batalione të Brigadës I UNÇSH nën komandën e Mehmet Shehut, komandantit të brigadës, Batalioni I (me komandant Xheladin Beqiri – Karadaku) dhe Batalioni III ( me komandant Gjeli Argjiri), që ndodheshin në Dëshnicë, i pari në Zhepovë dhe i treti në Ballaban, marshojnë me shpejtësi për t’i ardhur në ndihmë Grupit Partizan të Skraparit.

Beteja në Tendën e Qypit

Batalioni i 3-të sapo u ngjit në Tendën e Qypit më 20 janar 1944 u hodh në kundërsulm mbi nazistët e Vermahtit dhe, disa orë më vonë, arriti dhe hyri në veprim edhe Batalioni I i Brigadës I. Ishte një betejë trup me trup. Partizanët hidheshin në luftim nën tingujt e bories së Haki Kapajt, partizanit të Brigadës I. Batalioni i Regjimentit të 54-t gjermanë, pasi la mbi 100 të vrarë në Tendën e Qypit, u rikthye në Çorovodë. Gjaku i 17 dëshmorëve dhe heroizmi i partizanëve të Brigadës I dhe Grupit të Skraparit bënë që të arrihej fitorja në Tendën e Qypit. U plagosën rëndë në këtë betejë të përgjakshme edhe komandanti e komisari i Grupit të Skraparit si dhe borizani i Brigadës I, i njohur me emrin borizani i Tendës së Qypit. Zylyftar Veleshnjën partizanët e shpunë nën breshërinë e plumbave për tu mjekuar në Kajcë të Dëshnicës, në shtëpinë e Sheh Latifit. Mësymjen nazistët e përsëritën më 24 janar 1944. Ndërkohë ata sulmuan xhadenë nga Qafa e Kiçokut kundër Batalionit të 4-të të Brigadës I. Përballë epërsisë, me rregullin më të madh, u vendos tërheqja e partizanëve të Brigadës I dhe të Grupit të Skraparit dhe, vetëm pas kësaj tërheqjeje të partizanëve, Batalioni i 4-të i Repartit 54-t doli më 26 janar në Luginën e Vjosës në rajonin Kuqar – Këlcyrë. Grushti i rëndë që morën nazistët në Tënden e Qypit dhe gozhdimi i tyre në vend për 5 – 6 ditë pati rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në trevën e Përmetit. Këtë betejë, vite më vonë, mbas Çlirimit, piktori i njohur Fatmir Haxhiu, e pasqyrojë në tablonë me vlera të titulluar “Tenda e Qypit”.

Formimi i Brigadës së VI Sulmuese

Brigada VI, sipas planit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, do të përurohej më 26 janar 1944 në qytetin e lirë të Përmetit, ndaj me vendim të Shtabit të Zonës I Operative, më 22 – 24 janar 1944 të 4 batalionet u vunë në lëvizje në drejtim të Luginës së Vjosës. Më 25 janar çdo gjë ishte gati për ceremoninë e përurimit që do të kryhej të nesërmen, më 26 janar 1944. Kishin ardhur në Përmet edhe kuadrot drejtuese të caktuara për Brigadën VI: komandanti Tahir Kadareja, komisari Mustafa Matohiti, zv/komandanti e më vonë edhe komandant Jaho Gjoliku dhe zv/komisari e me vonë edhe komisar Haki Toska. Brigada, me vonë, ka pasur komandant edhe Sotir Filton dhe komisar Xhule Çirakun. Në mbrëmjen e 26 Janarit 1944, Shtabit të Brigadës ende të pa përuruar, i dolën përpara detyra luftarake tepër urgjente: Forcat naziste të gozhduara për disa ditë në Tendën e Qypit e Qafën e Kiçokut kishin arritur në Këlcyrë dhe po përgatiteshin të marshonin drejt Përmetit. Në të njëjtën kohë po afrohej drejt Përmetit një kolonë tjetër gjermane që marshonte nga Ura e Peratit. Këto grupe armike, së bashku me forcat e tjera hitleriane që marshonin nga ana e Pogonit dhe Gjirokastrës, kishin filluar operacioni “Horridoh”. Në këto kushte Shtabi i Brigadës vendosi që formimi i Brigadës VI të bëhej jo me fjalime e parakalime por me luftime të ashpra ndaj dhe urdhëroi që batalionet të mos grumbulloheshin në qytetin e Përmetit por të vendoseshin në pozicione luftimi gjatë Luginës së Vjosës. Në mëngjesin e 26 janarit 1944 batalionet ishin vendosur: Batalioni i 3-të “Baba Abaz” në rajonin e Mbrezhanit, Malëshovës dhe Peshtanit, Batalioni i 2-të “Abaz Shehu” në mbrojtje të rajonit Varibob, Kuqar dhe Seniçan, Batalion i 1-rë “Asim Zeneli” në mbrojtje të kodrave Kuqar, Pacomit, Kosinë, Zleushë dhe Batalioni i 4-të “Naim Frashëri” në mbrojtje të rajonit Mali i Bardhë dhe Petran. Qysh atë ditë forcat armike u orvatën të hynin në Luginën e Vjosës. Në këtë mënyrë më 26 janar 1944, kur krismat e armëve përziheshin me valët e shkumëzuara të Vjosës, partizanët trima konsakruan formimin e Brigadës VI të UNÇSH. Ajo përballoi mësymjen armike dhe më 30 janar çliroi hapësirën Përmet – Këlcyrë – Dangëlli. Në ato ditë të acarta dimri, kur luftohej me nazistët në brigjet e Vjosës, si në Kosinë e sidomos në Malin e Bardhë, në qytet vazhdonin të vinin forca partizane së bashku me të plagosurit e spitaleve dhe me banorë nga Zagoria, të cilët kalonin në pasarelën e ngushtë për t’u hedhur në Dangëlli. Të plagosurit mbi supet e shokëve u bënin ballë shiut dhe dëborës, erës dhe furtunës. Në atë kohë aq të vështirë, majori anglez, Tilman, kur pa në Qafën e Dhëmbelit partizanët që transportonin shokët e tyre të plagosur në krah, u shpreh: “Cilët janë më heroikë, të plagosurit apo transportuesit?”. S’ka asnjë dyshim, të dy palët ishin heroikë. Për tu kryer sa më shpejt kalimi i këtyre forcave në Dangëlli, krahas pasarelës në Përmet, një pjesë e partizanëve të plagosur e kaluan Vjosën me anën e një vinçi të ngritur nga fshatarët e Badëlonjës. Nëpërmjet këtij vinçi, një kosh që rrëshqiste mbi një tel të trashë të vendosur mbi lumë dhe që tërhiqej me tel nga të dy brigjet, kaluan dy e nga dy rreth 100 partizanë të plagosur mbi Vjosë. Duke u gdhirë 31 janari 1944, në Dangëlli, nga një gabim i aviatorit në llogaritjen e karburantit, zbarkuan me parashutë 35 desantë anglo-amerikanë, djem e vajza, të gjithë pilotë, të cilët ishin nisur me një avion nga Greqia për të kaluar në Itali. Të 35 pilotët, Komanda e Brigadës VI i shoqëroi me 15 partizanë në Shtabin e Zonës së I Operative, në Sheper e Poliçan të Zagories dhe, nga Sheperi, pilotët shkuan në Borsh të Himarës dhe, prej këtej, me nëndetëse kaluan në Itali.

Shumë të ashpra ishin luftimet e brigadës për thyerjen e Operacionit armik të Qershorit. Ajo mbrojti pozitat e fituara midis Vlorës, Himarës, Sarandës, Mesaplikut e Kurveleshit. Duke u ndodhur e rrethuar ajo bëri që çdo pëllëmbë tokë të kthehet në varr për armiqtë. U vranë 107, u plagosën më shumë se 120 dhe u kapën robër 124 nazistë të Vermahtit. Të rrepta ishin sidomos luftimet që u zhvilluan në Shënvasi të Sarandës dhe në Himarë, përleshjet në Luginën e Shushicës, ndeshjet te Shkëmbi i Radit, në Vajzë e Beun, te Mali i Tartarit, në Papadhi e Skivovik, Kunjevë e në mjaft vende të tjera të Kurveleshit. Në këtë kohë brigadës iu shtua edhe batalioni “Zaho Koka”, i cili u formua në Bregdet pasi Zaho Koka ra heroikisht në luftë me gjermanët në fshatin e lindjes, në Vuno të Himarës më 8 qershor 1944. Më 17 korrik 1944, luftëtaren e Brigadës VI, trimen Persefoni Kokëdhima, nazistët gjermanë pasi kishin mundur më parë ta arrestonin të sëmurë rëndë në fshatin e lindjes në Qeparo të Himarës dhe pasi e kishin torturuar më vonë në burgun e Gjirokastrës, e varrën në litar së bashku me trimen Bule Naipi nga Gjirokastra në sheshin “Çerçiz Topulli”. Më 25 korrik brigada asgjësoi plotësisht trupat gjermane e xhandarë në Dukaj e Salari të Tepelenës, ku ra heroikisht Mitro Xhani nga Piqerasi i Sarandës. E shoqja, Athinaja, e vazhdoi luftën në radhët e brigadës me automatikun e Mitros. Veçohen si ngjarje më të shënuara: luftimet nga 9 deri më 11 shtator në Labinot, të 26 tetorit për çlirimin e Shën-Palit, ato të nëntorit në Malin e Gojanit, Livadhet e Hamzës dhe në Fushë – Arrëz, kapërcimi i Alpeve të Veriut dhe luftimet e Dukagjinit. Në luftimet e zhvilluara në Labinot ranë heroikisht në fushën e betejës 11 luftëtarë të brigadës, ndërsa në luftimet e Shën-Palit ra në fushën e nderit edhe borizani i brigadës Naun Thomollari nga Kutali i Përmetit. “Nauni e godiste armikun me tingujt e bories” dhe se “boria e Naunit e ngrinte Brigadën në këmbë”, – ka shkruar luftëtari i njohur i kësaj brigade Resul Bedua. “O Naun, o lule djalë, borizanë mbi borizanë”, – thotë kënga. Një muaj më vonë, më 26 nëntor, në luftë me armiqtë, në Malësinë e Dukagjinit ra heroikisht pioneri, djaloshi 15 vjeçar, korrieri i brigadës Çelo Sinani nga Picari i Kurveleshit. Rruga luftarake e brigadës në Veri u kurorëzua me Çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. “Forcat e përqendruara në Shqipëri, të cilat kërcënoheshin me goditje të herëpashershme lanë … Shkodrën më 29 Nëntor”, – thuhet në ditarin e Luftës së Komandës së Lartë të Vermahtit Gjerman (1 janar 1944 – 22 maj 1945). Të nesërmen, më 30 nëntor 1944, brigada në radhët e Divizionit VI të UNÇSH, ku ajo ishte inkuadruar qysh më 18 nëntor 1944, kaloj përtej kufirit shtetëror të Atdheut për të ndihmuar në çlirimin e vëllezërve kosovarë dhe të popujve të Jugosllavisë. Nga 42 luftimet që ajo zhvilloi në hapësirën e Jugosllavisë, veçanërisht të ashpra ishin luftimet në Kalanë e Medunit, Kosorit, Brskutit, Leva – Rekës. Në luftimet e ashpra të Leva – Rekës, të zhvilluara më 12 e 13 dhjetor 1944, vetëm nga treva e Përmetit ranë heroikisht në luftë me nazistët e çetnikët 7 dëshmorë, Fanjo Çiçako nga Leusa, Hysen Spahiu nga Mërtinji, Kici Nauni nga Bënja e Shqerisë, Muke Topi nga Koblara, Ngjeli Gogo nga qyteti i Përmetit, Nuredin Rrapo nga Kuqari dhe Shezai Sejati nga Badëlonja. Të ashpra ishin luftimet që u zhvilluan edhe në Verushë, Suhagorë, Drinsko e Vishegrad. “Në Drinsko në Vishegrad, po lufton Brigad’ e Gjashtë”, – thotë kënga e popullit. Dhe u çlirua Vishegradi më 14 shkurt 1945. Më 12 mars 1945 brigada parakaloi në qytetin e Mitrovicës. Deri më 10 qershor 1945 brigada veproi në Kosovë. Në fundin e LANÇ- it, në Kosovë, numëroheshin 9 brigada partizane me mbi 50000 luftëtarë dhe, në fushën e betejës, ranë në luftë me pushtuesit 6200 shqiptarë të Kosovës. Brigada VI, nga 10 qershori deri në fillim të dhjetorit 1945 zhvilloi luftime në qytetin dhe rrethinat e Shkupit, Velesit, Manastirit dhe Ohrit. Më 7 dhjetor 1945 brigada së bashku me njësi të tjera të UNÇSH u përqendrua në Korçë.

Në brigadë u rreshtuan mbi 1700 partizanë, nga te cilët 110 ishin gra e vajza, nga 596 gra e vajza partizane, që u rreshtuan në të gjitha formacionet e UNÇSH. Ajo i shkaktoi armikut 3500 të vrarë, 5000 të plagosur dhe kapi robër 1947 hitlerianë e mercenarë. Përshkoi një itinerar prej 3500 kilometrash dhe morri pjesë në çlirimin e 32 krahinave dhe 8 qyteteve të Atdheut. Ranë në fushën e nderit 191 partizanë dhe 12 partizane, plotë 203 dëshmorë, që ndriçojnë si yje të pashuar në rrugën luftarake të Brigadës VI, “Heroinë e Popullit”. Vargjet e himnit të saj “Grusht çelik Brigad’ e Gjashtë!”, shkruar në vitet e luftës nga partizani e shkrimtari Resul Bedo, u bënë flamur i partizanëve për çlirimin e Shqipërisë. Heronjtë e saj të Popullit, Mustafa Matohiti, Jaho Gjoliku, Meleq Gosnishti, Mitro Xhani, Fato Berberi, Lefter Talua, Persefoni Kokëdhima, Çelo Sinani dhe Avdul Hakiu, gjithë luftëtarët trima të Brigadës – Hero, me luftën e tyre për çlirim hynë dhe mbetën në çdo kohë në historinë e Shqipërisë.

Këta luftëtarë trima të Brigadës VI, që e filluan rrugën e brigadës në Përmet, si dhe gjithë luftëtarët e 24 brigadave të UNÇSH, janë të pranishëm dhe lartësohen edhe në veprat e skulptorit të shekullit, Odise Paskalit, në monumentin “Partizani Çlirimtar” ngritur më 1964 në Përmet dhe në monumentin “Partizani Fitimtar” ngritur më 1968 në Mat’hauzen të Austrisë, janë të pranishëm e lartësohen edhe në këngët e partizanit mitraljer të Brigadës VI, të këngëtarit të madh Mentor Xhemali, te kënga “Për ty Atdhe”, kompozuar nga Pjetër Gaci, si dhe te kënga “Një zë po del nga Gryka e Mezhgoranit”, kompozuar nga Mustafa Krantja. Atifashizmi shqiptar shpëtoi Shqipërinë. Nisur nga hapësira gjeografike ku veproi, si brenda ashtu dhe jashtë kufijve të Atdheut, nga betejat që ajo zhvilloi dhe nga detyrat që ajo zgjidhi në luftë për çlirimin e vendit, kjo brigadë hyri dhe mbeti në biografinë e popullit dhe të kombit, të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Mesazhi kryesor i jetës dhe veprës së Brigadës VI – “Heroinë e Popullit” është: Shqipërinë e ka bërë dhe do ta lartësojë gjithnjë e më shumë Shqipëria.