Sot, 69 vjet nga dita e  krijimit të Forcave Detare të  Shqiptarisë. Një rrugë sakrificash edhe lavdie

1527
Sigal

15 gushti 1945 njihet si dita e krijimit të Flotës Luftarake Detare (FLD). Mijëra ushtarakë kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj arme

Forcat Detare janë një nga armët më të fuqishme të Forcave tona të Armatosura dhe misioni i kësaj force është të ruajë integritetin e brigjeve shqiptare, si dhe patrullimin e ujërave territoriale shqiptare. 15 gushti 1945 njihet si dita e krijimit të Flotës Luftarake Detare (FLD). Por rruga e kësaj force është më e gjatë, plot vështirësi, por edhe më shumë lavdi dhe suksese. Me shpalljen e pavarësisë me 28 Nëntor 1912 u bënë përpjekjet e para për organizimin e FD Shqiptare nga qeveria e Ismail Qemalit, por fillimi i Luftës së Parë Botërore e ndërpreu këtë angazhim. Në vitin 1925, ushtria shqiptare filloi të organizohej mbi bazën e Statutit të Shqipërisë hartuar me 7 mars 1925. Mbi bazën e këtij statuti u krijua Komanda e Përgjithshme e Fuqive.  Me 25 dhjetor 1925 mbërritën nga Italia dy anije 190 tonëshe, të cilat u emërtuan me emrat sinjifikativë “Shqipëria” dhe “Skënderbeg“. Këto anije u pajisën me efektivin përkatës dhe u përdorën kryesisht në detyra policie/roje bregdetare kundër kontrabandës. Po në këtë vit u dërguan katër studentë për studime në Itali për të plotësuar nevojat e Flotës Ushtarake për oficerë marine. Në 1928 u krijua Komanda e Marinës dhe me 24 qershor 1928, u mblodhën rekrutët e parë për këtë armë. Në 1934 u blenë po nga Italia edhe dy anije të tjera të lehta, të cilat u emërtuan “Saranda” dhe “Durrësi”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u shkatërrua gjithçka.

ÇLIRIMI I VENDIT

Çlirimi i Shqipërisë e gjeti Flotën Luftarake shqiptare në gjendje të mjerueshme. Në prill 1945 u krijua Kantieri Detar Durrës për riparimin e varkave ekzistuese dhe nxjerrjen e anijeve të mbytura gjatë Luftës dhe përgatitjen e tyre për detyra luftarake.  15 gushti 1945 u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafëve trofe me numër MS-10 dhe MS-12, duke shënuar kështu edhe ditën e krijimit të Flotës Luftarake Detare. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin e ujërave bregdetare në Vlorë e Sarandë. Në këtë kohë regjistrohen disa incidente me anije luftarake greke, me të cilat u përballën me guxim anijet tona luftarake.

Përgatiti: Muharrem Dardha

për më tepër lexoni Gazetën Telegraf