Sigal

Nga Leonard Veizi

Vrasja e Xhon dhe Bob Kenedi

Prezenca e Shqipërisë në seancën e përmortshme të OKB-së

Vitet ‘60 ishin fatkeqe për familjen Kenedi. Më vitin 1963 president! Xhon Kenedi bënte një vizitë me të shoqen në jugun e SHBA-ve. Por kur hyri në Dallas dikush nga një shtëpi e lartë qëlloi Presidentin në kokë dhe Kenedi e mbështeti kokën tek bashkëshortja Zhaklinë. E çuan me urgjencë në spitalin e qytetit, ku sa arriti dha shpirt. Atentatori ishte Li Osvald, të cilin e vranë gjatë një transferimi. Ovald kishte qenë në ish-Bashkimin Sovjetik. Gjurma e Osvaldit u zhduk. Akoma edhe sot nuk njihen arsyet e vrasjes. Disa gazeta spekuluan se e vranë manjantët e naftës sepse Kenedi nuk veproi ndaj shtetëzimeve që bëri qeveria e Argjentinës pasurive të naftës të SHBA-ve, por nuk dihet me saktësi shkaku i vërtetë i këtij atentati vdekjeprurës. Ditën e vrasjes së Kenedit rrugës shikoje njerëz me lot në sy, popullit i vite keq dhe qante. Në asamblenë e përgjithshme të OKB-së u mbajt një seancë e përmortshme, ku ishte prezent dhe delegacioni ynë. Pesë vjet më vonë (1968) kandidati për president i Partisë Demokratike ishte vëllai i Xhon Kenedit, Bob Kenedi. Bobi po i afrohej zgjedhjeve presidenciale. Pothuajse zgjedhja e tij ishte e sigurt. Ai e kishte fituar shumicën dërmuese të qarqeve elektorale. Bobi ishte shumë aktiv, i kishte mbetur akoma qarku elektoral më i madh, Kalifornia, të cilin e fitoi me sukses dhe bashkë me të dhe titullin e presidentit. Me këtë rast Partia Demokratike dha një koktejl, ku merrte pjesë dhe Bob Kenedi me entuziazmin e fitores. Por për fat të keq thuhet se një iranian e qëlloi me armë zjarri Bob Kenedin që tronditi popullin amerikan, ku pas disa orësh ai vdiq. Bob Kenedi u vendos në tren, mbërriti në Nju-Jork, ku në kishën e Shën Patrikut u bë ceremonia mortore dhe ku i vëllai i tij Eduart Kenedi mbajti një fjalim të gjatë, duke vënë në dukje aftësitë e tij të mëdha. Të dy vëllezërit u varrosën në Arlington, në Uashington.

Shqipëria dhe SHBA miq  të vjetër, ja kanalet ku mbaheshin marrëdhëniet

 Rasti i Kongos

1.Menjëherë pasi fitoi pavarësinë nga Belgjika, më 30 qershor 1960, Kongo Kinsasha u mbërthye nga një krizë e thellë nga forca të fuqisë koloniale: nacionalistët kongolezë dhe rebelët. Shkaku ishte pasuria e madhe në minerale të dobishme për provincën e Katanges që e synonte Çombe në shërbim të fuqive koloniale. Me kërkesën e kryeministrit të parë, patriotit kongolez Patrice Lumumba, disa ditë pas pavarësisë OKB-ja dërgoi trupat e saj me kontributin e një numri shtetesh të vegjël anëtare dhe, megjithëse në fillim parandaloi keqësimin e mëtejshëm të krizës, në fakt, pak përmirësim u bë. Për pasojë, midis Lumumbës dhe OKB-së kishte mosmarrëveshje; Lumumba kërkonte që trupat e OKB-së të ndalonin ndarjen e Katanges nga shteti i Kongos. Bashkimi Sovjetik përkrahte politiken radikale të Lumbumbës, ndërsa SHBA-ja përkrahte Hammarkjolin, sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, kurse Departamenti i Shtetit në përgjithësi mbështeste Britaninë e Madhe, Francën, Belgjikën dhe Portugalinë. Pasi nuk gjeti përkrahjen dhe ndihmën nga SHBA dhe OKB-ja Lumbumba u kthye nga BS. Kjo nuk u prit mirë nga presidenti i parë i Kongos, Kasavubu, i cili e shkarkoi Lumbumbën nga detyra e kryeministrit, ndërsa ky i fundit shkarkoi Kasavubu-n nga detyra e presidentit. Për pasojë, në këtë konfuzion përfitoi kolonel Josef Mobutu, ish-komandant i ushtrisë, i cili e mori pushtetin në dorë. Lumbumba u arrestua dhe ia dorëzuan Çombës, dhe Dag Hammarskjold, në shkurt 1961, njoftoi vdekjen e tij dhe të dy bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. BS kërkoi shkarkimin e Dag Hammarskjold-it dhe propozoi zëvendësimin e postit të tij me trojkën, të përbërë nga tre përfaqësues; nga blloku perëndimor, nga blloku socialist dhe vendet e paangazhuara. BS rrezikohej të privohej nga e drejta e votës dhe kështu rrezikohej “konfrontimi” i tij me SHBA-të. Shtetet e vegjël dhe të mesëm u trembën nga rreziku i dobësimit të OKB-së. I vetmi delegacion që kuptoi situatën se nuk do të ndodhte ndonjë rrezik fatal ishte delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Halim Budo. Situata u keqësua me tej, sepse përpjekjet për ta zgjidhur problemin e Katangës, dështuan; Dag Hammarskjold vdiq në një aksident ajror, në tetor 1961 dhe në vend të tij u zgjodh ambasadori birman, U. Thant, sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Në mars 1961, BS dhe Franca njoftuan se nuk do të paguajnë detyrimet e tyre, që rrjedhin nga shpenzimet e forcës së OKB-së në Kongo dhe të dy vendet paraqitën argumentet e tyre se vetëm Këshilli i Sigurimit ka autoritetin të caktojë detyrimin për pagimin e shpenzimeve të forcave paqeruajtëse, ndërsa forcat e OKB-së që u dërguan në Kongo, u miratuan në Asamblenë e Përgjithshme (neni 7, paragrafi 2). Dy muaj pas zgjedhjes se tij U- Thant u kërkoi shteteve të OKB-së se duhet të paguajnë për shpenzimet e bëra në të kaluarën dhe në të ardhmen, rreth 200 milionë USD, për operacionet e forcës së OKB-së në Kongo. Dhe një ditë më vonë, presidenti Kenedi i kërkoi Kongresit të autorizojë SHBA-në të paguajë gjysmat e shpenzimeve të forcës së OKB-së në Kongo. OKB-ja dhe SHBA-ja filluan bashkëpunimin mbi këtë mënyrë pagese, duke treguar vendosmërinë për të mbështetur OKB-në. U Thant u kërkoi shteteve anëtare detyrimet e tyre buxhetore për Kongon e Lindjen e Mesme (që u vendos pas krizës së Suezit), për forcat paqeruajtëse. Kriza financiare, e cila në thelb ishte politike, mori një kuadër tjetër më 20 korrik 1962, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë adoptoi një “opinion këshillues të shpenzimeve në Kongo dhe në Lindjen e Mesme për forcat e ruajtjes së paqes” ishin “shpenzime të organizatës” dhe “në përputhje me Kartën” (neni 17, paragrafi2) (të adoptuar 9 pro, 5 kundër). SHBA-të menduan se, problemi u zgjidh; përkundrazi lufta në Kongo vazhdonte midis forcave të OKB-së dhe mercenarëve të Katangës dhe pagimi i shpenzimeve të forcave paqeruajtëse, në bazë të “opinionit këshillues”, është i detyrueshëm, gjë që u konfirmua edhe nga Asambleja e Përgjithshme. Por lufta në Katanga vazhdonte, kurse më 2 mars, BS kërkoi tërheqjen e trupave të OKB-së nga Kongo. Ndërsa U Thant, më 20.03 filloi tërheqjen me faza të trupave të OKB-së nga Kongo dhe njoftoi se tërheqja e plotë përfundon në fund të vitit 1963, pjesërisht për shkak të krizës financiare që, sipas tij, u shkaktua nga refuzimi i BS, Francës dhe disa vendeve të tjera (përfshirë edhe Shqipërinë) të paguajnë detyrimet financiare për forcat e ruajtjes se paqes, ndërsa SHBA ishin që forcat paqeruajtëse të qëndronin në Kongo. Qëndrimi i fuqive të mëdha ishte se po shkohej drejt konfrontimit sovjeto-amerikan për detyrimet financiare që “mund të vinte në rrezik ekzistencën e vetë OKB-së”. Ky ishte një kërcënim për vendet anëtare, por kjo ishte një bllof, sepse pikërisht në këtë kohë, SHBA fillojnë të zbusin qëndrimin e tyre, veçanërisht në interpretimin e nenin 19 të Kartës, por pavarësisht nga forma, BS i kërkohej të paguante detyrimin, qoftë në formën e kontributit vullnetar, etj.. Por BS nuk tërhiqej nga pozita e tij. Kështu rreziku i konfrontimit qëndronte. Për shkak të krizës financiare, Asambleja e Përgjithshme nuk punonte me sesion të rregullt, sepse për çështje të ndryshme duhej të votohej, ndërkohë që në bazë të nenin 19, BS ishte i privuar nga e drejta e votës dhe, pra, duhej të largohej nga organizata. Gjithë kjo ishte false. SHBA-të nuk ishin që BS të largohej nga OKB-ja dhe as kjo e fundit të prishej; Halim Budo e kishte të qartë këtë.

Në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme, më 19 shkurt 1995, diplomati i shquar shqiptar Halim Budo, pasi bëri analizën e punimeve të Asamblesë, theksoi se, nuk mund të shkohej më tej me konsensus pa votim. Ai paraqiti “kërkesën” e saktë, e cila kërkon votim të menjëhershëm që Asambleja të rifillojë “punën normale” d.m.th. të kthehet në procedurën e votimit të rregullt. Për naivët, “tavani i sallës ra në tokë”. Shumë delegatë i thanë Halimit të heqë dorë nga propozimi i tij, sepse do të ndodhë “konfrontimi i madh” sovjeto-amerikan, etj.. Halimi u shpjegoi se përkundrazi, asgjë nuk ka për të ndodhur, më mirë do të bëhej. Asambleja do të kthehej në procedurën e Kartës. Të tjerë delegatë shkuan në podium dhe i kërkuan Budos të tërhiqte kërkesën e tij ose, të paktën, t’u japë atyre mundësinë për t’i lejuar ata të marrin udhëzime nga qendra për disa ditë, por H. Budo nuk pranoi. Presidenti i Asamblesë Quasion -Sackey, nuk dinte ç’të bënte. Përfaqësuesi i Suedisë mori fjalën dhe tha se, është e drejta e Presidentit të mbyllë mbledhjen për dy ditë. Gjatë kësaj periudhe, vendet e vogla nuk inkurajuan asnjërën nga dy fuqitë e mëdha.

Seanca në OKB

Halim Budo, si e sfidoi presidentin e Asamblesë

Me 18 shkurt 1965, rifilloi punën Asambleja e Përgjithshme dhe H. Budo sfidoi presidentin me nenin 35 të rregullores dhe me nenin 73 të rregullores, i cili kërkon vënien në votë menjëherë të kundërshtimit të rulingut të Presidentit dhe që Stivensoni të mos lejohet të vazhdojë më fjalën, që Quaison-Sackey i kish dhënë padrejtësisht. Pas fjalës se Stivensonit, një nga ndihmësit e tij, Richard Pedersen, sugjeroi se, kundërshtimi i rulingut të Presidentit, “ishte çështje procedure dhe, në këtë rast, BS mund të votonte”. Në fakt, SHBA-të nuk ishin të sigurt, nëse donin ta privonin BS nga vota, edhe pse ato nuk mund t’ia arrinin qëllimit. Chief Adebo, ishte i mendimit se kjo çështje duhej të trajtohej nga vendet e vogla, një grup prej 21 shtetesh, të kryesuara nga Chief Adebo; Ky bashkohej me mendimin e Presidentit Jonson se debati i Stivensonit rreth nenit 19 të Kartës dhe debatet e Stivensonit vetë janë pa vlerë. Thelbi i qëndrimeve të ambasador Budës kishte për qëllim të respektoheshin parimet e OKB-së dhe kjo të mos paralizohej, se, në të vërtetë, nuk ekzistonte një konfrontim sovjeto-amerikan, aq më tepër kur raste të tilla, si ai i Kongos kanë ndodhur dhe në të kaluarën. Budo nënvizonte nevojën e forcimit të paqes se, Shqipëria mund të qëndronte edhe vetëm ndaj shumicës dhe përballë fuqive të mëdha e atyre koloniale. Përfaqësuesi i SHBA-ve, Artur Goldberg, kur erdhi në këtë post, rekomandoi tërheqje nga qëndrimi amerikan që mbronte Stivenson, ish-përfaqësues i përhershëm i SHBA-ve në OKB. Presidenti Jonson tha se duhet abandonuar lufta e kotë dhe theksoi pozitën amerikane për kompromis. Si konkluzion, lufta parimore e Shqipërisë në çështjen e shpenzimeve për ruajtjen e paqes në Kongo Kinsasha, ishte e ngjashme me qëndrimin e SHBA-ve, të shprehur në mënyrën e vet nga presidenti amerikan Jonson, ndërkohë që fillimi, në vitet ‘60-të, Shqipëria godiste në shenjë në këtë çështje dhe me SHBA-të kishin qëndrime të njëjta në çështje të rëndësishme politike si miq që ishin.

Fjala e Reiz Maliles

Ndihma e Shqipërisë që Kina të futej në OKB

35 vjet më parë R.P. e Kinës zë vendin e saj në OKB. Revolucioni i madh kinez i 1949 rrëzoi regjimin çankaishist dhe vendosi Republikën Popullore të Kinës. Por e la atë jashtë OKB-së, aq më tepër Kinën që ishte anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Por me grindjen midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, iniciativën për rivendosjen e të drejtave legjitime të Republikës Popullore të Kinës, e mori Shqipëria dhe disa vende të tjera relativisht të vogla si: Algjeria, Rumania, etj.. Prandaj çdo vit, “16 vende me iniciativën e Shqipërisë, para sesionit bëhej kërkesa për rivendosjen e të drejtave të Kinës në OKB. Çështja e Kinës ishte problemi kryesor i OKB-së, jo vetëm për Kinën, por edhe për vetë efikasitetin e Organizatës Botërore si dhe të organizatave të specializuara, ku vendin e Kinës e kishin uzurpuar njerëz që nuk përfaqësonin kërkënd. Një tjetër aspekt i çështjes së Kinës ishte teoria e “dy Kinave”, ku shtete serioze përfshirë dhe fuqitë e mëdha, kanë përkrahur e përkrahin idenë se nuk ka vetëm një Kinë. Misioni ynë pranë OKB-së ka deklaruar kurdoherë në Asamblenë e Përgjithshme se ka vetëm një Kinë dhe kjo është Republika Popullore e Kinës dhe se Tajvani është pjesë e pandarë e R.P. të Kinës. Por çështja e rivendosjes së të drejtave legjitime të Kinës, ka vazhduar për njëzet e një vjet rresht pa ndonjë rezultat konkret. Shumica dërrmuese e Asamblesë së Përgjithshme luftonte që Kina të vinte sa më parë në OKB dhe të zinte vendin e saj të merituar, por disa forca për interesat e tyre e pengonin këtë. Por vitet kalonin dhe pozitat e Kinës forcoheshin gjithnjë e më tepër; votimi ngrihej gjithmonë e më tepër në favor të këtij shteti. Opinioni ndërkombëtar kërkonte me ngulm që Kina të vinte në OKB. Tërë situata shkonte në favor të rivendosjes së të drejtave të Kinës në OKB. Edhe SHBA e kuptonte këtë situatë. Në korrik të vitit 1971, amerikanët dërguan Herri Kesingerin në Pakistan dhe ne Pekin. Unë shkova në Nju-Jork në korrik të po atij vitim, ku u bë një mbledhje. Mendimi i përgjithshëm aty ishte se situata ishte duke kaluar në favor të shtetit kinez. Më pas u ktheva në Tiranë, ku bëmë mbledhjen e ngushtë të Kolegjiumit, pas së cilës përgatita taktikën e fitores për në sesionin e shtatorit. Këtë taktikë e miratuan ministri dhe udhëheqja e lartë e Shqipërisë, pa ndryshime. Me këtë u paraqitëm në sesionin e OKB-së që u zhvillua në Nju-Jork. Nën drejtimin e ministrit të Politikës së Jashtme, Reis Malile, filloi debati. Rezoluta e Bush (nënkupto SHBA) për zbatimin e 2/3 -tave, për çështjen e Kinës u hodh poshtë dhe Arabia Saudite votoi kundër. Ambasadori saudit Barudi, më tha se, e njoftoi mbretin, se vota kundër rezolutës amerikane i shërben çështjes palestineze. Në këtë mënyrë Xhorxh Bush humbi dhe kështu u hap rruga për rivendosjen e Kinës në OKB dhe me të). U bë votimi për rivendosjen e Kinës në OKB me votim të thjeshtë, meqenëse Rezoluta e Bush-it me 2/3-tat nuk fitoi. Çankaishistët u larguan nga salla e asamblesë me kokën ulur si uzurpatorë të Kinës. U rivendos ne OKB. Asambleja dëgjoi edhe fjalën e Reis Maliles, pastaj ajo u hodh në votë me hov e duartrokitje.

(vijon numrin e ardhshëm)

NUMRIN E ARDHSHËM DO TË LEXONI

-Shqipëria pranon papritur një vizitë të kryeministrit të Gjermanisë Perëndimore, Franc Josef Shtraus

-Bisedimet sekrete për dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore që Shqipëria kërkonte nga Gjermania.

-Të fshehtat e ambasadave shqiptare dhe marrëdhënieve me Austrinë dhe Jugosllavinë