Sokrat Ndreçka/ U përkujtua 70-vjetori i Çlirimit të Lushnjës

1094
Sigal

Mëngjesi i 18 Tetorit të vitit 1944 e gjeti Lushnjën të çliruar nga pushtuesit nazifashistë

Mëngjesi i 18 Tetorit të vitit 1944 e gjeti Lushnjën të çliruar nga pushtuesit nazifashistë. Pas 70 vjetësh, ditën e shtunë më 18 tetor 2014, Lushnja u zgjua më shpejt se  herët e tjera… Çlirimi i qytetit u kthye në një festë popullore. Në të gdhirë qindra banorë të lagjeve, veteranë, pasardhës veterani, ushtarakë në detyrë e të liruar, pensionistë, nxënës shkollash, të rinj e të reja zbritën nga kodrat përreth qytetit duke imituar formacionet partizane, ditën kur mbërriti liria.

Tingujt e këngëve partizane, jehona e fitores mbi armiqtë barbarë, thirrjet: Para partizanë!, të shtëna me fishekë mësimor, fishekzjarrët,  skuqën rrugët dhe rrugicat në qendër të qytetit dhe më gjerë, i kthyen sheshet  në agimin e fitores mbresëlënës për të gjithë qytetarët, miqtë dhe të ftuarit në këtë ditë përkujtimore të fitores së madhe të çlirimit të qytetit fushor, Lushnjës. Çlirimi imagjinar ktheu në kujtesën e banorëve, por jo vetëm ish- partizanëve dhe familjeve të dëshmorëve, kohën kur bijtë e Myzeqesë martire nuk kursyen as gjakun dhe rininë e tyre për lirinë dhe fitoren mbi armiqtë e tërbuar të vendit tonë. Në llogoret e luftës së pabarabartë dhanë jetën 216 dëshmorë, emri dhe vepra e tyre qëndrojnë në altarin e të rënëve të kombit.  Grupet e mëdha të pjesëmarrësve në këtë festë të vërtetë popullore të inkuadruar në ndarje të veçanta iu drejtuan varrezave të Dëshmorëve në  ritmet e bandës frymore dhe tingujve të  këngëve partizane. Të pranishmit i përshëndetën dhe uruan gëzuar  festën e fitores së 70- vjetorit të Çlirimit të qytetit nga   pushtuesit nazifashistë,  drejtues të organizatave të familjeve të dëshmorëve, deputetë, përfaqësues të nënprefekturës. Në fjalën e tij kryetari i grupit parlamentar z. Gramoz Ruçi theksoi se : “U desh një ndeshje futbolli në sy të Europës që segmente të caktuara, fatkeqësisht  të mbështetur edhe nga politika më pas, që ka ende njerëz në Ballkan që duan të ballkanizojnë Europën edhe jo të europianzojnë Ballkanin”. Kryetari i Bashkisë z. Fatos Tushe theksoi: “Lushnjarët i dhanë Lirisë ajkën e rinisë, pranverën e përjetshme të paqes për të cilën ne u jemi mirënjohës dhe brezat betimin e tyre se luftën  partizane do ta mbrojnë  si gjënë më të shenjtë përgjatë rrugëtimit nëpër dekada e shekuj”.

Për familjet dhe fiset që kanë dhënë kontribut patriotik të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare më të spikatur u dhanë  “Certifikatë Mirënjohje”. Po kështu  stimujt të shumtë  në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit të  Lushnjës  dhanë: Komiteti  i Veteranëve të  rrethit, Organizata e familjeve të Dëshmoreve  si dhe shoqatat “Peza”, “Vlaga” etj..

Lushnje, 18 Tetor 2014