Skuadra e vajzave si u ndërsye të vrisnin shoqen e tyre

1461
Sigal

(vijon nga numri i kaluar)

HISTORIA/ Nga vëllimi “Mosmarrveshja” e shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare

Dervish Hekali

Si u vra pas shpine, Dervish Hekali, komanduesi që nuk donte ekzekutimin e Ramizesë

Siç do të dëshmohet më pas, për një rreng tepër trillan të fatit, është pikërisht komandanti i ashpër Sh. Peçi që nuk do të ketë ndonjë zell për dënimin e vajzës. Do të shkojë te H. Kapo e do të kërkojë “të pyetet Partia”, por përgjigjja e këtij të fundit do të jetë: “Partia jam unë!”. Kurse befasimi i madh do të vijë prej D. Hekalit, zëvendësit, i cili, pa kurrfarë lëkundjeje, do të jetë gjer në fund kundër dënimit të vajzës. Nga anketa e vitit 2009 e V. Barutit, natyrshëm del pyetja: Përse H. Kapoja bashkë me “të dijshmit” tregohen kaq të egër, e përse të padijshmit, përkundrazi, më të dhembshur? Këtu nis ftillimi i çështjes. Pyetja mund të shtrohet ndryshe: ç’dinte njëra palë më shumë se tjetra ose, përkundrazi, ç’dinte tjetra më pak? Me sa dukej, pikërisht për këtë të fundit, në mungesën, zinte fill enigma. D. Hekali nuk dinte diçka që aq sa e vinte nën të tjerët, po aq e vinte mbi ta. Ai nuk dinte, me sa dukej, urdhrin e fshehtë, që, sipas V. Barutit, kërkonte vrasjen me çdo kusht të Ramonës. Sipas këtij motërzimi, komandanti me zëvendësin tregojnë mëshirë për vajzën, ndoshta për shkak të mosdijenisë së urdhrit. Fakti që komandanti ndryshon qëndrim, ka gjasë që kjo të ketë ardhur pas marrjes në dijeni për urdhrin. D. Hekali, me sa duket, edhe pas dijenisë së urdhrit, vazhdon të mos bindet. Shpjegimin e merr me vete në varr. Kjo ndodh pak kohë pas ngjarjes. Pas një beteje (jo gjatë betejës, por pas), D. Hekali merr një plumb (jo në ballë a në gjoks, siç e kërkojnë doket heroike, por në shpinë), sipas stilit që përshkruan Nako Spiru në letrën e tij. Dhe stili, ai që sipas një maksime të njohur është njeriu, në këtë rast i bie të jetë morti. Ai që na çon tek enigma.

Skuadra e vajzave që pushkatuan Ramizenë, Nako Spiro , roli Nexhmijes dhe ballafaqimit të Ramonës dhe Zaho Kokën

E lidhur me litar, në haurin e bagëtisë, e më pas nën dhe, Ramona nuk di asgjë nga ato që ndodhin mbi tokë. Në mendjen e saj të turbulluar sa prej territ, aq dhe prej dritëzës së kandilit, ka gjasë t’i vijnë dy të fejuarit e saj, të njëpasnjëshëm, Misto Mame, i vrarë para pak kohësh, dhe Nako Spiru, që mendohet se ka zënë vendin e të vrarit, më pas, në zemrën e saj. Kjo fejesë dyshe, disi e çuditshme, do të përdoret përkohësisht në fazën e poshtërimit të saj. Ishte e lehtë që një vajzë, e cila pa iu tharë lotët për njërin, do të rendte te tjetri, të merrej për jo fort e moralshme. Në të vërtetë, lotët e Ramonës për të vrarin ishin aq të nxehtë dhe aq të zgjatur, saqë, duke u bërë proverbialë, u kthyen në të vetmen dëshmi për fejesën e hamendësuar të saj. Të gjithë do të besonin, e ndoshta edhe ajo vetë, se një të qarë të tillë, për një mashkull që s’i përkiste fisit, nuk e përligjte veçse dashuria ose fejesa e fshehtë. Për skenarin e poshtërimit, fejesa dyshe, e shoqëruar nga akti i tretë i dramës, dashuria mëkatare me të tretin, ishin më se të volitshme. Do të donte apo s’do të donte Ramona, i fejuari i saj i dytë, ai i njëmendti, Nako Spiru, do të kthehet e rikthehet pafundësisht në ankthet e saj. E dinte vallë që po dergjej në haurin plot baltë si më e fundmja lavire e Shqipërisë? I kishte marrë vesh thashethemet, hetimin, egërsinë? Nëse i dinte, pse nuk turrej ta nxirrte nga ai haur i lemerishëm? Në çdo zhurmë, në çdo pipëtimë që vinte nga jashtë, shpresa i ngjallej se ndoshta shpëtimtari më në fund po arrin. Por pastaj, bashkë me heshtjen, thyhej besimi dhe ajo i ka të gjitha arsyet të besojë se i fejuari i saj, jo vetëm nuk do të vijë kurrë, por ndoshta me cinizëm dhe xhelozi ndjek dënimin e saj për tradhti ndaj tij. Anketa e V. Barutit nuk është e butë me N. Spirun, por në asnjë rast nuk sjell ndonjë dëshmi për cinizmin e tij. E kundërta njoftohet prej shumë dokumentesh, e sidomos prej dëshmisë së L. Belishovës, shoqe e ngushtë e Ramonës dhe gruaja e ardhshme e shefit komunist. Thelbi i të gjithëve është i njëjtë: Nako Spiru e ka përjetuar vrasjen e së fejuarës si një tragjedi. Tre vjet më pas, më 1947, ai vetë do të rrëzohet nga plumba po aq të dyshimtë, si ata që ka përshkruar në letrën e tij dikur. Vrasja, e paraqitur si vetëvrasje, do të ndodhë në zyrën e tij prej ministri. Në tryezën ministrore, përbri njëra-tjetrës, do të jenë fotografitë e dy grave: Liri B., e shoqja e tij, dhe Ramona Gj., e fejuara. Nën sytë e qeshur të të dyjave, siç janë zakonisht sytë në fotografitë e zgjedhura, do të rrëzohet i përgjakur përgjithmonë. Njeriu i tretë në jetën e saj, njeriu i gabuar, fatal, ai që ajo do ta mbante si gur dantesk për gati shtatëdhjetë vjet mbi qenien e saj, ishte Zaho Koka, partizani, ai që nga bari u bë komisar, për të përfunduar në Romeo. Kronika ka shumë fletë të zbrazëta, në kuptimin e njëmendtë dhe kurrsesi metaforik të fjalës. Fletë të grisura me dorë, në Arkivin e Partisë, atje nuk guxon të hyjë kush pa lejen e padrones së tij, gruas së Enver Hoxhës, Nexhmije Xhuglinit. E megjithatë, edhe pas grisjes së pashpirt të ditarëve të Ramonës, të letrave e shënimeve të saj, të dëshmive të gjyqit, të procesverbaleve të hetuesisë, si përherë diçka ka mbetur për të arritur gjer tek anketa e V. Barutit. Seancat e hetimit janë të shkurtra dhe akoma më të shkurtra ato të ballafaqimit të Ramonës dhe Zaho K. Përgjigjet e tij janë varfërisht të sakta. E kam dashur, por s’kam guxuar t’ia shpreh dashurinë. Jep të kuptojë se ajo, si vajzë qyteti, i jep shenja, por ai, si katundar i thjeshtë që është, druhet. Se ajo reciton një vjershë të gjatë me skëterrë dhe me puthje. Së fundi, se e fyen, duke i këshilluar të përdorë furçën dhe pastën e dhëmbëve.

Përgjigjet e saj janë më të qarta. Është e vërtetë se ka lexuar italisht dhe shqip një copëz nga Kënga e pestë e “Ferrit” të Dante Aligierit, por këtë e ka bërë pa ndonjë qëllim. Për të tjerat, përdor shprehjen latine: Nega totum, pra, mohimi i gjithçkaje. Nuk e ka dashuruar. Edhe po të tundohej, do të kishte dy pengesa: E para, “përthyerjen e karakterit të tij ndaj shefave”, e dyta, higjienën orale. Anketa e V. Barutit i afrohet më në fund pikës fatale: Shkakut të vërtetë të vrasjes. Atij që më fort se gjithçka, më këmbëngulshëm, më frikshëm, i largohen të gjithë. Ai shkak që, ndonëse i mbyllur në dyzet dryna, shkakton ende frikë dhe mort. Dhe do të shkaktojë të tilla për shumë kohë. Është ankthi i Dushan Mugoshës, të dërguarit jugosllav, që i vjen herë pas here Ramonës. Jo se ishte serb, përkundrazi, e ka çmuar si të tillë, ngaqë ka lënë vendin e vet e rrezikon jetën për Shqipërinë. Është i fundit me të cilin nuk do të donte të kishte moskuptim. Por moskuptimi s’varet prej saj. Ai i ka rrënjët larg. Ramona e ka nënën nga Kaçaniku i Kosovës. Dhe natyrshëm herë pas here flet për Kosovën. Dhe sa herë që ndodh kjo, në sytë e Mugoshës ka një ngricë. Ramona e di se të përmendësh Kosovën është gati-gati krim. Dënimi i Ballit Kombëtar, thënë ndryshe i “nacionalizmit” nis pikërisht nga çështja e Kosovës. Por Ramonës, ndonëse i fejuari Nako Spiru ia ka shpjeguar se “nacionalizmi” është pikërisht shenja që ndan komunistët nga fashistët shqiptarë, nuk e ka besuar fort. I duket kaq e pavend kjo histori, saqë beson se do të jetë e përkohshme. Anketa e V. Barutit jep copëza letrash të këmbyera midis E. Hoxhës dhe të fejuarës së tij, N. Xhuglinit, ku flitet për “dekorime”, çka do të thotë vrasje pas shpine, si për një gjë të rëndomtë. Sipas V. Barutit, një pjesë të “dekorimeve” i propozon Nexhmije Xhuglini. Për t’i miratuar pastaj E. Hoxha. Midis të “dekoruarve”, gjysma, në mos më tepër, janë nacionalistë. Për “dekorimin” e këtyre të fundit, ashtu si për gjithçka të rëndësishme, vendos Mugosha. V. Baruti, krahas motivit të Kosovës, jep gjithmonë si shkak xhelozinë e N. Xhuglinit. Prej anketës së tij është vështirë të vërtetohet krejtësisht një gjë e tillë. Ashtu siç është vështirë të kapet nëse njëri nga të dy motivet është fshehur pas tjetrit, apo, siç ndodh shpesh në jetë, rastësisht janë ndërthurur të dy për të shpejtuar orën e keqe të vajzës. Në këtë histori, pas luksit të jashtëm, pas shprehjeve latine në gjyq, pas leximeve e komenteve të Dantes, pas dy të fejuarve, pas një dashurie të hamendësuar për të vdekurin, pas dy vajzave shemra, tri-katër të tjerave xheloze dhe, pa dyshim, shumë meshkujve ngacmues të sprapsur prej Ramonës, xhelozia e gruas së ardhshme të sunduesit shqiptar i shkon stilit të dramës.

Ekzekutimi

Skena e përgjakshme, një grua vritet para 400 burrave

Po gdhin më në fund mëngjesi i dënimit. Ramona, e hutuar krejt, del nga hauri. Sytë i lëbyren, mezi i hedh hapat. I kanë thënë se do të flasë përpara Brigadës dhe kjo i ka përtërirë shpresën e faljes. Tek ecën, kërkon me sy Zaho K., bashkëfajtorin, që duhet të ishte i lidhur si ajo, por nuk e sheh kund. Me një shpresë të fundit, kërkon të fejuarin, Nako S., por as ai s’duket. Duket vetëm brigada e rreshtuar në pllajë, një mur hijerëndë, që hesht. Tri vajza partizane, me armë në duar, pakëz mënjanë, ndjekin me sy të turbullt ecjen e së vetmuarës. Ajo i afrohet një flamurthi, ku ndoshta duhet të ndalonte për të folur. Ndërkaq, midis heshtjes ndihen krisma. Dhe midis krismave, dëgjohet zëri i saj: Ç’janë këta plumba! Kthen kryet dhe, si në mjegull, sheh tri vajzat partizane që shtien drejt saj. Por, ngaqë iu dridhen duart, plumbat s’e kapin. Bëhet gati të klithë përsëri: Ç’janë këta plumba? Kur një partizan, me sy të çakërritur, shkëputet nga rreshti dhe i turret pas për të zbrazur pas qafës së brishtë të vajzës, armën e tij. Ramona bie më në fund, për të mos u ngritur më. Të gjitha shenjat tregonin se komunistët ishin përgatitur për sundim tepër të gjatë. Shqipëria ishte mësuar me fatkeqësi të zgjatura, por ky rend mëtonte, me sa dukej, sundim të përjetshëm. Nën portretet e dy mjekroshëve gjermanë, shëmbëllim i vëllezërve Dioskurë të eposit bizantin, sajoheshin me ngut mitet e reja, si ai i brigadës partizane që çlironte shefin komunist, Prometeun e mbërthyer nga dimri, si ai i Zhulietës e Romeos së rremë, motërzim malesh të Vlorës, ose legjenda e komunistit martir, që i shkroi të dashurës, “të dua ty, po deshe Partinë”, ose të tjera të ngjashme me ato të adoleshentit sovjetik, i cili për revolucionin e shiti të atin ose të tjera, si ai i Enver Hoxhës së mirë, por i Koçi Xoxes së keq, e kështu me radhë.

Dëshmia e Abaz Hoxhës, ish-partizan i Brigadës V Sulmuese

 

Ramica, arena e një dëshmie rrëqethëse

Ramizeja, pushkatimi i “yllit” të Brigadës së Pestë

Leonard VEIZI

Ishte vetëm 14 vjeç, i veshur me pantallona të shkurtra, kur bashkë me dy shokë të tjerë më të mëdhenj u ngjit malit përpjetë në kërkim të partizanëve. Gati një vit më vonë do të merrte pjesë dhe në luftimet për çlirimin e Tiranës. Ishte i vogël në moshë e me trup ia arriti qëllimit që i kishte vënë vetes. Për shkak të frymës që mbizotëronte në të gjithë zonën, në Tragjasin e Vlorës ku ishte lindur dhe rritur, dhe sidomos i influencuar në familjen e tij të madhe, ai e ndjente veten patriot, ndaj për këtë arsye ishte gati të vihej në mbrojtje të Atdheut, duke përdorur dhe armën…

…Lufta kishte shumë viktima, në beteja apo ditë të qeta. Kështu ka ndodhur edhe atëherë. Në këtë mënyrë, ai është bërë dëshmitar, si dhe shumë të tjerë, i një ekzekutimi makabër e gjakftohtë. Ramize Gjebreja, agjitatorja e Brigadës së Pestë, një femër e bukur dhe shumë e zgjuar, u dënua me pushkatim për çështje morali. Abaz Hoxha, ish- partizan i kësaj njësie partizane duke qenë dhe dëshmitar okular në këtë ekzekutim rrëfen për gazetën “Telegraf” se si vdiq nga breshëria e plumbave të shoqeve të saj, ylli i Brigadës: – “Ishte fillimi i muajit mars 1944, menjëherë pas operacionit gjerman të dimrit ‘43-‘44. Në lëmin e fshatit u grumbulluan një grup i shoqeve partizane Stolia, Kanua, Gjena, Dallëndyshja, Meni etj.. Midis tyre njoha për herë të parë një vajzë bionde, të qeshur, të bukur si yll dhe që këndonte shumë bukur. Ajo binte në sy midis shoqeve që e kishin rrethuar. Që në pamjen e parë krijova një simpati deri në hyjnizim për të se ajo të rrëmbente me bukurinë, zgjuarsinë dhe sjelljen e saj. Ishte Ramize Gjebrea. Mora vesh se ishte anëtare e Shtabit të Brigadës së Pestë, përgjegjësja e rinisë dhe bënte pjesë në seksionin politik të saj. Një nga shoqet më tha se ajo ishte edhe anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste. Nuk më harrohet fytyra e asaj vajze që më mbeti si një yll në ndërgjegjen time dhe nuk e kam harruar asnjëherë gjatë gjithë jetës. Ky hyjnizim do të ma bënte edhe më të rëndë atë skenë makabre që jetova tre katër ditë më vonë. Në fshatin Ramicë të rrethit të Vlorës, në faqen e malit karshi fshatit, u grumbulluan batalionet partizane që përbënin Brigadën e Pestë. U rreshtuan në formë U-je duke lënë të hapur pjesën e sipërme të U-së. U grumbulluan edhe fshatarët e Ramicës, Verbasit, Matogjinit, Bratajt e deri të Velçës dhe Vajzës. Ndodhesha në mesin e anës së majtë të brigadës së rreshtuar. Në qoshe, në të majtë, ishte vendosur një skuadër vajzash partizane, dy hapa përpara batalionit. Mbanin armët në sup. Befas, dikush doli para Brigadës (ngjarja që ndodhi më tronditi aq shumë sa që nuk e mbaj mend fare se kush ishte ai). Ai foli diçka për moralin partizan. Papritur po vinte drejt nesh një grup partizanësh në mesin e të cilëve qëndronte Ramize Gjebrea. Ajo dukesh e shqetësuar, por unë po e shihja vazhdimisht me atë ndjenjë që e njoha disa ditë më parë. Kaluan midis nesh dhe ajo doli para brigadës. E shqetësuar ngriti dorën lart dhe iu drejtua partizanëve. “Shokëëë!!” Por fjala iu pre në mes se dikush urdhëroi skuadrën e shoqeve partizane: “Zjarr!!!” Një batare të shtënash iu drejtuan asaj, por asnjëri nga plumbat nuk e goditi. Vetëm një plumb e preku në supin e majtë të pardesysë së çelur që kishte vata në supe dhe i dëmtoi vatën. Përkundrazi, një nga plumbat goditi në zhavorrin përballë dhe ngriti një gur, i cili plagosi N/komandantin e Batalionit të Dytë, Halim Xhelon, të cilit filloi t’i rridhte gjak. Ishte e natyrshme. Ndonëse shoqet partizane zbatonin një urdhër të komandës, por ato kishin përpara një nga shoqet e tyre më të dashura, prandaj iu drodhën duart dhe plumbat nuk e morën. Të gjithë ngelëm të shtangur. Ajo vetë mbeti e hutuar para brigadës. Kur drejtuesi urdhëroi për së dyti të hapesh zjarr. Këtë radhë e morën disa plumba dhe ajo u rrëzua për tokë. Skena më makabre ishte kur dy tre veta të ngarkuar e tërhoqën zvarrë prej pardesyje dhe e shpunë drejt një grope që ishte hapur pak më lart. Aty dikush urdhëroi që t’i kontrollonin xhepat ku i gjetën disa letra dhe ashtu të veshur e mbuluan me dhe”, rrëfen për “Telegraf” Abaz Hoxha, 67 vjet pas kësaj ngjarje.

*Të gjithë titujt dhe nëntitujt janë të redaksisë