Skrapari “në shtratin” e historisë

1689
Sigal

Sefedin Methoxha

Me kërkesën e Kryetarit të Bashkisë së Skraparit Z. Nesim Sahiu. Profesori i Historisë Sadik Xhaferi dhe mësuesja Fadjola Caka pas një pune të gjatë e të kujdesshme përgatitën një Etnografi për Skraparin. Ata janë ekspertë teorik dhe praktik të njohur në fushën e historisë. Ky është një projekt-libër investigimi dhe referimi, pasi e kemi parë autorin Sadik Xhaferin që me një ndjenjë qytetare ka shkruar një sërë shkrime në shtypin e përditshëm. Është kjo monografi e përgatitur prej tyre historike, politike e publicistike që i dha udhë një monografie bashkëbisedimi të zgjeruar në Bashki me intelektualë, historianë mësues, gazetarë ku u dhanë mendime, propozime dhe sugjerime rreth materialit të përgatitur rreth 200 faqe. U befasova qysh me diskutimin e parë me qasjen e Sadik Xhaferit që e konsideron Skraparin ashtu siç është në fakt. Skrapari i vlerave, jo vetëm për vendin që ai zë në hapësirën gjeopolitike shqiptare, por para së gjithash për historinë e tij të lavdishme, për personalitet e shquara që zënë vend parësor në elitën e Kombit Shqiptar. Ky projekt-libri i përgatitur nga mësuesit e Historisë që titullohet “për Skraparin” u diskutua në praninë e qindra intelektualëve dhe specialistëve të fushës. Skrapari është një mal me histori. Është kryqëzimi i ngjarje dhe fakteve.

Është lapidari i personazheve në rrjedhën e vazhdimësisë, është pasqyrimi i vërtetësi historike të vjetër dhe te re, është simboli i një rrjedhshmërie ku renditen me artë e vërtetësi figura të mëdha skraparase, të cilat ishin e mbeten një gur themeli të trimërisë e bujarisë që shtëpitë skraparase kanë qenë kurdoherë fole shqiponjash dhe këtu një rolë të rëndësishëm kanë luajtur nënat skraparase. Ato qe kontribuan jo vetëm në prapavijë, por edhe në frontin e luftës me armë në dorë. Në materialin e përgatitur renditen mjeshtërisht ngjarje dhe fakte që flasin për luftëra e individë, për figura politike e praktike që kanë bërë historinë përmes mendjes dhe pushkës, për burra heronj që vunë mbi gjithçka atdheun dhe Kombin Shqiptar. Skraparasit e deshën flamurin e u vranë për të. Shqiponjën me dy krerë e gdhendnin në djepin e fëmijëve, nëpër qemeret e gurta të portave. Por së pari e gdhendën në zemër. Atje mbi Teqenë e Backës martire, mbi një gur “Zogu krahështrirë” qëndronte krenar. Dhe Baba Fetahu i Backës u thosh osmanlinjve “e shikon atë zog, do të vijë një ditë dhe ai zog do të bëhet flamuri i Shqipërisë”. Dhe ajo ditë erdhi dhe, më 28 Nëntor Ismail Qemal Vlora me shokë e ngriti flamurin ne Vlorë. Në atë shesh me 40 luftëtarë skraparas ishte dhe Lace Backa, atje me 300 burra ishte dhe Servet Zaloshja. Atje ishin shumë të tjerë. Meleq Staravecka, rilindës dhe luftëtar i gjuhës ndodhej atë 28 Nëntor në Vlorë. Dhe ngazëllohej e shkruan; Të mos qaj se jam munduar! Arriti ditë e shënuar … Dita kishte ardhur “Tabaret” e burrave u kthyen nga Vlora. Me pushkë krahut e me flamur… Në të gjitha ngjarjet historike, duke përfshirë shekuj dhe epoka deri ne luftën e Dytë Botërore renditen figura historike që u ndizej shpirti për vatanin e pushtuar. Skrapari dhe skraparasit mbeten lapidarët e yjorë të pashuar të historisë së vjetër e të re. Autori i këtij përshkrimi, Sadik Xhaferri është një studiues i zoti dhe njohës i mirë i ngjarjeve dhe fakteve, pa pretenduar aspak monopolin e së vërtetës, me ndjenjën e përgjegjësisë së tij. Duke debatuar përmes kulturave dhe zakoneve te Skraparit, i rendit rrjedhshëm e pastër, e me vërtetësinë individët, figurat qendrore te Skraparit.

Komandant e gjeneralë, veteranët, mësuesit, agronomët, artistët, shkencëtarët, heronjtë, ministrat, deputetët, njerëzit e thjeshtë duke krijuar një tablo të saktë e reale të Skraparit, i cili gjithnjë ka nxjerrë burra me rituale të mëdha. Mbi të gjitha në këtë material del në pah edukata skraparase me traditën e odës, me fjalët e urtësisë, me nderimin për miqtë dhe shokët, si pihet rakia e ngrihet dolli.