Skraparasit e Vlorës dhe vlonjatët e Skraparit

1703
Sigal

Enver CAKAJ

Kur u nisa për në Vlorë,një miku im më tha: “Si e shtrydhe mirë e mirë Skraparin me shkrime, tani do të vesh të shtrydhësh dhe Vlorën!” Por miku im nuk e di që, as Skrapari, as Vlora nuk shtrydhen aq lehtë, sepse tokat e tyre nxjerrin ende gjak po t’i shtrydhësh. Se Skrapari dhe Vlora kanë gjak e djersë sa për të gjithë kombin. A e dini ju, që në Skrapar kanë derdhur djersë 152-mësues e mësuese veç kuadrove të tjerë. Më mirë këtë mund e djersë që lanë këndej mësuesit, e shprehin këto vargje të shkruara nga im vëlla, Luman Cakaj kur ata u rikthyen në Skrapar të shuanin mallin:

Malli i ka marrë dhe ja tek po vijnë,

Fshat më fshat të shkojnë, mbase gjejnë rininë.

Veronikë e bukur, syzeza e qeshur,

Na vjen flokëbardhë, në të hirta veshur.

Ku janë tani ato vajza e djem vlonjatë, që lanë në Skrapar kulturë dhe dashuri, por edhe gjetën miq, që nuk i mbyllën kurrë dyert e shtëpive për diturakët e arsimit. Është e vështirë t’i mbledhësh më e t’i ulësh në sofrat bujare të skraparasve. Po jo më pak bujare janë sofrat e Labërisë për skraparasit. Kohët kanë ndryshuar, po jo malli për ato fshatra ku shërbyen. Ku ta dish sa i djeg malli, por mundësitë i kanë të kufizuara. Kam një kujtim të bukur të atyre viteve. Isha në Therepel për të shkruar, sepse rinia e fshatit kishte marrë përsipër të sillte elektrifikimin në fshat. Dihet që aksionet kurorëzoheshin atëherë me mbrëmje, që shkonin deri në orët e vona të natës. Kur përfundoi mbrëmja unë me mësuesen Zoica Veshin dhe një tjetër, që nuk më kujtohet, po bisedonim. Mirëpo mua më harruan për të më marrë në shtëpi. Ato u çuditën, sepse mua më kishin ftuar, por për të mos u shqetësuar, më ftuan të flija në dhomën e tyre, se kishin një shtrat bosh. Pa mbaruar bisedën erdhi sekretari i rinisë si i turpëruar dhe ika me të. Mirëpo ftesën e atyre vajzave nuk do ta harroj, sepse me atë veprim treguan mikpritjen e Labërisë. Skraparasit nuk mund të harrojnë atë mësuesin e letërsisë, Fiqiri Aliaj, dhëndrin e Skraparit. Ai ishte nga ata mësues, që i kthente në klasa mësimi të gjitha mjediset dhe familjet ku pati bujtur. Ishte i tillë pa e zgjodhëm për dhëndër. Atje sipër në Backë, ku nuk ka Skrapar më tutje jepte mësim Vasil Qesari me shokë. Më bëri përshtypje kur isha një herë në dhomën e tyre, se të gjithë mësuesit mësonin gjuhë të huaja me ndihmë të fjalorëve. Atëherë kam shkruar për këta mësues, por ndonjë kuadër, që kishte hyrë kontrabandë në zyrat e shtetit dhe në parti, më tërhoqi vëmendjen, se ne paskëshim gjuhën tonë. Ata ishin heronj, që përballonin ato vështirësi. Ata ishin njerëz me njerëz dhe kishin mall për njëri-tjetrin, kishin dhe halle e sebepe, po Backa e largët i largonte më shumë. Të mos harrojmë atëherë s’kishte makina. E megjithë vështirësitë, Vasili u lidh me shtypin qendror dhe shkruante reportazhe të bukura. Më erdhi mirë që pas largimit nga Skrapari u bë telekronist i Vlorës. Kur isha në qendrën ekonomike të shëndetësisë çuditërisht nuk kishim asnjë komunist në kolektiv, kam pasur një mekanik nga Vranishti i Vlorës, me emrin Bardhi Shkurti si dhe të motrën, Aleksandra Shkurti. Por njihja dhe të vëllanë e tyre, Gjikë Shkurti, që ishte mësues në Zhepë. Të tre njerëz të punës dhe fisnikë, që manifestonin vlerat e Labërisë. Por unë do të ndaloj tek Bardhi, që e kisha mekanik. Për zanatin që ushtronte, nuk kishte shok. Ne kishim katër autoambulanca, të cilat nuk i shpumë asnjëherë në riparim kapital. Ishte Bardhi që i kurseu shëndetësisë në Skrapar miliona lekë. Mirëpo nga një konflikt që pati me një spiun, për të cilën bëmë nja katër orë mbledhje, mora vesh se Bardhi na kishte një njollë në biografi. Ky rast u zgjerua aq shumë, sa operativi i qytetit erdhi në zyrën time e kërkonte shpjegime, pasi i kishin thënë se e mbroja unë. Operativi u bind me argumentet e mia, po Bardhin po e ngacmonte një spiun. Atëherë unë i erdha vërtet në ndihmë atij njeriu punëtor, duke i thënë të largohej nga Skrapari, se e priste arrestimi. Mundësinë për t’u larguar e gjeti vetë, por unë mbaj mend, që pasi ndryshoi sistemi, ai erdhi në Skrapar vetëm për të më takuar mua për atë fjalë që i pata thënë.

Kush nuk i ka lexuar rapsoditë e Feti Brahimit? Është njeri unikal në kujtesë. Ka borxh të recitojë 20-mijë vargje përmendësh. Është ky rapsod, që e ka mbushur Vlorën me këngë. Nuk ka punuar në Skrapar, po ka kënduar për Skraparin. Feti Brahimi është ushqyesi kryesor i grupeve polifonike të Vlorës. Na bëri mik me të krijimtaria jonë. E kam mik shtëpie, edhe pse nuk më ardhur në shtëpi. Unë e kam tepruar, e kam begenisur nja katër herë. Por këto ditë më erdhi nga telefoni zëri i tij i zbehur. Më kërkoi të vija, se kishte kaluar një infarkt. Nuk mendoja se do ta gjeja shtrirë atë që nuk ka reshtur së shkruari rapsodi të bukura si këto:

Unë erdha të kërkoj ndjesë,

Po vij të falem te varri.

Dy lule lagur me djersë

Do t’i bie siç t’i bie djali.

Shqipëri, qysh të zë gjumi?

Të ikën gurët nga muri.

Të iku nga magjia brumi,

Të iku mendja dhe truri.

Atje,shtrirë, me kujtesë për t’i pasur zili,më premtoi: “Kur të ngrihem sërish do të vij në Skrapar.” Dhe më recitoi këto vargje:

I shkreti, more artist,

As në ballë, as në bisht.

Ti artist i këngës labe,

Shpirtin e ke kokë shkabe.

Mbrapa punës ngrije gotën,

Me këngë e trondisje odën!

Këngët tona do t’i mbajmë

Si dritën që ruan syri.

Dhe kënga do na mbajë gjallë,

Për këngët u tret Naimi.

Kot na tha, se sa të ngrihet do të na bëjë një vizitë, se Feti Brahimi është në këmbë e s’bie kurrë, se e mban gjallë rapsodia, që edhe në shtrat, nuk rri pa shkruar. Pra, ne e presim mikun tonë të na kthejë vizitën siç është zakoni i Skraparit dhe Labërisë.

Në Vlorë kanë zbarkuar shumë skraparas, që,siç na tha një miku im, janë vlonjatizuar si të kenë qenë miq të vjetër. Por ne rastisëm të takoheshim me Eqrem Selamin, i ikur prej një shekulli nga fshati Mollas i Skraparit. Por kur ulesh e flet me të, bindesh se ai nuk ka ikur nga Skrapari. Edhe pse nuk ka ardhur kurrë në Skrapar, na fliste me shumë mall për fshatin dhe arat e Mollasit. Fillimisht të parët e tij janë vendosur në Sinjë të Beratit, pastaj puna i shpërndau. Eqremi u vendos në Vlorë, po nuk ka marrë asgjë nga dialekti i Labërisë, ka mbetur mollaslli. Ruan ato zakone të mikpritjes që ia kanë lënë prindërit. Që në takimin e parë na ftoi të vinim në shtëpi. Nuk u ngjan vlonjatëve, po ka dashuri për ta. Kjo e ka bërë që të ketë rreth vetes shumë miq e shokë. Çuditërisht të tre vëllezërit e tij, Luani, Safeti, Çlirimi, kanë ruajtur ato tertipe të djemve skraparas, që u qan syri për armë e për t’u bërë oficerë. Eqremi është inxhinier dhe ka punuar në disa sektorë, por as ai nuk ka ndenjur pa punuar në ushtri. Ai na tregoi se kur vazhdonte shkollën në Tiranë, ishte veshur ndryshe nga të tjerët, por hijshëm. Kjo ra në sy të policisë dhe e thërresin si njeri të dyshimtë. U deshën disa përpjekje për të bindur policët pa shkollë të atyre viteve.

Në Vlorë është vendosur vitet e fundit edhe Ajran Xhaferllari, që ka profesionin e juristit, por atje ka ndryshuar profil. Ai ka hapur një shkollë jopublike në mes të Vlorës, që e ka titulluar “Drita e Dijes”. Natyrisht ai nuk ishte i profilit, por me mundësitë financiare që kishte e ngriti godinën. Atje e ka ndihmuar mësuesi i letërsisë, Fiqiri Aliaj, i cili ishte mësues në Skrapar. Dhe ajo shkollë funksionon pa shkelur asnjë rregull. Arjani ka marrë përsipër të arsimojë brezin e ri të Labërisë ashtu si bënë djemtë dhe vajzat e Labërisë para 30-vjetëve në Skrapar. Na thanë se është bërë më lab se lebërit, po as Skraparin nuk e harron.

Skraparasit ua kanë kthyer borxhet vlonjatëve. Nëse ata mësues mbollën dije në tërë Skraparin, skraparasit u kanë shërbyer në disa sektorë të rëndësishëm në Vlorë. Besim Prishta ishte ushtarak i lartë dhe tok me fëmijët u vunë në shërbim të tyre. Petrit Dervishi, inxhinier dhe sekretar i Komitetit të Partisë, tok me të shoqen, Elvirën, stomatologe, janë bërë njësh me vlonjatët.