Skënderbeu, frymëzues i një epoke historike

3326
Prof. Dr. Pajtim RIBAJ

Skënderbeun, frymëzues i një epoke historike, që qëndron në themelet e kombit

Vijon nga numri i kaluar

Faktor evropian
Për funksionin evropian të luftës skënderbeiane “ishin të ndërgjegjshëm dhe mendjet më të zjarrta të kohës” (A. Buda). Duke luftuar në periudhe kohore të gjatë e duke siguruar përherë fitore, bile edhe kundër fushatave të mëdha perandorake, ky aksion vononjës, shkruan Noli, që u zhvillua në një kohë kritike e shpëtoi Romën dhe Evropën nga katastrofa e tmerrshme që iu kanosej nga evadimi turk”. Pjesa që i takon Skënderbeut në këtë shërbim jashtëzakonisht të rëndësishëm është zor të çmohet më tepër se ç’duhet. Anglezi Xhon Of Njuport që mori pjesë duke komanduar një togë shigjetarësh, si dëshmitar i epokës së madhe heroike të shqiptareve, i bëri asaj një vlerësim shumë të madh duke u shprehur: “Invazioni i Evropës është i sigurt, sepse nuk ka fuqi tjetër që mund të bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella shqiptare”.Gjatë viteve të luftës u dendësuan si asnjëherë tjetër lidhjet politike, ushtarake, ekonomike, fetare e kulturore të Arbërisë me vendet e Evropës Perëndimore, Evropës Juglindore etj. Lufta e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu propagandohej në Evropën Perëndimore si pjesë e luftës së tyre shpirtërore për ruajtjen e mbrojtjen e Krishtërimit kundër Islamizmit dhe prandaj heroi shqiptar cilësohej si “ Luftëtar i Krishtit” ( Atleta Christi). Përballë rrezikut otoman në Evropë, forcat largpamëse të kohës kërkuan organizime në shkallë evropiane të një lufte të përbashkët për të ndaluar vërshimin e mëtejshëm të ushtrisë osmane dhe për t’i dëbuar ata nga viset e pushtuara të Ballkanit. Në planet strategjike të mbretit të Napolit, Alfonsit V , ato të përfaqësuesve të tjerë evropianë e deri te emiri i Karamalisë (Azi e Vogël) Ibrahimi, në krye të fushatës antiosmane propozohej Skënderbeu. Lufta kundër të njëjtit armik të përbashkët afroi dhe bëri aleatë të natyrshëm të Skënderbeut principata e shtete të Evropës Juglindore. Dallohen sidomos marrëdhëniet e Shqipërisë më Hungarinë. Të dy palët duke luftuar kundër të njëjtit armik, secili në sektorin e vet, lehtësonin barrën e njëra tjetrës. Bashkëpunimi midis Skënderbeut e Huniadit u mundua të shtrihej deri në organizimin e fushatave ushtarake të përbashkëta, me gjithë vështirësitë që vinin nga largësia midis dy vendeve dhe qëndrimi pengues i fqinjëve. Kuptimi i drejte i këtij funksioni dhe qenia e Skënderbeut në lartësinë e një diplomati e burri të shquar shteti bëri që Shqipëria të përfshihej me përparësi në të gjitha aksionet diplomatike. Nga ana tjetër Skënderbeu mbante marrëdhënie me Hungarinë, Romën, Napolin, Tarantin, Milanon, Burgonjën ( Dukatit të Burgundit, sunduar prej Filip-të- Mirit), Raguzën, Dubrovnikun, Poloninë, Serbinë, Bosnjën, Karamaninë, etj. Ne fillim te viteve 1450 Alfonsi dërgoi një ndihmë minimale me ushtri e armatim, e cila u asgjësua në Betejën e Beratit; një garnizon prej 100 vetës ushtarakë katalanas u vendosen në Krujë. Edhe Duka i Burgonjës, pas kërkesës së Skënderbeut, dërgoi në Shqipëri një Arald të Burgundisë me 50 ushtarë. Po kështu “trupat e Skënderbeut u mbartën për në Itali dhe u kthyen prapë në Shqipëri me 1461, 1462 me anën e anijeve të Raguzës” (Villari, cituar sipas F. Nolit). Ndërkohë në Ushtrinë e Skënderbeut erdhën vullnetarë italianë, gjermanë, francezë, angleze, dalmatë, bullgarë etj, dhe luftuan në ushtrinë e Skënderbeut. Në përbërje të grupit të sulmit të organizuar nga Vrana Konti, gjatë kundërsulmit në mbrojtjen e Krujës, morën pjesë edhe gjermanë etj. Pra siç shihet dhe si janë shprehur mjaft studiues, ndihma e Papatit ka qenë “e pa rëndësishme”, ndërsa ajo e shteteve të tjera italiane e “pa mjaftueshme, e kufizuar”.

Fushë e hapur studimi
Trajtimi tërësor i figurës së Skënderbeut nuk është detyre e këtij artikulli. Atë nuk e kanë rrokur dot qindra e qindra veprimtari studimore e mijëra botime. Pas qindra vjetësh figurat dhe bëmat e prijësit të jashtëzakonshëm arbëror, heroit emblematik, ende përcjellin përvojë e mesazhe me vlera dhe joshin studiues nga gjithë bota, të cilat njëherësh frymëzohen dhe duan të njohin të veçantat e epokës skënderbeiane. Madhështia e jetës dhe e bëmave të tij ka qenë dhe mbetet burim frymëzimi për studiues të shumtë, midis të cilëve dhe historianë ushtarakë.

Në këtë kah, mendoj se është ende me vlerë dhe sfidë për studiuesit tanë e më gjerë të sqarojnë para së gjithash, se si psikologjia shoqërore e shqiptarëve të shekullit XV i lejoi Skënderbeut të shfrytëzonte përsosmërisht vlerat e shtetarëve të vendit të tij në beteja të tejzgjatura e të shumta fitimtare me një kundërshtar superior e të armatosur me armët më moderne të kohës; si u bë i mundur mbajtja lart e moralit, frymës luftarake, furnizimi i pandërprerë të luftës, drejtimi i saj, ruajtja e aftësive luftarake të ushtrisë, funksionimi i përsosur i zbulimit strategjik etj. Studim të veçantë meriton akoma ndërtimi i aparatit ushtarak e vetë ushtrisë, gjurmimi dhe përcaktimi e precizimi më mirë i fushë betejave, i kohës së zhvillimit të tyre etj; i kalave, rrugëve të ndjekura nga ushtritë ndërluftuese, gjeografinë e luftimeve, zbulimi i veprave fortifikuese. Studim të mëtejshëm meritojnë rrugët që lidhin kryeqendrat e kalatë, rrugët e furnizimit , ato të evakuimit e të manovrës etj, që do të përbënte një kontribut për historinë ushtarake e historinë mesjetare në tërësi. Studim më të vëmendshëm e të hollësishëm kërkon arti ushtarak modern edhe ndaj ushtrisë turke dhe në ndeshjet me të, përcaktimi më objektiv i humbjeve të të dy anëve dhe i pjesëmarrjes së forcave, duke përdorur metodologji bashkëkohore për studimin e llogaritjen e humbjeve. Historisë sonë ushtarake, në një të ardhme jo të largët, duhet t’i shtojmë monografi të studiuesve tanë për dukuri të veçanta të artit ushtarak skënderbeian e deri trajtesa për beteja të veçanta etj. Proceset demokratike, pavarësia e Kosovës e për më tepër anëtarësimi i vendi tonë në NATO etj, na mundësojnë studime më të thelluara dhe bashkëpunime të suksesshme në hapësirën mbarëshqiptare duke realizuar dimensionet e munguara kombëtare të historisë etj. Kështu dihet se nga numri i betejave kryesore të zhvilluara në luftën shqiptaro – osmane, shumica e tyre, 19 beteja, janë zhvilluar jashtë kufirit aktual shtetëror, ndërsa 8 prej tyre janë zhvilluar në pellgun Ohër- Strugë…Studim të veçantë meriton faktori evropian i kësaj lufte dhe sidomos bashkërendimi dhe ndihma reciproke me ushtrinë e Huniadit, aleati më i qëndrueshëm dhe efektiv i luftës, ndihma morale, materiale, monetare e njerëzore e shteteve italiane e të tjera evropiane etj. Realizim i këtyre studimeve, njëherazi, mendoj se kërkon rivlerësime e plotësime të kësaj periudhe në luftë me politizimet, subjektivizmit e spekulimet me parimet e mbështetjes në forcat e veta, lufta e gjatë popullore etj, në përligje të politikës izolacioniste nga shteti totalitar, ndikime i ateizmit ekstrem për vlerësimin e ndihmës së Papatit, etj. Në këtë kuadër, njëherazi, rëndësi merr denoncimi i shkrimeve, megjithëse të rralla, të publikuara vitet e fundit nga intelektualë arrivistë, që synojnë të denigrojnë e marrin nëpër këmbë heronjtë kombëtar, duke mbërritur deri te miti i shqiptarëve – Skënderbeu, duke hedhur baltë mbi referencat morale e politike të popullit shqiptar. Dhe ndodh kjo, kur në çdo shtet serioz, për raste tilla, ngrihet në këmbë gjithë opinioni i vendit dhe një gjë e tillë është e ndaluar me ligj. Gjithsesi, nisur nga trajtesa bindëse e studiuesve autoritarë të huaj dhe vendas mund të përcillet ndonjë element analize me interes. Kështu, si çdo figurë e madhe e historisë dhe ashtu siç ndodh dhe me figurat e tjera historike të popujve të tjerë edhe figura e Skënderbeut është dy-planëshe. Nga njëra anë dhe mbi të gjitha, ajo është figurë e vërtetë historike, reale, pra na mbërrin me anët empirike që e njohim…, por nga ana tjetër na vjen dhe me një nivel të dytë përfytyrimesh të idealizuar me të drejtë, pra na vjen në formë mitologjike, si mit. Një nga filozofët më të cituar, Zhak Derrida, shkruan : “ mitet mbështeten mbi kode të nivelit të dytë”. Pra mbi një “personazh” të dytë që shndërrohet në mit. Heroi kështu dyzohet, një herë paraqitet si i vërtetë dhe një herë i mitizuar. Ne kemi arsye ta nderojmë dy herë Skënderbeun, (Fuga). Herën e parë si i gjallë, herën e dytë si kujtesë historike, frymëzues i një epoke historike, që qëndron në themelet të kombit, të Rilindjes Kombëtare. Në një këndvështrim tjetër, nuk ka pushtetar të madh në histori që nuk i shoqëron bëmat e veta me gjendje psikologjike e konjuktive të gjalla e shpesh të acaruara. Në se lexojmë me vëmendje Frojdin, bindemi për këtë. Pa përmasën personale psikologjike askush nuk hidhet në veprimtari krijuese në politikë. Niçe thotë madje, se karakterizimet si hakmarrës, i dhunshëm, dinak, nuk kanë kuptim për personazhet që marrin pjesë në betejat e mëdha mes kombeve. Prandaj nuk ka fuqi asnjë libër, asnjë bibliotekë librash ta zhbëjë këtë mit, nëse miti ka ende jetë për të bërë e, nëse miti është ende i nevojshëm. Qëndresa e fuqishme e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër sulmeve osmane, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të popullit shqiptar, që la gjurmë në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesve osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare. Ndjenja kombëtare, që i ka mbrojtur popujt nga asimilimi, bëri që gjatë gjithë periudhës së gjatë pesë-shekullore të pushtimit osman, shqiptarët, edhe pse do të islamizoheshin masivisht, të ruanin identitetin e tyre kombëtar pa dallime fetare. Pa asnjë hezitim figura e Skënderbeut mbetet madhore në historinë e Arbrit dhe në atë shqiptare në vijimësi. Me të lidhet fakti i një identiteti të fortë shtetëror, i një organizmi institucional të fuqishëm, i një diplomacie të suksesshme, i një lidhjeje mes masave e prijësit, pra i një shtetari e strategu brilant. Çdo kundërvënie ngado që të vijë e për çfarëdo motivi, nuk e zhbën dot këtë figurë. Ajo gjallon në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Dhe ky komb ka mendje dhe energji që ta rikthejë atëherë kur duhet e si duhet. Rilindja e një energjie shtet-formuese që i mbledh shqiptarët në një përpjekje të institucionalizuar do të ndjehet, se në fund të fundit kombet formohen në luftë… Dhe themelet e kombit janë të vrarët në këto luftëra, prijësit e tyre, kujtesa e tyre, ku heronjtë mbeten fanar, e ku qenësia kombëtare merr jetë. Dhe ngjarjet e mëdha të shqiptarëve frymëzohen te kjo yllësi. U testua me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit , për të vijuar me pavarësisë kombëtare si akti i parë i objektivit strategjik madhor kombëtar. Pavarësia u quajt kombëtare dhe me këtë ajo i bëri një shërbim të madh kombit shqiptar, në të kundërtën pasojat gjeopolitike do të ishin fatale. Akti dytë i këtij objektivi madhor strategjik pa dyshim është pavarësia e Kosovës. Për arritjen e saj dhe me frymëzimin skënderbeian, u bë një investim prej disa dekadash, përmes aksionit politik, diplomatik e luftarak me angazhimin e aktorëve kryesorë shqiptarë. Në këndvështrimin e elitës kombëtare shqiptare, me ADN-në skënderbeiane çështja kombëtare. Nuk konsiderohet asnjëherë e mbyllur në çdo fazë dhe vektorë (përbërës) të saj.. Integrimi i shqiptarëve në BE nuk mund të thjeshtëzojë apo injorojë integrimin mbarëkombëtar. Nën këtë devizë lypset avancimi i çështjes kombëtare shqiptare me prioritet hapësirën shqiptare nën zotërim nga aktorë jo shqiptarë, për të dhënë zgjidhje politike e strategjike e me një organizim unik administrative e politik shqiptar. Kujtojmë se, rrethanat e kushtet e v. 1912 tkurri skajshmërisht hapësirën shqiptare dhe më keq, vitet dhe dekadat më pas kultivuan një strategji pasive për hapësirë të imponuar. Ka ardhur koha ta kapërcejmë këtë paradigmë frenuese, sepse është jo e lehtë që mendësia e cila është mësuar ta shoh veten si fushë ndikimi të të tjerëve, të formojnë një fushë ndikimi të pavarur..Zgjatimi i këtij rinovimi psikologjik në kufijtë kombëtar në ristrukturimin e politikës së jashtme do të ishte do të ishte përkufizimi i hinterlandit të vet, etj, ku pa dyshim ndihmesa e Akademisë së FA është më se e mirëpritur. Ne duhet t’u japim kuptim elementëve ku mbështet fuqia e dinamizmit duke e qasur në këndvështrimi e ri, duke përcaktuar drejt veten si subjekt i historisë dhe jo si objekt çfarëdo që detyrohet t’ia lëshojë veten rrjedhës… Ne duhet të formësojmë elitën kombëtare dhe mbështesim ata që përkufizojnë identitetin e tyre me forcën psikologjike të pajisur me një optimizëm të buruar nga thellësia historike e gjeografike, të aftë të shpalosin një performancë strategjike, e cila të bëhet përcaktuese në proceset shndërruese progresive,të mbështesim fort ata që kuptojnë dinamikën e sistemit ndërkombëtar të marrëdhënieve mes fushave lokale e globale përgatisin truallin që “do t’i bënte brezat e ardhshëm subjekte të ndërruara e dinjitoze në histori”

Kjo kërkon orientim te gjeneratat e ardhshme, forcë parashikuese, strategji, më saktë: Strategjia e Madhe që na ka munguar, e domosdoshme në shekullin e ri të shqiptarëve. Dhe për këtë ka mjaft arsye e sfida. Sfida serioze është se shoqëritë shqiptare janë ende të pa standardizuara, sidomos nga objektivi i vlerave kombëtare…Vështirësia e hartimit të një strategjie të madhe kushtëzohet dhe nga pamjaftueshmëria teorike strategjike e elitave tona. Megjithëse shkolla shqiptare ka përgatitur ekspertë dhe specialistë të mirë, në tërësi ka munguar elita me kulturë strategjike e aftë për të ndikuar mbi hartimin e politikave dhe përgatitjen e strategjive, e ku brishtësia e institucionit tonë është e ndjeshme etj. Strategjia e Madhe vë në lëvizje politikën e jashtme. Të gjithë kombet kanë strategji të madhe, megjithëse kjo nuk do të thotë se të gjithë kombet arrijnë objektivat e tyre strategjike. “Strategjia e madhe është kaq thellë e ngulitur në ADN-në e kombit dhe shfaqen kaq natyrshëm dhe qartë, sa politikanët dhe gjeneralët jo gjithmonë janë të vetëdijshëm për këtë”. Pos të tjerash kjo përbën sfidë për AFA nisur nga përmasat e misionit, cilësisë së ekspertizës, ndershmërisë institucionale, konfidencialitetit të besueshmërisë, imazhit dhe të ndjeshmërisë kombëtare të formësuar që nga epoka skëndërbeiane etj. Avancimi më tej për realizimin e objektivit madhor strategjik, që duhet të promovojë strategjia e madhe, si detyrim ndaj investimin njerëzor e kombëtar i breznive shqiptare, si amaneti i Atit të Pavarësisë Kombëtare, etj që gjithmonë detyrojnë kthim te epoka skënderberianë për të marrë rreze drite për ardhmërinë. Figura skënderbeiane mbetet përherë madhore në historinë e Motit të Arbrit dhe atë shqiptare në vijimësi. Ajo gjallon fort në kujtesën kolektive dhe shqiptare. Njëherazi Skënderbeu nuk ishte “vetëm njeri i shpatës, por edhe i vizioneve të mëdha pro-evropiane, ishte vizionari më modern jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i Ballkanit” ( Kadare). Shqiptarët në momente kruciale kanë ndjerë peshën e frymëzimit të epokës skënderbeiane. Ato do të kenë nevojë në të ardhmen për ruajtjen e vlerave konstante kombëtare, formësimin dhe çimentimin e karakterit e të identitetit kombëtar, e si motivues i shkëlqyer i bashkimit kombëtar dhe integrimit euro-atlantik.
Sigal