Skënderbeu, epokë e re historike

2021
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ
Roli i formacioneve shtetërore
Dihet se luftërat i bëjnë njerëzit duke u mbështetur mbi një bazë ekonomike me mjete e materiale që zotërojnë në një kohë të caktuar. Historiografia jonë tashmë i ka dhënë përgjigje premisave objektive shoqërore politike të domosdoshme për shpjegimin e luftës titanike që ka bërë populli ynë nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Së pari, niveli ekonomik mjaft i lartë i pasqyruar sidomos në prodhimin e drithërave dhe përpunimin e metaleve, në lulëzimin e qyteteve etj. Në prag të shek. XV zhvillimi politiko-shoqëror e kulturor i vendit ecte me ritme të barabarta me vendet e tjera të zonës ballkanike e adriatike. 
Së dyti, interesimi jetësor i masave të prekura drejtpërdrejtë nga vërshimet e pushtuesve të huaj e nga pasojat e tyre. Masat popullore sidomos fshatarësia u bë forcë kryesore e mbështetjes pa rezerva të luftës. 
Së treti, ekzistenca e një shtrese shoqërore të aftë dhe e interesuara për të kryer funksione drejtuese. Njerëz të shkolluar që luajtën një rol drejtues në luftë, kancelar, magjistër, klerikë e oratorë shqiptarë, i gjejmë në shërbim të Skënderbeut. Të tillë ishin dhe ata udhëheqës luftarakë të kërkuar si mjeshtër të artit të luftës dhe jashtë Shqipërisë në mbretërinë e Napolit, Venedik, Dalmaci, Sicili. Mbi një bazë të re teorike e praktike u vu në dukje roli i formacioneve shtetërore si kuadër politik organizativ dhe ushtarak i domosdoshëm për zhvillimin e luftës, në mënyrë të veçantë evoluimi i Lidhjes së Lezhës.
Sundimtarët shqiptarë iu bënë gardh vërshimit osman
Domethënia historike e epokës së Skënderbeut është e lidhur para së gjithash me periudhat pararendëse e pasuese e Historisë së Shqipërisë si shprehje e atyre virtyteve dhe asaj force jetësore që ka shfaqur gjatë shekujve shqiptari. Rruga e gjatë historike, energjitë e jashtëzakonshme do të dështonin, siç shkruan A. Buda, “çdo përpjekje për t’i dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre e për t’i përdorur për mbushjen e legjioneve të qezarëve, të ushtrive baziluese bizantine, të krajlëve serbë”. Qysh në vitet ‘80 të shek. XIV kur “Akinxhinjtë” osmanë u shfaqën për herë të parë te kufijtë e krahinave shqiptare, deri në epilogun e luftës skënderbeiane (1479, rrethimi i Shkodrës) lufta ndaj tyre u bë detyrë e një shekulli të tërë. Qysh në hapat e para, në betejën e Maricës (1371), në Savër (1382), në betejën e Kosovës (1389), kudo gjejmë forcat e sundimtarëve shqiptarë për t’u bërë gardh vërshimit osman. Por as etapa e parë e qëndresës, as e dyta me kryengritjet në Labëri, Mat, Dibër, Çermenikë, Tiranë, Dukagjin e sidomos ato të udhëhequra nga Gjergj Araniti, i cili ishte i pari që i dha goditje dërmuese ushtrisë osmane të komanduar nga Ali Bej Evrenozi më 1433, duke e futur në kurth e duke e bërë copë-copë në grykat akreceriane të Kurveleshit, nuk e ndryshuan gjendjen.
Skënderbeu në krye të jetës politike e ushtarake
Një etapë e re, një epokë e re, në ndryshimin e gjendjes, u sigurua kur në krye të luftës u vu Skënderbeu, cili bëri vlerësimin e periudhës pararendëse, si një përvojë e të rëndësishme historike. Të dhënat arkivore flasin se lufta e madhe që u zhvillua në Shqipëri nuk e nxori në mënyrë të befasishme Skënderbeun në skenën historike. Ai u përgatit disa vjet për kthesën historike, forcoi lidhjen me popullin e vet duke mos lënë pas dore dhe lidhjet me botën e jashtme, “njohu forcën dhe pulsin e bashkatdhetarëve por edhe masat njohën talentin dhe urtësinë e kapitenit para se t’i përvisheshin epopesë legjendare”.Skënderbeu ka qenë pranë ngjarjeve të mëdha politike ushtarake që ndodhën në Shqipëri e për rrjedhojë mjedisi, atdheu, bashkatdhetarët dhe prindërit kanë shërbyer si vatra të edukimit e të formimit politik e atdhetar të heroit. Dalja e Skënderbeut në krye të jetës politike ushtarake, favorizohen nga një varg faktorësh. Roli i madh i Skënderbeut në organizimin e kryengritjes së përgjithshme me 1443. Kështu dihet se fillimi i viteve ’40 të shek. XV rrethanat ndërkombëtare favorizuan shpërthimin e kryengritjeve antiosmane në Shqipëri. Ndërkohë me vendosjen në fronin e Hungarisë të mbretit të Polonisë, Vladislavit, trupat hungareze të komanduara nga vojvoda i Transivalisë Janosh Huniadi arritën të ndalonin përkohësisht përparimin e osmanëve drejtë Evropës Qendrore. Në krye të një ushtrie të fuqishme të përbërë nga hungarezë, polakë rumunë etj., Huniadi kaloi Danubin, u fut thellë në Ballkan dhe i shkaktoi një disfatë të rëndë trupave osmane. Kjo fitore e ushtrisë së Huniadit ngjalli shpresa te popujt e Ballkanit dhe u vlerësua nga fisnikët shqiptarë, midis të cilëve dhe Gjergj Aranitit, i cili ndërmori dhe aksione dhe fitore konkrete kundër osmanëve. Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej dhe Skënderbeu në atë kohë sanxhakbeu i Nikopolit. Shpartallimi turqve në këtë betejë u gjykua si i përshtatshëm nga Skënderbeu për çlirimin e tokave shqiptare. Në krye të disa qindrave luftëtarëve shqiptarë, pjesëmarrës në këtë betejë, i shoqëruar dhe nga nipi i tij, Hamza Kastrioti, ai mori rrugën në drejtim të atdheut e për të vijuar në drejtimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit të 1443, për çlirimi e vendit. Arritjet me çlirimin e viseve të gjëra të vendit (në Shqipërinë Qendrore e të Epërme etj) në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443, ishin një fitore historike që duhej mbrojtur e çuar më tej. Perandorisë Osmane mund t’i bëhej ballë vetëm me bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake, ekonomike etj., si dhe bashkëpunim me vendet e tjera. Më mirë se cilido këtë e kuptoi Skënderbeu, i cli gjykoi e inicioi mbajtjen e Kuvendit të Lezhës, si i pari në historinë e shqiptarëve me një përfaqësi kaq të gjerë kombëtare. E njohur si Besëlidhja Shqiptare e Lezhës, ajo u krijua si një aleancë politike e ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, ndërsa si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i Anëtarëve të Besëlidhjes. Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si Komandant i Përgjithshëm i saj. Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë, Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët.
Lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike
Shtrirja e zotërimeve të Kastriotëve në qendër të viseve të lira të vendit. Ai shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës, arrinte në lindje në afërsi të Shkupit, si dhe nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhni krahinat jugore me verioret dhe lindoret me perëndimoret. Në veri të Shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jelicës (Sanxhakut), të Guntes (Zeta). Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Aranitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve që ishin kritike me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj mbi to do të binte dhe pesha kryesore e luftës kundra pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te rrjedhja e lumenjve Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit. Lidhjet farefisnore e martesore me sundimtarë të fuqishëm. Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të fuqishëm të zotërve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht të të gjithë vendit. Ndër to më të rëndësishmet ishin lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike. Martesa të tilla ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën, familja e së cilës, sipas Barletit, jetonte në Pollog. Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut ishin martuar me anëtarë të familjeve fisnike më të fuqishme të kohës. Vetë Skënderbeu u bë dhëndër i Gjergj Aranitit, ndërsa Muzakë Topisë i dha për bashkëshorte të motrën, Mamicën. Zotërimet e këtyre feudalëve jo vetëm kishin një potencial shumë të madh, por ndodheshin në zona strategjike që diktonin masa të forta sigurimi e mbrojtjeje. Nëpër to kalonte Rruga Mbretërore (Egnatia) dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme, nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të futeshin në thellësi të tokave të lira shqiptare për të sulmuar kryeqendrën e tyre, Krujën. Këto lidhje, e sidomos mbështetja e fortë juridike e morale që i dhanë vendimet e Kuvendit të Lezhës, bënë, që në betejën e Drinit, të marrë pjesë dhe Gjergj Arianiti, ku trupat e tij shkojnë në thellësi deri në dyert e Shkodrës, megjithëse interesat e tij nuk ishin cenuar drejtpërsëdrejti nga Venediku etj.
Kruja, qendra më e rëndësishme politike-ushtarake
Favorizuese për Skënderbeun ishte dhe qenia në duart e tij e Krujës, si qendra më e rëndësishme politike-ushtarake e tokave shqiptare të çliruara. Treva e Krujës në raport me viset e tjera të vendit zinte një pozitë shumë të rëndësishme nga rrugët që kalonin nëpër të e që mbikëqyrnin mirë nëpërmjet kështjellës së Krujës. Ajo ishte kështjella më e fuqishme në vend nga ku mund të vëzhgohej sistemi i rrugëve dhe i viseve të çliruara dhe për të hyrë në kontakt të shpejtë me shtetet e huaja antiosmane, prandaj u bë dhe kryeqendra e vendit. Por, mbi të gjitha këto kushte favorizuese dominon personaliteti i Skënderbeut, që kishte të gjitha ato cilësi, më tepër se kushdo tjetër, për të përmbushur detyrat e kohës. Të gjitha burimet e kohës sjellin faktin se Skënderbeu ka pasur një formim të plotë e të gjithanshëm që vihej në radhët e para të figurave politike e ushtarake të kohës. Ai dinte turqisht, arabisht, greqisht, latinisht e sllavisht, kishte mësuar histori e politike e sidomos mjeshtërinë e artin luftarak. Kultura e gjithanshme, vetitë e shkëlqyera, karriera brilante në radhët e kuadrove ushtarakë osmanë, njohës shumë i mirë i jetës e artit ushtarak osman, si më modern në kohë dhe sidomos njohja shumë e mirë e gjendjes e mundësive ekonomike, ushtarake e financiare të vendit të vet, ishin parakushtet e domosdoshme për të kaluar e dominuar si kapiten i përgjithshëm i luftës.
Sigal