“Skënderbegasit ndër vite…”, enciklopedi për një shkollë elitare e nxënësit e mrekullueshëm të saj

842
Janë rreth 36 mijë skënderbegas që e gjejnë veten në enciklopedinë “Skënderbegasit ndër vite….”; dikush me portretin e aktivitetin e tij; të tjerë nëpërmjet dokumenteve arkivore apo kujtimet e shokëve, mësuesve apo komanduesve
Nisur nga mirëpritja e librit “Skënderbegasit ndër vite…” (Pjesa e parë), përgatitja e pjesës së dytë, ishte një përgjegjësi më e madhe, për përmbushjen e së cilës, ne si autorë, bashkë me dhjetëra bashkëpunëtorë të tjerë, u përpoqëm e bëmë maksimumin. Sigurisht, për vështirësitë që dihen, kjo ndërmarrje nuk ishte e lehtë. Kështu, së bashku, ne mundëm ta mbyllim pjesën e dytë të librit, me synimin e vetëm që në ‘të të gjendet dokumente zyrtare e dëshmi të rrugës dinjitoze dhe vlerave të Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, nxënësve të saj ndër dekada, që kanë lënë gjurmë në historinë e shkollës, ushtrisë dhe jetës shqiptare. Në këtë kuadër, falënderojmë nga zemra të gjithë ata që janë përfshirë në këtë libër, ata që kanë ndihmuar me kujtime e foto, por dhe institucione e persona të tjerë që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim: Arben Duka, Arta Raveli, Thoma Konduri, Zyhdi Kroj, Ëngjëll Musai, Dhanil Raveli, Tomorr Lamçe, Agim Bedini, Torez Çiraku, Ferit Fixha, Sali Frangu, Pirro Lutaj, Xhemal Qefalia, Shpend Topollaj, Kadri Dauti, Ilia Kongo, Përparim Celibashi, Adem Ajdini, Kujtim Drizari, Luftar Guri, Kujtim Koka, Avenir Kalaja, Suzana Jahollari, Dr. Luan Nikollari, Zabit Çuku, Kudret Salija, Ylli Themeli, Maliq Kullolli, Gjergj Çela, Agim Gjini etj…
Dedikim dhe një ftesë
Pjesën e dytë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”, që do të pasohet dhe me pjesën e tretë të tij, ua kushtojmë mbi 35 mijë kolegëve skënderbegas që studiuan në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” nga viti 1945 deri në vitin 1992, qindra komanduesve, drejtuesve, mësuesve e mësueseve të mrekullueshëm, gjithë punonjësve të këtij institucioni që bënë gjithçka për emrin dhe lavdinë e kësaj shkolle. Jemi përpjekur që ngjarjet në këtë libër të jepen në kontekstin e kohës, kronologjikisht, e personazhet të renditen sipas moshës, me dëshirën e mirë që gjithçka të jetë sa më afër të vërtetës, duke punuar ndër arkiva për të sjellë dokumente të pa publikuara, foto të rralla apo kujtime të skënderbegasve ndër vite. Krahas falënderimeve, kemi dhe një kujtesë për të gjithë, veçanërisht për skënderbegasit, mësues e komandues të kësaj shkolle: Shpresojmë që ndihma juaj për pjesën tjetër, me dokumente e kujtime, të jetë sa më e madhe, në mënyrë që hapësirat të jenë sa më reale në ngjarje e protagonistë, duke kontaktuar me adresën e e-mailit: [email protected] dhe [email protected]
Faleminderit!
Autorët e librit
Kujtim Boriçi
Maksim Fejzulla
Nëse me vëllimin e parë “Skënderbegasit ndër vite…!”, i miqve e kolegëve të mi Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla, publikuar një vit më parë, mijëra skënderbegas ndjenë t’u rrahë fuqishëm zemra nga malli e nostalgjia, t’u lotojnë sytë e të ripërtërihen, me vëllimin e dytë që kanë sot në duar, plot një vit më pas, që përkon me 72 vjetorin e themelimit të kësaj shkolle të lavdishme, ata janë më krenarë se kurrë e kanë të drejtën legjitime të thonë me plot gojën: “Po! Ja kush jemi ne skënderbegasit, ja cila është shkolla që na rriti e edukoi ne me dashurinë e pakufishme për njerëzit, me shpirtin e sakrificës e dashurinë e pashtershme që na bëri të sfidojmë çdo pengesë
në përmbushje të betimit dhe të gatshëm për të sakrifikuar dhe jetën; ja kush kanë qenë mësuesit dhe komanduesit tanë të mrekullueshëm, ndër më të mirët në vend, që mbi të gjitha, ishin edukatorë, por dhe prindër njëlloj si ata që kishim lënë në shtëpi! Ndaj, na njihni më mirë ne skënderbegasve, na dëgjoni e respektoni siç ju duam e respektojmë, se ne jemi gjithmonë me të mirën e kundër të keqes, jemi gjithnjë në kahun e duhur në udhëkryqet e kohës!”.
Që në nisje, unë poeti Arben Duka, miku juaj i kahershëm ju them me plot gojën: Keni ndërtuar me vuajtje e sakrifica një enciklopedi që nuk ka të dytë, keni ngritur një shtatore të gjallë që do të flasë e dëshmoj në shekuj për historinë e lavdishme të shkollës ‘Skënderbej” e skënderbegasve, për ata intelektualë vitalë që kanë qenë e mbeten në pararojë të Shqipërisë. Sigurisht, keni pasur dhe ndihmën e shokëve, u kam ndihmuar dhe unë me aq sa kam mundur, por ju keni mbajtur një peshë që rrallë kush mund t’ia dalë. Ju faleminderit për këtë!”. Dhe tani pak fjalë për pjesën e dytë të “Skënderbegasit ndër vite…”, të cilin unë pata fatin ta kem në duar gjatë etapave të përgatitjes e deri në momentin që u fut në shtyp. Ndoshta, është pak të them që është një mrekulli, një punë voluminoze, profesionale, me dokumente të rralla, kujtime të brezave të skënderbegasve, themeluesve të kësaj shkolle, portrete të personaliteteve që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme të jetës, jetëshkrime fakte sakrificash sublime të oficerëve skënderbegas rënë në krye të detyrës, kujtime të mësueseve e mësuesve, komanduesve e drejtuesve të kësaj shkolle në gati pesë dekada… E gjithçka në këtë libër sillet në mënyrë kronologjike, shoqëruar me faksimile të dokumenteve të panjohura dhe me qindra foto të rralla… Pjesae dytë e “Skënderbegasve ….”, që kemi në duar (që do të pasohen në vazhdim dhe me pjesën e tretë të enciklopedisë) ka mbi 850 faqe dhe është konceptuar me kapituj që nisin me dokumente të pa publikuara të historikut të shkollës; kujtime të skënderbegasve për çdo vit, nga viti i hapjes më 1945 deri më 1992 kur u mbyll; portrete të skënderbegasve të suksesshëm në karrierën ushtarake që arritën të bëhen gjeneralë, ministra e deputetë; skënderbegas që kanë shkëlqyer në shkenca të ndryshme; të atyre që kanë bërë emër në diplomaci si ambasadorë apo diplomatë karriere; të atyre që kanë shkëlqyer në fushën e artit e kulturës; të skënderbegasve që kanë kapur majat në fushën e shkencës ushtarake; të skënderbegasve që kanë shkëlqyer në biznes e në medie; të atyre që kanë shkëlqyer në fushën e sportit shqiptar; eksperiencë e punëve të komandantëve e komisarëve që nga i pari e gjer tek i fundit në vitin 1992; mënyrën e organizimit e funksionimit të kësaj shkolle elitare dhe portretet e eksperiencën e drejtorëve, mësueseve e mësuesve në dekada; të njohurat e të panjohurat e punës fisnike të oficerëve skënderbegas në përgatitjen e Adem Jasharit e djemtë-komandantë që më pas çliruan Kosovën; kontributin e oficerëve skënderbegas në luftën e Kosovës dhe Maqedonisë; kontributin e oficerëve skënderbegas që drejtuan e drejtojnë komandot shqiptare në frontet e luftës në vatrat e nxehta në botë krahas aleatëve të NATO-s; përpjekjet dhe organizimet e grupimeve skënderbegas në vende të botës për të mbajtur gjallë emrin ‘skënderbegas’ dhe në Shqipëri për ringjalljen e traditës etj… Bie fjala, Ali Ahmeti, një drejtues shqiptar sot në Maqedoni, sjellë dëshmi të rolit të skënderbegasve në shtabe e fronte të luftës në Maqedoni; kolonel Ekland Dautaj, skënderbegas dhe ky, rolin e komandove shqiptar në Irak, Afganistan, Çad e vende të tjera ku specialët shqiptarë kanë qenë apo ndodhen në misione paqeruajtëse përkrah aleatëve të tjerë të NATO-s.
Janë rreth 36 mijë skënderbegas që e gjejnë veten në enciklopedinë “Skënderbegasit ndër vite….”; dikush me portretin e aktivitetin e tij; të tjerë nëpërmjet dokumenteve arkivore apo kujtimet e shokëve, mësuesve apo komanduesve. Në këtë libër ndodhet lista e plotë (sipas amzave që ndodhen në Arkivin Qendror të Ushtrisë) e ndarë në vite dhe listën e plotë të mësuesve, komanduesve e punonjësve që kanë punuar në këtë shkollë nga dita e parë më 28 mars 1945, deri në mbyllje të saj më 1992. Për mua, por jam i bindur se për specialistë e njerëz të thjeshtë që e lexojnë, vlerat e “Skënderbegasit ndër vite…”, janë të shumta ku unë shkurt po përmend:
-Vlera dokumentare dhe historike që ka ky libër për një nga shkollat elitare jo vetëm në Shqipëri, në Ballkan e më gjerë (siç e kam përmendur dhe në volumin e parë), që ka qenë nga më cilësoret dhe që ka nxjerrë personalitete të njohura në të gjitha fushat. Dokumentet e sjella janë të shumta e të përzgjedhura në funksion të ngjarjeve apo realiteteve të kohës.
-Konceptimi profesional i librit, që nga puna me dokumentin, fotografitë, mënyra e paraqitjes, gjetja e dëshmive tek protagonistët e deri tek arti i të shkruarit. Kjo konstatohet në çdo kapitull, në çdo pjesë të kapitullit e libri në tërësi. 
-Përpjekja për përqasje maksimale me realitetin nga autorët,
duke evituar komentin, analizën, por duke sjellë besueshmërinë nëpërmjet rrëfimeve të personazheve dhe dokumenteve të arkivave.
-Skenat dhe prapaskenat (nëpërmjet dokumenteve dhe tregimit të protagonistëve) e disa ngjarjeve në ‘hije’ që lidhen me shkollën “Skënderbej” gjatë ekzistencës së saj, përfshi tentativën
për shkatërrimin e historikut të shkollës, arkivave të saj (fatkeqësisht nuk u evituan dhe dëme), deri dhe motivacioni zyrtar dhe shkaku real i mbylljes së këtij institucioni të rëndësishëm nëvitin 1992.
-Mbushja e një boshllëku për lexuesin e opinionin lidhur me një njohjen e një pasurie të vyer (që nuk e kanë më), tradita e një shkollimi elitar model, me vlera të padiskutueshme për ushtrinë dhe arsimin në Shqipëri. … Nuk dua të zgjatem më tej, pasi vlerat e “Skënderbegasve ndër vite…”, janë shumë planesh e të shumanshme. Ndaj, ky libër është një pasuri e rrallë jo vetëm për mijëra skënderbegas, mësues e komandues të shkollës “Skënderbej”, por për të gjithë që e kanë këtë mundësi… 
Dhe një herë faleminderit autorëve dhe atyre që ndihmuan në përgatitjen e botimin e këtij libri e, suksese në pjesën tjetër së shpejti…
Arben DUKA , Poet
Sigal