Skënderbegasit Ismet Bellova dhe Ahmet Shqarri, legjendat e mikrofonit sportiv shqiptar

1113
Maksim Fejzulla, Kujtim Boriçi: Shkolla “Skënderbej”, shkolla më cilësore në Shqipëri e Ballkan

(Vijon nga numri i kaluar)
1. Ismet Bellova, profesori model gjatë një dekade në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”
Ismet Bellova, legjenda e papërsëritshme e mikrofonit sportiv, mësuesi pasionant skënderbegasve e qindra të rinjve në mbarë vendin që ishin të apasionuar e arritën rezultate në sportin shqiptar, u lind më 1 qershor të vitit 1934. Ja si shprehet për profesorin Bellova, Shpend Topollaj, publicisti i njohur, nxënësi dhe miku i tij:

Duke folur me një entuziazëm të pashoq për mjeshtrin e mikrofonit dhe mikun e tij më të paharruar, profesor Bellova është shprehur se “Anton Mazreku u përket atyre figurave të shquara të kulturës fizike dhe sporteve tona, që e kanë filluar jetën e tyre me sportin qysh në moshë të njomë, në fëmijëri, i kanë dhënë rininë sportit dhe e kanë mbyllur jetën e tyre po me sportin.” Dhe sikur Plutarku t`i kishte njohur këta dy viganë inteligjentë të lëvizjes sonë sportive, padyshim që do t`i kishte shtuar veprës së tij “Jetët paralele” edhe atë të këtyre dy njerëzve me aq vlera dhe aq të ngjashëm. Madje, do të shtoja se kjo ngjashmëri arrin deri tek kultura e tyre e lartë letrare. Dhe ashtu sikurse vëren i ndjeri dhe i dituri Jup Kastrati për Antonin, duke e quajtur atë një poet të vërtetë, po kaq poet në prozën e tij paraqitet në nektarin që nxjerr nga goja edhe Ismeti ynë, i cili përherë ka ditur të qëndisë aq bukur me metafora, krahasime dhe figura letrare në të gjitha transmetimet në mikrofon apo në artikujt e pafund dhe librat që ai ka shkruar. Profesor Ismeti, bashkoi në një; sportin me artin, duke i dhënë atij rëndesën që i jepnin grekët e vjetër pas vitit 581 para Erës së Re, “Lojërave Istmike”, ku veç garave sportive zhvilloheshin edhe ato muzikore. Kushdo që e ka dëgjuar, vështirë të mos jetë drithëruar nga vibrimet melodioze të zërit bellovian, vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë.

“Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, Urdhri i Punës i Klasit të Parë, fitues i disa çmimeve, deri “Mirënjohja e Tiranës” etj, flasin qartë për personalitetin madhor të Ismet Bellovës. Por, rruga për të mbërritur këto maja nuk ka qenë aspak e lehtë. Fillimisht, mësues në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë e më vonë, duke qenë fare i ri në moshë, caktohet kryetar i komitetit të fizkulturës dhe sporteve në Qarkun e Dibrës, ku me aftësitë dhe seriozitetin e tij u bë prekursor i mobilizimit për kalimin e mungesave dhe vështirësive të jashtëzakonshme, dhe ku ai la gjurmë të pashlyeshme. Më pas, emërohet mësues për një dekadë në shkollën e mesme të lavdishme “Skënderbej”, për të vazhduar në një tjetër shkollë “Politeknikumin 7 Nëntori”, me aq tradita edhe në sporte, ku punoi për dymbëdhjetë vjet të tjera. Kjo ka qenë dhe periudha më shkëlqimtare e gjithë karrierës së tij ose apogjeu i tij pedagogjik, pasi është ashtu sikurse vëren Artur Shopenhaueri se “Sa më fisnike të jetë puna, aq më e madhe do të jetë kënaqësia.”. Tani, ai kishte eksperiencën e vyer të Dibrës, të Korçës ku kreu shërbimin ushtarak dhe Elbasanit, duke organizuar mjaft mire punën për paraqitjen e ekipeve në spartakiadat që zhvilloheshin, por edhe atë të drejtimit të ekipit të atletikës së sport-klubit “Partizani”, ku arriti të caktohet edhe kryetrainer i ekipeve të atletikës dhe që u kurorëzua me shumë e shumë rekorde dhe fitimin e kupave të kampionit. Në fillimin e viteve 60, kur unë dhe shokët e mi kapërcyem pragun e shkollës “Skënderbej”, profesor Ismeti, kishte fituar autoritetin e një njeriu shumë të dashur, të aftë dhe punëtori të palodhur dhe fjala e tij dëgjohej me të njëjtin respekt si nga nxënësit, ashtu dhe nga kolegët apo eprorët e asaj shkolle. Dhe për habinë tonë, ky autoritet nuk e largonte aspak nga ne, përkundrazi, ai dinte të fitonte zemrat tona dhe të futej në botën tonë të brendshme apo në ëndrrat tona. Duke e ndjerë veten krejtësisht të shpenguar në marrëdhëniet me ne, mbaj mend se njëherë, kur nisëm të flasim për teoricienët pararendës të marksizmit, na tha se ky Fransua Noel Babëfi juaj të gjithë doktrinën babuviste, mund ta ketë ngritur mbi një kështjellë rëre, por diçka, që ju begsit duhet ta dini mirë, e ka thënë tmerrësisht saktë: “Në shoqërinë e ardhshme, personaliteti kryesor do të jetë mësuesi, jo gjenerali.” Dhe ndofta pse e kishte kuptuar kështu dhe para kohe, ai ndihej i barabartë me gjeneralët që nuk mungonin asnjëherë në mjediset dhe stadiumet tona, pasi ishte me të vërtetë një gjeneral pa spaleta në profesionin e tij fisnik. Sugjerimet dhe kërkesat e Bellovës, ata i merrnin përherë si të mirëqena, ndaj dhe e përkrahën atë pa rezerva si për sigurimin e bazës së nevojshme materiale, ashtu edhe për krijimin e terreneve sportive, aq sa te ne vinin e stërviteshin ekipet e para të “Partizanit” në futboll, basketboll, volejboll, atletikë, gjimnastikë, boks etj. ku natyrisht, kishin vendin dhe rolin e tyre edhe sportistët e shumtë skënderbegas. Ora e mësimit me Ismet Bellovën, pritej nga të gjithë ne me një gëzim të veçantë, pasi ajo më shumë se mësim, shndërrohej, me shpirtin e garës që ai nxiste, në spektakël, ku aktivizimi qe maksimal dhe përfitimi po ashtu. Profesori ynë, njëkohësisht na jepte shumë informacione nga kultura e tij e gjerë, deri edhe për zhvillimet dhe përparimet e sporteve në botë, pasi ai nga ana tjetër, ishte dhe komentatori zyrtar rodiofonik dhe gazetari i pandarë i gazetës së mezi pritur “Sporti Popullor”. Në këtë sallë, më duket e tepërt që të përmend emrat e të gjithë atyre sportistëve të shkollës tonë që nxori puna plot efikasitet dhe përkrahja e palëkundur, veç të tjerash edhe e profesor Bellovës. Dhe është kjo punë në radhë të parë, kjo konsideratë që ai ka për ne, që na detyron t`i shprehim me gjithë zemër dhe në çdo rast, mirënjohjen tonë atij edhe tani që jemi bërë disa herë gjyshër. Se Ismet Bellova, ka mbetur po

ai “…që ka ditur e di të lidhë kaq bukur brigjet e sportit me brigjet e shpirtrave njerëzorë.”. Takova këto ditë një mikun tim, doktorin e shkencave Enver Isufi dhe kur i fola për këtë veprimtari, më tha: “Të lutem, pyete Bellovën që po pati ndonjë CD me transmetime ndeshjesh, t`i nxjerrë në treg, se do t`i dëgjonim me shumë dëshirë, pasi ato ishin këngë hipnotizuese. Ne, kur ishim të rinj edhe kur flisnim për gjëra të rëndomta, mundoheshim ta imitonim atë, por pa sukses, se ai ishte i paimitueshëm.”. Edhe në shtëpi atë e konsiderojnë kryetar të familjes sportive, pasi nga të gjithë njihet fakti se bashkëshortja e tij Bukuroshja, kapitenia emblematike

e kombëtares së basketbollit tonë, djemtë Sokoli dhe Enisi kanë studiuar në Institutin e Kulturës Fizike dhe së bashku me Edisonin, Arminin dhe me tri mbesat, pa bërë fjalë për vëllezërit e tij e më tej, janë përfaqësuar denjësisht në lloje të ndryshme sporti. Profesor Ismeti është nga ata që nuk do t`ia dijë për moshë. E shihja jo shumë kohë më parë, të vinte shumë shpesh në Durrës për të takuar kryetarin e Bashkisë për një veprimtari ndërkombëtare që do të bëhej mes atyre me aftësi të kufizuara dhe zhvillim të vonuar mendor që i drejtonte Ismeti. Ruante po atë energji dhe entuziazëm, ndaj kur e pyeta se ku e gjen këtë forcë, më tha: “Ti je dhe shkrimtar, dhe duhet ta dish se Ernest Heminguej ka thënë se “Pensioni” është fjala më e shëmtuar në gjuhë.” Por në këtë rast, unë e dija pak më mirë se nobelisti Heminguej, ai që ngriti në piedestal forcën morale të njeriut; se entuziazmi dhe energjia e professor Bellovës, qëndron pikërisht te dashuria e pafund që ai ka për njerëzit. Dhe kur i lodhur nga ngadalësia e veprimeve financiare, po kthehej në Tiranë, ai më tha: “Hajt mor, se do t`i paguaj vetë shpenzimet, se ata fatkeq nuk i zë gjumi derisa të shkojnë atje.” Ky ishte mësuesi im, humanisti Ismet Bellova, për të cilin me të drejtë ndihesha krenar.
2. Skënderbegasi Ahmet Shqarri, gazetari i njohur sportiv
Më 18 gusht të vitit 1953, mes gjimnazistëve që do të nisnin studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” është dhe Ahmet Shqarri, sot, komentator i njohur sportiv në Shqipëri. Kjo shkollë, është vatra e parë ku spikati talenti dhe dashuria e tij për artin dhe sportin, pasione të cilëve ai u bashkëngjiti punën dhe përkushtimin e pa lodhur në më shumë se katër dekada pa ndërprerë. Shqarri u lind në vitin 1939. Zëri i Ahmet Shqarrit lakohet si transmetues i veçantë, pasi solli shumë risi në emisionet sportive shqiptare në të vetmen radio dhe televizion në hapësirat mbarë shqiptare për vite me radhë. Funksionimi i emisionit special “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, shënoi një hap cilësor të nivelit botëror për radio transmetimin shqiptar. Tek figura e Shqarrit, nuk ka spikatur vetëm zëri, por rdhe ambicia serioze për të hapur dritare të reja komunikimi me dëgjuesit, dritare, të cilat ruajnë dhe sot po atë shkëlqim dhe rrezatim në syrin dhe veshin e dëgjuesit shqiptar. N.q.s paraardhësit e tij janë lakuar si ikonat e para të transmetimit, ai si vazhdues i tyre e ngriti në piedestal emrin e komentatorit shqiptar, duke vulosur risi që do të ngelen si shtatore të pazëvendësueshme. Mazreku, Bellova dhe Shqarri, do të mbeten një treshe simpatike që hapën epokën e panjohur të transmetimit radiofonik, duke ia kaluar stafetën njeri-tjetrit, për t’u kthyer kështu në emblema që koha i ka përcjellë si figura referimi për të ardhmen e sportit shqiptardëgjues. Sipas Shqarrit, ka qenë një rastësi që u bë gazetar sportiv. Ka filluar të shkruajë kur ka qenë në shkollë të mesme. Në revistën “Shqiptarja e Re”, botoi një tregim “Vajza e braktisur”. Ndërkaq, krahas Fakultetit të Letërsisë, bëri edhe kursin dy-vjeçar të gazetarisë, ku kishte pedagogë të tillë si: Vangjush Gambeta, Dritëro Agolli, Hamit Boriçi. Në sajë të tyre iu dha mundësia të shkruante në shtypin e kohës si: “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Mësuesi”, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”. Punimet e tij reflektonin kulturë për arsye se ka qenë shumë i lidhur me librin. Madje bënte shumë përpjekje për të kapur librin sa dilte në treg. Duke pasur një dëshirë të madhe për letërsinë, lexonte shumë. Kjo periudhë aso kohe i shërbeu si periudhë prove. Ndërkohë që shkruante për gazeta të tjera, Ismet Bellova, i cili ishte komentator dhe mik i tij, i ofroi të bashkëpunonte me të vetmen gazetë sportive të kohës, “Sporti Popullor”. Dy komentatorë ishin asokohe, Bellova dhe i madhi Anton Mazreku. Kur mbaroi studimet universitare, nuk kishte asnjë gazetar të diplomuar që të punonte për sportin në Radio Televizion. Kështu, ai ishte i pari gazetar profesionist sportiv i një medie elektronike. Starti i karrierës ka qenë, pikërisht gushti i vitit 1969, vit në të cilin u hodhën themelet për krijimin e Rubrikës Sportive të rregullt, që në fakt filloi në vitin 1970.
Sigal