Skënder Mustafaj: 20 shtator,  formimi i Batalionit të Rinisë

1076
Sigal

Ky batalion e bëri betimin përpara shtëpisë së Heroinës së Popullit

20 Shtator,  formimi i Batalionit të Rinisë “Margarita Tutulani”

Skënder Mustafaj

Kryetar i Organizatës të Familjeve të Dëshmorëve,  Berat

Si në Berat dhe në tërë Qarkun e Beratit, Lëvizja Antifashiste NAÇL kishte marrë përpjesëtime të mëdha. Urrejtja mbarë popullore, për vrasjen e dy figurave të shquara të qytetit të Beratit, Margarita e Kristaq Tutulani nga fashistët italianë, bëri që të shtoheshin radhët e formacioneve partizane.  Kështu gjatë muajve të vitit 1943 u formuan tre grupe partizane me rreth 9 batalione me pjesëmarrje nga qyteti dhe nga fshati.  Italia fashiste i kish ditët e numëruara.  Qarkori i Partisë kishte vendosur që në Berat të formohej Batalioni i Rinisë.  Ky batalion do të kishte efektivin e vet, kryesisht me të rinj.  Në fillim batalioni do të kishte  një efektiv prej 180 vetë dhe 30 prej të cilëve do të ishin vajza, të ardhur nga Fieri,  Lushnja Skrapari dhe Berati me moshë mesatare që shkonte nga 16 deri 20 vjeç, kryesisht fëmijë punëtorësh, fshatarësh. Shumica prej tyre qenë të lidhur me Lëvizjen Antifashiste NÇL, apo anëtarë të njësiteve guerile, apo propagandistë të saj, me një fjalë, njerëz të sprovuar e të kalitur në zjarrin e luftës kundër fashizmit e tradhtarëve të vendit.  Të gjithë këta të rinj u mblodhën natën e 19 shtatorit të ndarë e të strehuar nëpër baza.  Mikpritja e bujaria beratase kishte qenë prezent  në tërë Lëvizjen Antifashiste NÇL. Të nesërmen e 20 Shtatorit u mblodhën tek parku i lagjes “Murat Çelebi”, sot “Dëshmorët e Kombit”,  në një moment festiv e gëzimi i papërshkueshëm dhe i pa harruar të popullit të Beratit. Kishin ardhur shokë nga Qarkori dhe Shtabit të Qarkut si Gjin Marku, Myqerem Fuga, Mane Nishova e shokë të tjerë. Kur shoku Myqerem Fuga theksoi se Qarkori dhe Shtabi i Qarkut kanë vendosur krijimin e Batalionit të Rinisë dhe se ky batalion do të emërohet “Margarita Tutulani”, shpërthyen duartrokitje e brohoritje të fuqishme. Po kështu ishte vendosur komandanti i këtij batalioni një kuadër i njohur i luftës Skënder Malindi dhe komisar një figurë e shquar e Beratit Ajet Xhindole.  Ky batalion e bëri betimin përpara shtëpisë së Margarita Tutulanit,  ku aty i priti nënë Kristina.  Aty e mori fjalën Ajet Xhindole, ku midis të tjerave iu drejtua pjesëmarrësve.  “Është nderi i madh që batalioni ynë  mori emrin e Margaritës, që dha jetën e saj të  re për lirinë e atdheut, emri saj do të jetë për të gjithë ne gjithmonë frymëzues,  betohemi se do të luftojmë me guxim dhe heroizëm, ashtu siç luftoi  Margarita dhe nuk do ti lëshojmë armët nga dora deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë”. Nënë Kristina e puthi në ballë komisarin, duke i uruar batalionit: “Rrugë të mbarë  bijtë e nënës, pushka iu bëftë top për Shqipërinë e lirë”. Kështu e nisi rrugën e tij luftarake,  të lavdishme Batalioni i Rinisë “Margarita Tutulani”,  i cili u rrit nga dita në ditë  duke u shtuar në tri kompani.  Batalioni bëri shumë përpjekje me armiqtë si në Mimias,  në Qafë Pazianit,  në Roshnik,  në Qafën e Kalas,ë më 15 Nëntor të vitit 1943 , ku ranë dëshmorë Arif Syziu,  Haxhi Kuqo,  Zoi Vangjeli.  Betejat vazhduan në Tomor,  Kapinovë,  Therepel, Qafë Shkozë, në Bregun e Urës mbi Vërzhezhë,  Mollas, Bubës, Kiçok, Paraspuar,  në Nahijen e Beratit, duke përballuar me sukses dimrin e egër në Skrapar-Opar.  Konkretizimi i të gjithë  këtyre luftimeve ishte beteja në Tendën e Qypit 22-23 Dhjetor 1943.  Ky batalion gozhdoi  mbi 1500 ballistë të komanduar nga  Xhelal Staravecka.  Këtu u kap në befasi nga ballistët dhe u pushkatua  në Qafën e Kumbullave, komisari i batalionit,  Heroi i Popullit,  Ajet Xhindole.

Me formimin e Brigadës së 7-të Sulmuese, më  17 Mars 1944 në Vlushë të Skraparit, Batalioni i Rinisë “Margarita Tutulani” u bë pjesë përbërëse e Brigadës së 7-të duke vazhduar rrugën e tij luftarake, deri në çlirimin e  Shqipërisë, si dhe duke luftuar përtej kufirit me ish-Jugosllavinë.  Kanë kaluar 76 vjet ne kujtojmë me respekt partizanët e këtij batalioni,  që nga Skënder Malindi,  Ajet Xhindole,  Zoi Banon, Argjiro Leka, Qani Agaci,  Stavër Cylaku, Vangjel Bitri, Tefta Laro,  Petraq Subashi,  Qani Tamo,  Sherif Axhemi,  Andon Mata,  Mentor Speci,  Aneta Bushamaku,  Mestan Ismaillari, Ibrahim Lika,   Ali Cerova  Abdyl Veleshnja,  Haki Gjyzeli,  Vrenoz Shinko e shumë të tjerë, vepra e të cilëve do të mbetet për brezat kurdoherë frymëzues.  Sot ne përkulemi  me respekt për afro 30 dëshmorët e këtij batalioni, që nga komisari Ajet Xhindole,  Aleko Sallabanda, Thoma Shqina,  Thoma Arbëri , Zoi Tole, Thimi Tani Mihal Kumaraku,  Llazar Tavanxhi,  Irfan Shehu, Xhemil Ohri,  Nikollaq Buhuri, Zihni Toska, Ramadan Malaj, Dervish Dule,  Miço Papuçiu,  Nikollaq Bega,  Erifili Qyrana Neshat Polovina, gjaku i të cilëve do të ndri   për jetë