Skënder MALINDI/ Xhelal Koprencka, një hero i mënjanuar

2384
Sigal

Koprenca, ishte një nga firmëtarët e dokumentit të shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë

Skrapari, zë një vend të veçantë në kuadrin e lëvizjeve patriotike që janë zhvilluar në Shqipëri. Po të marrim parasysh, vendin modest që ai ka, në kuptimin ekonomik, social dhe gjeografik, atëherë ky kontribut që ai ka dhënë, spikat akoma më tepër dhe bën me të drejtë që skraparllinjtë, të ndjehen krenarë për atdhetarizmin e tyre. Në këtë kontekst, do të shkruajmë për një figurë brilante, jo vetëm të Skraparit, por të gjithë Shqipërisë, asaj të Xhelal Koprenckës, një personaliteti, që bënte pjesë ndër firmëtarët për Pavarësinë e Shqipërisë dhe një nga 18 anëtarët e Kuvendit të Pleqësisë Kombëtare.

Familja e Xhelal Koprenckës, ka qenë një çerdhe patriotike dhe një nga dyert më të mëdha në Skrapar. Burrat e kësaj shtëpie, kanë qenë të përkrahur nga Ali Pashe Tepelena dhe ishin komandantë në rekrutët e ushtrisë së tij. Për shërbimet dhe besnikërinë që treguan, Pashai i Janinës, i shpërbleu me sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore, pyjesh dhe kullotash. Shtrirja e tyre, si në Bulgarec të Korçës, Corrunjë të Gramshit, Gostenckë dhe Vlushë të Skraparit apo pllajat e Qafës së Martës e gjetkë, i dhanë derës së Xhelal Koprenckës, fuqi ekonomike si dhe një status të rëndësishëm në të gjithë vendin.

Xhelali është lindur në fshatin Koprenckë të Skraparit më 1876. Arsimin fillestar e mori në Korçë, për të vazhduar më tej studimet, në Robert – Kolezh të Stambollit. Mbas kësaj, ndoqi studimet e larta në akademinë ushtarake, po në Stamboll. Në përfundim të akademisë, ai shërbeu në repartet ushtarake të Selanikut, ndërsa më vitin 1911, emërohet komandant i qarkut të Janinës. Xhelali, siç është e natyrshme, kishte temperamentin tipik të skraparlliut, si në sjellje ashtu dhe në mentalitet. Njeri inteligjent dhe kurajoz nga natyra, patriot nga edukata, kishte një karakter të fortë dhe autoritar. Megjithëse, krenar dhe me formim elitar, ndikimin e madh dhe influencën që gëzonte, e kishte, falë aftësive komunikuese me njerëzit, cilësi kjo më se e domosdoshme për aktivitetin e tij. Parë në kompleksitet, ai ishte një bir i denjë për vlerësimin e merituar, që i bënte Skraparit martir. Megjithëse oficer madhor dhe me funksione të larta, ai përfshihet në lëvizjen Kombëtare të Rilindjes, njihet dhe bashkëpunon me shumë patriotë të njohur shqiptarë dhe sidomos me Ismail Qemalin, i cili kishte simpati dhe respekt të veçantë për të. Xhelali, me motivin e atdhetarisë që ndiqte kudo, filloi të merret dhe me përhapjen e gjuhës shqipe. Ai frymëzoi vëllezërit e tij, Dulen dhe Hasanin, për hapjen e shkollave shqipe. Si rezultat, shumë shpejt, u hapën të tilla në Koprenckë, Gostenckë dhe Çorovodë. Dulja, me 2 shtator 1909, shkoi delegat i Sanxhakut të Beratit, në Kongresin e Arsimit që u mbajt në Elbasan. Në 1912, Ismail Qemali, mbasi studioi situatën politike në Ballkan, vendosi të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë duke organizuar Kuvendin Kombëtar. Ky hap, kishte synimin që krerët nacionalistë të vepronin menjëherë dhe energjikisht, mbasi çdo vonesë, mund të ishte fatale për çështjen kombëtare. Ismaili, mbas bisedimeve me ministrin e jashtëm austriak, kontin Berchtold, u nis nga Vjena për në Shqipëri. Përpara se të nisej, u dërgoi telegrame patriotëve kryesore, si dhe gjithë atyre që kishin peshë dhe ndikim në krahinat e tyre, që të vinin si përfaqësues të zonave përkatëse, në Kuvendin Kombëtar që do të organizohej së shpejti. Një telegram të tillë, Ismaili, ia dërgoi edhe Xhelal Koprenckës. Xhelali shkoj në Vlorë, si delegat i Skraparit. Në proces verbalin e Kuvendit të Vlorës shkruhet: “Nga Berati merr pjesë Xhelal Koprencka, numri rendor 13”. Për formimin e qeverisë dhe për mbarëvajtjen e Kuvendit, Ismail Qemali, krijoi një Pleqësi prej 18 anëtarësh. Ai, në përzgjedhjen e këtij forumi, u drejtua tek pjesa më e mirë e delegatëve. Këta duhej të ishin më patriotët, më intelektualët si dhe më të vendosurit ndër pjesëmarrësit e Kuvendit. Pleqësinë e përbenin: Iljaz Vrioni, Sami Vrioni, Dud Karabunara, Xhelal Koprencka, Mustafa Kruja, Murat Toptani, Eqrem Vlora, Vehbi Dibra, Kristo Meksi, Dhimitër Berati, Dhimitër Zografi, Bedri Pejani, Sali Gjuka, Veli Këlcyra, Hajredin Fratari, Shefqet Daiu, Dervish Biçaku dhe Ajdin Draga. Këta ishin përfaqësuesit më të denjë të Kuvendit të Vlorës që nënshkruan Dokumentin e Pavarësisë. Në Vlorë, Xhelal Koprencka shkoi i shoqëruar nga disa kapedanë çetash patriotike të Skraparit. Në librin “Isa Buletini”, Skënder Luarasi tregon për një vullnetar nga Skrapari, të quajtur Kamber Gremshi, i cili shkoi më 4-XII-1912 në Vlorë, për t’u regjistruar në ushtrinë shqiptare. Ai u paraqit tek oficeri i rekrutimit dhe mbasi deklaroi se zotëronte kalin me shalë si dhe një mauzer bashkë me gjerdanin e fishekëve, shprehu dëshirën, se donte të regjistrohej si ushtar. Oficeri i rekrutimit, si i hodhi një vështrim Kamberit, i thotë që, dakord për pajisjet që kishte, por përpara duhej të matej për lartësinë e shtatit. Matja tregoi që ai nuk arrinte gjatësinë 1.70 m, prandaj dhe nuk mund të rekrutohej. I nervozuar për refuzimin që i bënë, Kamberi niset për tek zyra e Ismail Qemalit në Skelë, në të cilën ndodhej dhe Isa Boletini. Me të hyrë, i drejtohet Plakut të Vlorës: “O Ismail bej, zotrote Shqipërinë po e bën vetëm për të gjatët apo për të gjithë?”. Ismaili, mbasi e dëgjoi ankimin e Kamberit, kthehet nga Isa për t’i marrë një mendim.“Kamberi duhet të regjistrohet – shprehet Isa me urtësi – sepse Shqipëria s’është vetëm për të gjatët, por dhe për të shkurtrit.”. Në përkrahje të qeverisë së Ismail Qemalit, Xhelalin e gjejmë në dokumentet e kohës në Vlorë, nga 28 Nëntori deri më 27 dhjetor 1912. Ai ngarkohet me organizimin e ushtrisë, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Mehmet Pashë Dërrallën, si dhe organizimin e xhandarmërisë në Lushnjë. Si zv.ministër i Mbrojtjes, ai ishte përgjegjës për kufirin Jug-Lindor të Shqipërisë.

Mbas shpalljes së  Pavarësisë, Xhelali, meqenëse gëzonte respekt të veçantë dhe shihej me besim nga Ismail Qemali, caktohet në 1913- 1914, për ndalimin e andartëve grekë në territorin e Korçës, Kolonjës dhe Skraparit. Në një informacion për zonën e Skraparit, ai lajmëron me anë të një miku, Ismail Qemalin, për rreth 1500 vullnetarë, të cilët udhëhiqen nga patriotë të shquar vendas, si Lace Backa e të tjerë, që janë duke zënë grykat dhe qafat e Skraparit.  Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Xhelali organizon luftën kundër bandave tradhtare të Esat Pashë Toptanit, të cilat kishin ardhur deri në Berat. Luftimet filluan më 27 dhjetor 1915 dhe forcat esadiste u detyruan të tërhiqen përtej lumit Devoll. Në këto luftime, ranë dëshmorë Sakul Radëshi, Adil Satka dhe Asllan Vëseshta. Më 25 dhjetor, Xhelali merr pjesë në Kongresin e Durrësit dhe mbështet fuqimisht Kryeministrin e zgjedhur Turhan Pasha, i cili kundërshtohej nga Esat Pasha. Nga gjysma e vitit 1919, Korçës iu hoq statusi i Republikës Autonome, që i ishte dhënë nga gjenerali francez, komandant i trupave në këtë qark. Kjo solli një rrezik tjetër akoma më të madh, atë të pushtimit grek të qytetit. Ky kërcënim, krijoi një shqetësim të madh tek të gjithë shqiptarët, të cilët bënë thirrje për mbrojtjen e Korçës me çdo sakrificë.  Xhelal Koprëncka, ishte i pari që me rreth 1000 vullnetarë nga Skrapari, u nis për aty. Gjatë marshimit, në lindje të Qafës së Martës, në Dëllinjë, më21 Tetor 1919, Xhelali vritet në pritë, siç thuhet, për hakmarrje. Kjo vrasje, ishte nga më të shëmtuarat dhe u krye në kohën më të papërshtatshme, sepse ai ishte nisur për një mision patriotik dhe jo çështje personale.  Nisur nga fakti që Xhelali, ishte në zbatim të një operacioni me rëndësi kombëtare, mbrojtjen e Korçës, kjo vrasje e dyshimtë, nuk e ul aspak meritën dhe vlerat patriotike të figurës së tij. E tërë jeta dhe vepra e këtij atdhetari, është e motivuar me çështjen kombëtare dhe prandaj, është më se e merituar, që ai të shpallet dëshmor dhe eshtrat e tij të prehen në varrezat e dëshmorëve në Çorovodë. Xhelal Koprëncka, si një nga 18 anëtarët e Kuvendit në Pleqësinë e Vlorës, si firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë dhe si luftëtar i shquar për mbrojtjen e atdheut, e ka ngritur vetë piedestalin e monumentit, ndërsa neve, skraparllinjve, na takon t’i ngremë monumentin. Them monumentin, jo bustin, sepse këtë meriton, si një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Tragjedia e fisit të Xhelal Koprënckës, vazhdoi edhe në kohën e diktaturës komuniste. I nipi i Xhelalit, Xhelal Koprëncka i dytë, do pësonte një kalvar të gjatë persekutimesh. Me akuzat tipike të atij regjimi, ai do të internohej dhe burgosej në mënyrë të përsëritur për motive qesharake. Sipari i  këtyre vuajtjeve, do të binte në Spaç, në vitin 1979. Si njeri kurajoz dhe me kulturë, Xhelali i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, ku e akuzonte për terrorin çnjerëzor të sistemit që kishte vendosur. Ky ishte dhe shkaku për një arrestim tjetër, por këtë radhë shembullor, përpara gjithë kampit të të dënuarve të Spaçit. Aty, i‘u komunikua me pompozitet, arrestimi i tij në “emër të popullit”.  Xhelali, i cili ishte brisk nga goja, ia ktheu: “Në emër të armiqve të popullit, jo të popullit”.                                                                                                                                     Ndoshta këto fjalë profetike, u bënë shkaku që ai të dënohej me pushkatim. Vendim që u ekzekutua më 29 Maj, 1979. Ky ishte një epilog tragjik i derës së  Koprënckës, por i lavdishëm, parë në aspektin historik. Xhelali i parë, dha kontribut të shquar në themelimin e shtetit shqiptar, ndërsa i nipi tij, Xhelali i dytë, ishte kundërshtar i  diktaturës, luftoi për demokracinë e Shqipërisë. Të dy, ranë nga plumbat.

SOM 1

“Megjithëse oficer madhor dhe me funksione të larta, ai përfshihet në lëvizjen Kombëtare të Rilindjes, njihet dhe bashkëpunon me shumë patriotë të njohur shqiptarë dhe sidomos me Ismail Qemalin, i cili kishte simpati dhe respekt të veçantë për të. Xhelali, me motivin e atdhetarisë që ndiqte kudo, filloi të merret dhe me përhapjen e gjuhës shqipe. Si rezultat, shumë shpejt, u hapën të tilla në Koprenckë, Gostenckë dhe Çorovodë”