Skandalet rrezikojnë qeverinë por opozita nuk e meriton pushtetin

844
Bardhyl BERBERI 
Nuk kuptoj as politikën e Qeverisë, por as të opozitës. Sa herë mendoj se duhet rrëzuar Qeveria, pastaj pyes veten, kush duhet të qeverisë?! Shumë skandale të qeverisë, varfëri e tejskajshme e popullit që ka ngelur në udhëkryq i shushatur, trumbetohet Vetingu, por ai po kalon nëpër oshilacione të çuditshme dhe vërejmë që po shtyhet deri në Janar të vitit të ardhshëm dhe duket që do t’i lejojë zullumqarët që të hanë edhe gjelin e detit … Eh, sikur të kishim shtet ligjor, një pjesë e madhe e elitës politike do të gjendej në burg për; abuzim detyre, pasurim jashtëligjor, korrupsion, tradhti e ndoshta edhe për kriminalitet. Ajo që mund të konstatohet në këtë gjendje kaotike – Qeveria meriton rrëzimin, por opozita nuk meriton pushtetin. Gati askush në Shqipëri nuk beson në atë slogan, që nesër do të bëhet më mirë. Kjo reflektohet edhe në Kosovë apo tek shqiptarët në Maqedoni. Disa nga partitë tona janë parti hibride, zvarritëse, pa shtyllë kurrizore, që sillen e mbështillen rreth atyre që u japin para dhe urdhra dhe që iu sigurojnë një karrige. Partitë aktuale nuk kanë programe partiake për të realizuar, por urdhra. Ata nënshtrimin e tyre e përkthejnë si konsultime me miq. Evropa nuk do të lejonte që Shqipëria të humbë edhe një herë tjetër trenin, të mos realizojë reformën në drejtësi. Kanë ndryshuar raportet në botë. Ka ndryshuar edhe opinioni. Ka ndryshuar qëndrimi ndaj nesh. Në botë tani ne perceptohemi si popull mosmirënjohës, me politikanë të paaftë që mendojnë vetëm për interesat e tyre të ngushta. Këtë po e tregon realiteti ynë që kemi çdo ditë. Politikanët tanë merren dhe amplifikojnë ndonjë deklaratë kortezhe, si ajo e Kerrit apo Han “që jeni në rrugën e duhur”. Po në cilën rrugë jemi realisht?! Personalisht mendoj, se nga ky ngërç mund të na nxirrte vetëm SHBA-ja, vetëm ajo ua di ku i ka plagët secili politikan tek ne, sidomos ata që i vënë shkopinj rrotave. SHBA ka filluar t’iu verë kufirin atyre të korruptuarve t’iu mbylli derën që ata të mos futen në SHBA, madje këtë ia kërkon edhe Evropës. Evropa është e bindur se faktori shqiptar sjell stabilitetin në Ballkan dhe me atë mund të realizojë qëllimet e veta për paqe në Ballkan, por me një faktor shqiptar këtu tek ne e në Kosovë dhe me shqiptarët në Maqedoni me këto oshilacione do të jetë një stabilitet i brishtë dhe i përkohshëm. Duke gjykuar gjakftohtë, mund të shpresojmë se Perëndimi dhe SHBA nuk do të lejojnë lojëra kalamajsh të parlamentarëve tanë të papërgjegjshëm si fëmijë grindavecë të luajnë me fatet e një populli të rraskapitur dhe të vuajtur, pikërisht nga kjo klasë politike. Edhe largimi i të inkriminuarve me reformën në drejtësi ka ngelur si një plagë e hapur që kërkon ndërhyrje kirurgjikale për ta hequr infeksion që ka brenda një orë e më parë. Besoj se, pasi të hanë bakllavanë dhe gjelin e Vitit të Ri do të largohen këta politikanë të inkriminuar në lloj-lloj aferash, të konsumuar deri në palcë dhe nuk do t’i nevojiten më askujt,por do të ngelen si ato xhaketat e vjetra tek gabi. Madje një pjesë e mirë prej tyre do t’ia vënë shpatullat qelisë së ftohtë të burgut. Aty në vetminë e tyre, në qeli do të sjellin në retrospektivë ato çka i kanë grabitur popullit të tyre fukara. Një fjalë e urtë thotë: “Gjithçka pa djersë ashtu siç vjen, ikën” Është fakt se kjo vjeshtë e këtij viti e ka bërë të humbur misionin e qeverisë së Rilindjes për ato çfarë ka premtuar. Kjo vjeshtë po i shpëlan e u ka nxjerrë bojën të gjitha atyre premtimeve dhe propagandës që gjoja, ne po bëjmë shtet, sepse të gjitha statistikat vërtetojnë të kundërtën. “E çfarë shteti po bëjnë këta, tha një i moshuar, ma kanë zënë tokën dhe kanë caktuar një shpërblim simbolik që nga një vendim i vitit 2011 dhe pesë vjet nga qeveria Rama na kanë dhënë vetëm një këst të vogël. ka ngelur tek 70 përqindëshi i shlyer. Presin që të vdesim ne…!” E ndërkaq realiteti shqiptar lëngon nga dosja “Tahiri” me plot detaje e deri tek çanta me 860 mijë euro, madje ende shifrat e trafikut të drogës janë tronditëse…
Sigal