Simbolet e Luftës kanë në themel gjakun e dëshmorëve

132

Simbolet e LANÇ kanë në themel gjakun dhe idealin e të rënëve dhe s’ka forcë që i zhbën dot ato

Në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Organizata e Veteranëve të LANÇ, ajo e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të LANÇ, janë duke zhvilluar veprimtari intensive e komplekse, sikurse janë: Festimi i datave dhe ngjarjeve historike të LANÇ që lidhen me krijimin e formacioneve të ndryshme partizane, me çlirimin e qyteteve, betejave të rëndësishme luftarake, ato të rënies së heronjve dhe dëshmorëve, masakrave të kryera nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë.

Për t’iu kundërvënë këtij jubileu të lavdishëm dhe kësaj atmosfere të gëzueshme e festive, janë hedhur në sulm neoballistët dhe neofashistët, si dhe disa pseudo-historianë e analistë në shërbim të tyre, të cilët me propagandën e tyre përpiqen të falsifikojnë e denigrojnë LANÇ, gjakun e heronjve dhe të dëshmorëve, me synim që të rehabilitojnë gjyshërit dhe baballarët e tyre, të cilët dje u bashkuan me pushtuesit kundër popullit dhe Ushtrisë ANÇ, duke tradhtuar vendin e tyre. Në këtë kuadër është edhe deklarata  që bëri kohët e fundit kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili ndër të tjera deklaroi se: “Me të ardhur në pushtet do të heqë simbolet e komunizmit dhe do të nxjerrë jashtë ligjit Enver Hoxhën…”. Një deklaratë e tillë është sa fashiste dhe paradoksale. Cilët janë simbolet komuniste? Ylli i kuq partizan, ai yll që përfaqëson idealet e çlirimit, jo vetëm të vendit tonë por dhe më gjerë? Ai yll për të cilin kanë dhënë jetën heronj dhe dëshmorë dhe që, sot këta yje qëndrojnë në lapidarët dhe memorialët, në nderim të asaj epopeje të lavdishme.  Këto simbole do të heqë Lulëzim Basha?!

Të djathtët, sa erdhën në pushtet me Sali Berishën në krye, hoqën yllin nga flamuri, madje dhe nga partizani në fasadën në Muzeun Historik Kombëtar. Një kërkesë e tillë bëhet në një kohë kur në botë, madje edhe në SHBA, ylli qëndron në flamurin e tyre kombëtar, ku çdo shtet përfaqësohet nga një yll.

Për sa i përket Enver Hoxhës, figura dhe kontributi i tij janë gdhendur në historinë e Shqipërisë me germa të arta, si komandant e komisar që udhëhoqi LANÇ e popullit shqiptar nga fillimi e deri në çlirim, duke e radhitur vendin tonë në krahun e fitimtarëve, në Koalicionin e Madh Antifashist Botëror Anglo-Sovjet-Amerikan, që e  shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim i sigurt. Ndërsa mbas çlirimit të Shqipërisë, me reformat që u ndërmorën, nën udhëheqjen e  tij, Shqipëria u transformua nga një vend i prapambetur, në një vend të zhvilluar, me fabrika, kombinate, hidrocentrale , spitale, hekurudhë, universitete etj, ku ishin të gjithë të punësuar, me arsim e shëndetësi falas, me një mbrojtje dhe rend të sigurt. Por natyrisht pati dhe gabime e të meta, sepse u shkua në rrugë të reja të pashkelura më parë. Kështu, Enver Hoxha  qëndron si mali i Tomorrit, që s’ka ç’i bëjnë rrufetë, ato vetëm thyejnë kokën në të.

Lulëzim Basha e bëri këtë deklaratë tullumbace, për të tërhequr vëmendjen nga gjendja e rëndë ku e ka futur PD dhe opozitën në tërësi. Me këtë gjendje ku është katandisur, ai s’ka për të ardhur kurrë në pushtet, edhe për faktin, se populli shqiptar ja di krimet e rënda që ka kryer ai kur ishte në pushtet. A nuk ishte Lulzim Basha që duke qenë, ministër i Transportit vodhi mbi 252 milionë euro në rrugën e Kombit, apo kur ishte ministër i Jashtëm i dhuroi apo i shiti Greqisë një territor të tërë ujor të vendit tonë. Ndërsa kur kryente detyrën e Ministri të Brendshëm, vrau 4 qytetarë të pafajshëm kur ata protestonin paqësisht. Për të gjitha këto krime, Lulëzim Basha e ka vendin parapa hekurave, gjë që besojmë nuk do të jetë vonë.

Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, duke qenë tepër e ndjeshme ndaj këtyre simboleve, të cilat cenojnë rëndë idealet e vlerat e epopesë së lavdishme të LANÇ , gjakun e të rënëve si dhe çështjeve të tjera me karakter kombëtar, ka reaguar ashpër në çdo rast, duke i demaskuar ato në shtyp,në tubime të organizuara apo në intervista të transmetuara në shtypin e pavarur dhe në stacionet e ndryshme televizive, jo vetëm nga drejtuesit përkatës të këtij komiteti e kryesisë, por dhe nga komitetet e veteranëve në bazë, të cilët kanë mbështetur fuqimisht këto reagime të Kryesisë së Komiteti Kombëtar.

Një vendosmëri e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, veçanërisht gjatë veprimtarisë që do organizohen në kuadrin e këtij Jubileu dhe që do të finalizohen me solemnitet e festime dhe sesionin jubilar që do të organizohet për këtë qëllim.