Si u zbuluan dhe përjashtuan nga shkolla “Skënderbej” familjarë e fëmijë të oficerëve të Zogut dhe “Armiqve të Popullit”

1216
Vizita e Enver Hoxhës në shkollën e kadetëve, ceremonia që u zhvillua për emrin “Skënderbej”, karriera e 40 skënderbegasve që morën në një vit dy klasa

(Nga historiku zyrtar i shkollës, vitet 1945-1947)

(Vijon nga numri i kaluar)
Një ngjarje me rëndësi të madhe për shkollën ishte krijimi i celulës së Partisë, më shtator 1945. Celula e Partisë ishte një faktor me rëndësi dhe garanci për mbarëvajtjen e procesit edukativ e mësimor në shkollë. Në celulë bënin pjesë ish-partizanë, mësues dhe oficerë. Rreth 6 muaj pas fillimit të mësimit, u kalua në krijimin e dy batalioneve. Në secilin batalion u inkuadruan nga tre kompani. Komandant në batalionin e parë ishte Bajram Tresova dhe komisar Xhuvi Rembeci.Në batalionin e dytë, komandant u caktua Miço Kola. Erdhën edhe oficerë të rinj që kishin mbaruar studimet jashtë shtetit. Ata u vendosën në rolin e komandantit të togës. Të parët ishin Dashamir Ohri, Stilian Ballabani, Nasho Beqiri etj. Përveç oficerëve, në poste drejtuese të nënreparteve të shkollës kishte edhe pionierë. Ata zgjidheshin nga kolektivi dhe aprovoheshin nga komanda e batalionit. Në batalionin e parë, komandant ishte pionieri Ylber Servani, komisar ishte Xhevrije Golemi, kurse në batalionin e dytë, komandant ishte Myfit Gaxholli dhe komisar Gajar Shyti. Gjithashtu ishin krijuar këshilla të pionierëve në shkollë, batalione dhe kompani. Këto këshilla merreshin me veprimtari kulturore e sportive, në përgatitjen mësimore, në problemet e disiplinës e të rregullit dhe me Gazetën e Murit. Në Gazetën e Murit, e cila ishte për çdo klasë, kompani dhe batalion, shkruanin një masë e madhe pionierëve, oficerëve dhe mësuesish. Në to gjeje të shprehur eksperiencën e pionierëve të përparuar dhe kritikë ndaj atyre të prapambeturve. Në kolektivin e oficerëve kishte edhe nga ata që kishin qenë edhe ushtarë të Zogut. Këta ishin të pakët dhe vetëm në fillim për nevojat e shkollës. Elementë të tillë të edukuar me frymën e ideologjisë klasore borgjeze, filluan të bënin punë armiqësore në shkollë. Ata silleshin në mënyrë arrogante, përbuznin pionierët që ishin bijtë më të mirë të popullit, i ofendonin ata dhe bënin të gjitha përpjekjet që t’i mërzisnin e të largoheshin nga shkolla. Por, veprimtaria e tyre sabotuese nuk u shpëtoi dot vigjilencë së komunistëve dhe pionierëve. Që në fillim ata filluan t’i urrenin dhe të mos i respektonin. Shpesh pionierët vinin në dijeni komandën eprore për sjelljet dhe veprimtarinë e elementëve të tillë dhe shumë shpejt këta elementë tradhtarë u zbuluan dhe morën dënimin e merituar. I tillë ka qenë ish-togeri Tasim Spahiu. Kishte edhe arsimtarë që sabotonin në drejtim të arsimit. Në orën e mësimit kryhej propagandë armiqësore dhe me javë të tëra nuk kryhej asnjë orë mësimi. Gjatë vitit 1945-1946 u përmirësuan në mënyrë të dukshme kushtet e ushqimit dhe të veshmbathjes. Këto përmirësime u bënë nën kujdesin e Partisë. Në pranverë të 1946-s, shkolla e pionierëve u vizitua nga shoku Enver Hoxha. Kjo vizitë qe një gëzim i madh për të gjithë efektivin e shkollës, duke i frymëzuar ata për rezultate të larta në frontin e mësimit, në frontin e edukimit politik e ushtarak. Shoku Enver u foli pionierëve për detyra, për të ardhmen e tyre, për rolin e madh të kuadrove në frontin e Ushtrisë Popullore. Fjalët e shokut Enver menjëherë u ngritën në citate dhe shkruheshin në parulla që mbushnin muret e shkollës, stendat e klasave të kompanive, batalioneve dhe u bënë për të gjithë efektivin e shkollës, orientim për veprimtarinë e tyre në të gjitha drejtimet. Puna këmbëngulëse e komunistëve, e kuadrove, oficerëve e mësuesve, vullneti i madh i pionierëve etj, për të mësuar, bënë që rezultatet e viti 1945-46 të ishin të larta. Kalueshmëria ishte e madhe dhe cilësia e notave qe shumë e mirë. Një pjesë e madhe e pionierëve brenda këtij viti arriti të merrnin 2 klasa. Në këtë mënyrë po eliminoheshin shpërpjestime që ekzistonin midis moshës së madhe dhe klasave të ulëta. Për punë intensive dhe për sukseset e arritura më 23 prill 1946, shkolla u dekorua me “Urdhrin e Punës” të klasit të tretë… Në verë të vitit 1946, shkolla vendoset në fushim në Linxë-Shish-Tufinë (Reparti i Trishit). Fjetja bëhej me çadra të organizuara sipas togave e kompanive. Rregulli dhe disiplina në fushim ishin të forta. Në fushim morën dhe mësuesit civilë. Vendin më të rëndësishëm në program e zinte përgatitja ushtarake. Zhvilloheshin dhe lëndë të tjera, si matematika, gjeografia, historia, fizika, biologjia, kimia etj. Mësimi zhvillohej në klasa fushore dhe konkretizohej me mjetet rrethanore. Në fushim në kohën e lirë organizoheshin në shkallë të gjerë aktivitete sportive dhe kulturore. 
PERIUDHA E DYTË, STABILIZIMI i SHKOLLËS (1946-1948)
Viti shkollor 1946-1947 filloi në kushtet më të mira. Nëpër klasat ishte vendosur një pjesë e mirë e pajisjeve për mësim, por megjithatë nuk mund të bëhej fjalë për laboratorë dhe kabinete. Mësimi filloi në shtator të 1946, sipas një programi të aprovuar nga Ministria e Arsimit, për përgatitjen mësimore dhe nga Shtabi i Përgjithshëm ushtarak. Deri në shtator të 1946, komisar shkolle ishte Skënder Kulbara dhe më vonë vjen Bedri Gjergji. Shkolla kishte komandën ku hynin komandanti, komisari, shef i përgatitjes mësimore, seksioni politik, komanda dhe dega e prapavijës. Kishte dhe zëvendësdrejtorë për çështjen mësimore (civilë). Trupi pedagogjik kishte rreth 20 arsimtarë. Arsimi i tyre ishte i ndryshëm dhe shumë pak prej tyre kishin arsimin përkatës. Disa prej tyre ishin arsimtarët më të mirë dhe më të përgatitur të asaj kohe. Shkolla kishte rreth 9 klasa (nga fillorja e deri tek e dyta gjimnaz). Në klasat 1, 2, 3 të fillores bëhej një program i veçantë, me përvetësimin e së cilit, për një kohë të shkurtër nxënësit fitonin të drejtën të vazhdonin klasën e 4-të fillore. Gjatë kësaj kohe u rrit dhe u formua organizata e Partisë në shkollë. Rrjedhimisht u formua dhe organizata e rinisë. Në shtator 1946 numëroheshin rreth 41 anëtarë në PPSH, pionierë dhe oficerë, 19 kandidatë për anëtarë në PPSH dhe 338 anëtarë të Bashkimit të Rinisë Komuniste Shqiptare. Organizata e Partisë në shkollë ishte udhëheqëse e gjithë procesit të edukimit të pionierëve. Nën drejtimin e komunistëve zhvillohej një punë e madhe bindëse dhe sqaruese, drejtonin lëvizjen kulturore, luftonin çdo tendencë dhe shfaqje të huaj e thellohej më tepër lufta e klasave. Në nëntor të vitit 1946 u bë riorganizimi i shkollës në 4 kompani sipas klasave. Ne muajin nëntor 1946, filloi përgatitja për paradën e 29 Nëntorit. Mundi dhe djersa e pionierëve gjatë stërvitjes u kurorëzuan me sukses në parakalimin e 29 Nëntorit. Parakalimi i këtyre luftëtarëve të vegjël, preku thellë ata që po i shihnin. Populli entusiazmohej kur shikonte ata fëmijë të vegjël që deri dje ishin pa asnjë vlerë e pa asnjë kujdes kurse pas çlirimit, nën kujdesin atëror të Partisë e të shokut Enver, ata përgatiteshin për të marrë në duart e tyre stafetën e revolucionit. Në këtë nëntor, shkolla e pionierëve ushtarakë, meritoi flamurin për bukurinë, gjallërinë dhe etikën e parakalimit. Në dhjetor të vitit 1946, u krijuan 5 grupe (celula) Partie, nëpër kompani dhe byroja e Partisë në shkollë. Kjo rritje e organizatave të partisë në shkollë ndikoi në forcimin e gjithanshëm të shkollës. Në shkurt të vitit 1947 shkolla e pionierëve, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, mori emrin Shkolla Ushtarake “Skënderbej”. Me këtë rast skënderbegasit premtuan se gjatë gjithë kohës me veprimtarinë e tyre, me punën, rregullin e disiplinën, do të mbanin gjithmonë lart emrin e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, se skënderbegasit do të jenë gjithmonë besnikë ndaj Atdheut, Partisë e popullit. Në shkurt 1947 u formua Komiteti i Partisë në shkollë, 2 byro sipas batalioneve dhe 4 celula. U rrit numri i anëtarëve të partisë në 67 anëtarë PPSH dhe të 48 kandidatë për anëtarë të PPSH. Ky shtim i komunistëve dhe ndryshimi organizativ i Partisë në shkollë do të çonte me përpara punën e tyre dhe arriheshin më shumë suksese në procesin e edukimit politik-arsimor-ushtarak. Lëvizja kulturore dhe sportive u zgjerua, u rrit më shumë cilësia sportive. Efektivi i shkollës”Skënderbej” në stafetën e janarit mori pjesë mbi 95% të tij dhe në të 5 etapat e saj, sportistët skënderbegas zunë vendin e parë, duke i dhuruar shkollës 5 flamurë. Në ekskursionin-marshim në malin e Dajtit, me pjesëmarrës nga repartet e garnizonit të Tiranës, të parët që mbërrinin në finish, ishin skënderbegasit. Në këtë aktivitet ushtarako-sportiv u dallua shumë skënderbegasit si Vangjo Popi, Hektor Lako, Todi Plasi, Agron Starova, Petrit Murzaku etj. Gjithashtu ekipi “Shpresa” i skënderbegasve zuri vendin e parë në krosin sportiv të 25 km. Këto rezultate të larta tregonin se sporti tek ushtarët e vegjël kishte hyrë thellë e kishte bërë ndryshime të dukshme cilësore dhe arsimore. Në krosin masiv të Tiranës mbi 98% e skënderbegasve mori pjesë në disa bateri, të parët udhëhiqnin skënderbegasit. Emri i ekipeve sportive të shkollës Ushtarake “Skënderbej”, ”Shpresa”, filloi të dalë jashtë kuadrit të qytetit të Tiranës. Aktivitetet kulturore-sportive u bënë si një ushqim i përditshëm, pa të cilën nuk mund të rrinin. Ata karakterizoheshin nga masiviteti i gjerë i pjesëmarrjeve dhe nga rezultate të mira. Grupet kulturore, të organizuar në kompani dhe batalione, i vazhduan konkurset midis tyre me një repertorë të pasur e të larmishëm. Grupi artistik i shkollës ka luajtur një rol të madh në argëtimin e skënderbegasve dhe në edukimin klasor-revolucionar. Vihen në skenë pjesë të ndryshme si “Lulja e Kujtimit”, “Biri i Regjimentit” etj dhe shpesh herë ata janë duartrokitur nga publiku i qytetit të Tiranës dhe repartet e garnizonit. Më mars të 1947, kolektivi i shkollës festoi përvjetorin e dytë të krijimit të saj me detyra të realizuara. Në këto ditë të përvjetorit shkolla u zbukurua si në ditë feste. Skënderbegasit ish-partizanë zbukuruan gjokset e tyre me medaljet e “Trimërisë”, “Kujtimit”, ”Çlirimit” dhe me krenari tregonin se ata kishin qenë pjesëmarrës të një epoke të lavdishme të popullit tonë. Ashtu si në Luftë, ata përdornin pushkën me zgjuarsi e shkathtësi, po me atë vrull e pasion, po me atë durim e këmbëngulje, u hodhën në frontin e mësimit e edukimit. Ashtu si në Luftë kalonin nga fitorja në fitore, edhe në shkollë nga suksesi në sukses. 

-Në mbarim të vitit mësimor 1946-1947, skënderbegasit ndërmorën një sërë iniciativash revolucionare, si të vazhdonin të merrnin dy klasa në një vit, të siguronin kalueshmëri të lartë, të siguronin nota të cilësisë së mirë etj. Në kuadrin e këtyre iniciativave, shpërtheu një hov i madh revolucionar që përfshihu gjithë efektivin e shkollës. Asnjë minutë kohe skënderbegasit nuk lejonin t’iu kalonte kot. ”Ne –thoshin ata- po na zien gjaku shokë, nuk mund të qëndrojmë duarlidhur. Puna për ne është çlodhje. Kur qëndrojmë në një vend, sikur do të mpihemi.” Dhe rezultatet e kësaj pune, i tregoi përfundimi i provimeve vjetore. Të gjithë skënderbegasit e klasës së tretë 7-vjeçare, morën dëftesën e lirimit. Ata të gjimnazit siguruan kalueshmërinë 100%, me notë mesatare mbi 4. Mbi 40 skënderbegas morën nga 2 klasa. Nxënësit me notën “5” ishin të shumtë si Halil Cucaj, Servet Balla, Rauf Meleqi, Xhelal Durmishi, Nebi Mersini, Pelivan Hoxha, Sefedin Gjeni, Bardhyl Topi, Mihal Thanasi etj. 

Gushti i 1947, skënderbegait i gjen në fushimin veror në Bize. Ky fushim ishte një prova e madhe për vullnetin dhe përgatitjen e skënderbegasve të vegjël. Nisja nga Tirana u bë në këmbë. Komiteti i Partisë i Shkollës dhe organizatat e Partisë në batalione e kompani, morën masat e nevojshme organizative, nën udhëheqjen politike të efektivit dhe komunistët me shembullin e tyre personal, udhëhiqnin gjithë efektivin drejt realizimit me sukses të detyrës. Të nxehtit e gushtit, terreni tepër i thyer, por asnjëri prej tyre nuk u tërhoq nga këto vështirësi. Në çdo hap ata kishin ndihmën e vëllezërve të tyre më të mëdhenj që kishin mbajtur në shpinë ndoshta dhe ndonjë shokun e tyre të plagosur gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Kështu, pikërisht kjo ndihmë e ngrohtë e sinqertë e vëllazërore, ishte ajo dashuri e madhe për njëri tjetrin midis skëndërbegasve, që qëndronte në bazë të shoqërisë së tyre dhe i bënte ata të ishin si bijtë e një nëne. Të gjitha këto buronin nga i njëjti qëllim i jetës së tyre, e nga i njëjti ideal që të gjithë të bëheshin oficerë të zotë e të përgatitur mirë. 

Marshimi u krye me sukses. Këmbëngulja, vullneti i fortë, disiplina e çeliktë, shpirti i sakrificës, e ndjenja kolektive spikatën më të gjithë forcën në këtë marshim dhe tregonin qartë se cilësitë e partizanëve tanë trima po kultivoheshin edhe në radhët e ushtarëve të vegjël. Vendi ku do të vendosej fushimi nuk kishte asgjë përveç maleve të larta, pyjeve të dendura me lisa shekullor. Skënderbegasit ia filluan punës. Ngritën çadrat, zbukuruan fushimin me rrugë të drejta e simetrike, përgatitën klasa, ndërtuan terrenin sportiv me fushë volejbolli e futbolli. Brenda pak ditëve u ngritën dhe grupet kulturore për argëtimin e vetë skënderbegasve në kohën e lirë. Rregulli i fortë, pastërtia në mjedisin e fushimit, këndet sportive, çadrat e sistemuara, aktivitetet e shumta sportive e kulturore klasat verore, stendat e fotografitë dhe gazetat e murit, të gjitha këto të jepnin përshtypjen e një qyteze, ku jeta kishte shpërthyer me gjithë forcën e saj, me gjithë bukurinë, optimizmin, gjallërimin dhe madhështinë e saj. Kjo jetë gjen konkretizimin e saj në gjendjen e gëzuar shpirtërore të skënderbegasve dhe trupat e tyre të shëndetshëm. Aktiviteti kryesorë në fushim ishte stërvitja ushtarake dhe puna politike, gjatë së cilës, skënderbegasit rritën njohuritë mbi një sërë disiplinash të Artit Ushtarak dhe ngritjen e tyre në drejtim të edukimit politik. Detyrat e fushimit u realizuan më së miri. Viti shkollor 1947-1948 filloi në kushte më të përmirësuara. Skënderbegasit tashmë, kishin tekstet e tyre të reja, me përmbajtje të re, klasat ishin pajisur me një bazë materiale të mirë për kohën. Kishte harta gjeografike e historike, kishte mjete konkretizimi për lëndën e fizikës, kimisë, biologjisë etj. Por laboratorët e kabinetet mungonin. Në këtë vit shkollor, klasat e ciklit të ulët ishin eliminuar dhe ekzistonin vetëm ato të 7-vjeçares dhe të gjimnazit. Numri i gjimnazistëve u rrit. Shume prej tyre morën 2 klasa brenda një viti. Të tillë ishin Pirro Tushi, Zenel Bejko, Kapllan Duka, Xhemal Hema, Viktor Kanani, Guri Shyti, Bardhyl Haxhihyseni, Kastriot Bitri etj. Krahas procesit mësimorë, në rritje ishte dhe lëvizja sportive. Në krosin ushtarak të vjeshtës, shkolla “Skënderbej” mori pjesë dhe atletët e saj zunë disa vende të para. Gjatë vitit 1947, katër skënderbegas u shpallën kampionë të Republikës në peshën e tyre. Skënderbegasit nuk ishin të shkëputur nga jeta e puna ndërtuese e vendit tonë. Ata jetonin me pulsin e Atdheut e të rinisë, e cila ishte hedhur në vrullin e aksioneve për të ndërtuar vepra madhështore. Kudo që punohej e stërvitej, kudo që kishte heroizëm, atje ishte zemra e mendja e skënderbegasve. Në konferencën e organizuar për ndërtuesit e hekurudhës së parë u punuan referate e u bënë diskutime, ku skënderbegasit me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e tyre karakteristik, bënin propozime të ndryshme për të marrë pjesë dhe ata në një mënyrë ose në një tjetër, në ndërtimin e hekurudhës. “. . . “të japim ushqimin e dy ditëve, . . . të japim nga ushqimi ynë i përditshëm . . ., ne kemi dy muaj leje në shtëpi, t’i kalojmë ato në ndërtimin e hekurudhës, ne duhet të ndërtojmë vendin, s’kemi kohë të çlodhemi” etj. . etj. Sukseset në ndërtimin e vendit tonë i frymëzuan skënderbegasit për rezultate në mësime e stërvitje ushtarake e edukimin politiko-ideologjik, i mbushin zemrat e tyre me optimizmin e gjallë, karakteristik për rininë tonë komuniste. “Nga rruga Kukës-Peshkopi, sot hekurudha Durrës-Elbasan”. Përpara rini për një jetë më të lumtur për Shqipërinë e re, e të lulëzuar!”.
Përgatiti: Ëngjëll Musai, Drejtor i “Telegraf”

Njoftim: Nisur nga telefonatat e shumta dhe pyetjet në rrjetet sociale, nga vendi e jashtë tij, lidhur me promovimin e librit “Skënderbegasit” ndër vite, njoftojmë skënderbegasit dhe të interesuarit e tjerë se një aktivitet që bëhet më 28 mars në Muzeun Historik Kombëtar, nuk ka asnjë lidhje me promovimin e librit që bëhet në kuadër të aktiviteteve zyrtare të “Vitit të Skëderveut-2018” dhe 28 marsit, 73 vjetorit të çeljes së shkollës “Skënderbej”. Koha dhe vendi i promovimit do të lajmërohet dhe mediatikisht.
NESËR DO TË LEXONI:
-Kundërshtimi i mësimeve sllavisht në shkollë, përplasja e dhunshme me oficerët jugosllavë që kishin ardhur në shkollën “Skënderbej”
-Acarimet me jugosllavët, zëvendësimi programit mësimor dhe ndërrimi i trupës komanduese të shkollës ushtarake “Skënderbej”
-Si u përjetua vdekja e Stalinit dhe misioni i skënderbegasve në ceremoninë e zhvilluar para monumentit të tij, me pjesëmarrjen e Enver Hoxhës e udhëheqësve të tjerë të vendit.
Sigal