Si u zbulua komploti kundër Ahmet Zogut dhe 11 arrestimet e bujshme të Vlorës

2511
-Vijon nga numri i kaluar…

Nga 
Ergys Alushi 


Komploti antiZog

Situata politike në Shqipëri ishte shumë e rënduar. Në këtë situatë, në vitin 1931, Mbretit Zog i bëjnë një atentat në Vjenë dhe ai shpëton për mrekulli. Në këtë atentat mbetet i vrarë adjutanti i tij, major Llesh Topalli. Por Zogu në këtë kohë vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe kishte një shëndet të ligësht.
Të gjitha këto ishin shkaqe që menduan t’i shfrytëzonin kundërshtarët e tij, me qëllim organizimin e një komploti kundër tij, që do të kurorëzohej me largimin nga froni. Komploti ishte një organizim i madh, i cili kishte për qëllim të finalizohej me një grusht shteti, deri edhe në përdorimin e armëve, nëse do të ishte e nevojshme. Por edhe pse ishte një organizim që kryhej në konspiracion të plotë, përsëri mbreti Zog kishte dijeni të plota se diçka po organizohej në Vlorë kundër tij. Ai, me njerëzit e vet të besuar e mbante në vëzhgim e në kontroll Vlorën, ndikuar dhe Kryengritja e qershot 1924 që filloi nga Vlora dhe u shoqërua me largimin e tij të përkohshëm nga pushteti, për një periudhë 6 mujore. 
Zbulimi i komplotit, fare rastësisht.
Komploti u zbulua nëpërmjet një agjenti potencial që kishte mbreti Zog në Vlorë. Një njeri, që shtirej sikur ishte i kërkuar për t’u dënuar me vdekje nga mbreti, por në të vërtetë i shërbente këtij të fundit. Ky ishte Idriz Jazo nga fshati Kuç i Vlorës. Fare rastësisht, Idriz Jazo, do të mësonte për komplotin, emrat, drejtuesit, qëllimet, lëvizjet e takimet. Fare rastësisht.
Një natë, Idriz Jazo, do të kthehej në çifligun e Myqerem Hamzaraj nga Kanina, në fshatin Lubonjë. Myqerem, ishte një nga aristokratët e Vlorës, i pasur e me shkollë, aq sa edhe disa shërbëtorë në çifligun e vet i kishte sjellë nga Italia. Duke shfrytëzuar njohjen që kishte me Idriz Jazon, Myqerem Hamzaraj, do t’i tregonte atij për komplotin, organizimin dhe emrat e pjesëmarrësve në këtë komplot.
Myqeremi ishte një nga drejtuesit e kësaj lëvizjeje, dhe kishte nevojë për mbështetjen e Idriz Jazos, si një njeri trim e me reputacion në njerëzit e fortë për kohën. Madje, Myqeremi i premtoi se kur të rrëzonin mbretin Zog, e të formonin qeverinë, ai do të caktohej komandant i xhandarmërisë në Vlorë. Gjatë darkës, mbasi hëngrën e pinë deri natën vonë, të dy burrat i thanë njëri tjetrit, natën e mirë,dhe ranë për të fjetur. Ndërsa kishte mësuar për komplotin Idriz Jazo kishte menduar që ta shfrytëzonte këtë si një mundësi për t’u falur nga Zogu.
Myqerem Hamzaraj i kishte treguar për më shumë se 50 emra që ishin pjesëmarrës në këtë komplot, dhe ai i kishte fiksuar pjesën më të madh të emrave. Me vete kishte vetëm një laps kopjativ, por nuk kishte letër për t’i shkruar emrat, me qëllim që të mos i harronte.
Në dhomën ku i kishin shtruar për të fjetur, dhomën e mikut, ishte e varur një pikturë e vullkanit Vezuv, në shpërthim. Një pikturë kjo, të cilën Myqerem Hamzaraj e kishte blerë në një ankand kur kishte qenë në Itali. U ngrit, e hoqi pikturën nga muri dhe në pjesën e mbasme të saj, shkroi të gjithë emrat e komplotistëve që i kishte treguar agai i Lubonjës.
Zogu kajmërohet për komplotin
Të nesërmen, sapo iku nga çifligu, shkoi drejt e në Vlorë.
U takua me shefin e policisë sekrete të qytetit, i cili ishte njëkohësisht edhe nënprefekt i Vlorës, Bilush Qimekuqi. Ky nuk ishte nga Vlora, ishte i ardhur në qytet dhe vlonjatët e njihnin me të tillë pseudonim. Në takim, Idriz Jazo, i kërkoi Bilushit dekretin e faljes nga mbreti Zog, në shkëmbim të informacionit që tregonte një komplot të madh shtetëror. I tregoi gjerë e gjatë bashkëbiseduesit për atë që i kishte treguar Myqerem Hamzaraj.
“Emrat e komplotistëve do të t’i jap kur të sjellësh dekretin e faljes”- ishte kushti që Idriz Jazo i vendosi Bilush Qimekuqit. Po atë ditë, pas takimit me Idriz Jazon, shefi i policisë sekrete të Vlorës, u nis me urgjencë për në Tiranë, dhe u takua me ministrin e Brendshëm të kohës, Musa Juka, ku i tregoi për komplotin dhe dekretin e faljes nga Zogu që kërkonte informatori, në shkëmbim të dhënies së emrave.
Në krye të tre ditëve, Zogu e firmosi dekretin dhe ai iu dha në dorë Idriz Jazos. Mbreti Zog kishte dy mënyra për të falur ata që quheshin “firarë”.
a)Për merita të veçanta në shërbim të mbretërisë.
b)Kur një “firar” sillte “kokën e një firari tjetër”.
Ky pasi mori dekretin, u tregoi njerëzve të mbretit të ardhur nga Tirana, për çifligun e Myqerem Hamzaraj dhe pikturën e varur në mur, ku kishte shkruar emrat e komplotistëve.
Forca të shumta xhandarmërie rrethuan çifligun, dhe pasi hynë në mjediset e brendshme të tij, gjetën në pikturë emrat e shënuar prej Idriz Jazos.
Arrestimet e Vlorës
Arrestime të shumta janë kryer ato ditë në Vlorë.
Ishin të bujshme sepse njerëzit që arrestoheshin ishin njerëz me reputacion në Vlorë, ishin njerëz të ngritur.
Kush mundi të shpëtonte, shpëtoi.
1.Nuredin Bej Vlora, ish kryetar i bashkisë Vlorë në vitin 1925. Djali i kryeministrit të Turqisë, Ferit Pashë Vlora, kushëri me mbretin Zog.
2.Qamil Bej Vlora, djali i vogël i Ismail Qemal Vlora
3.Myqerem Hamzaraj
4.Dr.Tare Libohova
5.Murat Tërbaçi
6.Hasan Dosti, ish ministër
7.Dhimitër Konomi
8.Av.Skënder Muço
9.Ish prefekti i Vlorës, Seit Qemali, etj.
10. Qazim Kokoshim 
11.Qazim Koculi, që ishte i arratisur jashtë shtetit.
Gjyqi i Tiranës për “komplotistët e Vlorës”
Në numrin e saj të datës 2 shtator 1932, dita e premte, gazeta “Besa” do të njoftonte në faqen e parë se “Gjyqi i madh i organizatës së mshehtë politike filloj sot” dhe me nëntitull “Ma se 500 vetë adsistojnë gjyqin”. Shkrimi fillon “sot paradreke ora 9 në sallonin e madh të kinematheatër Diana, pati vend gjyqi i madh i 39 t’arrestuemnvet si formues dhe pjestarë t’ organizatës së mshehtë politike…”
Ata që u arrestuan u dërguan të gjithë në Tiranë. Ndaj tyre do të zhvillohej një gjyq special.
Mbreti Zog ishte zemëruar keq me komplotin që do të organizonin kundër tij, por ai kishte dhe një arsye të fortë. Mbreti Zog nuk ka patur raporte të mira me Vlorën, me parinë e këtij qyteti. Në drejtimin e Shqipërisë ai ka ardhur vetëm dy herë në Vlorë.
Por ndërsa gjyqi po bëhej gati të jepte dënime të rënda kapitale, për disa nga komplotistët, vet njerëzit e këtyre të fundit u vendosën në lëvizje për t’i shpëtuar ndëshkimit të rëndë.
Një rol të madh ka luajtur kiliania e bukur, ish gruaja e Nuredin Bej Vlorës, e cila në botën perëndimore e më gjerë, njihej si “Mbretëresha e sheqerit”. Ajo sensibilizoi kancelaritë e botës, e kryesisht ato të Europës si dhe solli në gjyqin e “komplotistëve të Vlorës” një numër të madh gazetarësh e fotoreporterësh, me qëllim për t’i bërë presion mbretit Zog, për të mos dhënë dënime kapitale. Ndërkohë një delegacion i grave të Vlorës, me në krye nënën e Nuredin Bej Vlora, ndikoi në faljen e komplotistëve me dënime të lehta. Ato u takuan me nënën mbretëreshë, Sadije Hanëm. Duke i bërë asaj dhurata, i bën asaj “rixha” për t’i falur djemtë e Vlorës.Nëna mbretëreshë u befasua nga pamja e tyre e jashtme, gjuhët e huaja që ato flisnin, nga sjellja e tyre, nga veshja e tyre.
Falja e komplotistëve
Në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, mbreti Zog nxorri dekretin e faljes për të gjithë komplotistët, me përjashtim të dr.Tare Libohovës. Ndërsa gjithë të tjerëve, iu dha të drejtën të ushtronin profesionin e mëparshëm e të ktheheshin në jetën normale, dr.Libohovën e thirri dhe i tha se brenda 24 orëve duhet të largohej përgjithmonë nga Shqipëria, me argumentin se dr.Libohova e kishte rast të përsëritur. Dr.Tare Libohova kishte qenë një fanolist i betuar. Kishte mbaruar në Francë për veterineri, me medalje ari.
Me kërkesën e diasporës shqiptare, dr.Tare Libohova, me lejen e regjimit komunist, erdhi në Shqipëri ne vitin 1962, për të qëndruar disa ditë dhe për t’u larguar sërish.
Arratisja e djalit të vogël të Ismail Bej vlorës
Djali i vogël i Ismail Qemalit, vlonjatit të madh që krijoi shtetin shqiptar, ishte në grupin e komplotit. Duke qenë djali i Ismail Qemalit, ai kishte një emër të mirë e të nderuar në të gjithë Vlorën dhe njerëzit e thjeshtë i besonin.
Qamili shpëtoi pa u arrestuar falë informacionit që i dha një shoku i tij, që punonte në policinë sekrete të Tiranës, që e lajmëroi se duhej të largohej urgjentisht se do ta arrestonin.
Vetëm pak minuta pasi anija kishte lënë portin e Vlorës, në mjediset e portit u shfaqën xhandarët me fletën e arrestit, por nuk e arritën dot.
Fillimisht ai, së bashku me dy fëmijet e gruan, shkuan në Beograd, ku qëndruan 6 muaj si azilant politik. Më pas, miku i tij, Justin Godard, politikan i njohur francez i kohës, emrin e të cilit mban sot edhe rruga muze e Vlorës, e tërhoqi në Paris, ku qëndroi për 5 vjet.
Me amnistinë e vitit 1937, ai u fal nga Zogu dhe jo vetëm kaq, por Zogu e emëroi dhe zv.ministër të jashtëm në qeverinë e vet.
“Komiteti i fshehtë i Vlorës -1919
18 tetori i vitit 1919, ku disa burra jo vetëm nga vlora, u takuan në mënyrë të fshehtë në shtëpinë e Abaz Mezinit, në lagjen “Topana”, njihet nga shumë historianë si data e krijimit të “Jomitetit të fshehtë të Vlorës” që në zhvillimet e mëvonshme, të vitit 1920, do të njihej dhe si “komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”
takimi do të thirrje me inciativë të Osman Haxhiut, Jani mingës ( firmëtar i pavarësisë në 1912 ), Abaz Mezinit, Hamza Isait e disa burrave të tjerë nga paria e Vlorës, por edhe nga të disa fshatrave të Vlorës. Në mbkedhje ishin të pranishëm rreth 40 vtë, ajo u zhvillua në konspiracion të plotë dhe morrën pjesë njerëz me influencë në zonat e tyre. Nga mbledhja u dol me përgatiejen e një memorandumi që do të kërkonte lirimin e vlorës nga ushtria italiane e cila do t’i dorëzohej gjeneral Piacentinit. Një nga veprimtaritë e para të këtij komiteti, ishte organizimi i demostratës së madhe që u zhvillua në vlorë më 28 nëntor 1919, ku pati përledhje fizike midis popullit dhe ushtrisë italiane, pati të arrestuar e të plagosur nga të dy palët. Pas një sërë aktivitetesh patriotike në shërbim të clirimit të vlorës nga Italia dhe bashkimin e qytetit me pjesën tjetër të vendit, më 10 mars të vitit 1920, “Komiteti i fshehtë i vlorës” do të riorganizohet me emrin e ri “komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, që synonte që cështjen e vlorës ta zgjidhte vetëm me armë. Drejtuesit e këtij komiteti të fshehtë që përgatiste në heshtje kryengritjen e armatosur u takuan në vlorë edhe me të dërguarin e Presidentit amerikan Ëilson, i cili kishte ardhur në vlorë për të njohur nga afër realitetin e Vlorës me porosi direkte të Presidentit Ëilson. Kuvendi i Barcallasë në 29 maj 1920, do të ishte prologu, thirrja përfundimta epër luftë kundër Italisë e cila do të fillonte më 3 qershor 1920 dhe luftëtarët e luftës së vlorës të drejtuar nga drejtuesit e komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, do të hynin si clirues në Vlorë më 3 shtator 1920.
Organizata e fshehtë e viteve ‘50
Por, ka ekzistuar dhe një organizatë e fshehtë pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet ’50, për të cilën ka shumë pak informacion për emrat e anëtarëve dhe qëllimin e veprimtarisë së saj në qytetin e Vlorës.
Organizata mësohet se vepronte në qytetin e Vlorës në fshehtësi të plotë dhe përbëhej kryesisht nga anëtarë të familjeve të vjetra të vlorës, familje që edhe më parë ishin organizuar në organizata të tilla, për të kundërshtuar pushtetet. Nga dëshmi të atyre viteve, mëson se emrat e anëtarëve të shoqatës u zbuluan brenda një arke të vogël, të shënuar në një bllok, të fshehur në murin e një banese që u prish, pranë hotel “Sazanit”, në qendër të qytetit të Vlorës. Banesa u prish në atë kohë për ndërtime të reja që filloi të ndërtonte pushteti komunist. Banesa ishte e vjetër dhe e braktisur dhe duket se ishte vendi I zgjedhur për takime I anëtarëve të organizatës së fshehtë.


Sigal