Si u vendosën marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Greqi

1272
Leonard Veizi

(Vijon nga numri i kaluar)

Pse ministri fuqiplotë i kërkon qeverisë shqiptare që të hapë kufijtë për çamët e dëbuar
ARKIVA II / Letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit
Metodat greke për largimin e çamëve nga trojet e tyre
Pasuritë e krahinës shqiptare të Çamërisë, nuk është se kanë filluar të shpërdorohen pas Luftës së Dytë Botërore. Masakrimi i kësaj popullsie dhe konfiskimi i pasurisë së tyre, kishte filluar vite më parë. Këtë e bën të njohur letërkëmbimi i ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashërit, me eprorët e tij në Ministrinë e Jashtme. Sipas shtypit të kohës, data 3 mars 1923 mbahet mend si dita e parë kur flamuri shqiptar u valëvit në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Ky ishte flamuri që ishte vendosur në makinën e diplomatit Mit’hat Frashëri. Dhe fill pas një pritjeje të bujshme, për diplomatin shqiptar filluan dhe problemet e mëdha. Sidomos ato që kishin të bënin me detyrimin për shpërngulje të popullsisë çame.
Mit’hat Frashëri informon qeverinë e Tiranës se ngjarjet në Çamëri bëhen me qëllim për ta detyruar popullsinë të largohet nga vendi. Në një telegram të Ministrisë së Jashtme Shqiptare, dërguar nga Athina më 7 korrik 1923 thuhet: “Mua më duket se këto bëhen për të terrorizuar shqiptarët e Çamërisë që të ikin dhe të zbrazet dheu për refugjatët. Këtë ma forcon lajmin e botuar në gazetën “Partis”, ku thuhet se deputeti Bakallbashi po vete n’Epir për instalimin e refugjatëve me fuqi diktatoriale”. Duke bërë të ditur zyrtarisht fushatën greke për shpopullimin dhe shpronësimin e popullsisë çame nga trojet e tyre, diplomati shqiptar i Athinës i sugjeron Ministrisë së Jashtme që për këtë të informojë Gjenevën. Njëkohësisht një komision prej katër shqiptarësh të Çamërisë, në atë kohë morën një takim me krerët më të lartë të shtetit grek. Nga ana tjetër përfaqësues nga krahina të ndryshme të Çamërisë kërkuan nga qeveria shqiptare ndërhyrje pranë qeverisë turke për të mos pranuar çamët në Turqi. Në letrën e kësaj përfaqësie thuhet: “Qeveria greke, pas nomit të ndërrimit ndaloi shitjen e niqasjen nga gjithë myslimanët pa ndarë shqiptarët të cilët s’janë në këtë nom. Kërkuam nga qeveria përjashtimit tonë nga ky nom me që jemi shqiptarë e për këtë duhet të jemi të lirë si dhe të tjerët”. Përfaqësuesit çamë në letrën e tyre i shpjegojnë qeverisë së Tiranës se qeveria greke fillimisht dha urdhër që të deklarohen zyrtarisht ata që kanë origjinë çame dhe që flasin vetëm shqip. Pas kësaj çamët janë dyndur për të deklaruar origjinën e tyre, por letra bën të ditur se myftiu i Filatit, Mehmet Zeqiraj dhe ish-myftiu e Gumenicës, Halil Hilmiu gënjyen popullin duke u thënë që të mos tregonin se ishin shqiptarë, pasi ata që do të deklaronin në këtë mënyrë do të mbeteshin në Greqi dhe do të digjeshin prej grekëve, ndërsa të tjerët do të shkonin në Turqi e do të rregulloheshin njëherë e mirë. Përfaqësuesit çamë përcollën pranë qeverisë shqiptare shqetësimin e tyre, se e gjithë kjo propagandë bëhej vetëm e vetëm për të përzënë popullsinë çame nga trojet e tyre. 
Çamëve të Greqisë u ndalohet votimi
Në një letër që Mit’hat Frashëri i dërgon Mehmet beut, i bën të ditur grabitjet e pasurisë së çamëve nga qeveria greke, situatën e mjeruar të kësaj popullsie që shkonte në Turqi si dhe vrasjet që bënin serbët në Kosovë. Kjo letër e arshivuar në Arkivin Qendror të Shtetit, është nisur nga Athina më 9 nëntor 1923. “Këtu, sikundër që të thashë, kemi dy çështje. 1-Pasunin që po e grabit dhe e konfiskon qeveria (nën emër ekspoptim). 2-Myslimanët (çamër etj.,) që i përziejnë me Turqit dhe i bëjnë që të vdesin”. Sipas kësaj letre, gjendja e nënshtetasve shqiptarë ose grekë, ishte bërë gati tragjike me instalimin në mënyrë të dhunshme të refugjatëve, me shtetëzimin e drithit dhe ndalimin e shitblerjes. “Tani po mësoj se çamët po i ndalojnë nga votimi për zgjedhjet”, informon Mit’hat Frashëri në letrën e tij. Gjithashtu ai bën të ditur se, edhe shqiptarët në Serbi ishin të ekspozuar çdo ditë e më shumë nga terrori. Madje Mit’hat Frashëri sugjeron që opinioni publik në Angli duhet të dijë se ç’bëhet në Kosovë. 
Xhandarmëria greke grabit me urdhër pasuritë çame
Dy muaj më vonë dhe pikërisht në datë 9 janar 1924, ministri Fuqiplotë, Mit’hat Frashëri informon sërish Tiranën zyrtare për grabitjet e pasurisë së çamëve, arrestimin dhe keqtrajtimin e tyre nga xhandarmëria greke dhe vendosjen e tyre në pronat e grekëve të kthyer nga Turqia etj.. Në dokumentet origjinalë, sipër telegramit dallohen fjalët: “Urgjent dhe e rëndësishme”. Madje Mit’hat Frashëri në këtë telegram i sugjeron ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Ilias Vrionit: “Do të qe mirë sikur të shkruhesh një herë në Stamboll ose në Angora dhe të vinte këtu një urdhër kategorik; se ndryshe gjithë Çamët do të eksponohenë në emigrim dhe në vdekje, nëpër vaporët ose skelet e Tyrqisë” 
Tokat e minoritetit grek në Shqipëri, për çamët e dëbuar
Në fillim të marsit të vitit 1924 Mit’hat Frashëri i sugjeron qeverisë shqiptare ngritjen e një komisioni qeveritar për të vendosur popullsinë çame në Shqipëri. Në një telegram për ministrin e Punëve të Jashtme, Ilias Vrionin, ministri Fuqiplotë Mit’hat Frashëri thotë se shqiptarët e Greqisë (në zonat e Çamërisë, Kosturit e Follorinës) arrinin numrin prej 60 mijë frymësh. Ai parashtron vështirësitë që kanë shqiptarët për të emigruar në Turqi dhe se një gjë e tillë ishte fort e rëndë për ta. Mit’hat Frashëri, shprehet se duke parë këto probleme, besonte se shqiptarët e Greqisë do të vinin më së shumti në Shqipëri, pasi i tërhiqte afërsia e kufirit dhe interesi i përbashkët i të njëjtit gjak. “Një emigrim i tillë do të formojë një vështirësi të madhe ekonomike dhe politike për Shqipërinë, në qoftë se nuk parashihen konsekuencat e s’merren masat e duhura”. Ndërsa në 8 maj 1924 Mit’hat Frashëri bën me dije qeverinë e Tiranës se prefekti i Prevezës dhe hajdutë të tjerë me emër në Greqi, po terrorizonin popullsinë çame. Me këtë rast ai i sugjeroi Tiranës zyrtare që të deklaronte se Shqipëria do t’i pranonte çamët e dëbuar nga autoritetet greke dhe do t’i vendoste në tokat e minoritetit grek në Shqipëri.
Dhuna detyron shqiptarët të mohojnë kombësinë
Mit’hat Frashëri, në një telegram të tijin, dërguar për Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare, nga Athina në 8 mars 1924, e cilëson si “të lig” një raport të Komisionit Miks (një komision i përbashkët turko-grek) të paraqitur në Lidhjen e Kombeve. Ai i cilëson si të pavërteta deklaratat që ky komision ka paraqitur në Lidhje, pasi pikërisht këto deklarata bënin fjalë për mohimin e karakterit shqiptar të popullsisë çame. Mit’hat Frashëri thotë se këto deklarata mohuese janë bërë nën presionin dhe dhunën e autoriteteve greke. “Fundi i punës do të rrëfejë ç’fat i pret shqiptarët e Çamërisë. Po, sido që të jetë, mosqenia e një Konsulli Shqiptar në Janinë ose Korfuz, si dhe mungesa e tij në Selanik, na shkakton nji dëm moral dhe material të paçmueshëm. Mbi këtë të metë shtoni edhe të mospasurit relata zyrtare me Tyrqinë”, shkruan ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë.
Grekët kërkojnë shtrirjen e influencës në Korçë e Gjirokastër
Dyshimet e Mit’hat Frashërit, se autoritetet greke kishin një marrëveshje me ato turke për të shkëmbyer rreth 10 mijë shqiptarë ortodoksë të Stambollit me shqiptarë myslimanë të Çamërisë, doli se ishin të vërteta. Në një telegram të datës 1 shtator, Mit’hat Frashëri, mes të tjerash shkruan: “Greqia është marrë vesh me Tyrqit që edhe ata në Çamëri të ngrenë shqiptarët myslimanë. Të heqin në Greqi nj’a 10.000 shqiptarë ortodoksë, t’u japin pak tokë etj, dhe në këtë mënyrë, të shtojnë influencën e tyre në Korçë dhe Gjirokastër”. Megjithatë, qeveria greke nuk iu mbajt asnjëherë deklaratave të dhëna para Këshillit të Lidhjes së Kombeve për heqjen e kufizimeve dhe të masave robëruese ndaj shqiptarëve myslimanë.
(Vijon nesër)
Sigal