SI U VARËN NË LITAR INXHINIERËT E FULLCIT

460
Pëllumb Çuni

Si u varën në litar inxhinierët e Fullcit
DOSSIER/ Zbardhet procesverbali i dënimit të sabotatorëve të kënetës së Maliqit . Dështimi i punimeve dhe dënimi i sabotatorëve të kënetës. Zyraka, gruaja që u pushkatua pranë të shoqit
Faza e parë dështoi
U dënua grupi i sabotatorëve dhe një pjesë e të dënuarve politikë mbetën të gjallë në kënetë e nuk dolën prej barkut të saj. Faza e parë ishte planifikuar që të mbaronte më datën 1 Tetor të vitit 1946, se më vonë nisnin shirat e vjeshtës dhe dimri i gjatë e nuk lejonin që të punohej. Faza e parë mbaroi më datën 12 Nëntor të vitit 1947. Nga tharja e kënetës u përfituan 5500 ha tokë e re dhe u përmirësuam 5400 ha toka të tjera.

Tri fazat e tharjes së kënetës 
Për tharjen e kënetës punuan 6 mijë aksionistë. Objektivi i fazës së parë për tharjen e kënetës dështoi dhe dështimi çoi në pranga grupin e parë të sabotatorëve. Grupi i përbërë nga një skuadër prej 10 vetash, ku midis tyre dhe një 16-vjeçar u akuzua për shkak se kishte kryer vepra sabotuese në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike, vepra spiunazhi në favor të agjenturave të huaja dhe kishte formuar një grup tekniko-profesional për të sabotuar rindërtimin, fuqinë ekonomike të vendit e si pasojë për të ndryshuar gjendjen e stabilizuar të vendit tonë në lidhje me monarko-fashistët grekë dhe me reaksionin e jashtëm.

Arsyet e arrestimit
Këshilli i Gjykatës së Lartë kishte konstatuar se: Qysh në verë të vitit 1945, në bashkëpunim me agjentë të huaj ishte formuar një grup tekniko-profesional për të kryer vepra shkatërrimi e sabotimi në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike, për të minuar pushtetin në sektorin më vital të ekonomisë kombëtare dhe të pakësojë rezistencën e popullit shqiptar, duke dëshiruar një ndërhyrje të monarko -fashistëve grekë dhe të reaksionit të jashtëm. Për të kurorëzuar qëllimin e mësipërm dhe aktivitetin e tyre popullor të pandehurit Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri e Zyrika Mano bashkë dhe me elementë të tjerë janë venë në kontakt herë pas here me agjentët e reaksionit të huaj, të maskuar me funksione legale, për t’iu shërbyer qëllimeve të tyre imperialiste, bëhen spiunë dhe vegla të verbëta në shërbim të tyre.

Kush ishin pjesëtarët e grupit
Abdyl Sharra ish-oficer i fashizmit dhe i rrethuar nga një ambient familjar që u vu në dispozicion të Ballit e të okupatorëve. Kujtim Beqiri, anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit në Vlorë në kohën e okupacionit. Të dy këta, me metoda të ndryshme, duke abuzuar besimin që u kishte ngarkuar pushteti popullor i përvishen punës shkatërruese të sabotimit. Deri diku dhanë shenja sabotimi në urën e Penkovës, Gomziqes, Mifolit… Me qenë se këto ura ishin në përfundim të ndërtimit, nuk u shtri sabotimi në stil të gjerë.

Aktiviteti sabotues mori hov në vepra të tjera
Kujtim Beqiri i emëruar inxhinier drejtues i aksionit të rinisë në rrugën Kukës-Peshkpi sabotoi një pjesë të rrugës në sektorin “B”, kurse Abdyl Sharra i emëruar drejtor i punimeve për tharjen e liqenit të Maliqit, para se të nisej për në krye të detyrës merr udhëzime nga agjentët e juaj në Tiranë, duke u shpërblyer me një rrogë të përmuajshme prej 50 sterlinash. Atij iu dhanë premtime se në të njëjtën mënyrë do të shpërbleheshin gjithë elementët e tjerë që do të bashkëpunonin me të. Qysh prej mbërritjes së tij e deri më 27 korrik të 1946, që u largua nga përgjegjësia si drejtues i kantierit të Maliqit ai e shtriu aktivitet antipopullor të gjerë duke rekrutuar Aleks Vasilin, Vasil Manon, Zyrika Manon, Pandeli Zografin, Mihal Stratobërdën dhe dy italianët që gjendeshin në Maliq.

Mbledhjet e fshehta
Herë pas herë së bashku bënin mbledhje mëshefta, ku parashtronin programin e tyre kriminal. Ndanë sektorët e sabotimit sipas përgjegjësisë së punës që i ishte ngarkuar sejcilit. Abdyl Sharra i ndihmuar nga Maroi Guarnieri dhe Mihal Stratobërda sabotuan punën në kanalin kryesor. Vasil Mano sabotoi punën në ofiçinën e kantierit, si në prishjen dhe riparimin e ekskavatorëve, lotokompresorëve dhe lokomotorëve, në centralin e elektrikut, në sjelljen e ujit, në ngritjen e sistemit të barakave. I pandehuri Pandeli Zografi sabotoi në instalimin e linjës së dekovilave dhe lokomotorëve. Italiani, Eugerto Scatura sabotoi në financë dhe ushqime. Aleks Vasili sabotoi në gurore. Zyraka Mano ishte në lidhje me grupin dhe agjentët e huaj.

Veprimtaria armiqësore
Duke përfituar nga dijenia tekniko-profesionale dhe nga përgjegjësitë që u kish ngarkuar pushteti penguan në mënyra të rafinuara mbarëvajtjen dhe përfundimin e punimeve brenda datës 1 tetor 1946 të caktuar nga planet e përgjithshme të shtetit. Zbatuan keq dhe me mbrapshti planin për punimet e kanalit kryesor, nuk veshën muret me mur, nuk bënë pritjet në çdo 50 metra. Nuk filluan punën në kohën e caktuar për ngritjen e urës, sabotuan argjinaturat. Të gjitha këto i bënë me qëllim që të rrezikohen punimet në kohën e shirave. Përpiluan statistika dhe relacione për të mashtruar pushtetin, kërkuan mjete,vegla, punëtor në sasi jo në proporcion me nevojat që kishte në kantier, që t’i tërhiqnin nga ndërmarrjet e ndërtimit të vendit dhe nga ana tjetër të fusin në telashe organet e pushtetit, për t’i vënë këto në pamundësinë e plotësimit të kërkesave, në mënyrë që të shkarkonin përgjegjësitë e tyre dhe fajin t’ua ngarkonin atyre. Organizuan keq ndarjen e forcave të punës, sistemin e stabilizimit të punëtorisë, të ekskavatorëve, të dekovilave, lokomotorëve, motokompresorëve. Humbën materiale si: qeresteja dhe binarët e mbytur midis dy argjinaturave, harxhuan krahë pune për punime të kota, për të dëmtuar sa më shumë arkën e shtetit, prishën veglat dhe mjetet dhe vonuan riparimin e tyre.
Mashtrimet: Si të krijonin pakënaqësitë
Për të ulur moralin dhe vrullin e punëtorëve dhe për të ngjallur pakënaqësi, vonuan dhënien e ngrënies në kohën e duhur, lanë të prishen ushqime në magazinë, përvetësuan të holla, nuk sistemuan sjelljen e ujit të pijshëm në kantier duke lënë punëtorët të zhuritur nga etja në kohën e verës, nuk rregulluan në mënyrë komode banimin e punëtorëve, nuk ngritën dhoma dezinfektimi me qëllim që të përhapeshin sëmundje, çrregulluan dhënien e energjisë elektrike dhe të shfaqjeve kinematografike për argëtimin e punëtorëve për të ndikuar keq në edukimin e tyre, për t’u pakësuar zellin dhe rendimentin në punë.

Përhapën parulla disfatiste kundra pushtetit dhe reformave të tij, përhapën mos besim dhe pakënaqësi duke e paraqitur situatën të turbullt, të pasigurt. Diskreditonin punën vullnetare, penguan mobilizimin e punëtorëve, i shtynin tërthorazi që të bënin greva dhe të dezertonin nga fronti i ndërtimeve në kantier. Vasil Mano dhe Kujtim Beqiri kanë pranuar se ka 30-35 për qind humbje të punimeve për plotësimin e planit të përgjithshëm, duke mos llogaritur humbjen e kohës dhe të shpenzimeve kolosale që do t’i duhen pushtetit për të riparuar këtë dëm. Vunë në rrezik frutat e 2000 hektar toke të re të bonifikuar po të mos vazhdonin punimet e pushtetit.
Mbledhjet: Përpunimi i direktivave që vinin nga jashtë
Veprimtarinë kriminale e kanë kryer duke bërë mbledhje të fshehta. Mbledhjet në fillim i ka drejtuar Abdyl Sharra dhe më pas Kujtim Beqiri. Janë bërë gjithsej 11 mbledhje ku 6 i ka drejtuar Sharra dhe 5 Beqiri. Në këto mbledhje përpunonin direktivat, që merrnin nga të huajt, jepnin raportet e sabotimeve që kishte kryer secili në sektorin e tij. Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri mblodhën informata dhe përpiluan raporte, të cilat i dorëzuan vetë ose i dërguan me Zyrika Manon të huajve, morën direktivat e tyre, u shpërblyen në sasi të konsiderueshme ari dhe u vunë në shërbim të qëllimeve të tyre imperialiste. U mashtruan Anastas Rista, i cili si kohëshënjues ka kategorizuar keq punëtorët në guroren nr.1 dhe Jani Vasilin, i cili ka shërbyer si roje për të mos u diktuar të pandehurit në një mbledhje konspirative, por këtë vepër Jani Vasili e ka kryer duke mos qenë koshient.
Gjyqi: Haznedari, prokurori që vari specialistët
Gjykimi për dënimin e grupit të sabotatorëve për tharrjen e kënetës së Maliqit nisi më datën 16 nëntor të vitit 1946, në orën 11 para dite. Trupi gjykues u mblodh në kinema “Nacional”. Trupi gjykues përbëhej nga N/ Kolonel Gaqo Floqi-kryetar, Kapiten i parë, Velejdin Zejneli, anëtar, Kapiteni i parë Nexhat Hysenit, antar, i asistuar prej sekretarit Aspirant Thoma Rinos dhe me pjesëmarrjen e prokurorit, Kapiten i parë Nevzat Haznedarit. Gjykimi vazhdoi për dy ditë, ku Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së naltë Ushtarake dha vendim në datën 18 nëntor të vitit 1946. Nga 10 të akuzuar për sabotim. 5 u dënuan me vdekje, midis tyre dhe një grua dhe 2 me burgim të përjetshëm dhe 3 të tjerët me 13 vjet burg. Për tharjen e kënetës së Maliqit punonin në një krah të burgosurit politikë dhe, nga krahu tjetër rinia me aksione dhe punëtorë me rrogë. Po krahas tyre kishte dhe të huaj që merrnin pjesë në këtë “llubëtirë”. Punimet në veprat e artit i drejtonin inxhinierët shqiptarë të arsimuar jashtë vendit, por që gjatë luftës kishin mbajtur krahun e nacionalistëve.
Këneta e Maliqit, si i “hëngri” inxhinierët që kërkonin ta thanin
Sipas të moshuarve dhe kronikave të kohës ka qenë e populluar nga rosa e pata të egra, peshq e ngjala. Thellësia më e madhe e saj ka qenë 6 metra. Në dimër këneta ngrinte. Namik Larti, një i moshuar, 82 vjeç na tregon se këneta e dikurshme e Maliqit, ishte e populluar me rosa dhe peshq që ishin ushqimi kryesor i banorëve përreth saj. “Në dimër këneta ngrinte dhe, kur ishim të vegjël rrëshqisnim mbi akull, duke improvizuar pajisje skish të cilat i bënim me kocka kuajsh, dhe mbrapa lidhnim nga një shkop, në fund u kishim ngulur nga një gozhdë e rrëshqisnim”. 

Dikur
Sipas tregimeve të moshuarve kohë më parë gjoli, kur ngrinte banorët e rrihnin me karvane duke shkuar për në zonën e Devollit. Një herë një karvan prej 15 vetash, pasi kaloi në zonën e Devollit, u kthyen në mbrëmje, por gjolin e kishte rrahur juga dhe në mes akulli po çahej. I gjithë karvani mbeti brenda. Mbetën brenda 15 burra dhe 15 kuaj. Po nga këneta njerëzit merrnin shushunja për të kuruar sëmundjet e reumatizmit. Me hapjen e “Birra Korçës” për banorët u hap një front pune, pasi nxirrnin nga këneta zhukun që shërbente për të ambalazhuar shishet e birrës. Problem ka qenë prania e mushkonjave, që shkaktonte malarien. Duhet thënë se po të bëhej lufta e kundër mushkonjave liqeni ka qenë një pasuri me vlera, por që u tha dhe u përfitua tokë bujqësore.

Projekti i parë
Një projekti për tharjen e kënetës së Maliqit është paraqitur që në kohën e mbretërisë, në vitin 1926. Së bashku me këtë projekt është paraqitur dhe ai i ndërtimit të rrugës Korçë-Skrapar, që do të kalonte nga Voskopja e do të dilte në Qafën e Martës e mandej do të mbërrinte në qytetin buzë Osumit në Çorovodë. Të dyja këto projekte ishin madhore për kohën, por që mbetën në letër. Tharja e kënetës u kundërshtua nga banorë të zonës dhe njerëz me potencë, pasi tharja e saj prishte ekuilibrat ekologjikë të zonës. Në gazetën “Zëri Korçës”, të datës 28 gusht 1926, në rubrikën, “Lajmet e vendit” citojmë: “Ministria e Punëve të Brendshme, i bëri të njohur prefekturës së Korçës të fillojë menjëherë e me të gjitha energjitë e saj ndreqjen e rrugës Voskopojë-Çorovodë-Berat. Rruga do të jetë gjashtë metra e gjerë.”

Tharja e kënetës
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, nisi dhe tharja e kënetës së Maliqit e cila do të siguronte tokë bujqësore, e cila do të mbillej panxhar dhe grurë. Krahas tharjes së kënetës u hodhën themelet dhe për ngritjen e kombinatit të sheqerit dhe të ngritjes së qytetit të Maliqit. Puna për tharjen e kënetës nisi në pranverën e vitit 1946. Synimi i Pushtetit Popullor dhe i Partisë ishte që për 6 muaj të flakej i gjithë uji i kënetës në shtratin e lumit Devoll.

Aksionistët
Punonin zbathur e në mbrëmje nën tingujt e një fizarmonike kërcenin e bënin ballo. Aksionistët ishin njëra anë e medaljes. Këta flinin nëpër çadra një pjesë dhe pjesa tjetër që vinte nga qyteti i Korçës kthehej në mbrëmje vonë në shtëpi. Më pas aksionistët i lanë çadrat dhe në vitin 1947 u ngrit fushim i rregullt se u bënë kapanonët. Punë, këngë e hare pa pare. Ky ishte fillimi për ngritjen e kalasë, piramidës së socializmit. Në të njëjtën kohë aksioni shërbente edhe si shkollë ku mësonin të shkruanin e këndonin germat shqip. Në vitet e para në aksionet për tharjen e kënetës nuk ka pasur kufizime moshe e seksi. Ishin një pjesë e mirë e këtyre aksionistëve që më vonë ngritën qytetin e Maliqit. Kampi i aksionistëve ziente. Po rreth tyre vërtitej dhe një “grup” sabotatorësh që u pengonte vrullin. 
Kampi i Vloçishtit: Të burgosurit politikë, 63 viktima në Maliq
E ndërsa kampi i Vloçishtit rritej në numër nga dita në ditë nga të burgosur që i mblidhnin nga tërë vendi, një grup tjetër “armiqësor”, në gjendje të lirë i përbërë nga inxhinierë, të huaj italianë dhe një jugosllave do të përballeshin me drejtësinë duke marrë dënim kapital. Kampi i Vloçishtit shënoi 63 viktima, 1800 të burgosur politikë, tregtarë, inxhinierë, klerikë, kalonin verën e burgimit në Vloçisht dhe punonin për tharjen e kënetës së Maliqit.

Procesi gjyqësor: Inxhinierët përfundojnë në litar
Në procedimin gjyqësor dhe fajësimit të pandehurit: Abdyl Sharra, Mario Guarnieri dhe Jani Vasili u përfaqësuan nga avokati Burhan Rusi. Vasil Mano, Zyrika Mano, Pandeli Zografi dhe Mishel Stratobërda u përfaqësuan nga avokati Eftim Canco. Kujtim Beqiri, Eugenio Scaturia e Anastas Risto nga avokat Vasil Xhaja. Avokatët kërkuan lehtësimin e fajit të klientëve të tyre. Këshilli gjyqësor i Gjykatës së Lartë mbasi shqyrtoi procesverbalet e mbajtura kundra të pandehurve nga organet e sigurimit të shtetit, mbasi shqyrtoi procesverbalet e mbajtura prej Prokurorisë së Gjykatës së Lartë Ushatarake, mbasi dëgjoi apologjitë e të pandehurve, mbasi dëgjoi pretencën e prokurorit, i cili kërkoi fajtorësinë e gjithë të pandehurve dha dënimet. Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri me vdekje, duke u varuar në litar. Vasil dhe Zyrika Mano, Pandeli Zografi dhe Eugenio Scatutura me vdekje. Mario Guarnieri me burgim të përjetshëm. Mihal Stratobërda 15-vjet burg. Anastas Risto me 5-vjet burg. Jani Vasili me një 1-vit burg. Për të dënuarit me mbi 5-vjet burg konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
Masa e dënimeve
Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri : Me vdekje duke u ekzekutuar në litar
Vasil Mano, Eugenio Scatura, Zyrika Mano: Me vdekje
Pandeli Zografi, Mario Guarnieri: Me burgim të përjetshëm 
Mihal Stratobërda me 10-vjet burg, Anastas Risto me dy vjet, Jani Vasili me një vit burg, me kusht me që ka sjellje morale dhe politike të mira.
Tiranë 18 Nëntor 1946
Sekretari Aspirant Thoma Rino
Kryetari N/Kolonel Gaqo Floqi

Jetëshkrimet
Cilët ishin personat që u dënuan si sabotatorë 
1-Abdyl Shara 35-vjeç, lindur në Vlorë e banues në Durrës, i martuar me dy fëmijë, me profesion inxhinier.
2-Kujtim Beqiri, 30-vjeç nga Vlora, i martuar me dy fëmijë, me profesion inxhinier.
3-Vasil Mano, 31-vjeç nga Korça, i martuar pa fëmijë, me profesion inxhinier.
4-Zyrika Mano, 27-vjeç, lindur në Zagreb të Jugosllavisë e banuese në Korçë, e martuar dy herë, me burrin e parë priftin Pandi Popoviç ka 2 fëmijë, për të dytën herë martuar me Vasil Manon nuk ka fëmijë, me arsim fillor.
5-Eugenio Scaturio, 29-vjeç, nga Leçe e Italisë, me arsim të lartë, me profesion llogaritar në Maliq, ish-oficer.
6-Pandeli Zografi, 35-vjeç nga Korça, me një fëmijë, me arsim të mesëm, me profesion gjeometër.
7-Maroi Guarnieri, 37-vjeç, lindur në Tremonë të Lombardisë pa fëmijë, me profesion gjeometër.
8-Mihal Stratobërda, 34-vjeç nga Korça me një fëmijë, me profesion asistent.
9-Anastas Risto, 35-vjeç, nga Lini i Pogradecit, me 6 fëmijë, me profesion kafexhi e së fundi koshënjues në Maliq.
10-Jani Vasili, 16-vjeç nga Borova e Kolonjës, punëtor.