Si u nxor nga dritarja e M. së Brendshme kasaforta e Kadri Hazbiut

1735
Sigal

Misteri: Shkrimtarin disident Bilal X\haferin e nisi Sigurimi i Shtetit me mision në SHBA, pasi u trajnua edhe nga Zbulimi i Jashtëm? Kirurgu që plagosi Pal Mëlyshin. Regjistrimi i telefonatës së fundit mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Ja të fshehtat e Komitetit Qendror

Shkrimtarin Bilal Xhaferi e nisi Sigurimi i Shtetit me mision në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasaktësi dhe kaos vlerash në librin “Kadareja i denoncuar” i studiuesit Dashnor Kaloçi

 

  • Kasaforta e Kadri Hazbiut u nxor me vinç nga dritarja e Ministrisë së Brendshme dhe po me vinç u fut në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes
  • Ka funksionuar një aparaturë që regjistronte bisedat telefonike vetëm të Enver Hoxhës
  • Punonjësit këmbëngulin se është regjistruar dhe telefonata e fundit e Mehmet Shehut me Enver Hoxhën para se ai të vriste veten
  • Këto të librit të zotit Kaloçi nuk janë dokumente të Sigurimit të Shtetit, por informacione të detyrueshme të Sekretarëve të Parë e të Ministrave të Brendshëm të shkruara me emocione impulsive
  • Edhe në arkiva Shqipëria ishte fener ndriçues. Enver Hoxha kishte kult hipokrit
  • Bilal Xhaferi kishte tre vjet që trajnohej nga Sigurimi dhe Zbulimi i jashtëm (Drejtoria e Tretë)
  • Mjeku kirurg që u përzgjodh për të plagosur Pal Mëlyshin më ka rrëfyer, se plaga e plumbit e pistoletës e shkrepur po prej tij, u hap më e madhe nga ajo që qe llogaritur
  • Ditën Bilal Xhaferi shtronte me asfalt rrugët e Pukës në Gomsiqe, por në një dhomë të hotel “Çajupit” në Tiranë pinte fërnet
  • Edhe Nexhmije Hoxha në librin “Miqësi e tradhtuar” i shkruan Enver Hoxhës për Bilal Xhaferin. Nexhmija nënvizon: “Është enigmë….- Kush e pruri në mbledhje? Nuk dihet?”

 

Nga Sefer Pasha

 

E theksoj që në rrashtën e kreut se libri “Kadareja i denoncuar” i autorit Dashnor Kaloçi me qasjen e tij tenton të gërthasë, i bën apologjinë dhe e fton lexuesin të njihet me ata që e kanë “denoncuar” njeriun e letrave shqipe Ismail Kadarenë. Le ta themi qoftë dhe kalimthi se, megjithëse atmosfera, tharmi i librit, dhe brishtësia e materialit përcjell drejt ca mirazhe të rolit kobzi të atyre që gëlonin dhe rrëmihnin gjithkah nën tokë kundër Kadaresë, por thurësi i librit Kaloçi, ka kapur në arkiva, me ato limite njohjeje, opinionet dhe sekuencat e përziera të ngjarjeve dhe të materialeve të ish-Komitetit Qendror. Shqip. Autori i librit pohon se po boton “Dokumente të panjohura të Sigurimit të Shtetit”. Gjepura! Po e vë pikën mbi “i”. Në librin në fjalë nuk ka asnjë dokument profesional të sigurimit, por gjithfarë dokrrash të aparatçikëve. Në dokumentet e Sigurimit nuk kishte fjalë, por fakte, pseudonime, përndjekje, takime me bashkëpunëtorët e zbulimit të huaj, prova materialesh të marra në rrugë operative, dëshmi, kontaktet fizike me agjenturën, kontrollin postar dhe telefonik, objektet e rëndësisë së veçantë, rrjetin informativ, tërheqje me dhunë për t’u bërë bashkëpunëtor, regjistrime me aparaturë përgjimi, vendtakimet sekrete në shtetet fqinje, kostot financiare e të tjera. Edhe këto ishin të koduara. Shkurt e prerë. Në opusin e këtyre dokumenteve fusnin në kurth kuadro të lart siç qenë dhe njerëzit e artit që ceken në faqet e librit “Kadareja i denoncuar”. Këto të librit të zotit Kaloçi nuk janë dokumente të Sigurimit të Shtetit, por informacione të detyrueshme të Sekretarëve të Parë e të Ministrave të Brendshëm të shkruara me emocione impulsive e të mbushura plot me arsyetime të turbullta. Unë kam punuar në kartoteka dhe të gjitha materialet e librit që nga faqja parë e deri në të fundit i kanë pasur nëpër duar komunistët, bile dhe punëtorët, ushtarët e fshatarët.

Quheshin buletine ose instruksione.

Në to gjendeshin “mballoma” të fjalimeve të Enver Hoxhës, shënime rutinore, letërkëmbime, përfshiheshin gjithashtu informacionet që i dërgonte Ministria e Brendshme dhe Komitetet e të Partisë në qendër e rrethe, protokollet, diskutimet në plenume, konferencat, letrat, ankesat, radiogramet, dhe asgjë tjetër me zarar. Pra ishte një gjerdan dokumentesh të cilat nuk arkivoheshin tymtazi. Të sharronte “dorën” shefi e ministri po të lije “dobiçër” në shkresa. Midis eprorit dhe vartësit ekzistonte “gjuha e shenjave”. Në zyrë flitej me vetulla. “Djajtë” nuk arkivoheshin. Përpara ngjarjeve me belara punonjësi ishte një “vuvë” dhe duhet të heshtte si në anestezi. Latimi dhe krasitja e “gjembave” ishte detyrë. Çdo komitet partie, ministri e degë e brendshme ka pasur një “furrë” të posaçme, ku digjeshin me komision të gjitha ato “kleçka” që mund ta dëmtonin regjimin edhe nëse përmbysej socializmi. Letrat kanë “gojë” thuhej vesh më vesh dhe asgjë nuk duhej të transkriptohej përskaj dokumentit.

Edhe në arkiva Shqipëria ishte fener ndriçues.

Enver Hoxha kishte kult hipokrit. Mendonte se ishte i përjetshëm. “Thesaret” dhe narrativat e mëdha janë në dosjet e zbulimit, në arkivat greke, serbe, italiane, dosjet private të funksionarëve, ambasadave, kasaforta e Kadri Hazbiut e cila u nxor me vinç nga dritarja e Ministrisë së Brendshme dhe po me vinç u fut në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes, rezidencat dhe zbuluesit në ambasada, gjeneralët e pushkatuar, ata që i shpëtuan tehut të gijotinës, hetimet dhe gjyqet e ish-funksionarëve komunist, fondet e ish-gjykatës së Lartë, të Hetuesisë dhe të Prokurorisë, investimet sekrete për agjenturën e zbulimit të jashtëm, kopjet e aparateve që regjistronin bisedat e mbledhjeve të Byrosë Politike e të plenumeve, regjistruesit e Ministrisë së Brendshme (ka funksionuar një aparaturë që regjistronte bisedat telefonike vetëm të Enver Hoxhës, ku ish punonjësit këmbëngulin se është dhe telefonata e fundit e Mehmet Shehut me Enver Hoxhën para se ai të vriste veten). Pasi e mbarova së lexuari librin “Kadareja i denoncuar”, me një ndjenjë dalldie, u binda se ai nuk ishte libër autentik. Nuk gjeta asnjë denoncues. Këto që lexova janë të njohura edhe nga barinjtë e maleve i thashë vetes me një farë blasfemie. Papërputhshmëria e titullit të librit me ato që kishte brenda “vorba” më bindën për nxitimin e autorit. Ato që thuhen në librin e Kaloçit janë diskutime normale në një shtet të diktaturës dhe nuk janë “prova” për denoncim. Unë e them prerazi se nuk do ta kisha marrë mundimin dhe me një rrëke zëri t’i hidhja në letër këto rreshta, por m’u mbajt fryma dhe ndjeva një trishtim të thekshëm kur mbërrita aty ku studiuesi i kushtonte një kujdes të prajshëm dramës së romanit “Dasma” dhe namatiste “Hamletin” e saj Bilal Xhaferin. Një heshtje e lëndët si brerje e kobshme e ndërgjegjes më shtyu të thellohem e një vërshim mbresash bën diversion për detajet e pasakta të fletëve të librit. Assesi, është e qartë si loti, se “dasma” pati si regjisor Sigurimin e Shtetit. Dridhem si “purteka” kur Bilal Xhaferin, idhullin e rinisë time, e akuzojnë edhe sot e kësaj dite se ai me një shqipe pa kocka e shpartalloi “dasmën” dhe vetë mori arratinë. Dhe aq më keq që “esnafët” duan të depërtojnë në kiminë e ndjenjave të fenomenit Bilal Xhaferi. Në rrethanat tipologjike të asaj jete të skëterrshme Bilal Xhaferin e detyruan të vendosej në qendër të asaj bëme (rekrutimi i tij është i veshur me mister). Ai në ato kohë të mbrothta i tallazitur e që e mundonte paranoja e përndjekjes shkoi si “killer”, por me kobure pas veshit, aty ku tëhollej e sajohej brumi i “dasmës”. Bilal Xhaferi me një papërceptueshmëri enigmatike qe në bisht të radhës. Ai kishte përpjestueshmërisht tre vjet që trajnohej nga Sigurimi dhe Zbulimi i jashtëm (Drejtoria e Tretë). “Dasma” qe sebepi.

Bilal Xhaferi me baba të pushkatuar ishte thesar

Sigurimsat ishin njohës të mirë të stuhive dhe kishin para. Vetëm Bilalin mund ta besonte shërbimi i CIA – s. (Një shtojcë e vogël që s’ka lidhje as me librin dhe as me shkrimtarin Bilal Xhaferi. Por me “dredhëzat” dhe “muzat” dhelparake të gjithimagjinueshme të piratëve tinëzar të Sigurimit të Shtetit, të cilët bënin plane majoshe. Mjeku kirurg që u përzgjodh për të plagosur Pal Mëlyshin më ka rrëfyer, se paçka se ai e kishte matur vendin e trupit ku do të “plagosej” “pacienti” me milimetra, plaga e plumbit e pistoletës e shkrepur po prej tij, u hap më e madhe nga ajo që qe llogaritur. Gjaku shpërtheu si rrëke përroi dhe vetë kirurgu kishte pësuar infarkt. Banda e diversantëve makar kur ju vajti Pal Mëlyshi gjak e dyllë e pranoi në “gjirin” e saj). Ti kthehemi pa zëzëllima e kuturisje e vuajtërisht rastit të Bilal Xhaferit për të cilin ka pasur shumë pikëpyetje në horizontin e mugët. Është budallallëk të mendosh se ajo që ndodhi me “dasmën” ishte vepër e Bilalit. Jo. Bilali nuk ishte aq trim sa të shndërrohej në dragua e t’i binte me “top” Kadaresë. Me të janë marrë “gjeneralët” e Sigurimit. Ditën Bilal Xhaferi shtronte me asfalt rrugët e Pukës në Gomsiqe, por në një dhomë të hotel “Çajupit” në Tiranë pinte fërnet, shkruante e përgatitej për në Amerikë. Miku më i ngushtë i Bilal Xhaferit, Bedri Myftari, që vuajti dhe burgun, në vëllimin: Vepra letrare 5. “Kujtime, kritika, studime për veprën” në faqen 96 shkruan: “Unë kisha zënë vend në rreshtin e fundit me Sulejman Maton, Ahmet Golemin dhe Roland Gjozën. Në këtë kohë vjen Bilal Xhaferi me një fletore me katrore të mbështjell si tub. Mbasi ulet pranë meje, unë e pyeta:

-Ku e more vesh për diskutimin e “Dasmës” që erdhe?

Ai më tha që ia kishte treguar gazetari i gazetës “Puna”, Ilia Dedi, kur ishte me shërbim në Durrës”. Edhe Nexhmije Hoxha në librin “Miqësi e tradhtuar” i shkruan Enver Hoxhës për Bilal Xhaferin. Nexhmija nënvizon: “Është enigmë… – Kush e pruri në mbledhje? Nuk dihet?”

Dashnor Kaloçi në librin “Kadareja i denoncuar” gjithashtu me një të hequr pene bën dhe opinionistin siç është edhe çështja e ish-oficerit të kufirit Meto Kondi. Në faqen 125 të librit të tij kur hamendëson në lidhje me ndonjë “truk” të Sigurimit për arratisjen e Bilalit nënvizon: “Por kjo gjë ka pak gjasa të jetë e vërtetë, pasi personi që e ka deklaruar këtë gjë në shtyp (një ish-oficer kufiri, tashmë në moshë shumë të thyer) nuk ka dhënë fakte bindëse për këtë gjë”

Meto Kondi: Si u arratis Bilal Xhaferi

 

Zoti Kaloçi duhet ta dijë se ish-oficeri i kufirit Meto Kondi ka shkruar një libër me kujtime dhe ka botuar në shtyp një ese, ku shtjellon me kompetencë ato që di për arratisjen e Bilal Xhaferit. Meto Kondi shkruan e boton në një gazetë të përditshme, ku midis të tjerave nënvizon: “Në vendin ku kaloi kufirin Bilal Xhaferi, komandanti i pikës M. R. planifikoi dhe vendosi njësitin pritë me tre kufitarë, sepse ky drejtim ishte i mundshëm për kalimin e kufirit. Por për çudi të të gjithëve, komisari i postës së kufirit, oficeri, S. X., pa dijeninë e komandantit të pikës së kufirit Vulistër e hoqi patrullën dhe e sposton rreth 500 metra nga ky vend pikërisht në orën 23 – 24, kohë që përkon me atë të kalimit të kufirit). Gjatë kësaj kohe në atë vend ka qëndruar ai vetë (komisari) me një kufitar tjetër.” Këto e të tjera i thotë një njeri, që në motin e arratisjes së Bilal Xhaferit e thërrisnin “Napoloni i vogël”. Dhe ai e denoncoi “tradhëtinë” qysh në mëngjesin e datës 30 gusht 1969. Papërcaktueshmëria e asaj që ndodhi bëri që Meto Kondi nazik e idhnak i epërm të protestojë e të shkruaj një pas një pasazhe të tëra me letra që përfunduan në “furrën” sa një kamare. Komandanti që kishte aso kohe ndjenjën e pronësisë për kufirin shtetëror e besimin shtazarak se Bilal Xhaferi nuk do t’ia hidhte dot u detyrua ta mbyllë gojën me një pështjellim të rrejshëm. E hapi gojën kur ai i zhgënjyer mendonte se nuk kishte më kufi me farë e gjak hyjnish (atëherë në epokën enveriane kufiri mendohej se ishte me engjëj, kreshnikë, zana e muza). E kam takuar vetëm një herë oficerin S. X. (Ka ndërruar jetë). Kur i thashë të më thoshte ndonjë grimcë për ato që pëshpëriteshin për shoqërimin prej tij të Bilal Xhaferit për jashtë kufirit ai m’u përgjigj se kishte përcjellë një Hero të Heshtur. Kështu i kishin thënë “kapsollës” së kufirit. Sigurimsat nuk të besonin. Në verilindje ata rekrutuan një nga ato gratë që qe shndërruar në “burrë” në rrethanat e familjes së mbetur pa meshkuj. Agjentura u bë gati që “burrin” ta lidhte me fijet e UDB – së. Pseudonimin ja vunë “maska”. “Maskën” e studiuan gjatë. U pyet dhe një androlog në Paris. Andrologu i Parisit tha se shkencërisht femra mbetet femër, paçka se nga halli është detyruar të bëhet “burrë” për familjen. Pas kësaj, “maskës”, iu qep sigurimi dhe e kapën në një nga lugjet e bjeshkës duke bërë seks me tre barinj. Dhe “burrneshën” e shmangën nga rrjeti agjenturor për në UDB. Shumë ndodhi të tjera i kam me të dëgjuar siç thuhet në një këngë të “Eposit të Kreshnikëve”: – “/Kështu m’ kan’ than; atje s’jam kanë/ /Mos me pa’ kan’, nuk e kishin thanë/. Mjeshtrat e zbulimit e përgatitën mirë skenarin dhe regjinë për “aktorin” Bilal Xhaferin. Shkrimtari pas mbledhjes “false” ka takuar Sherif Delvinën. Sa herë e kam pyetur historianin për Bilal Xhaferin më ka thënë se e kishte takuar shkrimtarin dhe “ylli” i “dasmës” si të qe vegimtar i kishte thënë dy fjali me gjuhë ezopike: – “Dasmën” e bëri Kadareja, unë po paguaj harxhet”. Siç parathuhet dy fjalitë ishin shkruar në Drejtorinë e Zbulimit me zyrat në Linzë nga “kapot” dhe ato ia kishin dhënë për t’i thënë Bilali fillthi pas mbledhjes siç përflitet. Këto fjalë shkrimtari i ka thënë dhe me miq të tjerë. Kjo shprehje që u tha nëpër tavolina e dha efektin. Gjithsesi “loja” funksionoi”. Nata e festës së Livadhjasë ka qenë për zonën kufitare “shtet rrethim”. Si është e mundur pyeti “qyqëria” që në festën e Livadhjasë qe i gjithë sigurimi, policia, rojet e kufirit, e të gjithë u kontrolluan, kurse Bilal Xhaferi, jo? Mirë Bilal Xhaferi se ishte i rrëzës së malit, po ai i “TRETI” që bënte “mu” si “egjra” në grurë si nuk iu tha një gjysmë fjale. “I TRETI” e shijoi festën dhe pastaj ia mbathi me Bilal Xhaferin dhe me komisarin e Vulistrës S. X., që i përcolli. Ato ditë ekipi që erdhi nga Ministria pyeti, sesi ishte e mundur që natën e arratisjes së Bilal Xhaferit aparatura e klonit nuk funksionoi se qe me “defekt” (kloni nuk dha sinjal kur Bilal Xhaferi me të tijtë bashkuan telat me korrent). Po ashtu mbeti e dyshimtë që po natën e “gjëmës” qeni i kufirit qe dërguar në Sarandë për t’i bërë vaksinën. Merret vesh që “operacionit” për përcjelljen e Xhaferit nuk duhet t’i hynte asnjë “gjemb”. Një pakujdesi të çonte në katastrofë. Në një situatë të ngjashme po në ato vite u vra komandanti i postës kufitare të Kakavijës Myfit Hasa nga Dorëza e Tepelenës. Edhe ajo që qëndis Feçorr Shehu dhe i citon autori i librit “Kadareja i denoncuar” në faqen 123 fletë për qerthullin e informacioneve të rreme, që përcilleshin nga piramida e gjer tek më i madhi. Feçorr Shehu i bën me dije Hysni Kapos “se Bilali është arratisur edhe me dy persona të tjerë; Selfo Hoxhën (burrin e motrës së Bilalit) dhe Bajram Shuaipin, të dy nga fshati Markat i Sarandës. Faqe 127”. Por Bilal Xhaferi nuk e përmend fare në letrën që la në “kufi” se bashkë me të dhe Selfo Hoxhën për në arrati ishte dhe Bajram Shuaipi. As sot pas 50 vjetësh nuk dihet se kush qe “I TRETI” me Bilal Xhaferin? “I TRETI” thonë qe nga të Drejtorisë së Zbulimit me rezidencë në Meksikë, ku mendohet se Bilal Xhaferi merrte rrogën pas arratisjes. Në Amerikë nuk kishte ambasadë. Rezidenti u takua me Bilal Xhaferin. Papërcaktueshmëria e të “TRETIT” i ka çuditur dhe vetë sigurimsat poshtë në terren. Me këta “fajkoi” Sigurimi i Shtetit depërtoi në “shpellat” e zbulimit amerikan, sovjetik, britanik, jugosllav, grek e të tjerë. Dhe pati sukses. Shkrimtarit Bilal Xhaferi, miku i tij Namik Mane, i gjeti edhe 10 florinj për ta nisur nga deti. Por ai nuk pranoi. Atëherë përse shkrimtari do të rrezikonte mes telave me gjemba e breshërisë së plumbave? Përgjigja është e qartë. “Operacioni” i Sigurimit e donte që Bilal Xhaferi t’ia bënte “bamb” nga toka helene e ta merrte vesh CIA. Kurse me det gjithçka kalonte në heshtje.

Vijon

-Nesër do të lexoni:

-Pse heshti Enver Hoxha pas arratisjes së Bilal Xhaferit?

– Enver Hoxha heshti edhe për letrën shumë të dhimbshme të shkrimtarit, e cila është një poemë

– Bilal Xhaferi kishte dëgjuar se në kodrat e Sukthit sigurimi kishte torturuar dhe mbytur me thonj një tjetër çam siç qe Teme Sejkua

-Letra drejtuar Ramiz Alisë: Bilal Xhaferri në NBSH Sukth, për tre muaj ka punuar 7 ditë në qershor, 14 ditë në korrik dhe 8 ditë në gusht të vitit 1967.