Si më çuan për riedukim 10 vjet në kombinatin metalurgjik

1031
Sigal

Rrëfimi i shkrimtarit Agim Shehu: Si më vunë të flija me Kadarenë tek konvikti i vajzave në gjimnazin e Gjirokastrës. Takimi me Bedri Spahiun, vlerat e Prof. Dedjes dhe si e mbushnin disidentët e artit dhe kulturës vagonët e trenit të linjës së Elbasanit. Ja emrat e poetëve të internuar

Demokracia për një poet

Por si e priti poeti demokracinë? Ai thotë: “Demokracia nisi keq qysh me skemën që shtroi e kur e hapi siparin duke lavdëruar diktatorin. Shtypi ynë gjer dhe ai ndërkombëtar  nisi intervistat kryesisht me të privilegjuarit e diktaturës, me nxënësit e gruas së diktatorit në Institutin famëkeq të saj M.-L. që shpallën publikisht se “populli ynë nuk është i përgatitur për pluralizëm(!). Në takimin me një nga vagabondët politikë të kontinenteve, një Zhoao Amazona, diktatori Alia u shpreh hapur: “Ne humbëm një betejë, por jo luftën”. Tepër saktë. Shkërmoqja dhe shfytyrimi që ka sot Shqipëria e ka emrin “Ramiz Alia”. Shpërbërja e shoqërisë dhe e Atdheut ecën zinxhir epidemie sipas gjykimit të Pitagorës: “Në enën e papastër, edhe mjalta më e ëmbël bëhet e hidhur”. Ky reaksion ndotës rrjedh nga strukturat më të mëdha të shtetit te qeliza e familjes. Kjo bëhet në heshtje, si pa zë, mbuluar me zhurmë debatesh shterpë pluralizmi. Si kurrë ndonjëherë te shqiptarët, shitja e Atdheut për pasurim është bërë biznes: “sa më jep të ta shes”! Prodhohen kështu ngjarje të papërfytyrueshme. Njërit i vdes shoku borxhli, e ai vete i ngre pllakën e varrit: “Ngreu më laj borxhin, pastaj bjer prapë”!

 

INTERVISTA/ Rrëfimi  i poetit, shkrimtari dhe publicisti disident, Agim Shehu

 

Si më vunë të flija me  Kadarenë te konvikti i vajzave

Dhënë për “Telegraf”, në 14 dhjetor 2005

 

 

Albert Zholi

 

Poeti dhe shkrimtari i talentuar ka vite që jeton në Gjenevë, thuajse shumicën e viteve të demokracisë. Sa herë lexoja në vitet e rinisë, por edhe tani, krenohesha me të, krijimtarinë e tij, me portretin që ka krijuar ai në gjithë fisin e njerëzve të letrave shqipe. Jeta e tij është plot peripeci, por ai me durim, kurajë, mësim dhe këndim, ka mundur ti përballojë dhe të sfidojë kohërat. Poezitë e tij kanë qenë dhe mbeten ndër më të lexuarat jo vetëm në diktaturë, por edhe sot. Publicistika e tij postkomuniste dallohet për qytetari, guxim, realizëm dhe mendim filozofik.

-Kur e keni shkruar poezinë e parë? –

-Isha 13 vjeç kur “Pionieri” më botoi vjershën “Debatiku”! S’më besohej që ishte emri im ai në fund të vjershës vënë në gazetë! I shqiptoja shkronjat një nga një, pastaj i lexoja bashkë! Gazetën ca ditë e mbaja në nënkreje tek flija. Në provimin e 7-vjeçares na u dha për hartim një koment nga Naimi: “Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë…”. Mendja më bëri zë aventuresk që ta bëja në vargje…Kështu vazhduam në gjimnaz.

-Pas gjimnazit u dërguat për veteriner, edhe pse dolët me nota shumë të mira!

-Qe vlerësim për familjet me dyshim klasor. Im atë në natyrë të tij s’e ulte veten. Guxova shkova te Bedri Spahiu, ministër arsimi, e i qava hallin. Në fund i thashë se gjatë Luftës im atë në fshat priti në shtëpi të shoqen e tij bashkë me Memo Meton, si “aktivistë partie”, unë i dëgjoja në gjunjë të tyre! Më pa me vëmendje. Ndjeva se isha futur i tëri brenda syve të tij inteligjentë. “Ik” tha ngrohtësisht e më dha dorën si miratim të lutjes. Dola. Ndërrimi i fakultetit prej tij diku ngeci. Por bëra marrëveshje me një myzeqar.

-Në fakultet kishit një rreth letrar të fuqishëm?

-Me emra kryesorë që më pas do mbulonin letërsinë shqipe. Pedagogu ynë i nderuar Jakov Xoxa kish bërë një poemë-dramë “Buçet Osumi”, dhe para botimit do ta diskutonte në rrethin letrar të studentëve të tij. Ne pothuaj ia hodhëm poshtë profesorit; vlerësimin e botuam krenarisht në “Nëntori” me titullin pozant latin: “Ab ovo usque ad malum”!

-Si e kalonit jetën bashkë si krijues studentë!?-

-Të përzemërt. Dekani Bedri Dedja, shkrimtar e shok me ne, dërgon urdhër te drejtori i konviktit të vajzave që aty t’u japë një dhomë të zgjedhur katër talenteve më me zë në gjithë Ballkanin (!): I. Kadare, Dh. Xhuvani, Dh. Qirjazi dhe unë; se ata kanë nevojë për një mjedis të qetë frymëzimi të cilën e jepte prania e studenteve! Drejtori i konviktit, M. Zhegu, një tiranas i çiltër, ish partizan, e mori tepër seriozisht porosinë, thua bëhej fjalë për fatin e letërsisë! Thirri me urdhër pune shërbyeset për të na rregulluar dhomën 17, në anë të vajzave. Ditën e caktuar hymë qetësisht e tepër të edukuar njeri pas tjetrit. Ato na shihnin nga cepat e dritareve e ne ecnim si të përvuajtur, pa treguar asnjë mëndje të ligë! Në duar mbanim një radio të vogël blerë së bashku me honorarët e botimeve tona. Studentet në dritare e shoqëronin me sy si një gjë të rrallë ahere, si fat dhe për to. “Gëzoni, gëzoni, po në grackën e saj do bini!” u kish thënë shoqeve një vlonjate serioze.

-13 vjet mësues në një skaj të jugut, tepër gjatë, tepër vështirë!-

-Tepër vështirë jo vetëm si kohë brenda një qarku të mbyllur, por dhe si jetë me një pushtet ku në tërësi zyrtarët i zgjidhte sa të ligj në shpirt dhe të mangët në tru. Vendi i ngushtë në tërësi të ngushton shpirtin. Më kërkonin nga Tirana dashamirës letërsie, e s’të linte rrethi! Qe një robëri e fshehur ku njeriu qe skllav i komitetit skllavopronar. Më kish kërkuar një herë një redaksi pa ditur gjë unë, e sekretari i komitetit, terroristi B.S. më thotë tërë mllef mes nxënësve: “Kërkon të ikësh në kryeqytet! Po Gjirokastrën kujt do t’ia lesh, grekut”!? U hutova, pastaj s’di si ia ktheva: “Më falni, ju kur u larguat për në ambasada, jeni dhe gjirokastrit, kujt ia latë Gjirokastrën, grekut”!? Nxënësit mbanin me zor të qeshurën e u mënjanuan. Sigurisht mbijetesa prodhon format më të çuditshme të përshtatjes. Veçanërisht në kontrollet, zgjidhnim citatet më pikante të

udhëheqjes për të përcjellë shpjegimet në klasë.

-Si u largove më në fund nga Gjirokastra!?

– Udhëheqësi lavdëroi baladën për Selam Musanë e, me sa duket, “Sharku i Selamit” kish mbetur dhe për mua legjendë mbi tela, e unë sipër tij kalova për në Tiranë, redaktor kulture në Zërin e Popullit.

-Kur lindi armiqësimi me gazetën ?

-Ahere gjëja më e lehtë qe dëshmia për “armikun” pasi dhe kur s’kish, shpikej. Nuk qenë nga paaftësi në punë; (një ditë shkova të merrja rrogën, e llogaritarja më jep 1000 lekë më shumë. E pyes në habi e më thotë “nga anketa në gjithë vendin, jeni çmuar dy vetë si më të mirët dhe me shtim rroge. Sipas rregullit, shefi do ta thotë në kolektiv”! Ai këtë s’e tha kurrë pasi më qe paracaktuar fati.-

Si durove 10 vjet me kazmë internimi në Metalurgji?

U çova për dy vjet riedukim nga klasa, e më lanë 10 vjet për vetëshkatërrim nga vetja. Nënkryetari i Komitetit në Elbasan, një shok imi i mirë në gjimnaz, Idriz Çomo, më shihte tërë dhimbje me karrocë dore nëpër baltra; më tërhiqte në klub, e një ditë më këshilloi: “Bën një poemë për Metalurgjinë, se thonë pse hesht e s’po frymëzohesh nga klasa! Me këtë do të të lënë të largohesh”! “Mua s’më beson njeri dhe po t’u bëj qejfin! Kam shkruar për ta e më prunë këtu”! Ai shtoi: “Këtu në Degë të Brendshme ke vëllain e shokut tënd të ngushtë në Gjirokastër (N.L.); sa herë rrezikohesh për arrestim ai nxjerr nga blloku vjershën tënde për Udhëheqësin, e procesi ngrin për një kohë”. U ula bëra një vjershë të gjatë për Metalurgjinë e ma botoi drejtuesi dashamirës i “Dritës”. Më thërret befas për gjyq sekretari i Lidhjes, A.C. I zgjata dorën e s’ma dha. U habita tek e pashë dhe me pllanga të kuqe në fytyrë nga serioziteti klasor. Kishte qenë aq i mirë e i dashur me mua. Foli kërcënueshëm pa më parë në sy: “Kujt ia drejton strofën antiparti (dhe tendosi gishtin e vockël mbi të në gazetë duke e cituar): “Rri mirë të them dhe ty që të kam ngritur lart/, pushtetit mos i vur dhjamë kolltuku/, ndryshe të zbres nga kali e të ul në baltë/, ndryshe kërcijt t’i thyej me hosten të bujkut”! Po baltos kuadrot e partisë”…Mbeta i ngrirë. “Janë fjalët e Udhëheqësit në gojën e klasës punëtore” shpjegova unë. “Janë fjalët e puçistëve në gojën tënde” shtoi ai me zë të rreptë. “Ik, mendohu të na thuash se për kë i ke! Partia po pret”! U çova. Nga kjo, m’u shtuan dhe 5 vjet dënim. (Në demokraci ai merr pension të veçantë nga kryeministri Meksi, kurse mua, me gjithë ndërhyrjen e të nderuarit Uran Butka, nuk m’u dha). Më tej ish sekretari i Lidhjes në një Intervistë “demokracie” thotë lodrat e fjalëve: “Duhet të jemi të sinqertë gjer në dhimbje”! Ia kërkova dhe ende nuk ma ka thënë “sinqeritetin gjer në dhimbje” të tij: ai terrorizim ndaj meje që më  kushtoi aq shtrenjtë qe nga shpirti i tij apo nga porosia e dikujt”!?

 

 

Të dënuari e Metalurgjikut

“S’më harrohet, edhe pse kishim etje për njerëz, të dënuarit ruheshin nga njeri tjetri. Hyja në vagon të trenit; shihja Ali Osekun e nxitoja kokulur për në vagonin tjetër; aty shihja Qamil Buxhelin e nisesha gjetkë; shihja Pano Taçin, vrapoja më tej. Takoja në Bekim Gaçen, ecja më tutje. Treni nisej e unë ecja brenda tij: takoja Sadri Ahmetin,  vazhdoja më thellë. Dalloja Nasho Nathanailin, përsëri më tutje… Ironi e historisë: Vagonët mbushur me “armiq” që venin në Metalurgji të bënin “çlirimin e dytë të Shqipërisë”!

 

Zhvillimet letrare në ditët e sotme

Pyetjes “Si ju duket zhvillimi letrar sot, talentet apo kritika?: poeti Agim Shehu i përgjigjet: “Krijimi letrar ka jetën e vet. Formësohet natyrshëm te talenti e merr udhën për te lexuesi. Dje kish përballë kushtet ideologjike; sot ka ngushtësinë ekonomike. Dalin shumë krijues të rinj. S’ka asgjë të keqe. Të talentuarit që do shkëlqejnë do dalin prej tërësisë së tyre. Ata që s’do ecin dot më tej e ngarkojnë vetë në shpinë fatin e tyre. Shqiptarët janë popull me psikologji mbretërore e ndjeshmëri artistike”