Si lindi aksioma: ”Shkolla Ushtarake Skënderbej, fidanishte e ushtrisë”

1946
(Pjesë nga ditari i ish-komandantit të shkollës, Luto Haxhi)
Në nëntor të vitit 1948, u zhvillua Kongresi I i Partisë Komuniste. Në kongres isha dhe unë delegat. Në një nga pushimet, Beqir Balluku, komandanti i Divizionit të Korçës, më prezantoi me Enver Hoxhën. Pas prezantimit, Enveri më përgëzoi dhe buzëqeshi kur mësoi se unë isha nga Libohova…

…Në vitin 1955, Enver Hoxha asistoi në një seancë seminari me kuadrot e rinisë së ushtrisë. Në pushim, më pyeti për akademinë “Lenin” dhe më përgëzoi për rezultatet në mësime dhe në punë. Bëmë dhe një fotografi, të cilën unë e kam në albumin tim personal.

…Kam qenë në mbledhje të ndryshme me Enver Hoxhën. Kam qenë edhe komandant i Truprojës së Nderit. E kam pritur dhe përcjellë shumë herë. Kam mbresa të shumta e të mira. Po veçoj qëndrimin e tij, lidhur me një relacion që unë kisha përgatitur lidhur me statusin e shkollës ushtarake “Skënderbej”. Këtë relacion, që unë e kisha përgatitur në funksionin e Shefit të Kuadrit të Ushtrisë, drejtuar Komitetit Qendror të Partisë. Unë argumentova dhe mbrojta idenë reale që Shkolla Ushtarake “Skënderbej” është “Fidanishtja e Ushtrisë”… Enver Hoxha e kishte lexuar me interes raportin (relacionin që unë kisha përgatitur), e kishte nënvizuar dhe kishte bërë shënime. Ja çfarë kishte shkruar Enveri me dorën e tij: “…Jam dakord me autorin. Shkolla ‘Skënderbej’ të mos prishet, të mbahet, pasi e ka justifikuar që është ‘Fidanishte e Ushtrisë’…”. Edhe sot më kujtohet shkrimi i tij i bukur (kaligrafia, siç i thomi ne gjirokastritët).

…Me këtë porosi, Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, u mbajt deri në vitin 1992. Sali Berisha, e mbylli shkollën dhe nxënësit e saj i quajti ‘jeniçerë’. Turp i madh të mohosh një të mirë, ose më saktë, shumë të mirë që bëri ushtria. Shkolla “Skënderbej”, u krijua në 28 mars të vitit 1945. Në vitet 1950, arriti e u barazua me shkollat më të mira të vendit, si gjimnazi “Partizani” në Tiranë, me gjimnazin e Shkodrës, Gjirokastrës etj…Në olimpiadat që zhvilloheshin në bazë republike, gjithmonë zinte vende të para e nderohej me çmime. Vitet e fundit, infrastrukturës së shkollës iu shtuan kabinetet më modernë për kohën. Për rritjen e nivelit cilësor të mësimdhënies, kanë një meritë të veçantë dhe Ministria e Arsimit e Komiteti Ekzekutiv i Tiranës, sidomos në përzgjedhjen e kuadrit mësimdhënës e komandues (oficerë), ku afruan ndër më të mirët në shkallë vendi. Për rezultatet e arritura, kjo shkollë është nderuar me dy Urdhra ‘Skënderbeu’ e shumë urdhra të tjerë pune……
Rexhep Meta, mësuesi i letërsisë në shkollën “Skënderbej”
Rexhep Abdurrahman Meta lindi në Çepan më 03.04.1943. Arsimin fillore dhe shtatëvjeçar i kreu në fshatin e lindjes. Ka kryer gjithashtu shkollën e mesme pedagogjike; kursin pesë mujor në detashmentin e zbulimit për oficer; universitetin e Tiranës, fakulteti gjuhë-letërsi dhe kursin e lartë i filozofisë . Punoi tre vjet drejtor shkollë në fshatin Çepan. Oficer u titullua më 01.01.1970. Në ushtri kreu detyra të veçanta si mësues në shkollën ushtarake “Skënderbej”; propagandist brigade, si dhe zëvendës sekretar komiteti partie në Brigadën e Ndërlidhjes dhe Institutin e kërkimeve mjekësore ushtarake. Lirohet nga ushtria në vitin 1992.Me arsim të mesëm pedagogjik, me universitet të përfunduar ( fakulteti gjuhë-letërsi ), me kurs filozofie, shkollë partie si dhe me një kurs njëvjeçar për ushtarak, Rexhepi u njoh për zell në të mësuar e për mos lodhje në të punuar. Me punë e sakrifica të mëdha, ai kreu me nota të shkëlqyera shkollën shtatë vjeçare dhe me shumë pasion vazhdoi të mesmen. Pas tre vjetësh emërohet mësues dhe drejtor në shkollën e fshatit të lindjes dhe më pas, për disa vjet, edukator në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Për disa kohë, në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, krahas detyrës së komanduesit, dha mësim në lëndën e letërsisë. Rexhepi mbahet mend nga brezat e skënderbegasve për aftësitë pedagogjike dhe ndihmën që u jepte skënderbegasve që kishin prirje në krijimtarinë letrare. Gjatë kohës në këtë shkollë, një nga periudhat më të vështira është ajo e kryerjes së stazhit në krye të batalionit të skënderbegasve për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës. Pas largimit nga Shkolla “Skënderbej:, caktohet me detyrën propagandistit në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak dhe në Brigadën e Ndërlidhjes së ushtrisë shqiptare. I pari dhe vullnetarisht në detyra që kërkonin sakrifica, me punë pa bujë dhe vetëm të ndershme, kudo që shërbeu, Rexhepi ka lënë gjurmë të pashlyeshme të një kuadri trim, masovik dhe organizator që kënaqësinë e jetës e gjen në punë. Djali Rexhepit, Ilir Meta, ngjiti shkallët e karrierës politike duke kaluar në detyrat, kryetar partie, ministër, nënkryeministër, kryeministër, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe së fundi President i Republikës së Shqipërisë.
Dashamir Ohri, ndër edukatorët e parë ushtarakë në shkollën “Skënderbej”


Dashamir Ohri është një nga edukatorët e parë ushtarak skënderbegasve, i cili erdhi nga fronti i Luftës si ushtarak komandues në këtë shkollë. Shumë nga kadetët e parë, Dashamiri i kishte pasur shokë në frontet e Luftës partizane. Gjatë kohës që ai qëndroi në shkollën “Skënderbej”, mbahet mend nga kolegët dhe skënderbegasit si një njeri korrekt, i dashur, i përkushtuar dhe që bënte gjithçka për realizimin e detyrave. Dashamiri lindi në Strugë të Maqedonisë në vitin 1930. Prindërit e tij, në vitet tridhjetë u vendosën në Tiranë, por ngaqë i ati, Inajeti, vdiq i ri, familja mbeti në vështirësi ekonomike, prandaj edhe e ëma, Behija, u detyrua të martohej me Qazim Bej Vlorën, djalin e Ismail Bej Qemalit, kryeministri i të parës Qeveri Shqiptare, e cila doli më 28 Nëntor të vitit 1912. Njerku u përpoq shumë për t’i arsimuar fëmijët e të shoqes, në shkollat e atëhershme të Shqipërisë, ndërsa Dashamiri arriti vetëm shkollën unike të mbaronte, sepse ai, si motrat dhe vëllai i tij Edipi, u përfshinë në Lëvizjen Antifashishte Nacional-Çlirimtare. Vetëm 13-14 vjeç qe Dashamiri (Dushmani), siç e thërritnin me përkëdheli në lagje, kur ai e nisi detyrën luftarake si korrier midis Tiranës dhe Pezës, e më vonë u rreshtua në radhët e Brigadës së 3-të S, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë e të Jugosllavisë nga nazistët gjermanë. Pas çlirimit, Dashamiri dërgohet si komandues në Shkollën e Kadetëve të Luftës, që më vonë mori emrin Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Skënderbej”. Në muajin tetor të vitit 1952, kur ai ishte komandues në këtë shkollë, së bashku me Resmi Shametaj, Petrit Hysi, Shezai Kasaj, Petrit Myftiu u nisëm për në Baku, kryeqyteti i Republikës së Azerbajxhanit, dhe për 5 vjet rresht përfunduam me sukses Shkollën e Lartë të Flotës Luftarake Detare. Falë përkushtimit, ai arriti ta përfundojë këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera. Dashamir Ohri qe dhe njëri prej nënujësve të parë të Brigadës së nëndetëseve, e cila, siç dihet, u krijua në vitin 1958, kur nga Kaleningradi i Detit Baltik erdhën nga ish-Bashkimi Sovjetik, në Pashalimanin e Gjirit të Vlorës, 4 nëndetëset e para, të projektit C-613. Në filmin artistik shqiptar “Ballë për ballë”, me skenar të shkrimtarit Ismail Kadare dhe regji të mjeshtërve të mëdhenj, Piro Milkanit dhe Kujtim Çashku, “Mujo Bermena”, komandanti i nënujësve shqiptarë, që aq mjeshtërisht luhet nga artisti i njohur Bujar Lako, përfaqëson figurën e Dashamir Ohrit, i cili, duke qenë atëherë në detyrën e komandantit të Brigadës së ND-ve, i cili, me trimëri e guxim i mbrojti nëndetëset nga rrëmbimi i sovjetikëve duke i drejtuar me zgjuarsi ekuipazhet nënujësve shqiptare, përkundër planeve djallëzore të “Zheleznovit”, komandantit të nënujësve sovjetikë, që po ashtu, me mjeshtëri të rrallë, e luajti i paharruari, Sulejman Pitarka. Dashamiri kreu edhe detyrën e konsulentit, në procesin e xhirimit të këtij filmi.
Gjatë karrierës së tij ushtarake, Dashamir Ohri arriti të bëhet dhe drejtues i lartë i Flotës Luftarake Detare. Ndër vite, për rezultate të larta në punë, ai është vlerësuar zyrtarisht me medalje dhe mirënjohje të ndryshme. Dashamiri u nda nga jeta më 23 nëntor të vitit 2010, në moshën 80 vjeçare.
Skënderbegasi Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit


Drejtues Ardi Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka lindur në 2 Mars të vitit 1972 në Vergo-Delvinë. Nga viti 1987 deri në vitin 1991, kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Nga viti 1991 deri në vitin 1993 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 1994 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Tiranë. Nga muaji Janar i 1994 deri në Qershor 1998 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Ankara–Turqi. Krahas këtyre studimeve, diplomohet edhe në Fakultetin e Menaxhimit të Biznesit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, studime të cilat i kreu në vitet 2003 -2007 pa shkëputje nga puna. Është diplomuar gjithashtu edhe në Bachelor Fakulteti Juridik. Ka përfunduar një sërë kursesh profesionale trajnuese të organizuara nga PAMECA, ICITAP dhe OSBE brenda dhe jashtë shtetit, si, në Hungari, SHBA, Poloni, Itali dhe Akademinë e Sigurisë, Tiranë; Ka përfunduar kursin 8–javor pranë qendrës ILEA, Budapest, organizuar nga ICITAP. Është një njohës i mirë i gjuhës turke dhe angleze. 
Ardian Veliu ka këtë karrierë profesionale: Komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë (1998-1999); Shefi i Policisë së Rendit, Vlorë (1993-2002); Shefi i Sektorit të “Policisë me Uniformë”, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2002-2004); Shefi i Sektorit të Rendit, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2004-2006); Shefi i Komisariatit të Policisë, Durrës (2013-2014); Zëvendësdrejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Tiranë (2014-2015); Drejtor i Kolegjit të Policisë (Shkolla Bazë e Policisë) 2015 -2016; Drejtor i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit 29.07.2016 – 27.04.2017; Nga data 28.04.2017 deri në fund të janarit 2018, ka kryer detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Në fillim të shkurtit 2018, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar
Ardiani është i martuar dhe babai i dy fëmijëve.
Shkolla “Skënderbej” ku unë nisa karrierën time si futbollist


Haziz Çeço
Nëse unë kam bërë një emër në sportin e futbollit, këtë ia dedikoj fatit tim që m’u dha e drejta të nis studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Skënderbej” dhe të kisha trajner të njohur në këtë sport, që nga ai i pari që më evidentoi si talent, Sherif Çiçiku, e deri tek emrat e njohur Panajot Pano, Refik Resmja, Prokop Riza, Iljaz Dingu etj…Unë jam me origjinë nga Skrapari, por kam lindur më 6 janar të vitit 1958 në Konispol të Sarandës, ku për shkak të detyrës së babait tim si oficer, banonim familjarisht atje. Arsimin tetëvjeçar e kam kryer në shkollën “Irfan Tomini” të Peshkopisë, qytet në të cilin u shpërngulëm familjarisht për shkak të emërimit të babait tim në këtë qytet kufitar. Më 1 shtator të vitit 1973, më jepet e drejta e studimit në shkollën “Skënderbej”. Pikërisht, këtu në këtë shkollë, që në ditët e para të akomodimit, ishte i pasionuari Sherif Çiçiku (personi që ka zbuluar e stërvitur dhjetëra breza skënderbegasish në dekada, që u bënë pjesë e ekipit të ‘Partizanit’ dhe atij kombëtar). Unë kisha dëshirë si çdo fëmijë të luaja futboll e luaja vazhdimisht, por nuk dija se ky do të ishte moment (shkolla “Skënderbej”) që unë do i kushtohesha këtij sporti. Pra, pas evidentimit të talentit tim nga Sherif Çiçiku, unë bëhem pjesë e ekipit përfaqësues të futbollit të shkollës, e njëkohësisht, pjesë e ekipit të të rinjve të ekipit “Partizani”. Ishte ikona e futbollit shqiptar Panajot Pano, që sugjeroi përfshirjen time në këtë ekip. Njëkohësisht, duke iu përkushtuar sportit që në vitin e parë të shkollës, unë bëja përpjekje që të përvetësoja dhe programin mësimor edukativ, që në fakt, ishte shumë i ngarkuar. Kujtoj se atë vit, klasa ime (I-4), kishte komandues ushtarakët Shahin Muho e Guri Rakipi. Ndërsa mësuesit e grupit tonë ishin Marjeta Berati, Isak Mezini, Skënder Shkupi, Sashenka Rino, Liljana Nakuçi etj… Kujtoj me respekt shokët e klasës Arjan Ahmeti, Arjan Adhami, Harilla Filipi, Bujar Shehu, Maksim Dauti, Engjëll Halili, Minella Balliu etj… Disa nga këta unë do i kisha dhe shokë të ekipit përfaqësues të shkollës dhe tek “Partizani”.

Pas përfundimit të shkollës në vitin 1977, sipas rregullit, para se të ndiqnim shkollën e lartë ushtarake, shkuam një vit në prodhim. Unë, si sportist që isha, sigurisht, vitin e stazhit në prodhim e bëra si futbollist pranë ekipit “5 Shtatori” të Skraparit. Në shtator të vitit 1978, nisa studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të oficerëve në Tiranë, duke u rikthyer njëkohësisht dhe në ekipin e “Partizanit”…. Në këtë periudhë grumbullohem dhe me ekipin e parë të “Partizanit”. Tashmë futbolli ishte bërë pjesë kryesore e jetës sime. Në vitet 1980-1981 luaj futboll me ekipin e Skraparit, për të vazhduar më pas, në vitet 1981-1984 me ekipin “Labinoti” të Elbasanit”. Në vitin 1984 rikthehem përsëri në Skrapar ku luajta deri në kohën që e lashë futbollin si lojtar. Pasi lashë futbollin si lojtar, për katër vite rresht isha trajner i ekipit “5 Shtatori” të Skraparit.Në vazhdim, për 17 vite rresht kam punuar si mësues i edukimit fizik. Aktualisht, punoj pranë Gardës së Republikës në Tiranë.

Kush janë ushtarakët madhorë, prefektë në 12 qarqet e vendit


Një vendim i rëndësishëm i Këshillit të Ministrave, i datës 1 nëntor 2017, firmosur nga Kryeministri Edi Rama, për shkarkimin njëherazi të 12 prefektëve aktualë të vendit dhe emërimin në vend të tyre të 12 gjeneralëve apo oficerëve madhor të ushtrisë, është një nga vendimet më të rëndësishme dhe vlerësim maksimal për ish-nxënësit e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe krejt ushtarakët shqiptarë.

“Jemi në një fazë të re të procesit të qeverisjes pas një sërë reformash rrënjësore, lipset edhe një institucion i prefektit i ri dimensionuar tërësisht si një institucion përfaqësues i kryeministrit dhe i qeverisë në çdo qark. Nëse do kthejmë kokën pas, ky është një institucion që mbeti në hije në një pozicion letargjik dhe ndërkohë dinamika e re e kësaj faze qeverisje dhe pritshmëritë e larta që njerëzit kanë nga kjo fazë kërkon një qasje e një profil të ri të figurës së prefektit. Prefektët e rinj janë përzgjedhur nga radhët e ushtarakëve të lartë që nuk janë pjesë aktive e Forcave të Armatosura”, tha në daljen publike të Kryeministrit Rama. Duke evidentuar jetëshkrimet e aktivitetin e 12 ushtarakëve të sapoemëruar, ai e cilësoi këtë vendim të rëndësishëm që pritet të çoj më parë punët. 
Ja lista e plotë dhe jetëshkrimet e 12 ushtarakëve madhorë të emëruar prefektë:
1-Prefektja e Tiranës e para kolonele në historinë e Shqipërisë, Suzana Jahollari.
2-Prefekti i Kukësit, kolonel në rezervë, Zenel Kuçana
3-Prefekti i Dibrës, kolonel në rezervë Nexhbedin Shehu
4-Prefekti Shkodrës, kolonel në rezervë Çesk Millja
5-Prefekti i Lezhës, major në rezervë, Gjergj Prendi
6-Prefekti i Elbasan gjeneral major në rezervë Maksim Malaj
7-Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, me arsim ushtarak
8-Prefekti i Durrësit kapiten i rangut të parë në Forcat Detare në rezerve, Roland Nasto
9-Prefekti i Fierit, kolonel në rezervë, Baki Bala.
10-Prefekti i Beratit, kapiten i rangut të parë të Forcave Detare në rezervë, Harilla Dafa
11-Prefekti i Korçës, gjeneral brigade në rezervë, Dhori Spirollari
12-Prefekt i Gjirokastrës, kapiten i rangut të parë të Forcave Detare në rezervë, Astrit Aliaj
Sigal