Si erdha nga lufta në bankat e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”

1803
Estref Musabelliu
Unë jam një nga skënderbegasit e parë që me armë në dorë erdhëm nga fronti i Luftës dhe u ulëm në bankat e Shkollës së Kadetëve që më vonë mori emrin Shkolla Ushtarake “Skënderbej”. E mbaj mend si sot që unë shkova në këtë shkollë më 15 maj të vitit 1945. Por para se të flas për jetën në këtë shkollë, kolegët e mi, mësues e edukatorë ushtarakë, dua të them dy fjalë për veten time.

Unë kam lindur më 25 korrik të vitit 1929 në Nishicë të komunës Qendër në Skrapar. Në vitet 1937-1940 kam kryer arsimin fillor (shkollë italo-franceze)në Selanik. Në vitin 1940, pasi babanë invalid e pushojnë nga puna kthehemi në vendlindje dhe unë vazhdoj mësimet në shkollën e Veleshjes. Ndonëse i ri, u punësova në Guardia Di Financa të Skraparit, pasi dija mirë gjuhën italiane. Më 26 prill 1943 dola partizan së bashku me Qamil Spahon. Shkuam në çetën e Zylyftar Veleshnjes dhe nuk u shkëputëm deri më 29 nëntor 1944, ditën e çlirimit. Në shkollën “Skënderbej” ku shkova më 15 maj të vitit 1945, në vitin e parë bëmë shkollë fillore kurse në vitin e dytë programin e shkollës së mesme. Mua, dhe dy shokë të tjerë të klasës, kur ishim skënderbegas, në ditën e ditëlindjes së Enver Hoxhës, na pranuan kandidatë partie.

Më 1 shkurt të vitit 1948, një grup jo i vogël skënderbegasish na nisën për studime në shkollën 2-vjeçare të tankeve në “Bella Cerkvo” Band të Jugosllavisë. Ishim: Unë, Vangjo Sopi, Prokop Dede, Pertef Kalemi, Vasil Herra, Shefqet Dino (Myrtaj), Foto Gogo, Mestan Thuqaj, Hasan Baushi, Alo Qendra, Andri Hysa, Seran Bato, Dhimitraq Qirjako. Në këtë shkollë, në vitin 1946 kishin shkuar një grup tjetër shokësh si Kosta Ranxhi, Ramadan Osmani, Dhimitër Mitrushi, Kozma Prifti, Kapllan Hajdini, Lutfi Morava, Shyqyri Merko etj… Në Jugosllavi studiuam vetëm 5 muaj, pasi në qershor të vitit 1948 u ndërprenë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe në korrik të vitit 1948 u kthyem në atdhe. Më 8 nëntor të vitit 1948, grupi, siç ishim në Jugosllavi, u nisëm për në Bashkimin Sovjetik për studime në shkollën e tankeve (Uçelnishte), në degën e komandimit. Nga grupi ynë, Alo Qendro u zëvendësua nga Halo Sinani. Grupi ynë shkoi në Proskurave në Ukrainën Perëndimore dhe përbëhej nga: Vangjo Moniosopi (përgjegjës), Estref Musabelliu, Foto Goga, Muhamet Tase, Vasil Fera, Hasan Behushi, Nestor Thuqaj, Dhimitër Qirjanko, Shefqet Dina (Myrtaj), Idajet Koka dhe Halo Sinani. Njëherëzi me ne ishin dhe grupet e aviatorëve dhe marinarëve. Ne bëmë rreth 40 orë me tren deri në qytetin Ukrainas. Në këtë shkollë studiova nga ana teorike e praktike për dy vite e gjysmë. Më pas më transferuan në shkollën e qytetit Saratov, 700 km në juglindje të Moskës ku përgatiteshin komandantët e tankeve. Kujtoj se bënte shumë ftohtë, temperatura shkonte deri në minus 40 gradë. Në këtë shkollë unë mora vlerësimet maksimale. Këtu u shkëputa 4 muaj nga mësimet dhe u shtrova në spital pasi në Proskurov kisha marrë një të ftohtë. Më 20 mars mbarova Uçelnishten dhe me 31 mars të vitit 1952 kthehem në atdhe. Titullohem oficer aktiv me gradën nëntoger. Më 2 maj 1952 paraqitem në Regjimentin e Parë të Tankeve “Vojo Kushi” në Laprakë të Tiranës ku më kishin emëruar komandant toge. Kishte këtu dhe disa nga shokët e shkolluar me mua në Bashkimin Sovjetik. Nga maj 1954 deri në dhjetor të këtij viti, jam shef shtabi i Grupit AVL- 76 mm (Artileria vetëlëvizëse), ku më pas, deri në vitin 1954 qëndrova në detyrën e shefit të shtabit të Batalionit të Tankeve në Tiranë. Më 2 janar 1955, më emërojnë Shef Shtabi të Batalionit të Parë Autonom në Plepa Durrës, ku qëndroj deri në qershor 1956. Më 26 qershor më emërojnë Komandant të Batalionit Autonom. Në korrik të vitit 1956 jam përsëri në Bashkimin Sovjetik ku kryej Akademinë e Tankeve të Moskës. Studimet i mbarova shkëlqyeshëm në qershor të vitit 1961 duke merituar “Medalje Ari”. Në qershor 1961, pasi kthehem në atdhe, shkova në Grupimin e Drejtimit të Stërvitjes “Shqiponjat” në veri të vendit që drejtohej nga Mehmet Shehu, duke më caktuar ndërmjetës në Brigadën e Burrelit. Pas stërvitjes, me porosi të Mehmet Shehut më marrin Oficer Drejtimi për tanket në Shtabin e Përgjithshëm, ku rri deri në tetor të vitit 1961. Më 20 mars të vitit 1963 emërohem Shef i Shtabit të Brigadës së Parë të Tankeve në Zall-Herr. Më 27 dhjetor erdhi Komandant Brigade Gjeneralmajor Abaz Fejzo, i cili ka një kontribut të madh në këtë njësi e më gjerë… Më 1 shtator të vitit 1973 kryej dhe studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë…. Më 7 qershor 1984 ndërpres marrëdhëniet me Ministrinë e Mbrojtjes dhe dal në pension… Gjatë karrierës sime ushtarake kam marr urdhra e dekorata të ndryshme si “Yllin e Kuq” të Klasit të Parë dhe të Klasit të Dytë etj…

Gjatë kohës së pensionit jam angazhuar me organizatën e veteranëve.
Gjeneral Zihja Baja, skënderbegasi që u bë komandant i shkollës “Skënderbej”
Skënderbegasi Zija Bahja, në karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura ka kryer detyra të rëndësishme, përfshi dhe atë të komandantit të shkollës “Skënderbej”, Akademisë Ushtarake, etj… Zija Bahja lindi më 23 qershor të vitit 1954 në Elbasan dhe banon në Tiranë. Njeh gjuhët e huaja anglisht, italisht, gjermanisht, rusisht. Është i martuar me znj. Edlira Bahja ( Boçi). Kanë dy fëmijë, Endri (1981) Alba (1985). 

(Kujtime)

Kushdo që kalon një here eksperiencën 4 -vjeçare të Shkollës “Skënderbej”, ka të drejtë ta ndjejë veten krenar gjithë jetën e tij, por edhe në çdo cep të tokës. Ka një arsye për mbi të gjitha: Kjo shkollë edukonte si me presë personalitetin e skënderbegasit, të aftë dhe të denjë të donte shokun, pavarësisht se nga çfarë krahine vinte, të donte kolektivin e tij, familjen e tij dhe rrjedhimisht gjithë Atdheun, pavarësisht vështirësive dhe sakrificave që kërkonte detyrë… Atdheu, mbi të gjitha. Unë kam të drejtë të krenohem se kam qenë dy herë skënderbegas: Edhe komandant i kësaj shkolle për katër vite e gjysmë, Shtator 1985 deri në Mars 1989. Dhe me të drejtë ruaj kujtime të bukura për atë shkollë, për ata mësues e mësuese të përkushtuar, për ata oficerë dhe nënoficerë, që i donin skënderbegasit si fëmijët e tyre, duke treguar dashuri e kujdes për ‘ta, por edhe duke u kërkuar standarde e arritje të larta. Kjo ishte motoja jonë, motoja që frymëzonte gjithkënd, duke sakrifikuar edhe nga jeta e koha e familjes, e fëmijëve të tyre… U jam mirënjohës të gjithëve, pa përjashtim… 

Skënderbegasi Perlat Binaj, gjeneralbrigade 
dhe komandant i Aviacionit luftarak
Perlat Binaj është një nga nxënësit e Shkollës së Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” që ka pasur një karrierë të suksesshme në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke merituar gradën gjeneralbrigade dhe duke e merituar dhe komandën e Aviacionit Luftarak të Shqipërisë. Perlat Binaj u lind në Tiranë më 19 shkurt 1956, ku kreu edhe shkollën 8-vjeçare. Në vitet 1971-1975 përfundoi shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” me rezultate shumë të mira. Në vitet 1975-1979 kreu Shkollën e Lartë të Aviacionit. Në formimin e tij profesional ai ka dhe shumë kualifikime të tjera si një kurs fluturimi në SHBA në gusht të vitit 1994 dhe në qershor, 1995, përfundon dhe Kolegjin e Mbrojtjes. Fillimisht ishte pilot në Kuçovë deri komandant katërshe në vitet 1979-1989. Në vitet 1989-1992 zëvendëskomandant për taktikën, qitjen dhe zbulimin. Nga nëntori 1992-prill 1993, zëvendëskomandant i Regjimentit të Aviacionit të Rinasit, në prill 1993-dhjetor 1995, komandant i Komandës së Aviacionit me gradën gjeneralbrigade. Me kërkesën e tij nxirret në rezervë me dekret presidencial Nr. 1576, dt. 09.08.1996. Prej vitit 2013 kthehet nga SHBA dhe është specialist tek Autoriteti Aviacionit Civil Shqiptar.
-Skënderbegasi Xhemil Çela, studiuesi i njohur ushtarak
Xhemil Çela është një emër i njohur në fushën e shkencës ushtarake, veçanërisht në përgatitjen e studimeve, rregulloreve dhe mësimdhënies në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake Skënderbej, Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Xhemil Çela lindi në Gusmar të Kurveleshit më 2 prill të 1937. Arsimin fillor dhe 7-vjeçar i përfundoi ne qytetin e Tepelenës. Ne vitin 1950-1952 vijoi mësimet ne shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira. Më pas vazhdon studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve të cilën e përfundon me rezultate të mira në vitin 1954. Në vitin 1955 përfundoi dhe kursin e lartë pranë kësaj shkolle. Më 1959-1961 vijoi studimet në një fakultet të zbulimit te jashtëm në ish Bashkimin Sovjetik dhe më 1968-1970 përfundoi studimet e larta ushtarake në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Të gjitha shkallët e arsimit ushtarak i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Ka kryer detyra të ndryshme kryesisht në shërbimin e zbulimit ushtarak nga komandant toge (1955-1957) deri në detyrën e zëvendësshefit të Drejtorisë së Zbulimit të Ushtrisë (1971-1975). Në vitin 1980 u emërua pedagog pranë Akademisë Ushtarake dhe nga viti 1982-1991 shef i katedrës së zbulimit e ushtrive të huaja. Vitin e fundit të karrierës ushtarake u emërua kryeredaktor i revistës shkencore te akademisë me titull “Revista ushtarake”. Ka bërë shkrime te ndryshme në shtypin ushtarak të kohës kryesisht për probleme të sigurimit dhe të mbrojtjes. Është autor i shumë metodikave mësimore për stërvitje kuadrosh, shtabesh e me trupa të të gjitha shkallëve. Ka dhënë ndihmesë në pajisjen e kuadrove, komandave e shtabeve me njohuri e koncepte bashkëkohore për luftën në tërësi dhe luftimet e operacionet e Ushtrive të Huaja në veçanti, si dhe zbulimin ushtarak. Është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i katër botimeve të rregullores së pare të zbulimit me trupa (zbulues, nëngrup, grup e detashment zbulimi, 1975), “Pikëpamjet e ushtrive të huaja për veprimet luftarake të nënreparteve e reparteve në terren malor dhe si u kundërvihet AUP”, “Pikëpamjet e UH për desantin ajror e detar në shkallë nënreparti e reparti dhe si u kundërvihet AUP” (1991) dhe “Album i skemave të UH në llojet e luftimit e të operacionit dhe si u kundërvihet AUP” (1985). Zotëron gjuhët italiane e ruse. Mban 6 medalje pune e shërbimi. Doli në pension në vitin 1992. Nga viti 1998 është sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare “Labëria”.
Jaçe Ali Lulo, skënderbegasi që u bë zëvendësministër i Mbrojtjes Popullore
Jaçe Lulo lindi në Vëndreshë të Skraparit më 06.04.1936. Arsimin fillor e mori në fshatin e lindjes. Filloi shkollën ushtarake “Skënderbej” ku mbaroi edhe uniken e një klasë gjimnaz. Shkollën e mesme e përfundoi në Gjirokastër. Pas kryerjes së kursit të plotë trevjeçar të artilerisë tokësore në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë, titullohet oficer aktiv. Kryen detyra të ndryshme si komandant toge, komandant baterie dhe shef topograf artilerie brigade. Përfundon studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” dhe Kursin e Lartë të Filozofisë. Puna e tij vlerësohet shumë e mirë dhe ai vazhdon në ngjitje karrierën në komandant brigade, komandant korpusi, zëvendësministër i mbrojtjes dhe zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Shërbeu në rrethet Gjirokastër, Përmet, Burrel dhe Tiranë. Funksionet e tij njësohen me gradën e gjeneralit. Është i njohur si i etur për dije, besnikëri, guxim, dinamizëm dhe aftësi komunikuese, drejtuese e organizuese në kryerjen e çdo detyre. Mbante katër dekorata. Ndahet nga jeta prej një sëmundje të rëndë më 23.12.1986 

Figura e Jaçe Ali Lulos, përfaqëson pastërtinë dhe dinjitetin ushtarak të Shqipërisë edhe në arenën botërore. Historia do ta përmendë për përkushtim e kompetencë në detyrat dhe shërbimin ndaj atdheut. Ja dokumenti arkivor i emërimit në detyrën e zëvendësministrit nëpërmjet fjalëve të Enver Hoxhës, Komandant i Përgjithshëm i F.A të R. Sh. :”…Jaçe Ali Lulaj, tani komandant i Korpusit të 7-të, të emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në vend të Nazar Berberit, i cili shkarkohet nga kjo detyrë… Tiranë, datë 8 tetor 1982”. Jaçe Lulo ka lënë kujtime të mira tek shokët, eprorët, vartësit e tek të gjithë ata që punoi e jetoi me ‘to. Ja si shkruan kolegu e shoku i tij, studiuesi ushtarak Gani Elezi:”…. Pas largimit të Abdylit, për pak kohë në detyrën e komandantit të korpusit u emërua Jaçe Lula. Jaçja më parë kishte qenë në detyrën e shefit të shtabit të korpusit, kështu që e kishte të lehtë të ndërtonte punën e tij në detyrën e komandantit. Edhe Jaçja kishte një natyrë të veçantë. Ishte shumë komunikues në marrëdhënie me vartësit, të çdo niveli që të ishin; kishte një vijë sjelljeje që në gjykim të parë mund ta quaje edhe sjellje tolerante apo edhe liberale, por pikërisht një natyrë e tillë e bënte atë shumë të dashur dhe të respektuar në detyrën e komandantit. Me familjen e Jaçes banonim në një pallat , kështu që kishim edhe marrëdhënie familjare. Drita , e shoqja, ishte një grua me cilësi shumë të mira dhe na krijonte një ambient shumë dashamirës… Më vonë Jaçja shkoi në detyrën e zëvendës ministrit të Mbrojtjes, detyrë në të cilën punoi disa kohë deri sa vdiq në një moshë tepër të re. Edhe në këtë post të lartë ishte po ai që kishte qenë në korpus, i qeshur, me një sens shakaje, edhe për detyra të rëndësishme, gjë që edhe në aparatin e ministrisë i kishte dhënë një vend të veçantë….”
Sigal