Sigal

ARKIV/ Kundërevulucioni në Hungari prodhon armiq në Korçë

Tefik Qiraxhiu, si e shau Enverin dhe Partinë në mes të pazarit

Pëllumb Çuni

Tefik Qiraxhiu u dënua dy herë për agjitacion e propagandë. Ishte mik i Ali Kelmendit. Partizan i Brigadës II-S. I pasur, por merr pjesë në demonstratën e bukës, në vitin 1936. Me status veterani që nga viti 1939. Stërgjyshi i tij Osman Aga Mborja në moshën 25 vjeçare iku në Stamboll. Pas 6 vjetësh u kthye dhe me florinj bleu Bozdovecin.

Fillimet

Tefik Qiraxhiu lindi më datën 15 shkurt të vitit 1911 dhe vdiq më 19 nëntor të vitit 1996. Jetoi 85 vjet. Tefiku si mbaroi shkollën fillorë në Mborje nisi liceun Francez ku ndoqi dy klasë, sepse u mor me dyqanin që kish në Korçë dhe me pasurinë që kishte trashëguar nga babai i tij. Në Korçë rrinte pranë dajos, Hysen Baçes i lidhur me lëvizjen patriotike. Edhe dajua kishte dyqan. Në këtë dyqanin e dajos, Tefiku takohej me Ali Kelmendin dhe e rrëmbyen idetë e tij. Mori pjesë në Demonstratën e Bukës, në vitin 1936. Mori pjesë në demonstratën e 7 prillit të vitit 1939. U lidh me njësitin gueril të Korçës. Pastaj kaloi në brigadën II në batalionin e tretë. Kishte njohje me Sotir Gurrën e Petro Papin. Po gjithashtu merr pjesë në demonstratën e 8 nëntorit të vitit 1941. Për disa muaj mbajti me bukë Batalonin e tretë të Brigadës së Dytë Sulmuese. Mori pjesë në çlirimin e qytetit të Korçës dhe për të rritur numrin e partizanëve të rinj blinte armë. Nga fshati Mborje me armët e blera armatosi 17 të rinj. Aventurat e pasanikut nuk do të mbylleshin me çlirimin e vendit. Me ngritjen e komitetit ekzekutiv në Korçë punon vullnetarisht për sektorin e lëndës së drurit. Po reformat do ta preknin dhe për të shuar keqardhjen për marrjen e pyllit hidhte dhe nga një gotë. I dehur shante udhëheqjen dhe punonjësit që ndërhynin në sekuestrimin e pasurisë së tij. Në festën e 1 Majit të vitit 1950 ishte në qytetin e Korçës, dehet me raki e duke u ngjitur për në shtëpi në Mborje hedh parulla kundër udhëheqësve të partisë. Dënohet me një vit burg për agjitacion e propagandë.

Armiku

Kohët e arta për Tefikun mbaruan. E shpallin kulak. Pasi del nga burgu zbret në qytetin e Korçës duke e lënë fshatin dhe vilën dy katëshe në Mborje. Nis punë në Fermën Ushtarake si ekonomat. Babai i pesë fëmijëve do të mbyllej dhe një herë tjetër në burg. Në vitin 1956 një ditë para revolucionit rus dhe dy ditë para ditës së lindjes së partisë më 6 nëntor 1956 ai përsëri i dehur shan pushtetin popullor. Dënohet 10 vjet burg. Si mbaron dhe dënimin e dytë kthehet sërish punëtor në Fermën e Ushtrisë deri kur del në pension. Në vitin ’73 kërkon që t’i njihen vlerat e Luftës. Kërkon dhe gjen në Tiranë ish-komisarin e batalionit të tij ku kishte qenë partizan. E gjen komisar Janaq Karapataqin në Arkivin Qendror të Shtetit. Aty e vë në dijeni për dy dënimet që kishte bërë. Janaqi i lëshon vërtetim për periudhën e Luftës ku i vë në dukje kontributin e tij. Komiteti Ekzekutiv i Korçës e shpall veteran. Por sa qe gjallë Tefiku nuk pranoi ta merrte një mijë lekëshin e partizanllëkut. Si veteran është nga më të vjetrit që i janë njohur vitet. Ai figuron që nga viti 1939. Dosja e të përndjekurit politik mban shifrën 10463.

Dokumentet

Nga verifikimi i dokumenteve që disponon Arkivi i Shtetit Korçë fondi i PPSH-së rezulton se Tefik Qiraxhiu nga fshati Mborje me vendim të Byrosë së Partisë së Rrethit Korçë të datës 31 janar i vitit 1951 me dosje nr 16 i është venë titulli kulak si më poshtë:

“Përpara çlirimit ka pasur 70 dynym tokë, 3-4 kuaj, 3-4 lopë, 80 dhen, 300 dynym pyll në Bozdovec. Tokën e punonte me hyzmeqarë e argatë, bënte tregti dhe për këtë qëllim kishte një dyqan në Korçë. Gjatë luftës ka pasur një qëndrim me dy faqe, në të vërtetë ky simpatizonte ballin. Reforma agrare i ka marrë malin dhe pak tokë. Tani tokën e ka lënë. Qëndrimin dhe pas çlirimit nuk e ka pasur të mirë. Ndodhet në burg për punë armiqësore. Nuk gjendet asnjë dokument që të bëjë fjalë për heqjen e titullit kulak. Ky titull i ka mbetur deri në vitet kur u bë ndërrimi i sistemeve.

Dënimi i dytë

Dëshmitarët rrasin në burg të dehurin

Dënimi i dytë me dhjetë vjet burg është dhënë nga gjykata e qarkut Korçë, seksioni penal e përbërë nga Kryetari i gjykatës Ibrahim Xhuli dhe ndihmës gjyqtar Njazi Shkëmbi dhe Sherif Xhemali dhe ndihmës prokurori i qarkut Halo Xhemalaj. Gjykimi është bërë më datën 6 shkurt të vitit 1957. I akuzuar si element armik, në mënyrë të hapët ka zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundra pushtetit popullor, duke kryer krimin e parashikuar nga neni 72 paragrafi i parë i kodit penal. Gjykata pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat, pasi dëgjoi prokurorin, që kërkoi dhjetë vjet burgim dhe me humbjen e së drejtës elektorale për pesë vjet kohë, mbrojtjen e vetë të pandehurit që kërkoi pafajësi, si dhe fjalën e fundit të tij që e la në çmimin e trupit gjykues

Vëren:

I pandehuri Tefik Qiraxhiu më datën 6 nëntor 1956, ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës kundra pushtetit popullor. Në këtë datë, më 6 nëntor të vitit 1956, ai bashkë me disa shokë ka qenë duke pirë në kafenenë e të quajturit Tasi dhe mbasi pinë dhe hëngrën aty, vendosën që për të dëgjuar muzikë të shkojnë në klubin nr.7 të qytetit të Korçës. Mbasi shokët e tij ikën, vetë i pandehuri drejtohet për në klubin e sipërm dhe sikurse vërtetoi dëshmitari Thanas Punëmira, garson në këtë lokal, i pandehuri porositi raki dhe si e parapagoi këtë vazhdoi të pijë vetëm në njërën nga tavolinat e klubit. Gjatë kohës që i pandehuri ishte në tavolinë, filloi të flasë me zë të lartë dhe në prezencë të shumë personave që ndodheshin aty, fjalë që drejtoheshin kundra pushtetit popullor. Dëshmitari Xhuvi Naço vërtetoi para trupit gjykues, se në datën 6 nëntor ndodhej në klubin nr.7 dhe se në një tavolinë nja tre metra larg tij pinte i pandehuri Tefik. Ndërkaq deklaroi dëshmitari dëgjoi që i pandehuri filloi të flasë me zë të lartë në mes të kafenesë: “Kapitalizmi ka qenë, është dhe do të jetë dhe do të shpëtojmë se na hëngrën këta qena.” “Shprehjet e të pandehurit”- tha dëshmitari drejtoheshin kundra pushtetit popullor dhe njerëzve të tij. Dëshmitari Thanas Punëmira si garson i lokalit deklaroi se i pandehuri gjatë kohës që fliste e kish mendjen. Dëshmitari Muhamet Starja shpjegoi se i pandehuri dhe më parë ka folur keq dhe kërkon që të vijë e kaluara se ai është prekur nga Reforma Agrare. Shprehjet dhe fjalët e të pandehurit përmbajnë plotësisht thirrje për minimin e pushtetit popullor. I pandehuri u mundua të mohojë fajësinë, nën preteksin se ka qenë i pirë dhe nuk mban mend. Pavarësisht këtij pretendimi edhe sikur të jetë e vërtetë, nuk mbështetet, sepse sipas nenit 7 të K.Penal, dehja nuk është rrethanë që ta shkarkojë nga përgjegjësia, porse fajësia e tij në mënyrë të plotë, u provua nga thëniet e dëshmitarëve. Dëshmitarët në fjalë në shpjegimet e tyre ishin objektivë dhe këta në mënyrë të rrjedhshme shpjeguan rrethanat e ngjarjes dhe se asnjëri prej tyre nuk u shpreh me pasion. Kështu që pretendimi i të pandehurit se me këta (dëshmitarët) nuk ka marrëdhënie të mira dhe thëniet e tyre janë shpifje, është i pabazuar. Xhuvi Naço vuri në dukje se i pandehuri ka kryer krimin në një kohë kur zhvilloheshin ngjarjet në Hungari. Pra, rrezikshmëria e veprës që ka kryer paraqitet shumë e theksuar, sepse kjo drejtohet kundra pushtetit popullor, për minimin dhe dobësimin e tij. Kjo rrezikshmëri shtohet edhe më, po të kihet parasysh koha në cilën është kryer dhe ngjarjet që karakterizonin këtë kohë, siç janë ato në Hungari. Armiqtë e pushtetit popullor, sikurse është i pandehuri Tefik, aktivitetin e tyre, të shtyrë edhe nga reaksioni ndërkombëtar e drejtojnë kundra kampit socialist,d.m.th. kundra Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të demokracisë popullore. Si armik i pushtetit të popullit në vendin tonë edhe i pandehuri të njëjtin veprim ka bërë. Punëtorët dhe fshatarët e vendit tonë janë të lidhur si mishi me kockën me pushtetin e tyre. Këta e ruajnë, e duan dhe e mbrojnë si sytë e ballit pushtetin popullor. Prandaj cilat do që të jenë përpjekjet e armiqve të këtij pushteti për ta minuar ose dobësuar këtë, këta do të dështojnë, sepse populli e ruan me vigjilencë pushtetin e tij dhe fitoret që ka korrur nën udhëheqjen e Partisë dhe Pushtetit që ngriti me gjakun e tij. Pavarësisht përpjekjeve t’ armiqve dhe dëshirave të tyre, e kaluara nuk kthehet më. I pandehuri paraqet rrezikshmëri shoqërore sepse është dënuar dhe më parë për të njëjtin krim nga gjykata ushtarake. Kështu gjykata, pavarësisht meritave që pretendon i pandehuri se ka nga e kaluara, çmon se kundër tij, duhet të zbatohet maksimumi i dënimit të parashikuara nga dispozitat përkatëse për këtë krim. Ai është dënuar për të njëjtin krim dhe kjo masë nuk i ka bërë efektin e duhur edukativ. Jo vetëm kaq, por krimin e ka kryer në një vend publik.

Trupi gjykues vendosi:

Të deklaroj fajtor të pandehurin Tefik Qiraxhiun, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundra pushtetit popullor… e dënon me dhjetë vjet burgim, me humbjen e të drejtës elektorale për pesë vjet kohë, duke ia llogaritur vuajtjen që nga data 6 nëntor 1956.

U shpall sot më datën 6 shkurt 1957

Numri i vendimit 10.

Ankohet në gjykatën e lartë, por ajo lë në fuqi vendimin e dhënë nga gjykata e Korçës.

INTERVISTA/ Flet Alberti, një nga trashëgimtarët e Tefik Qiraxhiut

Si i shpëtoi gjyshja

plumbit të gjermanëve

-Si një nga trashëgimtarët e Tefik Qiraxhiut, ç’dini lidhur me pyllin e Bozdovecit?

-Pylli është blerë që para tre shekujsh. Pylli në atë kohë është vlerësuar në 60 pjesë dhe stërgjyshi im ka pasur 20.5 pjesë të këtij pylli. Në kohët e lashta Bozdoveci ka qenë fshat. Aty ende duken shenjat e varreve. Banorët e këtij fshati ikën dhe vendin e blenë banorët e Mborjes, midis të cilëve edhe fisi im.

-Përse është përdorur pylli?

– Të parët e mi e kanë përdorur për kullotë, për lëndë drusore e dru zjarri. Por e kanë ruajtur dhe rritur me kujdes, nuk lejuan që të shpërdorohej. Më tregonte babai se në vitin 1938 preu trarë, të cilët nuk i kishte vulosur. E kishte pyllin e tij. Trarët i donte për vete, për të bërë një dhomë të re. E dënuan rojet e pyjeve me 10-fishin e vlerës së dëmit që kishte bërë në pronën e tij. Gjatë luftës pylli shërbeu si bazë e partizanëve. Aty u përgatit Batalioni i Tretë i Brigadës së Dytë Sulmuese që u hodh në sulm për çlirimin e Korçës.

-Pse familja juaj, ndonëse e pasur u lidh me partizanët?

-Babai im i ka pasur hambarët plot, por ai ka marrë pjesë në Demonstratën e Bukës në vitin 1936. Ka marrë pjesë në disa demonstrata më pas. Në atë të prillit të 1939, të 8 Nëntorit të 1941, ku si më tregonte ishte tre hapa larg vendit ku u vra Koci Bakua. Babi im ka qenë shok i ngushtë me Raqi Qirinxhiun, Sotir Vullkanin, Petro Papin, Irakli Bozgon, mik e shok lufte me Beqir Ballukun. Ndoshta ndikuan tek babai im idetë e Ali Kelmendit se e kishte zënë mik. Shokët i kishte me ide të majta.

-E mbani mend luftën?

-Tre muaj para se të çlirohej Korça, babai më mori në Bozdovec. Vetë ishte i veshur partizan. Më sajuan dhe mua një palë rroba partizani. Isha partizani më i vogël në pyllin tim. Unë ruaj një foto nga ai turne në Bozdovec. Ishte gusht i vitit 1944 dhe një partizan na bëri një foto, të cilën e kam ruajtur me kujdes që shpëtoi nga burgosjet e tim etj. Në vitet e luftës gjyshja bënte tri fura buke për partizanët. Një ditë e marrin gjermanët dhe e lidhin para oborrit bashkë me xhaxhanë. Dikush kishte spiunuar. Ndërhyri një kushëriri ynë, që dinte gjermanisht e u tha se bukën në mal e çojnë për barinjtë e deleve. Nuk e pushkatuan. Në katin e dytë të shtëpisë sonë rrinte komanda gjermane. Në katin e poshtëm piqeshin bukët për partizanët.

-Cili qe fati i pyllit pas luftës?

-Mesa më kujtohet mua nga të thënat e babait, pylli në vitin 1946 u shtetëzua. Babi erdhi në Korçë me banim dhe mori dy dënime politike për pyllin se herë pas here i kujtohej dhe pinte e shfrynte dertin. Shteti e shfrytëzoi e bëri dhe Park Kombëtar.

-Kur u shpall Park Kombëtar?

-Parku u ngrit në vitin 1960. Është 9 km larg nga qyteti i Korçës. Dominon bredhi, por ka pishë, ah, lajthi. Aty rriten 127 lloj bimësh mjekësore, duke filluar nga salepi e deri tek fieri i gurit. Nga kafshët e egra kanë shtëpinë e tyre ariu i murrmë, ujku, dhelpra, macja e egër, sorkadhja. parku është një kopsht zoologjik natyror i vërtetë. Ka një sipërfaqe prej 350 hektarësh. Deri në vitin 1990 u ruajt e u shtua, që nga ky vit po shkatërrohet nga dita në ditë. Nuk e pret dot sëpata bredhin, por motosegat që erdhën nga Greqia po e kthejnë në një shkretëtirë. E ruajtur është vetëm pjesa e ish vilave të cilën e kam marrë unë si pjesën time ku i bleva vilat se dolën në shitje. Pjesa tjetër është masakruar. Pylli është si një mall pa zot. Kur rrëzohen trungjet shekullor zënë nën vete dhe filizat e rinj. Një bredh pritet, u pritet koka edhe 30 të tjerëve. Po vonohet kthimi i Parkut ish pronarëve.

-Po vilat i keni vënë në punë?

-Tani për tani mungon infrastruktura, por vizitorë ka. Unë kam një projekt për ngritjen e një hidrocentrali të vogël, që të ketë energji 24 orë. Pensionistët që ngjiten edhe sot e kanë kafen falas nga ana ime. Po kështu dhe nxënësit dhe studentët që kanë kaluar natën në hotel, nuk u kam marr lekë për fjetjen. Unë nuk do ta ndryshojë këtë lloj trajtimi. Po kështu dhe gazetarët nëse vijnë me këto kushte i pres. Kam vizitorë edhe në dimër, ku u siguroi ngrohje me dru.

-Kur ta merrni të gjithë pjesën e babait do ta trajtoni vetë apo do ta shisni?

-E kam porosi nga babai: “Edhe nëse mbetesh pa bukë, mos shit asnjë hap pyll. Shko e rri atje në mes të pyllit dhe me ajrin dhe lulet e tij mbetesh gjallë. Po shite një hap, hapat e tjerë shiten vetë.”

Dënimet

Dënimin e parë e mori në vitin 1950 me një vit burg, pasi në gjendje të dehur kishte sharë qeverinë dhe partinë. Gjyqi u zhvillua, në datën 21 korrik të vitit 1950. Gjykata ushtarake Korçë, e formuar prej: Kapiteni i parë Loni Dinoshi, kryetar, major Agush Gjergjevica, nd/gjyqtar Kapiten II Vangjel Babi nd/gjyqtar

Vendim

Në padijen penale të regjistruar me nr.139 kundra të pandehurit Tefik Qiraxhiu, akuzohet “se” duke qenë në pozita armiqësore me pushtetin popullor ka agjituar dhe propaganduar kundra pushtetit, në datën 1 maj 1950 duke shkuar për në katundin Mborje ka sharë duke thënë: “Poshtë qeveria, poshtë partia”. Megjithëse i pandehuri pretendoi para gjyqit se kam qenë i dehur, por gjykata këto nuk i merr parasysh. Gjyqi deklaron fajtor Tefik Qiraxhiun për fajin e axhitacionit dhe propagandës dhe e dënon në bazë të dispozitave të ligjit 372 datë 12 dhjetor 1946, me një vit privim lirie. Vendimi nr. 102 datë 21 korrik 1950