Si e përçoi Enveri diktaturën komuniste nga zyrat e Fashos

1020
Leonard VEIZI
Rrëfimi i Arkitekti të njohur Petraq Kolevica për ndërtesat fashiste që u adoptuan në epokën komuniste 
Plan, italian, francez… belg apo… 
Tirana po kalon ditë të vështira në krijimin e një identiteti të ri urbanistik, larg skematizmit që la epoka komuniste, por gjithashtu, edhe larg skemave të fashizmit, i cili megjithëse veproi për një periudhë të shkurtër, la gjurmë të dukshme. Megjithatë, 20 vjet pas rrëzimit të murit totalitar, Tirana vazhdon të jetë problem me urbanistikën e saj. Akse në ndërtim e trafik i rënduar në kufijtë maksimalë. Ato që dikur cilësoheshin “sheshe” sot e kanë humbur identitetin e tyre.
Petraq Kolevica, inxhinier e arkitekt i njohur në një intervistë dhënë kohë më parë pë Gazetën ¬“ Telegraf ”, duke folur për Tiranën e sotme dhe të dikurshme rrëfen se si ka ndryshuar urbanistika e qytetit në dëm të jetës urbane dhe se si godinat e ndërtuara për të përjetësuar madhështinë fashiste u kthyen në zyra nga ku propagandohej diktatura komuniste: 

Çfarë mendoni se nuk funksionon sot në aksin kryesor të kryeqytetit?
Them se ka dalë tepër shatërvani tek sheshi “Nënë Tereza”. Shatërvani ishte mirë kur ai shesh ishte në funksion të njerëzve. Ndërsa sot aty është një nyje trafiku dhe shatërvani në këtë rast shërben vetëm si polic trafiku. Sepse të gjitha makinat vijnë rrotull shatërvanit. Që të cilësohet shesh, aty nuk duhet të kalojnë makina. Një nga urbanistët e mëdhenj spanjollë, Hoze Luis Sert, thotë këto fjalë: “Në qoftë se do të prishësh një shesh fut trafikun në të”. Kështu kam shkruar edhe unë për sheshin “Skënderbej”, në kohën që përmes tij kalonte vargu i makinave. Në këtë kuadër sheshi “Nënë Tereza” nuk është më shesh përderisa njerëzit nuk kalojnë të qetë nga frika se mos i shtypin makinat.

Kjo pjesë e Tiranës vazhdon të ketë ndërtime me arkitekturë fashiste. A janë në funksion të një qyteti modern? 
Pushtimi fashist, ndonëse i shkurtër e në gjendje lufte, për interesat e veta, me synime koloniale, bëri ndërtime deri atëherë të panjohura në Shqipëri. Kështu p.sh., u ndërtuan të parat blloqe banesash 3-4 katëshe, godina e Kryeministrisë, kompleksi i sotëm Universitar dhe Materniteti në Tiranë. Nuk duhen harruar as vilat nazike që u ndërtuan në Tiranën e Re para e gjatë atij pushtimi e as ndërtesa e Kishës Katolike. Megjithëse në ndërtesat qeveritare të ndërtuara gjatë pushtimit ndihej fryma e stilit të arkitekturës fashiste të Piaçentinit, në përgjithësi u bënë ndërtime të bukura, me arkitekturë moderne, me materiale veshës e punime të cilësisë së lartë. Kështu, viti 1945, e gjeti popullsinë qytetare shqiptare, veçanërisht atë të shkolluar, me një shije relativisht të formuar pro arkitekturës moderne, racionale, funksionale. Intelektualët, që kishin studiuar në vendet kryesore të Evropës dhe ishin kthyer të punonin në vendlindje, dinin t’i çmonin ndërtesat si hotel “Dajti”, Banka e Materniteti në Tiranë dhe ato mbetën për shumë kohë njësi matëse krahasimi në gjykimin e vlerave arkitektonike të ndërtesave të mëvonshme. Ndërkohë, filloi ndryshimi i sistemit shoqëror.

Shumë godina të ndërtuara në vitet ’40 ndërruan destinacion. Cilat janë disa prej tyre?
Institucionet fashiste në funksion të të cilave u ndërtuan këto godina, ranë, kështu që godinave iu ndërrua destinacioni. Aty ku sot është Universiteti Politeknik, e që më parë quhej Korpusi i Universitetit, kanë qenë zyrat e fashos. Kompleksi i veprave tek universiteti, ku harmonizuan me Akademinë e Arteve dhe godinën me kolonada, ku sot ndodhet Rektorati, pra ky kompleks vazhdon të jetë shumë i rëndësishme për Tiranën. Gjithë kompleksi ishte në shërbim të kohës së fashizmit, për më shumë për edukimin e rinisë fashiste. Kompleksi u ngrit në atë mënyrë me qëllim që të krijohej një shesh, i cili do të shërbente për zhvillimin e manifestimeve fizkulturore të rinisë fashiste. Madje, në të dy anët u ngritën shkallë, ku autoritetet dhe ushtarakët e lartë do të ndiqnin manifestimet e balilave dhe të avanguardistëve, siç quheshin të rinjtë fashistë në atë kohë. Madje, në hyrje, të sheshin “Nënë Tereza” u ngritën dhe dy bazamente, që vazhdojnë të ekzistojnë dhe sot, në të cilat do të ngriheshin dy grupe skulpturore dhe që do ta motivonin këtë shesh. Por edhe për shkak të rrëzimit të diktaturës fashist në shtator 1943 ato mbetën pa u vendosur. 

Vetë Stadiumi “Qemal Stafa” çfarë përfaqësonte në këtë kompleks?
Ç’është e vërteta është komentuar se të gjitha këto ndërtesa, ku përfshihen stadiumi, korpusi i Universitetit e Akademia e Arteve, së bashku me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, formonin simbolin fashist, Sëpatën e Liktorit. 

Ndërkohë kemi dhe dy godina të tjera të rëndësishme në aksin qendror të kryeqytetit, përballë njëra-tjetrës, gjithashtu, prodhim fashist?
Kryeministria vërtet u ndërtua në kohën e fashizmit, por ajo u ndërtua me fuqi shqiptare. Madje, atje kanë punuar mjeshtra shqiptarë, gjë të cilën ma kanë pohuar vetë. Kryeministria e sotme që në fillimet e saj u projektuar për zyrat më të rëndësishme të shtetit, pra për një godinë qeveritare dhe nuk ndryshoi destinacion as kur në pushtet erdhën komunistët. Në atë godinë pa mbaruar mbeti vetëm bazorelievi. Këtë bazoreliev shumë vite më vonë e përfunduan një grup skulptorësh shqiptarë ku ishin Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, por ishte dhe një mjeshtër, Taqo Mio, emri i të cilit thuajse nuk përmendet fare.

Po godina ku sot strehohen kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese dhe KLSH-ja?
Mbi themelet e godinës ku gjithashtu do ishin zyra të fashos dhe të propagandës fashiste, u bë godina e Komitetit Qendror. Padyshim ka shmangie nga projekt fillestari. Megjithëse kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore ishin ndërtuar tashmë themelet, duke përfshirë bodrumet. Në vitet e regjimit komunist ndërtesa u ngrit afërsisht sipas projektit fillestar italian, duke u bërë selia e Komitetit Qendror të PPSH. Gjithsesi, duke folur në mënyrë figurative, them se mbi themelet e një godinë, ku do të trumpetohet ideologjia fashiste u ngrit një ndërtese, ku u përçua ideologjia komuniste. Në të dy rastet i shërbeu diktaturës.
Sigal