Si dhe nga cilët u udhëhoq tranzicioni i gardës në vitet 1992-1996?!

2216
Safet N. Ramolli*
24 Qershor 1928 – Data e Krijimit të Gardës së Republikës
Rrethanat e reja politike që u krijuan
Lufta e Dytë Botërore, e epitetuar edhe “Mirazh i Shkretëtirës”, tmerret që shkaktoi dhe plagët që kërkonin shërim, i bënë kushtrim njerëzimit, që të kërkojë e aplikojë rrugëkalime humane e progresive për ta shlyer sa më shpejt nga kujtesa, si dhe të rigjenerojë vlerat materiale. Mendje të hapura në rruzull bënin thirrje për paqe e mirëkuptim, që Njeriut t’i thuhej Njeri. Në diplomaci termi preferuar diplomatik e mediatik u bë “Lufta e Ftohtë”, çka u kujtonte popujve se, vijonin të ishin në luftë, prandaj duhej ta shihnin njëri-tjetrin si njeriu-njeriun. Në zhvillimet ekonomike, ndarja diametrale ideologjike, vijonte të bënte “të vetën”: në Perëndim artikulohej pasthirrma për Revolucion Tekniko-Shkencor, ndërsa në Lindje propagandohej vijimi i Revolucionit Proletar, i veshur me vellon më tingëlluese “Socialist”; në njërën anë punohej për një “Shoqëri Konsumi”, në tjetrën flitej për “Moral Proletar”, i cili pranonte “të hahej edhe bar por parimet të mos tradhtoheshin”, e të tjera si këto..Por gjithsesi koha bëri të vetën. Mjaft mendje të ndritura apologjisë për të zhvilluar ethshëm “garën e armatimeve” i kundërvunë pasthirrmat-apoteozë: “Të mendojmë e të punojmë për një botë pa armë, pa ushtri, pa luftëra…, të zhvillojmë me përparësi garën ekonomike”, etj. Këto pasthirrma u bënë shkak edhe për Shqipërinë si një “çlirim ideologjik”; Në ish Bashkimin Sovjetik fitoi terren slogani “Gllasnost”; në Evropën Lindore po merrte jetë ëndrra për mendim të lirë, për ekonomi tregu; për pluralizëm politik, etj. Këto pasthirrma shprese, edhe pse disi me vonesë, u dëgjuan edhe në Shqipëri, gjeografikisht në skajin jugor të Evropës Juglindore. (1) Ajo u përfshi nga një sërë ndryshimesh të vrullshme në fushën politike, ekonomike e shoqërore, të cilat do të prekin edhe Gardën e Republikës në mjaft aspekte juridike, organizative etj.
Garda e Republikës përballë një misioni të ri
Së pari, u gjykua, se edhe Data e Krijimit të Gardës duhej vlerësuar si çështje përmbajtjeje dhe jo forme: të kishte një Datë Krijimi të bazuar në dokumente historike, që të ngërthente rrugën e përshkuar, të bëheshin vlerësimet përkatëse, të kishte një ligj organik, me mision të qartë; mandej të bëhej ristrukturimi, riorganizimi dhe rishikimi i detyrave, që ajo të bëhej: Njësi e Specializuar Ushtarake Operative, dinamike, e zhdërvjellët dhe e gatshme të përmbushte detyrat me përkushtim, me profesionalizëm dhe me dinjitet. Si Datë Krijimi, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, me Vendimin Nr. 562, dt. 06.12.1993, afirmoi që të jetë 24 qershor 1928, dhe jo 12 Shkurt 1944, e mbajtur për gati 50 vjet. (2) Gjithsesi, që është më pranë të vërtetës dhe disi më larg vlerësimeve, qëndrimeve dhe vendimeve me ngjyrim politik partiak. Data e Re bazohet në Dekret-Ligjin dt. 24.06.1928 të Qeverisë së kohës, kur për herë të parë në Historinë e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare jepet një ligj organik, mbi bazën e të cilit bëhet organizimi i Ushtrisë. (3) Ajo përbën një akt të rëndësishëm: synohet rivlerësimi i historisë sa më pranë realiteteve dhe larg politizimit shterp; bazohet në dokumente historike autentike; pasqyron rrugën e gjatë në të cilën ka ecur dhe ka lënë gjurmë. Është edhe homazh e vlerësim i punës së dhjetëra-qindra patriotëve, që ëndërruan e punuan për krijimin dhe konsolidimin e Shtetit Shqiptar, përfshi edhe të këtij Formacioni Special; përbën edhe rivlerësim të sakrificave e të privacioneve të qindra-mijë efektivave, që kanë shërbyer me devocion e përkushtim me moton se, i shërbejnë Atdheut dhe Popullit të tyre. Ai përbën vlerësim, mirënjohje, obligim e respekt edhe për ata që, me gjakun e tyre dhe të shokëve, mbetën Monumente të Luftës për Liri e Prosperitet në gjithë hapësirën kohore. (4) 
Ligji “Për gardën e Republikës së Shqipërisë”: dimensione të reja, misioni për Gardën
Veprimtaria e Gardës së Republikës u gjykua të kryhet mbi bazën e Paketës Kushtetuese (e miratuar në vitin 1991, me fuqi vepruese deri sa të miratohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë S. R), të Vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve nënligjore të dërguara nga Ministria e Brendshme apo e Rendit Publik si dhe të përcaktimeve që bëhen në Rregulloren e Brendshme të Gardës së Republikës dhe të urdhrave të tjera të titullarëve të Institucionit nga ajo varet. Me miratimin e Kushtetutës së Re të Republikës së Shqipërisë, dekretuar më 28 Nëntor 1998, veprimtaria e Gardës së Republikës ka në themel dhe në bazë pikërisht këtë Ligj Themeltar. Pas ndryshimeve të thella të realizuara në vitet ’90-të, Kuvendi Popullor (Parlamenti Shqiptar S. R), me Vendimin Nr. 7602 dt. 09.09.1992, miratoi ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të cilin Presidenti i Republikës e shpalli me Dekretin Nr. 322, dt. 15.10.1992. (5) Ky ligj paracakton qartë vendin që zë dhe rolin që luan Garda në sistemin shoqëror; misioni i saj dhe lidhjet me organet e tjera, mënyrat e organizimit të bashkëveprimit dhe e kompletimit me personel; përforcimet në rast gjendjes së jashtëzakonshme, etj. Me këtë ligj ajo emërtohet: “Njësi e Specializuar Ushtarake”, çka do të thotë që, për nga resurset njerëzore dhe armatimi, sidomos nga detyra që plotëson, etj., është e barasvlershme me Njësitë Ushtarake të Bashkuara Operative (Divizionet S.R), por gjithnjë dhe mbi gjithçka, e cilësuar “Njësi e Specializuar”, cilësim që buron nga misioni i saj : “Të ruajë Personalitetet e Larta Shtetërore, Selitë dhe Rezidencat Qeveritare të përcaktuara me ligj ose që vendosen me urdhër të Ministrit të Brendshëm”, detyrë që mund të përmbushet nga efektiva me specializim të ngushtë, me shkallë përkushtimi më të lartë krahasuar me strukturat e tjera. Ligji normon përfshirjen e Gardës në strukturat e Ministrisë së Brendshme me varësi të drejtpërdrejtë nga Titullari i Institucionit. Ajo si Institucion i qartë Juridik, duhet dhe u përmbahet principeve bazë të vlerave të demokracisë dhe të parimeve të Kartës së Helsinkit, të cilat kanë në themel sigurimin dhe garantimin e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Shtetasve. Ajo merr në ruajtje direkt tre Personalitetet më të Larta të Shtetit Shqiptar: Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kryesisë së Kuvendit, dhe Kryetarin e Këshillit të Ministrave, të cilët përbëjnë edhe figurat qendrore të një periudhe të caktuar kohe sipas rrotacionit politik. Ndërkohë merr në ruajtje edhe titullarë të tjerë, dhe personalitete të huaja sipas një përcaktimi të qartë. Gardës i jepen në ruajtje edhe Rezidenca e Presidentit të Republikës, Selia e Kuvendit Shqiptar, Selia e Këshillit të Ministrave, dhe Rezidenca të tjera Qeveritare, gjithsesi të përcaktuara me një vendim të Këshillit të Ministrave. Ligji specifikon edhe mënyrën e plotësimit të misionit : organizimi, planizimi dhe realizimi i shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë të Personaliteteve të Larta Shtetërore si dhe të Rezidencave dhe të Selive. Ai saktëson edhe se kujt i garantohet ruajtje e afërt fizike kur ndodhet jashtë shtetit; bashkëpunimi dhe detyrimi reciprok me institucione të tjera (Ministria e Brendshme. Shërbimi Informativ Kombëtar, Ministria e Jashtme dhe e Mbrojtjes etj.); organizimi dhe kryerja e pritjeve ceremoniale sipas përcaktimit që bëhet nga protokollet përkatëse etj. Ligji specifikon edhe disa momente të tjera, të cilat kanë të bëjnë vetëm me misionin tepër të rëndësishëm që ajo përmbush: kriteret e aftësive fizike, arsimore dhe profesionale të personelit, organika dhe uniforma, dokumente identifikues, kualifikimi dhe shkëmbim përvoje me homologët e huaj etj. Duhet nënvizuar edhe fakti që, Komandanti i Gardës emërohet nga Presidenti i Republikës, pas një propozimi të Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Këto kërkesa e përcaktime, kushtëzohen dhe lidhen me karakterin e veçantë e specifik të detyrës së Gardës, si një mision kombëtar, human, fisnik në një shoqëri demokratike dhe jo totalitare. Personeli i Gardës, në çdo kohë e situatë, duhet të reflektojë dhe rrezatojë : besnikëri të pakufi kundrejt Atdheut dhe Popullit; ndershmëri dhe figurë të pastër morale; trimëri, këmbëngulje dhe guxim; humanizëm dhe shpirtgjerësi; kulturë dhe dije bashkëkohore; profesionalizëm e shprehi ushtarake të plota, e të tjera të kësaj natyre. Ligji, synon të jetë bashkëkohor, por ka nevojë të plotësohet me çështje të karakterit social, ekonomik; të rritë dinjitetin e personelit përmes trajtimit financiar dinjitoz, i cili të bëjë të mundur përjetimin real si “Elitë e Forcave të Armatosura”, “Repart Prestigjioz” etj. Ai duhet t’u japë zgjidhje mjaft problemeve të mbartura, apo të akumuluara : për strehim e kualifikim, për shkëmbim përvoje dhe thithje eksperience etj. si dhe mjaft çështje të tjera, të cilat i kanë munguar, së paku deri në kohën e formulimit të këtij ligji.
Ristrukturimi- hapësirë për rritjen e përgjegjësisë dhe efektivitetit
Misioni i Gardës së Republikës në kushtet e Shoqërisë Pluraliste, i konceptuar si një shërbim për të gjithë Personalitetet Shtetërore sipas rezultatit të rrotacionit dhe garave politike, bënte domosdoshmëri ristrukturimin e saj, planizimin e shërbimit në gjithë elementët e tij, për të rritur masat e sigurisë. Gjithë masat në fushën e strukturave, instruksioneve, pozicionit të detyrave, përgatitjeve, etj., do të synonin që të bëhet plotësisht e aftë profesionalisht dhe e përkushtuar maksimalisht për të përmbushur misionin ligjor. Integrimi i shoqërisë shqiptare në rrugën e demokratizimit të mëtejshëm krijoi hapësira reale, që edhe Garda të fitojë dimensione të reja humane. Hapësira juridike është më e plotë dhe më e përshtatshme, çka rrit sigurinë dhe dinjitetin; personeli dhe veprimtaria e tij është më shumë nën mbrojtjen e ligjit, çka edhe rrit nivelin e përkushtimit e të krenarisë. Bashkëpunimi me simotrat perëndimore, kualifikimi dhe thithja e përvojës së tyre, natyrshëm rritin personalitetin dhe dinjitetin. Por integrimi i plotë bënte domosdoshmëri riorganizimin strukturor, përcaktimin e detyrave dhe organizimin e shërbimeve që, Garda të bëhej më e zhdërvjellët, më e manovrueshme, më efektive në realizimin e detyrave. Më 1992, një nga epërsitë bazë u gjykua zbatimi i disa ndryshimeve strukturore, për të mundësuar drejtimin dhe komandimin unik, çka do të thoshte që, Komandanti i Gardës dhe stafi i tij drejtues, të kishin në administrim dhe përdorim të plotë të gjitha resurset njerëzore dhe potencialin teknik e material. Drejtimi i Gardës realizohej nga Komandanti dhe Zëvendësi i tij, ndërsa për problemet e gatishmërisë dhe të përgatitjes profesionale, përgjigjej shefi i shtabit, që varej nga Komandanti. Në këto kushte “Drejtoria e Ruajtjes së Personaliteteve Shtetërore”, (e quajtur edhe “Drejtoria e Dytë”), e cila varej nga Ministria e Brendshme, duhej të integrohej në Gardën e Republikës si pjesë e strukturës së saj organike; të merrte detyra nga Komandanti i Gardës dhe t’i realizonte në bashkëpunim partneriteti me efektivat e tjerë dhe sistematikisht të raportonte për zbatimin e detyrave. Deri në këtë kohë, edhe pse ajo ishte “Drejtori” e Ministrisë së Punëve të Brendshme, i imponohej Komandantit të Gardës dhe gjithë efektivit të saj, deri në dhënie urdhrash, duke u sjellë më së shumti me autoritetin e të qenit apo të shërbyesit autoritar pranë Personaliteteve të Partisë-Shtet, apo të “Shteto-Partisë”, e epitetuar disa herë nga politika. Me riorganizimin e ri u emërtua “Dega e Rujtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore” (D.R.P.L.SH), ishte pjesë organike e Gardës, merrte detyra nga Komandanti i Gardës, i nënshtrohej përgatitjes profesionale me strukturat e tjera, realizonte detyrat në bashkëveprim në kushte të barabarta. Kjo mënyrë konceptimi, përqendronte detyrat tërësisht në duart e Komandantit, unifikonte veprimet dhe qëndrimet e gjithë strukturave në funksion të misionit, penalizonte njëlloj gjithë strukturat dhe rriste përgjegjësinë e të gjithëve sipas detyrimit juridik. Në strukturat e Gardës do të vepronin edhe këto Degë: Dega e Ruajtjes së Objekteve të Rëndësisë së Veçantë (D.R.O.V); Dega Ekonomike (logjistike S.R); Dega Teknike. Të gjitha degët drejtoheshin nga kryetari dhe plotësonin sipas përkatësisë këto detyra: zbatimi i rregullave të hyrje-daljeve në O.R.V. Të tilla objekte trajtoheshin: Selia e Presidencës, e Kryeministrisë, e Kuvendit dhe e Kryesisë së Kuvendit, Ministritë e ndryshme (përjashtuar Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes, të cilat siguroheshin me forcat e tyre S.R). Ndërkohë Dega Ekonomike dhe ajo Teknike kishin detyrë themelore sigurimin materialo-teknik; përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rigjenerimin e aftësive mendore e fizike; sigurimin me mjete i shërbimeve në çdo situatë, e të tjera. Puna organizohej me seksione, të cilat kishin autonomi dhe hapësirë të mjaftueshme veprimi. Si strukturë e barasvlershme me Degët e mësipërme, vepronte edhe Shtabi i Gardës, me disa seksione, sektorë dhe shefa armësh e shërbimesh: Seksioni i Gatishmërisë dhe Informacionit; Ai i Përgatitjes Moralo-Psikologjike (në Forcat e Armatosura quhej Drejtimi i Brendshëm); Seksioni i Ndërlidhjes (Komunikimit S.R); shefi i përgatitjes fizike dhe ai i armatim-municionit; shefi i xhenios dhe i kimisë; shefi i stërvitjes, të cilët kishin varësi nga shefi i shtabit të Gardës. Por në vartësi të Komandantit të Gardës vepronin edhe : Seksioni Operativ; Ai i Personel-Organizimit; Seksioni i financimit; Ai i Objekteve të Gatishmërisë së Përhershme; Sektori i Përgjithshëm. Në strukturat e Gardës bënin pjesë 5 (Pesë) batalione, emëroheshin me numër rendor apo reparti, ndërsa njëri emërtohej “Batalioni i Specialiteteve”. Ndërkohë nga Komandanti i Gardës vareshin edhe këto nënreparte autonome: Kompania Operative; Kompani Autonome të dislokuara në Durrës, Vlorë dhe Pogradec, me detyra të specifikuara në dokumentacionin përkatës. 
Disa nga kuadrot që udhëhoqën riorganizimin 1992-1996.
Drejtuesit e Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme këtë Njësi e kanë vlerësuar dhe trajtuar si Strukturë Specifike, të rëndësishme dhe të domosdoshme. Prandaj edhe për kompletimin me personel drejtues u veprua me mjaft përgjegjësi. Në detyrën e komandantit u përzgjodh z. Halit Gjeçaj, me gradën ushtarake nënkolonel, pas disa muajsh kolonel dhe nga janari 1994 përfitoi gradën madhore Gjeneral-Brigade. Vinte nga radhët e Forcave të Armatosura, me të gjitha kualifikimet e mundshme ushtarake, me përvojë pune mjaft të pasur dhe pozitive. Në drejtimin e njësisë u pri nga parimi që punës t’i gjente zot, prandaj edhe ruajti kontingjentin bazë të efektivit që trashëgoi, por duke i integruar në përmbushjen e detyrave vetëm në trasenë profesionale duke i mënjanuar nga ndikimet politike dhe militantizmi partiak. Bëri gjithçka të mundur që veprimtaria e efektivit të bazohej vetëm në ligj, t’i shërbente me vendosmëri ligjit të shtetit, dhe të krijonte kushte sa më optimale për jetesë dhe shërbim, në rrethanat kur mbështetja financiare dhe materialo-teknike ishte mjaft e kufizuar. Pati meritën që të ndërtonte marrëdhënie korrekte sipas hierarkisë ushtarake duke respektuar rreptësisht normat morale të shoqërisë shqiptare të kohës. Për të gjitha këto dhe shumë të tjera, mundësoi që shërbimet në përgjithësi të kryheshin me përkushtim, me dinjitet dhe me profesionalizëm. U tregua korrekt me të kaluarën e Njësisë, ruajti marrëdhënie mirëkuptimi me ish-drejtuesit e saj dhe me ish- titullarët e Ministrisë së Brendshme. Në Gardë në evente të ndryshme ishin të pranishëm sa më lart, pavarësisht përkatësisë apo pëlqimeve partiake, ashtu si ishin të mirëpritur edhe përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj vizive. Vetë komandanti i Gardës në vitin 1994, u bë nismëtar që ceremonia e ndarjes nga jeta të ish-komandantit të kompanisë së Gardës më 1944, të organizohej nën kujdesin dhe me pjesëmarrjen e efektivit të Gardës. Në punën për realizimin e detyrimit juridik dhe moral të Gardës, krijoi një ekip kuadrosh bashkëpunues dhe bashkëveprues në unitet, dhe që e ndjenin përgjegjësinë e detyrës. Midis shumëve do të veçoja: Bashkim Mustafa, nënkolonel, Zv./komandant i Gardës, me karrierë të pasur në sistemin e ministrisë së brendshme, i përkushtuar dhe punëdashës, kontribues që Njësia të ngjiste shkallët e suksesit në vijimësi. Dashamir Shehi, kapiten i parë, shef shtabi i Gardës, më vonë u bë major, nënkolonel, dhe në janar 1994 edhe kolonel. Vinte nga radhët e Forcave të Armatosura, me mjaft përvojë pune në fushën organizative, e donte punën dhe hapte horizont për kualifikimin e kuadrove komandues. Duhet pohuar që ishte mjaft praktik dhe rezultativ. Klajdi Josifi, major, Kryetar i D.R.P.L.SH, në janar 1994 mori gradën nënkolonel. Kishte aftësi organizative dhe drejtuese, prandaj edhe mjaft autoritar me efektivin që drejtonte. Gjelosh Ukcama, nënkolonel, kryetar i D.R.O.V, në këtë detyrë deri në nëntor 1994, kur u zëvendësua nga z. Arben Ibro, major, të dy punuan me profesionalizëm dhe përgjegjësi në detyrën e ngarkuar. Pjetër Toçi, në vitin 1992 ishte kapiten i parë, në janar 1994 u gradua nënkolonel, komandant batalioni; i arsimuar dhe me aftësi të mira komanduese. Besnik Muho, në vitin 1992 mbante gradën nënkolonel, janar 1994 u gradua kolonel, gjithnjë me detyrë kryetar i Degës Ekonomike, i kompletuar si kuadër në fushën e logjistikës, me aftësi shumë të mira organizuese dhe praktike, prandaj dilte me sukses në çdo situatë. Mihal Gani, 1992, major, janar 1994 kolonel, kryetar i Degës Teknike; me përgjegjësi përballonte nevojat për transport në kushtet e kompletimit me mjete transporti të pakta në numër dhe të amortizuara. Kristulla Kaçi (Prifti), kapitene I më 1992, shefe e seksionit të Personel-Organizimit. Në vitin 1993 u zëvendësua nga z. Alfons Harizaj, me gradë kapiten I. Të dy e donin punën, por i dyti ishte me arsim të lartë civil dhe tip studiues, duke u futur në botën e pafund të kompjuterit dhe internetit. Gjergj Ndreka, me gradën ushtarake major, ishte shef i shëndetësisë, me përvojë pune të pasur dhe mjaft praktik, njeri i komunikueshëm me këdo dhe për çdo gjë. Eqerem Baxhaku, kapiten i I më 1992, më 1994 major, me detyrë shef i Sektorit të Përgjithshëm, njeriu i kudogjendur dhe për të gjithë, fatkeqësisht ndërroi jetë në moshë të re në gusht 2015, humbjen e kam përjetuar në mënyrë të veçantë. Neil Ruçi, kapiten i I më 1992, mandej major, me detyrë shef i Grupit të Gatishmërisë dhe Informacionit, i kompletuar si ushtarak, ndër kuadrot më komunikues dhe arsimdashës. Adem Hasa, n/kolonel dhe kolonel, me detyrë komandant batalioni, shembull i një ushtaraku model për gjithçka. Astrit Veliu, kapiten i I më 1992 dhe major e nënkolonel më vonë; komandant kompanie, shef shtabi e komandant batalioni, punëdashës dhe i lidhur me efektivin. Dy Qemalët (Xhaferri, Pepiu) dhe Fran Prenga, më 1992 kapiten I; mandej major dhe në janar 1994 n/kolonel. Të lidhur me punën dhe efektivin, mjaft këmbëngulës në realizimin e detyrave, metodistë të mirë. Ramazan Gjini, më 1992 kapiten I, janar 1994 n/kolonel, gjithë kohën komandant batalioni, rezultativ në punë. Ishin plot kuadro të tjerë që punonin me devocion, për arsye që kuptohet nuk mund t’i përmend të gjithë, duke u kërkuar ndjesë. Ndryshimet strukturore dhe kompletimi e rikompletimi i funksioneve organike, gjithsesi do të konceptoheshin dhe zbatoheshin me idenë e mirë në funksion të përmirësimit cilësor të kryerjes së detyrave nga efektivi i Gardës së Republikës.
Të gjitha këto masa mundësuan që Garda e Republikës të ishte nga Njësitë e rralla që tranzicionin e përballoi me sukses, duke shënuar hapa progresivë muaj pas muaji dhe vit pas viti. Midis efektivit gardist kanë qenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare, ashtu si efektivi e ka gjetur të pasqyruar punën dhe sakrificat në median e shkruar dhe atë vizive, çka e ka rritur më tej nivelin e përkushtimit.

Ish efektiv i Gardës së Republikës.
Qershor, 2017
Sigal