Shumë urime për ty “Durrësi i Ri”!

1442
Nga Hyskë Borobojka

Fejton
“I nderuari miku im! Sot nipi im mbush tre vjet e hyn për katër. Je i ftuar kryemik në këtë festë të veçantë!”- më njoftonte një shok i vjetër nga Durrësi. S’ia bëra dëshirën dy, por i hipa autobusit dhe sa u gjenda në banesën e tij, zura vend në tavolinën e shtruar, për shtatë palë qejfe. Si hëngrëm e pimë sa u dendëm, sipas programit të ceremonisë, u ngritën pjatat e gotat bosh dhe në mes të tavolinës u vu një tortë e madhe, sa një lëmë. Në të ishin vendosur tre qirinj, që tregonin tre vitet e nipit, që sapo i kishte mbushur. Qirinjtë u ndezën dhe u ftua vogëlushi t’iu frynte e t’i shuante. Të gjithë ne, sa ishim në tavolinë, shuarjen e tyre, sipas zakonit, e shoqëruam me këngën: “Shumë urime për ty!”.

Të nesërmen, miku im nga Durrësi, shfaqi dëshirën, që të qëndroja në qytetin bregdetar, që të merrja pjesë në një përurim tjetër, që do të bëhej në lagjen e tij, që emërohej herë “Lagjja 17-të”, e herë “Këneta”. A mundet t’i prishet qejfi e të mos i plotësohet dëshira mikut, sidomos kur je mysafir në banesën e tij me lugë në brez?! Atë ditë të shënuar në lagjen e tij, kishin ardhur qeveritarë nga pushteti vendor e qendror. Nuk mungonin dhe nja dy deputetë të Qarkut të Durrësit. Qëllimi i mbarë i këtij mitingu ishte, pasi kësaj lagjeje do t’i hiqej emërtimi “Lagjja 17” apo “Kënetë”. Kjo e fundit na kujton foletë e mushkonjave, ujërat e ndenjura e moçalet që na sillnin peshqesh malarien (s’ka gjë se kur gjëmon e vetëtin dhe shtrydhin brekët retë në qiellin sterrë e kur mungojnë kanalizimet e s’janë në gatishmëri hidrovoret, krijohen këneta e gjole të reja) Nejse, këtu hapa një parantezë nga kujtimet e vjetra, që përsëriten e bëhen të reja. Kësaj here përfaqësuesit e dy pushteteve, vendor e qendror, kishin ardhur, për t’ia fshirë këtë emër të urryer, që banorëve të kësaj lagjeje u vriste veshin e u sillte ndërmend kujtime të hidhura. Ata kishin vendosur ta pagëzonin e përuronin me një emër të ri, të bukur e kuptimplotë “Durrësi i Ri”. Të ishe aty e të dëgjoje, duhet ta kishe fatin me bisht. Premtimet e mëdha lumë, që dilnin nga të deleguarit, si të pushtetit vendor ashtu edhe atij qendror, sikur ishin vënë në garë, cili të bënte më shumë punë të “mira” për “Durrësin e Ri” që, pas këtij përurimi, do ta kishte zili “Durrësi plak”, disa mijëra-vjeçar. Aty do të lulëzonte gjelbërimi, që te pishat qepallë-gjelbra e deri te eukaliptet, të sjella nga an’ e anës, me porosi të vetë kryeministrit të vendit, më të mira e më të bukura se ato të mbjella gjatë autostradës, Tiranë-Durrës, që po thahen. 

-Mbaj shënim! – i tha njëri prej tyre, vartësit të tij, -Të ndërtohen e asfaltohen rrugë të reja, që banorëve të këtij qyteti të ri dhe miqve të tyre, të mos u mbeten këpucët në baltë e në llucë. Të asfaltohen trotuare, të shtruar me pllaka të zgjedhura, që qytetarët të kalojnë pa pengesa. 

-Mbaj shënim! – vazhdoi tjetri. – Të ndërtohet edhe një palestër, sipas kërkesave të kohës, ku të stërviten, jo vetëm fëmijët, të rinjtë e të rejat, burrat e gratë, madje edhe pleqtë e plakat pensionistë. 

-Mbaj shënim! – urdhëroi vartësin një tjetër. – Të ndërtohet edhe një shatërvan, që ta hedhë ujin me stërkala dy minare përpjetë. 

-Mbaj shënim! – ishte përsëri lajtmotivi i premtimeve. – Të ndërtohet edhe një pishinë, që të mos lodhen qytetarët të bëjnë disa metra rrugë deri në buzë të detit për t’u larë me ujë të kripur, por të shijojnë ujin e ëmbël qelibar të pishinës.

-Mbaj shënim! – urdhëroi tjetri. – Pse Tirana të ketë dy stadiume për topin e këmbës dhe qyteti bregdetar vetëm “Niko Dovanën”?! Në “Durrësin e Ri”, që po përurojmë të ndërtohet edhe një i tillë, që të përgatitet e të stërvitet skuadra e tij e re, për të zhvilluar ndeshje “derbi” me “Teutën” e vjetër. Njëri nga banorët e kësaj lagjeje, që do të merrte emrin “Durrësi i Ri” u ankua se po hiqnin perrupinë për ujë e ishin lodhur së bleri ujë, jo vetëm për të pirë, por edhe për të larë, pasi çezmat e banesave të tyre ishin të thata, rrallë e për mall, si hëna për Bajram, lageshin. 

-Mbaj shënim! – s’vonoi urdhri. – Krojet e çezmat e banesave të këtij qyteti, të derdhin, njëzet e katër orë, pa ndërprerje ujë të ftohtë akull e të kulluar qelibar. Një banor tjetër i lagjes (më falni, i “Durrësit të Ri”) u ankua për mungesën e dritave elektrike, që ikin pa lajmëruar e harrojnë të kthehen, jo me minuta e orë, por me ditë të tëra.

-Mbaj shënim – vazhdoi urdhri i titullarit për vartësin. – Kërkesa e qytetarëve të plotësohet me njëherë dhe të detyrohet Kompania e Shpërndarjes të Energjisë elektrike, do ta vërë vath në vesh këtë ankesë e kërkesë, jo vetën që të mos ua ndërpresë energjinë, një ditë e një orë, por asnjë minutë! Madje, aty të vendosen edhe disa qindra shtylla me llamba neon, për ta bërë natën ditë, të llamburitë “Qyteti i Ri, që banoret e tij të mos qorollisen në ndonjë hendek apo gropë të hapur e të pambyllur.

-Maj shënim, – i tha vartësit të tij, njëri nga të ardhurit kastile për këtë ceremoni. – Të ngrihet aty edhe një kullë më e madhe se ajo e Korçës e më e lartë se “Kulla e Babilonisë” e “Fari i Aleksandrisë! -Vërtet se kryetarin e bashkisë të qytetit bregdetar e kemi të shkurtër, por gjuhën e ka të gjatë për premtime, korr e mos lidh! – guxoi e foli një qytetar tjetër. Por fjala e tij e thartë u kundërshtua e u ëmbëlsua nga pushtetarët e deputetët e ardhur për pagëzimin e përurimin e “Kënetës” me emrin “Qytetin e Ri”. Banorët e kësaj lagjeje, që tani e tutje do të merrte një emër të ri, si u ngopën me premtime e gëzime, falënderuan autorët, me besim e shpresë të madhe, se fjala e tyre do të vinte në vesh të Perëndisë. Pas kësaj ngjarjeje të shënuar, miku im nga Durrësi, nguli këmbë si mushka, që të ktheheshim në banesën e tij, për të kaluar edhe një natë tjetër, që të çmalleshim e të gëzoheshim më shumë. Ishte errur fare, kur morëm rrugën për në shtëpinë e tij. Sa shkela te pragu i derës, mbeta si kali qorr, s’dija si e ku ta hidhja këmbën, pasi banesën e kishte zaptuar errësira. Bashkëshortja e tij, nxitoi, mori qirinjtë, që i shoi i nipi sipër tortës, dhe i ndezi menjëherë. Ndërsa nipi trevjeçar e shoqëroi me këngën: “Shumë urime për ty, shumë urime për ty, gjyshe!”. Ndërsa unë me mikun vazhduam ison: “Shumë urime për ju, premtime jallane!”
Sigal