Shtegtimi mitologjik i Trojës homerike

554
Përparim Rexhepi

Vijon nga numri i kaluar
Edhe pse në periudhën në të cilën ajo zakonisht i atribuohet Luftës së Trojës ( shekulli XIII-XII para erës së re), temperatura mesatare ishte më e ulët se aktualisht, kushtet klimatike të përshkruara nga Homeri nuk përshtaten me detin Egje, sidomos duke marrë parasysh se ngjarjet e përshkruara janë zhvilluar kryesisht në verë. Vinci pretendon se vendet që përmenden në veprat e Homerit në fakt janë emrat e disa vendeve në Finlandë, Suedi dhe Danimarkë. Sipas tij, qyteti i Tebës korrespondon me qytetin suedez Täby, që ndodhet në veri të Stokholmit. Qyteti i Trojës do të korrespondojë me Toija në Finlandë jugore, që ndodhet pranë qytetit të Turkut dhe se vendet që përshkruan Homeri kanë qenë në Baltik, Danimarkë, Suedi dhe Finlandë. Vinci pretendon se poemat e Homerit kanë pikëtakime të shumta me mitologjinë dhe legjendat nordike mesjetare. Por, këto pretendime nuk mbështeten nga shumica e studiuesve të Homerit. 
Troja në Angli :
Iman Jacob Wiekens (i lindur në Hollandë), në vitin 1990, botoi një libër, ku pretendon se akejt ishin fise kelte dhe fillimisht banonin në Cambridgeshire, në vendin e quajtur Gog Mag Hills në Anglinë Lindore. 

Sipas Wiekens, që i referohet një terrakotë etruske, Troja ishte e ndërtuar në formën e një labirinthi, i vështirë për t’u pushtuar. Labirinthe të tilla prej guri, që në përbërje të fjalës, kanë rrënjën Troja, gjenden në vendet skandinave dhe përreth detit Baltik. Sipas tij, lufta mes akeasve e trojanëve, ishte lufta mes fiseve kelte që banonin në Anglinë Lindore. Fiset kelte që u mundën, u detyruan, në vitin 1200, para erës së re, të emigrojnë drejt detit Egje në Greqi dhe ishujt e saj, si “popuj të detit”, si fise “akease dhe pellazge”. Ata i emërtuan vendet e reja, sipas toponimeve të atdheut të mëparshëm dhe sollën me vete shumë legjenda dhe poezi epike popullore, që u ruajtën dhe u transmetuar gojarisht. 

Pas shumë shekujsh, “rreth viteve 750 para erës së re, kjo pasuri epike u përkthye dhe u shkrua në greqishten e vjetër”. Wiekens përdor fjalën u “përkthye” dmth sipas tij, keltët që erdhën nga Anglia në Greqi nuk ishin të njëjtë me popullsinë e lashtë, që gjetën aty. Ai vëren se në veprat e Homerit ka shumë fjalë të gjuhëve të Evropës Perëndimore, sidomos nga gjuha daneze, franceze, angleze dhe gjermane. Edhe ai, si Vinci, pretendon se klima, pyjet dhe deti, ku zhvillohen ngjarjet tek “Iliada” dhe “Odisea” i ngjan asaj të Detit të Veriut, përshkruhen shumë pemë gjethegjërë, kur në Greqi mbizotëronte ulliri gjethevogël, deti është i murrëtyer dhe jo i kaltër, si në Egje dhe Jon etj. Sipas Wiekens, pamja fizike e heronjve kryesorë të Homerit u ngjan njerëzve të veriut të Evropës, ku mbizotërojnë ata me flokë të verdhë dhe sy të kaltër, kurse në Greqi dihet që mbizotërojnë zeshkanët. Menelau ishte me flokë të kuq, Akili bjond, Odisea-kuqalosh, Helena leshraverdhë, etj. Akili i ngjan Sigrifidit të ciklit të Nibelungëve, i cili ishte bjond, shumë i shpejtë, pothuajse i paprekshëm, me përjashtim të një pike të dobët në shpatull (Akili e kishte në thembrën e këmbës së djathtë). Dy femrat më të rëndësishme të Sigfridit ishin Grimilda dhe Brunilda, kurse për Akilin-Griseida dhe Briseida. Homeri përshkruan bankete me guacka të mëdha dhe ngjala, kur dihet se ato preferojnë ujërat e ftohta të Detit të Veriut, të mbushur me alga dhe jo detet e ngrohta të Egjeut dhe Mesdheut. Homeri flet për koçi të tërhequr nga kuajt, kur akejt preferonin të luftonin në këmbë dhe trup me trup. Për Wikelns lumenjtë e përshkruar nga Homeri ndodhen në Anglinë Lindore, si lumi Thames, që sipas tij, korrespondon me lumin Tamiz në Londër. Sipas këtij autori, por edhe Vincit, Homeri i verbër, nuk mund t’i vërente këto ndryshime e dallime të natyrës, të detit, pemëve, të pamjes fizike të njerëzve etj. Ai i përshkruante ato, pa i parë asnjëherë me sy, por vetëm sipas asaj që kishte dëgjuar nga bardët paraardhës, të cilët i kishin trashëguar nga keltët.
Epilog: 
Ka edhe autorë të tjerë më pak të rëndësishëm, që mbështesin teorinë se lufta e Trojës u zhvillua diku në veri të Evropës dhe popujt/fiset akeas, pellazgë, “popujt e detit” et, emigruan në jug të Evropës, në Greqinë e sotme dhe Turqinë perëndimore, duke sjellë mitet për këtë luftë. Shumica e studiuesve në botë nuk i mbështesin këto teori. Edhe grekët e Lashtë, Aleksandri i Madh, persët, më pas romakët, besonin se Troja e Homerit ishte afër ngushticë së Dardaneleve. Kontestimet ndaj veprave të Homerit kanë filluar që në kohën e lashtë. Ato nisin me poetin Stesicoro (jetoi në Italinë e Jugut, rreth viteve 630-vitit 555 p.e.r., dhe publikoi tre vepra për Luftën e Trojës, “Palinodia”, “Kali i Drunjtë” dhe “Plaçkitja e Trojës”). Ditën, kur Stesicoro mbaroi së shkruari variantin e parë të poemës “Palinodia”, ku tregonte se si Helena e tradhtoi Menelaun, papritmas u verbua. Atë natë në ëndërr iu shfaq Helena, e cila i tregoi Stesicoros se ai ishte verbuar nga dy vëllezërit e saj, Kastori dhe Palluksi, pasi e kishte paraqitur motrën e tyre, si një grua të përdalë. Stesicoro në variantin e dytë të poemës tregoi se Helena nuk shkoi fare në Trojë, por qëndroi në Egjipt, kurse Paridi lundroi për në Trojë me hijen e saj. Pas kësaj, Stesicoros iu rikthye shikimi. I dyti në radhë është Herodoti, që cilësohet si babai i historisë, i cili rreth viteve 432, p.e.r. përsëriti variantin e Stesicoros se këmba e Helenës nuk shkeli kurrë në Trojë, por shkoi në Egjipt, kurse në vend të saj, në Trojë iku një Helenë e rremë, aq mjeshtërisht e kamufluar, sa asnjë nga falltarët trojanë nuk e zbuluan dot. Euripidi, më 412 p.e.r., në kulmin e Luftës së Peloponezit mes Spartës dhe Athinës, duke u mbështetur tek Herodoti, vuri në skenë dramën “Helena”, ku përshkroi se Helena nuk shkoi në Trojë, por në vend të saj fluturoi “Eidoloni” (imazhi) i Helenës, ndërkohë që “Helena e vërtetë” qëndroi në Egjipt. A u zhvillua Lufta e Trojës diku në veri të Evropës dhe fiset/popujt e sipërpërmendur e vendosën emrin e saj në atdheun e ri, siç është mentaliteti i popullatave emigruese apo ajo u zhvillua në Trojën e sotme. Dihet se një pjesë e madhe e popullsisë paragreke dhe, më pas, greke e lashtë u vendos në territoret e Turqisë perëndimore, ku duhet të jetë Troja e Homerit. Sipas disa studiuesve, në vendin, ku gjermani Shliman (Heinrich Schliemann) zbuloi Trojën dhe thesarin e Priamit (ndodhet në muzeun “Pushkino” në Moskë), janë mbetjet e disa qyteteve të lashta, nga të cilat Troja VI ose VII (1750-1200 p. e.r), me një sipërfaqe prej 270 mijë metra katrorë, mund të jetë Troja e “Iliadës”. 
Sofia Shliman Engastromenou (greke nga Athina, gruaja e dytë e Shlimanit) me bizhuritë e thesarit të Priamit, që ngjajnë me stolitë ilire. Nuk përjashtohet mundësia që këta popuj të ketë qenë parailirët, që sipas Çabejt, fillimisht banonin në Evropën veriore, diku përreth detit Baltik. Edhe gjuha shqipe, sipas tij, është gjuhë indoeuopiane veriore dhe ka pika takimi me gjuhët baltike. A ishin këto fise parailire/pellazgjike, që emigruan nga veriu i Evropës dhe u vendosën përfundimisht në Greqi dhe Turqinë Perëndimore? Por sipas një teorie tjetër, fiset akease që zbritën nga veriu gjetën në territorin e Greqisë parahistorike pellazgët, një popullsi legjendare, nga të cilët morën emrat e perëndive, duke filluar nga Zeusi, elementë të kulturës materiale, shpirtërore, mitet, legjendat etj. Edhe Akropoli në Athinë është i ngritur mbi gurët pellazgjikë, të mëdhenj, të lidhur me tabanin e shkëmbit, të palatuar dhe pa llaç. Deri më sot, teza pellazgjike nuk ka shumë mbështetje, ndonëse Homeri, Straboni etj, i përmendin fiset pellazge, si pjesëmarrëse në Luftën e Trojës. Homeri tek “Iliada” përmend fise pellazge, aleatë të akeasve, por edhe të trojanëve. Por akeasit udhëhiqeshin nga Akili, i cili në lutjet e tij i drejtohej Zeusit “mbret i Pellazgëve dhe Dodonëve”. Akeasit dhe trojanët kishin perëndi të përbashkëta, si Zeusi, Hera, Afërdita, Poseidoni, etj. Akeasit e kishin Zeusin pellazgjik kryeperëndinë e tyre, duke i ngritur selinë qendrore në malin e Olimpit. Ata frekuentonin faltoren e Dodonës, afër Janinës, pastaj gradualisht, duke u helenizuar, e zëvendësuan atë me orakullin e Delfit në Greqinë Qendrore. Perënditë e përbashkëta të akeasve dhe trojanëve luajtën rolin vendimtar në luftën e Trojës, sidomos Zeusi që mbronte trojanët dhe Hera, gruaja e tij, që mbronte akeasit. Hera mbronte besnikërinë bashkëshortore, prandaj ajo mbajti anën e akeasve, sepse Paridi shkeli rregullin e shenjtë të mikpritjes, duke rrëmbyer gruan e të zotit të shtëpisë. Zeusi ishte një donzhuan, me një numër të pafund dashnoresh, ndër to edhe Ledën, nënën e Helenës, si dhe një të dashur trojan, Ganimedin e bukur. (Burrat e vdekshëm në atë kohë pranonin që gratë e tyre të shkonin me Zeusin, pasi fëmijët e lindur nga këto raporte do të ishin nën mbrojtjen e tij. Tani nuk ndodh një gjë e tillë, me përjashtim të Zotave pasanikë). Duhet të jesh një njohës i mirë i kësaj periudhe të historisë së Evropës Veriore dhe Greqisë Arkaike, i shtegtimit dhe emigrimit të popujve të lashtë në parahistori, që të mund të japësh një vlerësim të saktë. Gjithashtu, duhet të lexosh me vëmendje mijëra vargje të poemave të Homerit për të konkluduar, nëse qëndrojnë apo jo mëtimet e Salinas, Vincit dhe Wiekens për lokacionin e Trojës, motin, natyrën dhe pamjen fizike të heronjve kryesorë të luftës së Trojës. Tek ne mungojnë studime të mjaftueshme për kohët arkaike të Greqisë së Lashtë, perandorinë romake e bizantine, ndonëse ilirët dhe, më pas, arbërorët e shqiptarët kanë qenë një ndër popujt me të mëdhenj, të paktën për Bizantin dhe në Perandorinë Osmane. Ata kanë qenë fqinjët më të vjetër të Eladhës homerike, pjesëmarrës aktivë në historinë e saj, si në Luftën e Trojës, të Peloponezit, me Aleksandrin e Madh, që kishte në ushtrinë e vet shumë oficerë dhe ushtarë ilirë, në perandorinë bizantine, ku elita dhe pjesa më vitale e forcave ushtarake të saj ishte kontingjenti iliro-arbëror, në luftën për pavarësi të Greqisë etj. Troja në afërsi të ngushticës së Dardaneleve pret turistë nga të katër anët e botës. Aty është ndërtuar një imitim i Kalit prej Druri, një kafshë që nderohej si e shenjtë nga trojanët, por që “hëngri” qytetin e Priamit. Kali mbante në barkun e tij 40 luftëtarët me të zgjedhur akeas, të prirë nga Odisea, kurse tek koka e tij, pjesa e syve, ishin fshehur dy zbulues, që shikonin se çfarë ndodhte jashtë Kalit. Kjo përmendore e lavdisë së mashtrimit shfrytëzohet nga turistët për të fiksuar pamjet e fushës legjendare, pranë mureve të Trojës, 9-12 metra të lartë, ku u ndeshën Akil “këmbëshpejti” dhe Hektor “kuajlëshuesi”. 
Në dialektin jonian homerik Kali i Drunjtë quhej “Δούρειος Ἵππος, Doúreios Híppos”. Pra, duket që “doureisos” ka ngjashmëri me fjalën shqipe “Drue, Dru”. Kurse emërtimi i vjetër i kalit “hippos” është ruajtur në gjuhën shqipe në formën “hip”, dmth ngjitu lart në diçka që lëviz dhe mbart, si hipi kalit, karrocës, makinës, trenit etj. Dihet se fjala “kalë” është huajtur më vonë nga latinishtja “kavalo”. Studiuesi i mirënjohur arvanitas Aristidh Kola ka vënë në dukje afërsinë/ngjashmërinë që kanë një numër fjalësh të gjuhës së poemave të Homerit me fjalë shqipe/arvanite, si “para-paros”, etj. 
Momenti i fundit i dyluftimit, kur Akili vret Hektorin.
Përse e fituan luftën akeasit? Homeri thotë se “ashtu deshën perënditë”. Në fakt, fitorja e tyre ishte triumf i dredhisë/inteligjencës njerëzore, e ideuar nga mëndja gjeniale e Odisesë, një aktor brilant, që i mashtronte të tjerët me pamjen e tij prej të marri. Një nga mbështetëset kryesore të akeasve ishte edhe perëndesha Athina, e lindur nga koka e Zeusit, simbol i diturisë. Pra, luftërat i fiton mendja njerëzore dhe jo thjesht forca e verbër e armëve. Akeasit me dredhinë pellazge të Kalit të Drunjtë treguan se po futeshin në një shkallë të re të civilizimit së tyre, ndonëse ishin fise grabitqarësh, që në Trojë shkuan për të plaçkitur pasuritë e saj dhe jo për Helenën e bukur. Apoteoza e mendimit do të merrte një shkëlqim madhështor në Greqinë e Lashtë, ku qytetet shtete të saj u bënë embrioni dhe modeli i kulturës, artit, filozofisë dhe demokracisë së vendeve evropiane. Kushdo qofshin popujt, që u ndeshën nën muret e Trojës, ata i lanë botës një materie të mahnitshme mitologjike dhe artistike. Njerëzit nuk janë padronë të kohës, megjithatë mund ta “ndalin” trokun e saj të përjetshëm nëpërmjet artit magjik, si Homeri me lahutën e tij. Për Trojën e vrarë pabesisht në gjumë, mund të ripërsërisim fjalët e Priamit për birin e tij, Hektorin “Gjithçka është e bukur në të, megjithëse është i vdekur”. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë më në botë një qytet tjetër si Troja!