Shqiponjat e ajrit

1883
Albert Z. ZHOLI
Niazi Nelaj, ish-pilot

INTERVISTA/ Flet ish-piloti dhe pedagogu i aviacionit, Guri Demir Merkaj
-Më 18 gusht të vitit 1959, u nisëm për në Harkov (Ukrainë), ku na përcollën dy ushtarakë të lartë ushtarakë; Hetem Gjinushi e Teme Sejko
– Në grupin tonë bënin pjesë: Perikli Teta; Muhamet Horieti; Hasan Islamaj; Minella Adhami; Agim Asqeriu; Viktor Jani; Viktor Nikolla; Pali Totoni; Ahmet Selvija; Abdurrahman Pilkati
Në vjeshtën e vitit 1958, kur ishte vetëm 18 vjeç e mobilizuan për ushtar. Më datën 1 maj të vitit 1960, shkon për pilot në qytetin e Borisoglebsit (ish-BS). 16 shtator të vitit 1961 i largojnë nga ish-BS dhe shkon për studime në Kinë. Të cilat i mbaron në vitin 1962. Në janar të vitit 1963, së bashku me; Agron Daci dhe Besnik Shahaj, u titulluan oficerë në Regjimentin e sapoformuar te aviacionit në Rinas. Më datën 1 prill të vitit 1965, shkon në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë si pedagog. Në vitin 1975, Guri, së bashku me pilotin Vasil Kromidha, shkoi në Kinë, për të përvetësuar shfrytëzimin e aeroplanit të mesëm bombardues IL-28. Rikualifikimi në këtë tip avioni nuk i priu instruktor Gurit. Pa nisur nga fluturimet, ai u sëmur nga zemra e u shtrua në spital, ku qëndroi 20 ditë. Pas terapisë, një komision mjekësh, specialistë e ndaluan Gurinë nga fluturimi, për gjashtë muaj e ai u detyrua të kthehet në Atdhe. Pas rrjedhjes të kohës së caktuar një komision tjetër me mjekë specialistë vendas i hoqën Gurit të drejtën e pilotimit në çdo tip aeroplani. Komanda e Shkollës së Lartë të Aviacionit, bazuar në vlerat e tij, e emëroi Guri Merkajn në detyrën e komandantit të kurseve ku dhe doli, në pension pleqërie, si pilot, në vitin 1989. 

Keni një rrugëtim interesant si pilot, shkuat ushtar dhe kur nuk e besonit jeta juaj morri tjetër drejtim? Kur dhe si shkuat ushtar?
Në vjeshtën e vitit 1958, kur isha vetëm 18 vjeç më mobilizuan për ushtar, në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në bazën detare të Pashalimanit. Këtu më takoi shansi të kryeja shkollën e instruksionit të marinës, ku do të mësoja për t’u shërbyer motorëve të anijes. Kur isha ambientuar me këtë klimë ushtrie dhe po mësoja shumë nga motorët befas jeta ime mori drejtim tjetër. Ishim në klasë e më njoftuan se duhet të vishja uniformën e daljes së lirë dhe të shkoja me urgjencë në Tiranë. Do të nisesha për jashtë shtetit. Mendova se një e mirë më kishte zbritur nga qielli dhe shpejtova procesin e nisjes. Më 18 gusht të vitit 1959, ne një grup adoleshentësh, në përbërje të të cilit ishim 40 djem, na përcollën për në udhën ujore, për të shkuar në Harkov ( Ukrainë), dy hierarkë të lartë ushtarakë: Hetem Gjinushi e Teme Sejko, nga porti i Vlorës. Në grupin tonë bënin pjesë: Perikli Teta; Muhamet Horieti; Hasan Islamaj; Minella Adhami; Agim Asqeriu; Viktor Jani; Viktor Nikolla; Pali Totoni; Ahmet Selvija; Abdurrahman Pilkati etj. Në qytetin e Harkovit, do të studionim në shkollën sovjetike të aviacionit, ku përgatiteshin teknikë e specialistë të aviacionit. U mrekullova. Kurrë s’e kisha pritur një ditë të tillë. 

Kishe shprehur vetë dëshirë për pilot apo ishte një rastësi?
Në fjetinën në Pashaliman, kisha pranë gjirokastritin Agim Asqeriu. Gjitoni im, me krevat pranë, kishte vënë re se unë, natën, në gjumë lëvizja këmbët e duart. Një ditë, gjirokastriti më kishte pyetur: ”Përse lëviz, ashtu, këmbët dhe duart, në gjumë”? Unë me çiltërsinë e adoleshentit Guriu iu përgjigja: ” Më duket sikur po ngas aeroplanin”! Në të vërtetë nuk ia kisha fare idenë për aeroplanët dhe për fluturimin e tyre. Kisha shumë dëshirë të bëhesha pilot dhe nuk di si më lindi kjo ide. Fati më erdhi në ndihmë”! Nga grupi i studentëve që mësonin për t’u bërë pilotë, në shkollën e aviacionit sovjetik të qytetit të Borisoglebsit, e cila mbante emrin e lavdimadhit “Valeri Çkallov”, tre studentë ishin deklaruar të paaftë e duheshin zëvendësuar. Komanda e shkollës na u drejtua neve, studenteve te profilit teknik dhe dolëm vullnetarë tre vetë: Besnik Varvarica; Nazmi Dautaj dhe unë.

Kur përkon nisja juaj për në shkollë?
Më datën 1 maj të vitit 1960, të tre, shkuam në qytetin e Borisoglebsit, ku nisëm mësimet që i takonin grupit të pilotëve. Ishim me gjashtë muaj vonesë. Për të kapur hapin e shokëve, na u desh të sforcoheshim mjaft dhe ia arritëm. U bashkuam në një grup me ata qe gjetëm në shkollën e pilotëve ku bënin pjesë: Harilla Rjepi; Vangjel Llazari; Vangjel Baba; Lutfi Mishkeri; Niko Lubonja; Andrea Toli; Bashkim Agolli; Luan Milori; Dhimo Masati; Skënder Shahini; Selman Habilaj; Agron Daci; Besnik Shahaj etj. Në muajin maj të vitit 1960, mbasi kishim kryer programin teorik, kaluam në aerodromin fushor të qytetit të Batajskut ku do të kryenim praktikën fluturuese. Fluturuam në atë aerodrom, në avionët e lehtë mësimorë Jak-18A, deri në vjeshtën e atij viti. Pas kësaj etape, kaluam në qytetin e Krasnodarit, më në Jug, ku ishte qendra e shkollës së aviacionit, për të mësuar teorinë e aeroplanëve reaktivë. Në pranverë të vitit 1961, nisëm fluturimet me aeroplanin Mig 17, në aerodromin e Kushofkës. 

Kur u kthyet nga BS dhe si vazhdoi shkollimi juaj?
Në 16 shtator të vitit 1961 ne mbërritëm në atdhe pasi na larguan nga ish-BS. Por ende nuk ishim përgatitur mirë. Pas një qëndrimi të shkurtër në vendlindje, studentët e grupit ku bëja pjesë në rrugë detare u nisëm për në Kinë, ku u sistemuan në qytetin Gao Mi. Pas një përgatitje teorike përshtatëse, nisëm fluturimet e përdorimit luftarak te avionit gjuajtës-bombardues Mig 15- Bis. Kësisoj kaloi viti 1962. Në janar të vitit 1963, unë së bashku me; Agron Daci dhe Besnik Shahaj, u titulluam oficerë e u emëruan pilotë, në Regjimentin e sapoformuar te aviacionit në Rinas. Komandant i regjimentit ishte i lavdishmi, kolonel Niko Selman Hoxha. U caktuan në Skuadriljen e dytë të regjimentit ku ishte komandant piloti i talentuar, nga Vonoi, kapiteni i parë Kosta Neço Dede. Unë u caktova në katërshen që drejtohej nga piloti mendjendritur, kapiteni i dytë Çobo Skënderi, nga Progonati. Së bashku me shokët e mi, të tre fluturuam dhe arritëm suksese në përdorimin luftarak të aeroplanit gjuajtës –bombardues Mig 17F, Në të gjithë ushtrimet e kursit të përgatitjes të pilotit. Në një ditë fluturimi, komandanti i regjimentit, i paharruari Niko Hoxha, i tha Haki Jupasit, (i cili, atë ditë drejtonte fluturimet), t’i mbante, mbi aerodrom, pilotët Agron Daci dhe mua, që do kryenim pilotazh vertikal, me avionë të vetmuar. I gjithë regjimenti i kishte sytë tek pilotimi jonë, i pilotëve rishtarë të shkollës kineze të aviacionit. Të dy ne e kryem detyrën që na u ngarkua, me nivel të lartë. U kënaq koloneli dhe të gjithë ata që e vrojtuan pilotazhin tonë nga toka. Ndoshta kjo paraqitje cilësore e neve, dy pilotëve të shkollës kineze të aviacionit vulosi përfundimisht idenë e kolonelit për të na përfshirë, së bashku me shokun tonë Besnik Isuf Shahaj, nga Shijaku, në grupin e kalimit në avionin e sofistikuar Mig 19 PM, i cili, në atë kohë kryhej pa avion dyvendësh. Fluturimin provimin, para se të ngrihesha në ajër me Mig 19 PM, e kreva me kolonelin. Ai më kishte lëshuar në fluturime vetëm edhe në avionin Mig 17 F, një vit më parë.

Si vazhdoi karriera juaj më vonë?
Më datën 1 prill të vitit 1965, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë kërkoheshin pilotë instruktorë të teknikës së pilotimit. Komandanti i Regjimentit –Niko Hoxha më bëri thirrje të shkoja e unë nuk refuzova. Kisha shumë dëshirë të vazhdoja fluturimet në avionin supersonik por dhe nuk mund ti ktheja fjalën atij burri, i cili ishte njëri nga pionierët e aviacionit shqiptar dhe drejtues i rrallë, me autoritet të padiskutueshëm. Në Shkollën e Aviacionit më caktuan t’u mësoja teknikën e pilotimit në aeroplanët Mig-15 studentëve: Sabri Toçi, ndjesë pastë, ( Dëshmor i Atdheut); Stiljan Tanka, ndjesë pastë, ( Dëshmor i Atdheut); Petrit Bebeçi e Lutfi Jaho. Ky, i fundit ishte caktuar përgjegjës i grupit të fluturimit. Atë vit, kolegë të Gurit në detyrën e vështirë të instruktorit ishin: Nestor Dhaskali; Mustafa Çiçi; Telo Dedi; Nikollë Dudi; Kostandin Sadiku dhe Salih Dibra – (komandat skuadrile). Gjatë vitit stërvitor 1965, studentët për pilotë kryen detyra ajrore të pilotimit individual kurse në vitin pasardhës bënë përdorimin luftarak të gjuajtës-bombarduesit të frontit Mig-15 Bis. Kur ishte në përfundim të programit të fluturimeve të përdorimit luftarak, studenti për pilot –Lutfi Jaho kreu një akt heroik, i cili nuk u propagandua sa e si duhet. Pas kthimit nga fluturimi në rrugëkalim, i ndjekur nga shoku i tij i grupit- Petrit Bebeçi, i cili praktikohej për ta sulmuar në rrafshin horizontal, kur Lutfiu ishte futur në “rreth”, madje kishte lëshuar edhe rrotat e mori leje për t’u ulur, në lartësinë 500m. papritur iu fik turbina. Ishte mbaruar rezerva e karburantit në avion. Tiparet vetjake të studentit dhe puna këmbëngulëse, plot pasion e kërkesë e instruktorit, bënë të mundur që Lutfi Jaho, sikur të ishte pilot me përvojë të gjatë në fluturim, veproi, me iniciativë, kompetencë e qetësi dhe e uli avionin Mig-15 Bis, në skolinat e kripores të Akërnisë. Lartësia e fluturimit, nuk e lejonte ate të ulej në aerodrom, i cili ndodhej fare pranë. Studenti, falë uljes cilësore, nuk pësoi asgjë dhe disa shtypje e deformime të avionit u riparuan brenda ditës. Të nesërmen, Guri Merkaj, me guximin që e karakterizonte, pavarësisht nga ndodhia, u ngrit në ajër me atë aeroplan duke hedhur dritë mbi shkakun e saj. Në fund të vitit 1966, të katër studentët që përgatita, u diplomuan pilotë gjuajtës – bombardues e u titulluan oficerë dhe u emëruan në repartet e aviacionit. Deri në vitin 1974, fluturova si instruktor, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, me aeroplanët reaktivë Mig-15. Këtu u mësova teknikën e pilotimit, pilotëve gjuajtës-bombardues, disa pilotëve, të disa brezave ku mund të përmend: Budjon Tollkuçin; Roland Përmetin; Beqir Barxhën; Lefter Yzon, i cili doli i paaftë e u bë mjek aviacioni; Maksim Gjerazin, ndjesë pastë; Vangjel Kitën; Mithat Gjinin; Petrit Dashin; Albert Kecon etj.
Petrit Bebeçi, njëri nga studentët e Guri Merkaj

“Kishim përfunduar programin e fluturimeve në aeroplanët e lehtë mësimorë me helikë Tip -61 ( variant kinez i avionit Jak-18A) dhe përgatitjen teorike të aeroplanëve reaktivë Mig-15. Në shkollën tonë të aviacionit, na erdhën instruktorët e teknikës së pilotimit në këta avionë gjuajtës-bombardues. Nuk e njihja e nuk e kisha parë ndonjëherë Gurin. Të rreshtuar përpara shkollës, instruktorët e ardhshëm na i prezantoi Babaçe Faiku, komandant i Shkollës së Aviacionit. Në grupin e fluturimit ku do të ishte instruktor Guri Merkaj bënin pjesë: Sabri Toçi ( dëshmor); Stiljan Tanka ( dëshmor); Lutfi Jaho dhe unë. Instruktori ynë ishte me shtat mesatar, i mbushur e i bëshëm, me trup të lidhur e me një zë të qartë, kumbues. Edhe kur qeshte, zëri i tij kumbonte dhe e qeshura ishte me zemër; jo e shtirur. Shpejt mësuam se Guri Merkaj kishte fluturuar në aeroplanët supersonikë Mig-19PM dhe vinte tek ne nga Regjimenti i Rinasit. U ndjemë mirë kur i mësuam këto gjëra dhe nisëm të krenoheshim me instruktorin tonë. Së bashku nisëm përgatitjen në tokë, e cila vazhdoi rreth një muaj. Instruktori ynë, Guriu, dinte edhe hollësitë më të vogla mbi prirjet tona si fluturues dhe për nivelin tonë teorik. Kishim vetëm një rezervë. Druheshim se mos duke fluturuar në një aeroplan më të përparuar, instruktori ynë do ta nënvleftësonte teorinë e aeroplanit Mig 15. Shpejt u zhgënjyem. Niveli teorik i Guriut e prevalonte nivelin tonë. Këtë e vumë re, qartë kur instruktori ynë na mbante me orë të tëra, për të zbërthyer e argumentuar teorikisht çdo detaj dhe element të fluturimit. Kësisoj, me ndihmën e tij, ne mbushëm edhe ndonjë boshllëk që ishte formuar nga studimi në katedra. Studentët e grupeve të tjerë nuk linin rast pa na e përmendur, me të qeshur e me shpoti faktin se qëndronim gjatë duke zbërthyer e argumentuar probleme të ndryshme teorike. Mirëpo puna e instruktor Guriut me ne ishte e veçantë, tepër e lodhshme e me kërkesë të fortë llogarie. Ai na mbante gjatë, dhe na kërkonte mjaft, deri sa të mësonim përmendësh kabinën e avionit. Këmbëngulte të dinim e të gjenim, me sytë mbyllur, vendndodhjen e çdo instrumenti e çelësi që komandonte sisteme e nyje të veçantë. Dhe nuk ishin të paktë por disa qindra të tillë. Instruktori ynë “ i rreptë”ngulte këmbë që ne, me sytë të mbyllur të dëftonim me gisht jo vetëm pozicionin e çdo instrumenti por dhe tregimin e tij në madhësi të ndryshme. Kur na përshkruante e na zbërthente rastet e veçantë dhe veprimet e pilotit në çdo rast, për të dalë nga situata të rënda ajrore, Guri Merkaj bëhej më tepër serioz e në fytyrë i hipte një nur i bukur melankolie. Ai kishte bindjen se nuk ka situatë nga e cila të mos dalë një pilot i përgatitur e trim. Porosia e tij e veçantë në këtë rast ishte të njihnim mirë, në të gjithë shfaqjen e jashtme natyrën e parregullsisë në fluturim. Po të kapet në kohë dukuria, na jepte porosi instruktori ynë i mirë është më e lehtë të ndërhyjë piloti për të rikuperuar gjendjen, sado i rëndë të jetë defekti. Vetëm se piloti duhet të veprojë me qetësi, maturi, e saktësi. Guri Merkaj e vinte theksin tek parandalimi i ngjarjeve të veçanta. Kësisoj ai nuk ishte as ndjellakeq; as fatalist. Instruktori ynë, bazuar në përvojën vetjake dhe komunitare kishte bindje të palëkundur se teknika dhe teknologjia sido të avancuara të jenë; kanë nevojë për përmirësim. Pas përfundimit të Shkollës së Aviacionit, ne u stërvitëm në reparte të ndryshëm të aviacionit; fluturuam nga njëri tip avioni në tjetrin u rritëm profesionalisht e në hierarki, u poqëm e u burrëruam përmes sakrificash, por teorisë nuk i “shpëtuam” dot, sado lart u ngjitëm. Duke e çmuar këtë si një “ aksiomë”, në vite, i jam mirënjohës instruktorit tim –Guri Merkaj, i cili këmbëngulte tek argumentimi teorik i çdo dukurie ajrore. Në vitin e dytë të fluturimeve në avionin Mig-15, ne studentët për pilotë kryem detyra të përdorimit luftarak të avionit. Të tilla ishin: Kapjet; sulmet tipike ajrore; luftimet ajrore; fluturimet në përbërje të formacionit të avionëve; qitjet kundër shenjave tokësore etj, ku Guri na i mësoi në perfeksion. 
Lutfi Jaho, ish-student


Kujtime të ndiera ruan për instruktorin e tij studenti i dikurshëm i grupit të Gurit – Lutfi Jaho. Në një intervistë të kohëve të fundit, Lutfiu u shpreh: ” Burrë si Guri Merkaj, unë nuk kam njohur, në jetë. Ai na shikonte dhe kujdesej për ne, studentët, si për fëmijët e tij. Na vështronte që ta konsumonim të tërë ushqimin, si në mensë dhe në “start”. Edhe kur shtriheshim për të pushuar, nuk largohej nga fjetina, pa na marrë gjumi. Guri Merkaj mbetet një njeri i nderuar e i respektuar. Kur u ngrita në përgjegjësi e detyra e pruri të isha në një detyrë më të lartë se Guri, ai i plotësonte me shumë korrektesë e në kohë detyrat që i jepja, si komandant i kurseve. Nga kjo më vinte turp dhe më duhej të isha tepër i kujdesshëm në raportet e punës, me të”.
Rrodhën vitet e Guri Merkaj nuk e kishte më atë vitalitet e shkathtësi të kohës rinore. Mirëpo detyra e instruktorit të fluturimeve kërkon energji e rini. Prandaj, në vitin 1975, Guri, së bashku me pilotin Vasil Kromidha, ndjesë pastë, shkoi në Kinë, për të përvetësuar shfrytëzimin e aeroplanit të mesëm bombardues IL-28. Rikualifikimi në këtë tip avioni nuk i priu instruktor Gurit. Pa nisur nga fluturimet, ai u sëmur nga zemra e u shtrua në spital, ku qëndroi 20 ditë. Pas terapisë, një komision mjekësh, specialistë e ndaluan Gurinë nga fluturimi, për gjashtë muaj e ai u detyrua të kthehet në Atdhe. Pas rrjedhjes të kohës së caktuar një komision tjetër me mjekë specialistë vendas i hoqën Gurit të drejtën e pilotimit në çdo tip aeroplani. Komanda e Shkollës së Lartë të Aviacionit, bazuar në vlerat e tij, e emëroi Guri Merkajn në detyrën e komandantit të kurseve ku dhe doli, në pension pleqërie, si pilot, në vitin 1989. Statusin e pensionistit fluturues Guri Merkaj e gëzon aktualisht në Vlorë ku ka banimin e përhershëm.
Sigal