Shqipëria, kontratë sekrete me blerës belgë për municione

1445
Sigal

Albert Kotini

Leonard Veizi

DOSSIER/ Reagimi i Ramiz Alisë për ofertën mbi tregtinë e armëve. Frika se municionet shqiptare mund t’i përdornin terroristët. Zbardhet korrenspondenca “tepër sekrete”. Si filloi shitja e armëve të ushtrisë në mënyrë shtetërore

Kanë qenë të kontrolluara nën siglën “Sekret” dhe “Tepër Seret”, por tanimë nuk janë të tilla. Publikimi i tyre bën të njohur se si është bërë tregtia me armët dhe municionet luftarake nën siglën e shtetit socialist shqiptar. Nevoja për valutë në vitet 1990-1991 ishte çështje jetike për ditët e fundit të regjimit. Megjithatë hezitohej, sepse dëshira e nevoja binte në kundërshtim motivin e tregtisë së armëve. Kështu që u ndoq me rreptësi procedura ligjore nga Ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi, i cili mori firmat sugjerimet, miratimet profesionale të dy zëvendësministrave të tij dhe tërë drejtorëve të asaj ministrie dhe fare hapur kërkoi lejen nga komandanti i përgjithshëm Ramiz Alia. Paralelisht u zhvillua një korrespodencë zyrtare brenda ligjeve të atij shteti me ministrin e tregtisë së jashtme dhe ministrin e punëve të brendshme. Duke legalizuar veprimet e tyre me firmat e huaja. Asnjë nuk thoshte se “nuk di gjë”, as Kryeministri aq Presidenti (komandanti i përgjithshëm), as ministri i Mbrojtjes (kryesori) dhe as dikasteret e tjera, sepse çdo veprim e kishin të bazuar në akte zyrtare legjitime sipas hierarkisë nga poshtë lart e anasjelltas. Ishte koha kur po transformohej shteti, nga socialist në atë të ekonomisë së tregut. Materialet e mëposhtme kanë qenë të klasifikuara si “Sekret dhe “Tepër Seret”. Ja dy prej tyre:

 

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Ministria e Tregtisë së Jashtme

Sekret

3 ekzemplarë

Tiranë më 12.10/1090

Teknoimport

 

Nr.Prot. 1993

 

Ministrit të Mbrojtjes Popullore

Shokut: Kiço Mustaqi

Ministrit të Tregtisë së Jashtme

Shokut: Shane Korbeci

 

Sikundër kemi njoftuar dhe verbalisht nga një firmë belge kemi marrë një kërkesë për shitjen e municioneve si më poshtë:

1 – Fishekë 7,62 x 54, porosia është që çdo 4 fishekë luftarak të shoqërohet me një fishek gjurmëlënës

– sasia: 12.000.000 copë; çmimi: 80 dollarë/ 1000 copë

– koha e prodhimit jo më shumë se 5 vjet.

 

2 – Fisheku 12.7 x 108, porosia është që çdo 4 fishekë luftarak të shoqërohet me një fishek gjurmëlënës

– sasia: 2.000.000 copë; çmimi 800 dollarë/1000 copë

– koha e prodhimit jo më shumë se 5 vjet.

 

KUSHTI LËVRIMIT TË MALLIT: FOB Durrës/Shqipëri

Nga të dhënat paraprake që kemi marrë nga shokët e Drejtorisë së Bilanc-furnizimit të M.M. Popullore rezulton që kosto e prodhimit të fishekut 7.62 mm është 64 dollarë/ 1000 copë ndërsa çmimi që ofrohet është 80 dollarë / 1000 copë ndërsa për fishekun 12.7 mm kosto është 700 dollarë/ 1000 copë 2 të ndara çmimi 800 dollarë. E parë vetëm nga ana ekonomike për sasinë që kërkohet rezulton një fitim neto mbi kosto rreth 392.000 dollarë pa llogaritur fitimin tjetër të pagesës së elementeve të tjerë të kostos në dollarë

Firma ka kërkuar të dhënat e mëposhtme:

Dimensionet dhe peshën e paketimit për të dy llojet e fishekëve të cilët duhet të jenë të ambalazhuara në kuti druri për kushtet e transportit me anije.

Lëvrimi do të jetë i menjëhershëm.

Vlefta e letërkredisë që është gati të çelë firma për sasitë e lartpërmendura është 2.560. 000 USD. Lutemi mendimin tuaj për trajtimin e mëtejshëm të këtij propozimi.

Drejtori

Besnik Kapo

Si u vu në dijeni Ramiz Alia

 

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Ministria e Mbrojtjes Popullore

Nr.723 Prot

Tepër Sekret

Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të RPSSH, Shokut Ramiz Alia

Këto ditë nga Tekno-importi na është paraqitur kërkesa për t’i shitur një firme belge, 12 milion copë fishek pushke e automatiku dhe 2 milion copë fishekë mitralozi kundërajror. Në një rast kemi pasur kërkesë edhe për automatikë ASH-82 nga një firmë tregtare koreanoveriore. Sipas të dhënave për çmimet e blerjes dhe kostos së prodhimit për dy llojet e fishekëve, del se eksporti i tyre është me leverdi, pasi realizohet një e ardhur neto prej rreth 400 mijë dollarë. Ne mendojmë që t’i trajtojmë në eksport artikujt e mësipërm, por pa prishur normat e gatishmërisë luftarake. Theksojmë se sasitë që kërkohen nuk krijojnë shqetësim pasi janë prodhime që realizohen në uzinat tona. Për këtë problem është vënë në dijeni edhe shoku Adil. Për të vepruar me këta artikuj, mendojmë që bisedimet me firmën dhe kontraktimi të bëhen në Tiranë, duke përcaktuar që malli të dorëzohet në anijen e firmës në Portin e Durrësit. Ju lutem miratimin tuaj

Ministri i Mbrojtjes Popullore

Kiço Mustaqi

 

 

Ramiz Alia: Shisni armë, por kujdes nga terroristët

 

 Kanë qenë të kontrolluara nën siglën “Sekret dhe “Tepër Seret”, por tanimë nuk janë të tilla. Publikimi i tyre bën të njohur se si është bërë tregtia me armët dhe municionet luftarake nën siglën e shtetit socialist shqiptar. Ja si kanë vazhduar më pas korensonpenca e hallkave kryesore të shtetit për të bërë të munguar tregtinë e armëve dhe municioneve: Po në 16 tetor 1990, ndihmësi i kreut të shtetit, Vaskë Çifligu, përgjigjet në emër të Ramiz Alisë, duke kërkuar llogari për firmën që kërkon të blejë armë në Shqipëri, dhe për këtë informacion vendos vetëm 24 orë në dispozicion

 

Tepër – Sekret

Shokut Kiço Mustaqi

Ministër i Mbrojtjes Popullore

 

Shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të RPSH, pasi u njoh me përmbajtjen e shkresës Nr.723 datë 16.10.1990 duke u shfaqur dakord me propozimin tuaj, vuri këtë shënim: “Vetëm duhet pasur kujdes, sepse mund të jenë terroristë ose elementë provokatorë. Nga u lindi ideja të blejnë në Shqipëri? Kush i njeh këta?!

Presim përgjigje

Ndihmësi

Vaskë Çifligu

 

Një ditë më pas më 17 tetor 1990, Ministri i mbrojtjes Kiço Mustaqi ia përcjell këtë shqetësim Ministrisë së Tregtisë së Jashtme

 

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Ministria e Mbrojtjes Popullore

Nr.142 Prot

 

Sekret

Lënda: Kërkohen sqarime për firmat e huaja

Ministrisë së Tregtisë së Jashtme

Shokut Shane Korbeci

 

Lidhur me kërkesat nga ndërmarrja juaj tekno-import, që të eksportojë municione, pasi i konsultuam dhe me shokët e udhëheqjes, gjykojmë se para veprimit për eksportimin e municioneve dhe armëve, duhet pasur kujdes, sepse mundet që ata që i marrin të jenë terroristë ose elementë provokatorë. Duhet parë nga u lindi ideja të blejnë në Shqipëri? Kush i njeh këta, etj?! Lutemi t’i sqaroni këto çështje dhe na informoni, pasi duhet të gjykojmë si të veprojmë dhe t’i përgjigjemi shokëve të udhëheqjes në Komitetin Qendror. Veç kësaj gjykojmë se është e nevojshme të kemi të dhëna më të plota për firmën blerëse dhe për destinacionin e përdorimit të artikujve që kërkohen.

Ministri i Mbrojtjes Popullore

Kiço Mustaqi

 

 

BOX – KËRKESA

 

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Ministria e Mbrojtjes Popullore

Nr.142 Prot

 

Sekret

Lënda: Kërkohet leje për shitjen e armëve dhe municioneve

Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të RPSSH

Shokut Ramiz Alia

 

Në kuadrin e lidhjeve afariste me jashtë, disa firma private gjermane dhe kineze na kanë ofruar bashkëpunimin e tyre për të blerë armë e municione të ndryshme. Në legjislacionin në fuqi nuk ekziston ndonjë akt që të trajtojë problemin e eksport – importit të armëve dhe municioneve. Për këtë kërkojmë leje për të hyrë në kontakte direkte me këto firma për shitjen e një sasie armësh e municionesh. Aktiviteti do të zhvillohet në kuadrin e afarizmit, pa u prononcuar Qeveria dhe Ndërmarrjet e Tregtisë së Jashtme. Objekti i këtij aktiviteti mendojmë të jenë armët e këmbësorisë “trofe” dhe një sasi automatikësh (prodhim vendi) si dhe municionet e tyre. Nga disa të dhëna paraprake rezulton se nga ky aktivitet mund të sigurojmë sasi të konsiderueshme valutë, për të mbajtur në punë punëtorët e për të zgjeruar prodhimin, lehtësohet sigurimi i lëndëve të para të importit për këto prodhime me materiale të garantuara. Sqarojmë se shpenzimet e nevojshme për sigurimin e kontratave dhe zhvillimin e këtij aktiviteti do të përballohen nga vetë firmat në kuadrin e këtij bashkëpunimi

Ministri i Mbrojtjes Popullore

Kiço Mustaqi