Shqipëria – gjendja e luftës me Gjermaninë dhe Traktati i Paqes me Italinë e Jugosllavinë!

2292
Ergys Alushi

Dekreti që i jepte fund gjendjes së luftës me Gjermaninë, dëmet e shkaktuara nga Italia e Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, çfarë parashikonte Traktati i Paqes me Italianë, Notat e protestave të qeverisë shqiptare kundër fluturimit të avionëve italianë mbi Shqipëri.

Deri në dhënien fund të gjendjes së luftës me Gjermaninë, vite më parë, Qeveria e Shqipërisë kishte marrë disa masa kundër propagandës për luftë dhe për çarmatosjen e popullatës. Me Dekretin nr.1168 datë 13 nëntor 1950 mbi armët, ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu do të nxirrte urdhrin mbi denoncimin dhe dorëzimin e armëve. Në nenin 1 të urdhrit thuhej se afati i fundit i dorëzimit të armëve “të gjetura ose pa leje” caktohej deri në datën 30 prill 1951. Në fund urdhri mbyllej me “Të gjithë ata persona, që mbas kalimit të afatit, do të rezultojnë se mbajnë armë pa leje, do të dënohen sipas nenit 10 të dekretit nr.1168, datë 13 nëntor 1950 mbi armët.” Ndërkohë vetëm disa ditë më vonë, më 30 dhjetor 1950, Komiteti shqiptar për mbrojtjen e paqes vendosi t’i paraqitet Kuvendit Popullor një projekt-ligj për ndalimin e propagandës së luftës. Fjala e kryetarit të këtij Komiteti, Manol Konomi hapej “Spektri i një lufte të re, rri pezull mbi popujt. Një Luftë e Tretë Botërore, një gjakderdhje tjetër kërcënon jetën e popujve…”

Në datën 17 mars të vitit 1955 me propozimin e Qeverisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, do të nxirrte Dekretin mbi mbarimin e gjendjes së luftës midis Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Merr fund gjendja e luftës midis Shqipërisë dhe Gjermanisë
“Duke marrë parasysh se mbas agresionit të Gjermanisë hitleriane, që pati si pasojë të pushtohej edhe Shqipëria nga trupat naziste, u krijua gjendja e luftës midis Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe popullit shqiptar luftoi pa pushim kundër agresorëve gjermanë gjer në shpartallimin e plotë të Gjermanisë hitleriane nga Bashkimi Sovjetik që ishte forca vendimtare në koalicionin antihitlerian: Duke marrë parasysh se vendimet e Konferencës së Potsdamit të vitit 1945 përcaktojnë rrugët e zhvillimit të mëtejshëm të Gjermanisë. si një shtet i bashkuar, paqedashës dhe e demokratik, duke vërtetuar nevojën e përfundimit të një traktati të paqes paqes me Gjermaninë: Por, me gjithë që kanë kaluar 10 vjet që nga dita që u është dhënë fund luftimeve, akoma nuk është përfunduar traktati i paqes me Gjermaninë për shkak se qeveritë perëndimore pengojnë çdo marrëveshje midis fuqive të interesuara për rivendosjen e bashkimit të Gjermanisë mbi baza paqësore dhe demokratike: Duke marrë parasysh forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve miqësore midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Demokratike Gjermane, të cilat vazhdimisht forcohen edhe më tepër për interes të popujve të të dy vendeve: 

Me qëllim qe vendosen marrëdhënie të mira dhe bashkëpunimi paqësor në mes të popullit shqiptar dhe të popullit gjerman:
Në mbështetje të nenit 58, pika 12 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:
Me propozimin e Qeverisë:
Presidiumi i Kuvendit Popullor nxjerr këtë dekret:
Dekret mbi mbarimin e gjendjes së luftës midis Gjermanisë dhe Shqipërisë

Neni 1
Gjendja e luftës midis Shqipërisë dhe Gjermanisë merr fund dhe midis të dy vendeve vendosen marrëdhënie paqësore.

Neni 2
Mbarimi i gjendjes së luftës me Gjermaninë nuk ndryshon detyrimet e saj ndërkombëtare dhe nuk prek të drejtat dhe detyrimet e Republikës Popullore të Shqipërisë që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare me Gjermaninë në të cilën bën pjesë edhe Gjermania.

Neni 3
Ky Dekret hyn në fuqi menjëherë.

Për Presidiumin e Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë Zëvendës kryetari Pilo Peristeri dhe Sekretari Sami Baholli

Tiranë 17 mars 1955
Dëmshpërblimet që kërkoi Shqipëria
Lista që Shqipëria i paraqiti Konferencës së Parisit kishte një përllogaritje të detajuara të dëmeve dhe dëmshpërblimeve që Shqipëria kërkonte nga Italia dhe Gjermania, që në total kapte shumën 4.488.318.399. Shqipëria kërkonte 55.275.000. franga ari për shkatërrimin e portit të Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjinit, si të vetmet porte për të regëtinë e jashtme e të brendshme të Shqipërisë. Janë kërkuar 75.000.000 franga ari për ndërtesat, makinat dhe instalimet vajgurore në Kuçovë e në Patos. Në këtë shumë të përllogaritur janë llogaritur vetëm 350.000 tonelata në vit me vleftën reale prej franga ari 600 tonelata. Për shkatërrimin e urave, Shqipëria kërkoi 25.648.000 franga ari. Si në çdo vend të Evropës ku shkelën pushtuesit, edhe në Shqipëri italianët e gjermanët nuk lanë pa rrëmbyer e shkatërruar muzeume, objekte arkeologjike, objekte ari e të tjera. Shqipëria kërkoi për muzeumin e Vlorës, për objektet arkeologjike të Butrintit e Apolonisë, një dëmshpërblim prej 35.000.000 franga ari. Për arin dhe bankënotat e grabitura nga Italia dhe Gjermania, Shqipëria kërkoi një dëmshpërblim prej 140.809.499. franga ari.

Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore humbi me qindra e mijëra njerëz po kaq mbetën edhe të paralizuar, të sakatosur e të sëmurë nga lufta me armë, torturat, vuajtjet në burgje e kampe. Shqipëria humbi shumë në fushën e bujqësisë, blegtorisë e industrisë. Por, megjithëse Shqipëria dorëzoi një shumë dëmshpërblimi për humbjet që pësoi në Luftën e Dytë botërore, Konferenca e Dëmshpërblimit në Paris, duke caktuar përqindjen e dëmshpërblimeve mbi pasuritë gjermane, i caktoi Shqipërisë 0.05 % në kuotën A, domethënë mbi pasuritë gjermane jashtë Gjermanisë, dhe 0.35% në kuotën B domethënë mbi makineritë industrial dhe mbi anijet e mjetet e transportit të brendshëm gjerman. Përqindja e caktuar u konsiderua asaj kohe si qesharake nga shteti shqiptar, kundërshtime të cilat i paraqiti dhe në Konferencën e Dëmshpërblimeve në Paris. kapitalet italiane në Shqipëri ishin pronë e shtetit shqiptar, vlera të vilave ishte një shifër fare e vogël në raport me atë se çfarë i detyrohej Italia Shqipërisë, kurse Gjermania naziste nuk investoi gjatë Luftës në Shqipëri, por vetëm shkatërroi e grabiti çfarë mundi. Dëmet e shkaktuara Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania që u paraqitën zyrtarisht në Konferencën e Dëmshpërblimeve në Paris nga i dërguari i Shqipërisë, Hysni Kapo.

Lloji i dëmit
Industri – 27.321.600. franga ari
Tregti – 53.325.000.
Transporte detare – 850.000
Skelë dhe instalime skelash – 55.275.000
Bujqësi e blegtori – 691.414.000
Pyje – 29.014.000
Sharra – 3.900.000
P.T.T dhe shërbimet botore – 83.404.000
Komunikacione tokësore – 41.850.000
Miniera – 1.427.150.000
Peshkim – 22.725.000
Mobilie dhe sende personale – 140.585.000
Dëme monetare – 140.809.499.
Shpenzimet buxhetore dhe pensione – 1.808.976.000
Si u evidentuan dëmet
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, Shqipëria i kushtoi një rëndësi të madhe evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga Lufta. Në të gjithë vendi u ngritën komisione që përllogarisnin gjithçka të dëmtuar, shkatërruar e grabitur të drejtuara këto komisione nga Komisioni Qendror i Reparacioneve të Luftës. Evidentimi në terren ishte shumë I vështirë, me ngatërresa të shumta, ku në shumë raste nuk ishte e mundur të përcaktohej dëmi kur ishte shkaktuar dhe nga italianët edhe nga gjermanët. Evidentimi i dëmeve dhe përllogaritja e dëmshpërblimit që do të kërkohej përfundoi në mesin e vitit 1946. Ndërkohë më parë, në mesin e vitit 1945, Shqipëria kishte kërkuar që t’i kthehej ari i grabitur nga gjermanët në Romë të Italisë.

Kërkesat e saj për dëmshpërblim Shqipëria i paraqiti dhe në Konferencën e Parisit, por ato nuk u morën në konsideratë nga fuqitë e mëdha, kryesisht nga Anglia e cila ishte deri dhe kundër mospjesëmarrjes së Shqipërisë as si vëzhguese në këtë Konferencë. Argumenti i përdorur ishte se “humbjet e shqiptarëve mbuloheshin nga pasuritë italiane në Shqipëri, që ishin shtetëzuar pa shpërblim nga pushteti komunist”.

Demonstrata popullore në Shqipëri
Më 5 maj të vitit 1946, demonstrata popullore u zhvilluan në qytetet e Vlorës, në Fier e Himarë. Në Vlorës më shumë se 8 mijë vetë u mblodhën në sheshin para Prefekturës. Vlora ishte një ndër krahinat që kishte pësuar më shumë dëme në njerëz e material nga Lufta kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Demonstruesit nuk pushonin së thirruri “Duam dëmshpërblimet nga Italia”. Demonstruesit hidhnin thirrje edhe kundër pretendimeve të Greqisë dhe provokacioneve të shpeshta me armë kundër Shqipërisë së Jugut. Edhe në Himarë e Fier banorët vendas protestuan kundër mohimit të së drejtës së Shqipërisë për të marrë pjesë në UNO, Konferencën e Paqes në Paris e në UNRRA.

Edhe në Berat më shumë se 7 mijë vetë u mblodhën në sheshin para Komitetit ekzekutiv të Prefekturës për të kërkuar që Shqipëria të thirrej në Konferencën e Paqes dhe t’i jepeshin të drejtat e fituara me luftë. Shqipëria në atë kohë ishte e përfshirë nga protesta e konferenca që zhvilloheshin në të gjitha qytetet e vendit që me gjithë problematikat që kishin në jetën e përditshme, përfshiheshin dhe në organizime në funksion të kërkesës për dëmshpërblimet e luftës.

Konferenca e Paqes në Paris
Konferenca e Paqes do t’i fillonte punimet në 29 korrik 1946 në pallatin Luksemburg, ku fasada e pallatit të vjetër ishte e stolisur me flamujt e 21 kombeve. Që në ditën e parë të punimeve të saj, Shqipëria ushtroi një presion të madh për të qenë pjesëmarrëse me të drejta të plota në Konferencë. Edhe përfaqësuesit e Jugosllavisë e të Rusisë në Konferencë kërkuan që Shqipëria të jetë pjesë e Konferencës me votë konsultative. Në punimet e datës 12 gusht 1946, në votimin e zhvilluar u vendos që të ftohen 4 shtete (Shqipëria, Egjipti, Brazili dhe Kuba) që të paraqesin pikëpamjet e tyre në mbledhje plenare të Konferencës dhe në komitetet e interesuara mbi projekt-traktatin e paqes me Italinë, duke ia lënë caktimin e rregullave që do të rregullojnë dëgjimin e tyre Sekretariatit të Përgjithshëm. Pra, Shqipëria u pranua vetëm që të dëgjohet dhe jo me votë konsultative. Në mbështetje të këtij vendimi për Shqipërinë kishin qenë Greqia, Anglia, SHBA dhe Australia. Një vendim i tillë shkaktoi pakënaqësi të madhe në Shqipëri. Shqiptarët e kishin çliruar me forcat e veta vendin e tyre dhe pa ndihmën e jashtme, ndaj dhe kërkonin që të ishin pjesë e Konferencës së Paqes. Më 13 gusht delegacioni zyrtar I Shqipërisë, I kryesuar nga Hysni Kapo do të nisej për në Paris, për të marrë pjesë në seancën plenare dhe në komisionin përkatës të Konferencës së Paqes në lidhje me çështjen e projekt-traktatit të paqes me Italinë

Republika Demokratike e Gjermanisë kërkon të tërheqë ambasadorin e saj në Shqipëri
Në datën 18 dhjetor të vitit 1963, Qeveria e Republikës Demokratike Gjermane njoftoi Qeverinë e Shqipërisë se kishte vendosur të tërhiqte ambasadorin e saj në Shqipëri, Ana Kunderman dhe njëkohësisht kërkoi largimin e ambasadorit të Shqipërisë në RDGJ, Gaqo Paze si dhe shkurtimin e personelit diplomatik shqiptar. Dy ditë më vonë, në 20 dhjetor të vitit 1961 edhe Qeveria e Hungarisë do të njoftonte për tërheqjen e ambasadorit të saj nga Shqipëria, duke kërkuar dhe largimin e ambasadorit shqiptar në Hungari, Edip Çuçi si dhe të këshilltarit tregtar Çelo Cukalla.

Misioni amerikan largohet nga Shqipëria
Më 14 nëntor, ditën e enjte, ora 18, të vitit 1946, Misioni amerikan në Shqipëri, u largua nga Shqipëria. Misioni shkoi në Durrës dhe prej andej u transportua prej anijeve shqiptare në dy destrojerë amerikanë që prisnin për t’i marrë jashtë ujërave territoriale të Shqipërisë. Misioni amerikan kishte kërkuar më parë që një kryqëzor lufte dhe një destrojer të vinin në portin e Durrësit për të marrë misionin amerikan. Qeveria ishte dakord që në port të vinte një anije tregtare amerikane për të marrë misionin, por jo anije luftarake. Në të tilla kushte u ra dakord që anijet luftarake të qëndronin 10 km larg portit të Durrësit dhe atje misionin amerikan do ta çonin dy anije shqiptare.

Traktati i Paqes me Italinë
Presidiumi i kuvendit Popullor të Shqipërisë e ratifikoi Traktatin e Paqes me Italinë në 9 tetor të vitit 1947, pasi ai ishte firmosur më parë nga BS, SHBA dhe Britania e Madhe. Bashkë me firmosen e Traktatit, tre fuqitë e mëdha i kërkuan Italisë që t’i paguante Shqipërisë një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarësh amerikanë, pagesë e cila do të kryhej brenda 7 viteve të ardhshme, që nga momenti që Traktati do të hynte në fuqi. Shlyerja do të bëhej përmes mallrave të ndryshëm me burim nga prodhimet e industrive italiane të luftës ose ato civile. Sasia dhe lloji i mallrave do të përcaktohej në marrëveshjet që do të nënshkruheshin në të ardhmen. Përveç shumës së 5 milionë dollarëve amerikanë, Shqipëria fitonte të drejtën e zotërimit të të gjitha pasurive që i përkisnin shtetit ose shtetasve italianë në Shqipëri. Këto pasuri ose të ardhurat e siguruara gjatë shlyerjes së tyre do të përdoreshin në interes të shtetit ose të shtetasve shqiptarë. Traktati i Paqes e detyronte Italinë që të rikthente në Shqipëri të gjitha sendet e grabitura para dhe gjatë Luftës (restitucione). Qeveria shqiptare duhej që të hartonte listat e sendeve të grabitura në territorin shqiptar dhe t’ia paraqiste ato qeverisë italiane brenda 6 muajve nga koha e nënshkrimit të Traktatit.. Traktati i Paqes me Italinë i hapte rrugë njohjes së pronësisë për arin monetar shqiptar të transferuar nga italianët në Romë dhe të grabitur më vonë nga gjermanët në Itali. Qeveria italiane duhej që t’u kthente shteteve të dëmtuara nga lufta të gjithë “arin në monedhë të grabitur ose të transferuar pa të drejtë në Itali”. Traktati i Paqes me Italinë i nxiti të dy vendet që të fillonin traktativat për të vendosur marrëdhënie diplomatike, të cilat përfunduan në maj të vitit 1949.

Lufta e Ftohtë shtyn në kohë Traktatin e Paqes
Traktati i Paqes midis Shqipërisë dhe Italisë nuk i dha rezultatet e pritshme, sepse përkoi dhe me fillimin e Luftës së Ftohtë. Shqipëria i mbylli kufijtë dhe Italia ishte në krahun e kundërt me qëndrimet e fqinjit detar në Adriatik. Për shumë kohë nuk u kërkua zbatimi i Traktatit të Paqes. Marrëdhëniet midis dy shteteve ishin të ngrita. Në kohën që pritej të zbatoheshin afatet e parashikuara në Traktat, Italia dërgonte drejt Shqipërisë avionë në vend të dëmshpërblimit.

Në datat 12 mars, 23 mars, 29 mars, 2 prill, e 3 prill avionët italianë u diktuan të fluturonin mbi Shqipëri. Me gjithë notën e protestës së muajit maj drejtuar Legatës italiane në Tiranë, shkeljet e hapësirës ajrore vazhduan edhe gjatë muajit dhjetor 1952. Më 10 dhjetor të vitit 1952, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë do t’i dërgonte një notë proteste Legatës së Italisë në Tiranë. Në notë tërhiqej vëmendja për shkeljen e vazhdueshme të hapësirës ajrore të Shqipërisë nga aeroplanët italianë. Shkruhej për aeroplan që e kishin kryer këtë shkelje në datat 10 nëntor, 15 nëntor, 16 nëntor, në orare e vende të ndryshme. P.Sh. në datën 16 nëntor 1952, në ora 1.30 një aeroplan Italian I ardhur nga Italia shkeli hapësirën ajrore të Shqipërisë duke fluturuar mbi Kepin e Triportit, Zvërnec, rrethi i Vlorës, fluturoi mbi Nartë, Bestrovë dhe prej këtej u largua për në drejtim të Jugut. Aeroplani fluturonte në një lartësi rreth 2000. Shkeljet e integritetit tokësor të Shqipërisë nga aeroplanët italianë kishin ndodhur edhe në fundin e vitit 1951. Në datat 14 nëntor, 10 dhjetor, 13 dhjetor, 15 dhjetor, 16 dhjetor, 22 dhjetor Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë i përsëriste në vazhdimësi protestat e saj ndaj shkeljeve që aeroplanët italianë i bënin hapësirës ajrore të Shqipërisë. Në këto protesta qeveria shqiptare i kujtonte Italisë se do të ishte përgjegjëse për të gjitha konsekuencat që do të rridhnin nga një politikë të tillë, që synonte prishjen e paqes në Ballkan e në Botë.

Italia kërkon rishikimin e Traktatit të Paqes
Në një notë të datës 8 janar 1952, të të ngarkuarit me punë a.i.të Italisë në Tiranë, Viçenco Gulli, qeveria italiane ngrinte çështjen e rishikimit të Traktatit të Paqes dhe të pranimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në përgjigje të kërkesave të Italisë për rishikimin e Traktatit veçanërisht në ndryshimin e parathënies së Traktatit si dhe të vendimeve politike e ushtarake, qeveria shqiptare reagoi duke deklaruar se kërkesat nuk janë të bazuara…nuk u shërbejnë interesave jetike të popullit italian as edhe çështjes së përgjithshme të ruajtjes së paqes dhe të sigurisë në Evropë, por përgatitjes së një Luftë të Tretë Botërore. Qeveria shqiptare pretendonte se me futjen e Italisë në paktin e Atlantikut Verior, disa zona të Italisë do të përdoreshin për vendosjen e bazave ushtarake e ajrore. 

Pakti i miqësisë me Jugosllavinë
Nga data 23 qershor deri në 2 korrik 1946, një delegacion i madh shtetëror shqiptar zhvilloi një vizitë zyrtare në Jugosllavi. Në bisedimet zyrtare të zhvilluara me këtë rast, u ra dakord të konkludohet me një pakt miqësie dhe ndihme reciproke midis dy popujve. Në këto bisedime u arrit në një akord të plotë përsa i përket bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve, bashkëpunim që konsiderohej i domosdoshëm në radhë të parë për rimëkëmbjen e vendeve nga Lufta, ku prioritet do t’i jepej rimëkëmbjes ekonomike. Traktati i miqësisë midis dy vendeve do të firmoset në datën 9 korrik 1946 gjatë një vizite në Tiranë të një delegacioni të lartë jugosllav që kryesohej nga Stanoje Simiç, Ministër i Jashtëm i Jugosllavisë. Të martën e datës 6 gusht 1946 Traktati i miqësisë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të aprovohet dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke marrë në këtë mënyrë fuqi ligjore.
Sigal