Shkolla vlonjate e pikturës dhe fati i veprave të piktorëve vlonjatë!

1974
Nga Ergys Alushi

Vijon nga numri i kaluar

Nestor Jonuzi
Puna e parë e tij e përmendur për mirë nga kritika e arteve figurative është tabloja “Zgjimi” në vitin 1970. Liceun artistik e përfundoi për dy vjet nga katër vite që ishte rregulli, duke përbërë kështu një nga rastet e rralla për kohën. “Unë erdha në lice me tri klasë gjimnaz, pothuajse i përgatitur me kultyrën e përgjithshme. Për të tjerat, ndoshta është meritë e pedagogëve të mi N. Zajmi, K. Kodheli e të tjerë” do të shprehej në lidhje me këtë vet piktori vlonjat. Gjinia që ka lëvruar më shumë ka qenë kompozimi. Kjo sepse sipas Nestor Jonuzit, në kompozim lidhen organikisht edhe portreti, edhe peizazhi, edhe natyra e qetë. Nestor Jonuzi mu mund ta harroj pedagogun e tij Sali Shijaku. Në punën e parë të tij, që ishte një natyrë e qetë, pedagogu dhe njëkohësisht udhëheqësi artistik, nuk i kishte folur fare gjatë gjithë procesit. “Në fund të punës i kishte thënë se ai komunikonte me natyrën . “gjatë punëve pasardhëse, sidomos kompozimeve, thuajse më mbante me zor pranë tablosë sepse lëvizja shumë dhe nuk lidhesha si duhet me punën. Bile, njëherë, më mbylli brenda me çelës, sat ë mbaroja kompozimin…”. Në vitin 1984, piktori i merituar Nestor Jonuzi, do të hapte ekspozitën personale në Tiranë. Në rreth 90 punimet e paraqitura, ku sundojnë peizazhet në vaj, si dhe portretet e punëtorëve, veteranëve e veprimtarëve shoqëror e nxënësve të qytezës, kishte edhe vizatime e akuariele që flisnin për ndjesinë e hollë e çiltërsinë e temperamentit artistik dhe që zbulonin qartë individualitetin e piktorit. . Piktura e Nestor Jonuzit ishte e pasur me ngjyra, që ruajnë shumë herë në raporte delikate dhe që mbartin ritmin e gëzuar të jetës. . E tërë ekspozita ishte konceptuar si një mozaik shumëngjyrësh, sepse peizazhet janë me gamë të larmishme ngjyre e me shkallë të ndryshme të fortësisë së dritës të gjithkund e pranishme. Spikasin punimet “Poezia e korrjes së jonxhës”, “Punëtorët e serave”, “Pranvera në pjeshkore”, “Begatia e vjeshtës”, Pylli në bregdet” dhe seria e peizazheve nga deti janë të ndryshme në këndvështrim e kolorit, por që të gjitha së bashku me vepra të tjera si “Pranvera në qytetin tim”, “Mbasdite në pemëtore”, “Joni ynë i bukur”, “Mëngjes në kampin e pushimit të punëtorëve në Dhërmi” formojnë një bashkësi të bukur. 

1987 – janar
Ekspozita e piktorit t ri Agim Sulaj

Piktori i ri vlonjat Agim Sulaj është bërë i njohur përmes karikaturave të botuara në faqet e revistës “hosteni’. Por në ditët e janarit ai u paraqit përpara artdashësve kryeqytetas me ekspozitën vetjake, ku vendin kryesor e zinte peizazhi e portreti.

Ekspozita kishte 50 punime.
Sabaudin Xhaferri
Nga viti 1961 ku Sabaudin Xhaferri botoi karikaturën e parë në kopertinën e revistës “Hosteni” ka kaluar një kohë e gjatë, në të cilën është afirmuar plotësisht personaliteti artistik i karikaturistit me pseudonimin “Sabka”. Piktori, skenografi, karikaturisti Sabaudin Xhaferri krijojnë një triptik unik të domosdoshëm për secilin prej tyre. Karikaturisti “Sabka” , është botues i rreth 1000 karikaturave në të gjitha organet e shtypit, por veçanërisht në revistën “Hosteni” ku është edhe anëtar kolegjiumi. Ka qenë pjesëmarrës në shumë konkurse e ekskpozita ndërkombëtare e ballkanike si në Montreal të Kanadasë në 1986, 1988, 1989, në Simavi të Turqisë në vitet 1987, 1988, 1989, në Greqi në 1988, në romë në 1984, në jugosllavi në 1988, në gjermani në 1988, 1989, dhe në Grabovë të Bullgarisë në 1989. Në të gjitha këto pjesëmarrje ka paraqitur më se 45 punime. Për shumë vite ai ka punuar dhe në teatrin e Vlorës, duke qenë skenograf i shumë shfaqjeve të trupës teatrale të qytetit bregdetar. 

Agim Sulaj
Deri në vitin 1990, ai ka një 12 vjeçar pune në fushën e karikaturës, nëse do të quajmë si fillim botimin e parë të tij në revistën “Hosteni”, atë të vitit 1978 kur meritoi edhe çmimin inkurajues. Që prej asaj kohe deri në vitin 1989, në çdo numër të revistës “hosteni’ vazhdonin të botoheshin 1 deri në 3 karikatura të Agimit. Në konkurset kombëtare ka marrë jo pak çmime: 6 të para, 3 të dyta dhe një të tretë. Ai ka debutuar me sukses dhe në veprimtari ndërkombëtare, si në ato botërore në Kanada, bullgari, Turqi, por edhe në ato ballkanike si në Jugosllavi e Greqi, , ku iu dha çmimi i tretë me karikaturën “Njeriu dhe ambient”. Ka çelur një ekspozitë vetjake. Një veçori që e dallon Agimin nga shumica e karikaturistëve është kërkimi për një individualizim të theksuar psiko-fizik të personazhit, si dhe trajtimi plastik, plot hije e dritë, pothuajse si në pikturë, gjë që i shton personazhit karikaturë konkretësi dhe vërtetësi jete. Agim Sulaj vazhdon edhe në ditët e sotme të jetë një karikaturist i njohur në arenën ndërkombëtare duke fituar çmime të nuivelit të lartë ndërkombëtar.

1989
Në kuadër të 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, marrin titullin katër artistë të Vlorës
Nestor Jonuzi
Piktor – “Artist i popullit”
Skënder Kamberi 
Piktor – “Artist i popullit”
Petrit Ceno

Petrit Ceno (Cenko), ka lindur ne Vlorë në vitin 1937. Ai rrjedh nga një familje artistësh, xhaxhai i tij Bilbil Vlora, muzikant i njohur, me famë në tërë Shqipërinë e atyre viteve të fillimit të shekullit të 20-të. Gjyshi i tij, Abdyl Cenko ishte po ashtu një muzikant ndër më të vjetrit në Shqipërinë e viteve 1870-1900. Petritit që në fëmijëri tregonte dashurinë dhe aftësinë e tij për artin duke marrë mësime nga i ati dhe nga xhaxhai Asimi për të mësuar mandolinën e vogël që e vështronte shpesh varur në mur apo duke dëgjuar disqet e xhaxhait të tij e Tefta Tashkos, në gramafonin e shtëpisë. Në vitet e para të shkollës fillore, Petriti filloi të dashurohej me vizatimin e pikturën dhe kjo dashuri do të zgjasë deri në ditët e sotme. Pasi mbaroi shkollën në Vlorë dëshira e tij ishte të vazhdonte shkollën e lartë artistike në Tiranë, por gjendja ekonomike ishte një pengesë për të, por falë vëllait tij, Dule Cenko, i cili menaxhonte dyqanin e babait dhe falë të afërmit të tij, Ajdar Bilbili, të cilët mbuluan çdo shpenzim për shkollim të Petritit në Tiranë. Në liceun artistik do të kishte profesorë të tillë të nderuar si: Buza, Kaceli, Paço, Kodheli etj. Petriti vazhdon një kurs tre vjeçar për specializim në pikturë dhe do jepte mësim në shkollën e mesme artistike në Vlorë. Në vitin 1962 ka marrë pjesë në ekspozitën kombëtare në Tiranë me pikturën “Beteja e Torviollit” ku tabloja pati shumë sukses dhe u ekspozua ne muzeun e Skënderbeut në Krujë. Në vitin 1974 me një nga pikturat e radhitura, duke marrë miratimin pozitiv të kritikës, fiton në Tiranë çmimin e parë në ekspozitën kombëtare të arteve figurative. Piktura (në vaj) me titullin “28 Nëntori 1912” me një sipërfaqe 3x4m, është e ekspozuar në muzeun e artit bashkëkohor në Tiranë dhe disa kopje janë ekspozuar në sallën këshilltare të qeverisë në Tiranë, pranë akademisë së arteve të bukura” në Bon duke shërbyer si model për artistët e rinj. Në vitin 1983 merr çmimin prestigjioz “Naim Frashëri”. Në të njëjtin vit, me rastin e shkëmbimeve kulturore të Republikës popullore Socialiste Shqiptare, Petrit Ceno ekspozon për herë të parë në Romë, Itali. Çmimi i rëndësishëm i jepet përsëri 7 vjet më vonë në vitin 1990. Në vitin 1990 Petrit Ceno transferohet familjarisht në Itali, muajt e parë i kalon në qytetin e Milanos nga ku do të spostohej përfundimisht në San Demetrio ( Calabri), ku ndodhet dhe komuniteti më i madh arbëresh. Në këtë periudhë realizon disa vepra me parametra të mëdha për estetikën e sallës këshilltare të San Demetrio. Në Campomarino (Campobasso) organizon një ekspozitë me emrin “Guttuso” (homazh piktorit Italian Guttuso) ku është nderuar me 2 çmime prestigjioze për origjinalitetin e shprehur. Në dhjetor të vitit 1995 Vittorio Sgarbi i shkruan : “Caro amico mio, mi piace la sua personalità, cosi coerente da sapere apprezzare quanto L’Italia le possa aver dato e quanto lei abbia dato a noi con il suo lavoro, con la sua cultura” (I dashur miku im, më pëlqen personaliteti yt, kaq koherent në njohjen edhe vlerësimin e asaj që Italia mund të të ketë dhënë më po atë masë që ti na ke dhënë ne me veprat e tua dhe kulturën tënde) Në muzeun etnografik të qytetit të Vlorës ruhen me kujdes një koleksion i veshjeve popullore të trevës së Vlorës të vizatuara me mjeshtëri nga piktori Petrit Ceno, që janë një vlerë e çmuar e trashëgimisë popullore. Ndërkohë, në muzeun historik të qytetit ndodhen të ekspozuara edhe vizatimet e “Heronjve të Popullit” të krahinës së Vlorës që janë vizatuar nga Petrit Ceno, duke krijuar portrete gati origjinale të këtyre heronjve.

Agron Dine
Ka lindur në Tiranë më vitin 1948 dhe Akademinë e lartë të arteve do ta përfundonte në vitin 1973. Për shumë vite ka punuar si mësues në shkollën e mesme artistike të Vlorës, duke qenë dhe drejtor i kësaj shkolle deri sa doli në pension. Agron Dine është i vlerësuar si nga bashkia e Vlorës, ashtu edhe nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 1974, Agron Dine do të tërhiqte vëmendjen e kritikës për kompozimin e madh të titulluar “Vitet e para”. Ishte një punim që i kushtohej viteve të para pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore dhe në Shqipëri kishte filluar konfiskimi i pronave. Punimi u paraqit në Ekspozitën Kombëtare të arteve figurative, me rastin e 30-vjetorit të çlirimit të Atdheut. “Në themel të tablosë është vendosur konflikti, ndeshja klasore që zhvillohet midis dy botëve të kundërta. Këtë konflikt piktori e ndërton në një plan psikologjik, me një shprehje të rrjedhshme. Mënyra e tregimit të shtrirë, analitik e ka ndihmuar autorin për t’i dhënë gjerësi mendimit si ide për të krijuar tipa e karaktere, duke zbuluar në to shprehje të ndryshme, sa më të pasura në shërbim të përmbajtjes….” Kompozimi i dytë i Agron Dines, në vitin 1976 do të jetë ai i titulluar “Ndërruan kohët”. Në vitet e para të punës së tij si piktor, ai do të spikatë me kompozimet e mëdha, të cilat do të fitonin edhe Çmime Republike. Në vitin 1981 me kompozimin “Qeratallarët e kombit” ka fituar çmimin e parë të Republikës, pasi kishte fituar më parë çmime të dyta e të treta. Vazhdon të jetë aktiv në pikturë. 

Përse u quajtën “Shkolla vlonjate e pikturës”
Në librin e tij “Simbolet e Vlorës në pikturë” të studiuesit të pikturës vlonjate, Vaso Pata, botuar në vitin 2017-n, jepet një shpjegim i tillë për emërtimin e veç që mori piktura vlonjate.

“Çfarë i bashkonte ata? Ata kishin afërsisht të njëjtën moshë, ishin shkolluar brenda vendit, kishin pasur po ata pedagogë. Mblidheshin rregullisht, duke folur e diskutuar për punët e tyre dhe zhvillimet e pikturës në vendin tonë e në botë, shkëmbenin mendime për motivet, temat, teknikat, gjinitë, përmasat ngjyrat deri dhe titujt. Veprat e tyre të asaj periudhe, me gjithë kufizimet e vendosura prej parimeve të realizmit socialist, shpesh i anashkaluan ato parime falë cilësisë, origjinalitetit, lidhjeve me traditën popullore dhe historinë e popullit tonë. Ato pasqyronin herë me tone lirike apo epike jetën dhe historinë e njeriut tonë, ngjarjet më të spikatura historike apo botën e brendshme të pasur shpirtërore. Piktorët vlonjatë i modeloi po aq historia, aq e pasur, sa dhe natyra aq e bukur e Vlorës, po aq letërsia, sa dhe tradita, folklori dhe polifonia labe, po aq deti, sa dhe dielli…” Në një shkrim të botuar vite më parë në gazetën “Zëri i Vlorës” me titull “Vlora piktorike dhe piktorët e saj”, shkrimtari Bashkim Kozeli, do t’i paraqiste kështu piktorët e Vlorës: “Është kjo arsyeja që pothuajse në të gjitha veprat e këtyre piktorëve ndihet poezia. Në këtë mënyrë këta piktorë shprehin mirënjohjen për mësuesit e tyre të parë, për rapsodët tanë popullorë. Mësuesi i dytë, përveç atyre të shkollës dhe prindërve në familje është piktori Vasil Talo, i cili pati meritën që të zbulonte tek këta fëmijë shkëndijën e talentit. Tjetër gjë të përbashkët ky grup piktorësh pati edhe shkollën artistike nga e cila dolën dhe u bënë krijues. Pjesa dërrmuese e tyre ishin nga të parët student që përfunduan studimet e larta në vend, pranë shkollës shqiptare të artit…Kjo bërthamë piktorësh me më të zëshmin midis tyre Skënder Kamberin, u pasua me piktorë të tjerë që spikatnin me individualitetin e vet krijues siç ishin Agron Dine, Rakip Shabani, Hilmi Bani, Zamira Xhafa, Skënder Milori, Stoli Shehu e të tjerë…’

Vazhdon tradita…
“Shkolla vlonjate e pikturës” vazhdon të përgatitë piktorë të tjerë të talentuar. Ata janë vazhdues të cilësive më të mira të grupit të piktorëve të mirënjohur vlonjatë. Vlora vazhdon të ofrojë të njëjtat bukuri që ofroi edhe për piktorët e brezit të vjetër, bukurinë e detit e të malit, bukurinë e kodrave të saj, të ditëve me diell e plot shkëlqim. Bukurinë e stinës së vjeshtës e të majave të larta me dëborë të maleve të saj. Në Vlorë, vazhdojnë të krijojnë piktorë si Kristaq Pavli, Edmond Kojani, Roland Runaj, Fabian Muhameti, Ëngjëll Dine, Petraq Stefani, Bedrana e të tjerë piktorë, të cilët hapin vazhdimisht edhe ekspozitat e tyre vetjake në qytetin e Vlorës, por edhe në Tiranë, siç janë ekspozitat e Petraq Stefanit, Kristaq Pavlit e Edmond Kojanit në Vlorë, ky i fundit e hapi ekspozitën para pak kohësh edhe në Tiranë. 
Sigal