Shkolla shqipe si kërkesë numër një nga çamët në peticionet drejtuar Qeverisë greke

817
Leonard VEIZI
ARKIVA / Detaje nga letërkëmbimi i Mithat Frashërit, Ministrit të parë Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi
(Vazhdon nga numri i kaluar)
Një rast elokuent është ai i fshatrave Gardhiq dhe Dragum, dy fshatra krejtësisht shqiptare, siç shihet në telegramin e tyre dërguar Asistentit (Përfaqësuesit) të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve, nga Athina, më l3 shkurt l926: 

“Në qoftë se Z. (Qenan) Mesare, je vërtet përfaqësuesi i Shoqërisë së Kombeve, edhe në qoftë se me të vërtetë kjo Shoqëri e Kombeve respekton parimet e njerëzisë dhe të qytetërimit, ju lutemi, në Emër të Perëndisë, të bëni demarshet e duhura…”

Këto dy fshatra u zbrazën për të liruar shtëpitë dhe tokat e tyre për refugjatët grekë nga Anadolli. Duke iu drejtuar Komisionit Mikst, dhe Përfaqësuesit të Turqisë, më l9 shkurt l926 ata shkruajnë:

“Në emër të 800 banorëve të fshatrave Gardhiq dhe Dragum, ne kemi ardhur në Athinë për t’iu lutur Qeverisë sonë të madhërishme greke dhe Presidentit të saj të madh Pangalos, që të lirojnë Gardhiqin dhe Dragumin nga refugjatët dhe të na kthehen pasuritë tona tërësisht. Ne jemi shqiptarë të gjithë dhe asnjë nuk do të largohet nga Greqia. Ju lutemi t’i jepet urdhër Zotërijve Slieben e Floridhi (kryetar e N/Kryetar të Nën-Komisionit, Komisioni Mikst i Epirit) të pushojnë përndjekjet ndaj nesh dhe kërcënimet për shpërngulje. Ne nuk do të nisemi kurrë.”

Cinizmi i politikës greke u bë i qartë edhe nga deklarata e Z. Mitromakti, drejtor i zyrës së këmbimit (të popullsive), e bërë para Z. Ghazali Nusret Beu nga Janina: 

“Unë nuk të jap të drejtën tënde, se nuk dua të hap një portë për të drejtat e myslimanëve; mos u lodh kot, se ne kemi kaq muhaxhirë (grekë nga Anadolli) që po vdesin… ne duam që të marrim edhe ato pasuri që kanë akoma myslimanët, edhe ato do t’i marrim…”

Më 28 dhjetor 1927, Zv. Konsulli shqiptar në Korfuz raportonte se “…Është gjë e pakontestueshme se çdo person, familje ose katund mysliman të Çamërisë, në sy të autoriteteve greke konsiderohet si Turk dhe aspak nuk shihet si Minoritet shqiptar në Greqi…” dhe se “…Minoriteti shqiptar në Çamëri kurrë ndonjë të drejtë njerëzore ose divine (hyjnore, të shenjtë) nuk gëzon nëse nuk është e drejta e vdekjes.”

Pikërisht në këtë kohë, kemi edhe “Komunikatën për Anëtarët e Këshillit” të përgatitur nga organet e Lidhjes së Kombeve “për gjendjen e minoritetit shqiptar në Çamëri” në Gjenevë, datë 29 dhjetor l927″(C.662.l927.I) ku numërohen ankesat e popullsisë shqiptare si vijon:
1. Myslimanët e Epirit janë të shtyrë të nisen për në Turqi.
2. Shtëpitë e fushat e tyre jane zënë nga grekët.
3. Ata nuk gëzojnë asnjë nga të drejtat njerëzore.
4. Ata nuk kanë shkolla.
5. Ata nuk kanë as deputetë, as kryetar bashkie, as pojak (roje fushe)”.

Kjo politikë ostracizmi nga ana e Qeverisë greke konfirmohet edhe me shkresën zyrtare që Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Iliaz Vrioni, i dërgon Z.Eric Drummond, sekretar i përgjithsëm i Lidhjes së Kombeve, Gjenevë, ku theksohet se të gjitha “Konvencionet dhe Traktatet” e lidhura në mes të dy shteteve ose nuk janë ratifikuar ose instrumentet e ratifikimit nuk janë këmbyer, dhe se Qeveria shqiptare: “…s’ka muejtë me kuptue arsyet e qëndrimit të Qeverisë greke”, duke shtuar se “…pasuritë e shqiptarëve në atë vend gati përgjithësisht janë shpronësuar” dhe se “…ashtë për t’u çuditur se në të gjithë Çamërinë s’ka asnjë shkollë shqipe në mënyrë që çamët janë të kondemnuar (të dënuar) të mos përfitojnë nga të mirat e arsimit në gjuhën amtare.”

Në këtë kohë kemi edhe kërkesën për shkolla shqipe si kërkesë numër një të paraqitur nga çamët në peticionet e tyre drejtuar Qeverisë greke dhe Lidhjes së Kombeve. Kërkesa e dytë është kthimi i pasurive të konfiskuara ose të rrëmbyera me dhunë.

Meqenëse një pjesë e popullsisë çame u largua dhe u vendos në Shqipëri, Qeveria shqiptare nxori “Dekretin për vendosjen e Emigrantëve” të datës 2 shtator l931. 
Neni 1 thotë:

“Gjithë ata persona, të lanun jashtë kufijve të Shqipërisë independente, që janë shqiptarë prej gjaku dhe gjuhe, pa ndryshim feje dhe seksi, të cilët tue u shpërngulur nga vendet e origjinës së tyne, vijnë në Shqipnien e lirë me qëllim vendosje dhe mos këthyemjeje përsëri në vendet e tyne, kanë të drejtë me u instalue si emigrantë në Shqipëni, në konformitet me dispozitat e kësaj ligje”

Mbas përpjekjeve të shumta të Qeverisë shqiptare dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme, qoftë pranë Qeverisë greke, qoftë pranë Lidhjes së Kombeve, më në fund, më l5 qershor l933, Qeveria greke me dekretin Nr. 735, përcaktoi pozitën juridike të shqiptarëve në Greqi. Në Raportin e dërguar Ministrisë së Jashtme shqiptare nga Athina, shpjegohet se ky ligj “…zgjedh çështje për të cilat interesohen persona që mbajnë nenshtetësinë shqiptare, ose janë prej origjine shqiptare dhe që qëndrojnë, ose në Greqi, ose jashtë, përveç Turqisë, dhe për të cilët nuk ka dalë vendim prej Komisionit Mikst ose prej nën-komisioneve të tij për të caktuar nenshtetësinë e tyre.”
DORËHEQJA
Mospranimi i postit qeveritar
Mithat Frashëri qëndroi në krye të ambasadës shqiptare në Athinë për më shumë se dy vjet, ndërkohë që kishte lënë postin e ministrit fuqiplotë në Uashington. Më 27 shkurt të vitit 1923 Mithat Frashëri dorëzoi letrat kredenciale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, pranë ministrit të asaj kohe, Aleksandër. Pas rreth dy vjet pune intensive dukej se Mithat Frashëri kërkonte t’i linte vendin një tjetri në pozicionin e tij të ministrit fuqiplotë. Në gazetën “Tirana”, të datës 25 gusht 1925, në shtyllën e korrespodencave shkruhej: “Shkoi pardie për në Tiranë, tue ardh nga Athina, zoti Midhat Frashëri, përfaqësonjësi i Shqipërisë pranë Qeverisë Greke. Zotëria e tij thuhet se transferohet në Kajro, po me atë cilësi. Pardite të shtunën u pranua në audiencë nga Shkëlqesia e tij Kretari i Republikës”. Ndërsa në gazetën “Shqipëria e Re” të datës 19 shtator 1925 në rubrikën “Ora e fundit” është shkruar titulli “Midhat Frashëri s’u pushua”. Ndërsa më pas vazhdon sqarimi nga Zyra e Shtypit: “Disa fletore kishin shënuar se gjoja zoti Midhat Frashëri, Ministër i Shqipërisë në Athinë, u pushua nga detyra. Autorizohemi t’a përgënjeshtrojmë zyrtarisht këtë lajm”. Gazeta “Imigranti” i datës 8 maj 1926 nën titullin “Midhat Frashëri dha dorëheqjen” shkruan: “Sipas një letre që muarëm këto ditë nga Athina, na lajmëron se zoti Midhat Frashëri (Lumo Skëndo) Ministër i Shqipërisë në Athinë, dha dorëheqjen. Dorëheqjen e kishte dhënë që në dhjetor të vitit 1925, po tani i erdhi pranimi. Flitet se Zotëria e tij nuk do të arrijë asnjë tjetër post në qeverinë e sotme dhe se ay do të merret me shkrimin shqip. Zoti Midhat shkoi për në Tiranë”. 
Sigal