Shkolla 110-vjeçare e Fushëbardhës

715
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Nga Stambolli, qendra Perandorake e luksit të kohës, një djalë fushëbardhas, para 110 vjetësh do të sillte në zemër të maleve në Fushëbardhë, pasurinë dhe thesarin më të madh, abetaren “mbretërinë” e diturisë shqipe. Kishte qenë me studime në Akademitë prestigjioze të Osmanëve, dhe më tej me punë në kryeqendrën e Perandorisë, në Stamboll, por asgjë nuk ia mbushte syrin Nexhip Çarçanit, i cili ka hyrë në histori si mësuesi i parë që solli të parën abetare në Fushëbardhë në mesgushtin e 1907-s. Ishte i pari që vuri gurin e diturisë dhe mbolli farën e mençurisë përmes shkollës në thellësi të maleve, në fshatin emërbardhë, me njerëz shpirt e zemërbardhë. Fjala fluturoi si erë mali mbi hapjen e shkollës shqipe. Një djalë i Çarçane i shkolluar në Janinë dhe Stamboll, që bënte pjesë në rrethet patriotike të kohës në qendër të Perandorisë pritej të vinte në fshat, që banorët e quanin Nexhip Efendiu. Ardhja e abetares së parë shqipe nga Nexhip Çarçani Efendiu, krijoi kushtet e ngritjes së shkollës së parë. Burrat e fshatit të mbledhur në kuvend te rrepet e Zhërmës vendosën të themelonin shkollën e parë dhe të zhduknin errësirën e shekujve. Në historikun e Fushëbardhës, Nexhip Çarçani është vlerësuar me respektin e mësuesit të parë të fshatit. Brezat e kujtojnë burrin e mençur e atdhetar iniciatorin e shkollës së parë shqipe, që përjetoi ngjarjet më madhore të kombit dhe ishte produkt i shpirtit të lirë të labit në Fushëbardhë. Nexhip Çarçani ishte djali i madh i Nuredinit e Kanos, i cili lindi në 1856 në Fushëbardhë në familje me tradita atdhetare e patriotike. Shqipëria e Labëria deri në atë kohë kishte disa shkolla e medrese osmane dhe mbushnin programin me teologjitë e Kalifatit dhe sundimit të përjetshëm. Nexhipi bashkë me vëllezërit e tij, Shaqirin dhe Sehitin u shkolluan në gjimnazin “Zosimea“ Janinë dhe në Turqi. Nexhipi studioi në fushën ekonomike, Seiti në fushën ushtarake dhe shërbeu si oficer në ushtri; ndërsa Shaqiri studioi në fushën administrative juridike në Universitetin e Hukuk, (Juridik, jurisprudencë) në Stamboll. Mësues Nexhipi ishte i pari që futi, në shkollën e ndërtuar po nga Çarçanajt, përdorimin e alfabetit shqip. Të gjithë e thërrisnin Nexhipin me emrin “Efendi” (Efendi, e ngjashme me “Zotëri” apo “I nderuari”-fjalë osmane, përdorej për persona me njohuri të gjera, që gëzonin respektin e gjithë të tjerëve). Nexhipi ishte i njohur në Fushëbardhë edhe për përdorimin me sukses të hipnozës dhe yshtjen, të dhëna këto që dokumentohen që përtej Ataltikut nga Dr. Parim Çarçani nga Çikago e SHBA-së në librin “Rrënjët e thella të atyre që u thirrën “Acarajt e Cërmëdellit”. Nexhipi i Fushëbardhës udhëtoi qindra kilometra, nga Stambolli i largët në Fushëbardhë. Nexhip-Necip, vjen nga osmanishtja që do të thotë “i fisëm, fisnik“, dhe shkroi epopenë e diturisë, këtë “mbretëri“ e “kështjellë“ diturie. Breza të shumtë që lindën më vonë vendosnin me dëshirë emrin “Nexhip“ për t’i ngjarë mësuesit, për të qenë fisnikë si dhe për t’i shtuar fisnikërinë. Në një prej takimeve me Profesor Nexhip Alpan në Ankara, para dy dekadash më thoshte: “emrin e kam nga Nexhip Fushëbardha“, që në fakt shumëkush e ngatërronte emrin mësues, me emrin Nexhip. Abetarja e parë shqipe e vitit 1844 me titull “Fort i shkurtër e i përdorshëm Evëtar shqip”, u përgatit nga rilindësi Naum Veqilharxhi 173 vjet më parë dhe që atëherë e deri më sot janë shtypur më se 150 abetare në trevat shqiptare dhe jashtë tyre, si në Stamboll, Bukuresht, Sofje, Vjenë, Napoli, Paris, Lajpcig, Aleksandëri etj. Shkolla dhe vetëm shkolla e çoi vendin drejt civilizimit. Në dekadat që pasuan abetarja u vu mbi baza shkencore pedagogjike e gjuhësore.
Abetare shqip nga zemra e Perandorisë Osmane
Nexhip Çarçani kishte sjellë abetaret të struktura thellë në sëndukët e shpirtit. Ato ishin pasuria më e madhe dhe katandia e një gëçmeni (mërgimtari) mëmëdhetar. Ishin ditë gushti 1907. Bashkë me refugjatë të tjerë ecte drejt vendlindjes, drejt ëndrrave, drejt Fushëbardhës me karro, me karvanë e me këmbë në zhegun e vapës përzier me pluhur e erë barot. Varfëri e skamje që mbollën pushtimet e shekujve. Kaloi në dhjetëra karakolle, në rrugë me banditë, tregtarë, hallexhinj, të ditur e më shumë të paditur. Por Nexhip Çarçani mbante të fshehur në gji një zjarr përvëlonjës, një zjarr diturie që ndrin mendjen e zgjon ndërgjegjen, një traditë arsimore gati katër shekullore që fillonte me shkollën e Labërisë, në Himarë më 1650, mbante traditën stërgjyshore nga fisi i Gjike në Kudhës. Kur kaloi urën e Kardhiqit. Drejt Fushëbardhës. Një ndalesë në Manastirin e Cepos. U takua me patriotin arsimdashës Papa Kosta, flakadani i parë i shkollave shqipe në Krahinën e Kardhiqit. Në Taroninë përbri Zhulatit historik era e maleve dhe zjarri i dashurisë për shkollën në fshatin e lindjes ja digjte shpirtin. Ai u shndërrua si flakadan i parë i diturisë në historinë e arsimit të Labërisë. Ai ishte nga Çarçanajt në Fushëbardhë, nga kjo derë e madhe, me reputacion në Labëri. Burra të këtij fisi kishin studiuar në Janinë e Stamboll dhe kishin pozita si oficerë, ofiqarë, prefektë, juristë, ligjbërës, nënprefektë e komandantë në administratën e osmanlinjve. Nexhipi në Fushëbardhë filloi aktivitetin në shtëpi e kasolle për hapjen e shkollës. Në 1907-ën u vendos të hapej shkolla e parë. Për 3 muaj e vjeshtës 1907 u krijuan kushtet që Fushëbardha të bëhej me shtëpi-shkollë. Shkolla e parë e Fushëbardhës çeli plot dritë dhe djemtë e parë që filluan të mësonin ABC-në ishin të Çarçane, Goleme, Shalare, Veliajve, Onjere, Kazajve, Konde, Muhajve, Belle, Camajve, Sinanagare etj. Shkolla e parë u hap në shtëpitë e Maçe, në Norraj dhe në shtëpinë e Medi Shalarit, në Çarçanaj dhe nga 1945 në Zhërmë në shkollën që u zvëndësua në vitet ’60-’70-të, me shkollën e re rrëzë Shëmërisë.
Nxënësit e Fushëbardhës dhe vallja e germave gjithmonë e ndezur
Mësues Nexhipi kishte 12 nxënësit e parë, 12 fushëbardhas që nisnin rrugën e madhe të dritës së diturisë në fillimvjeshtë të vitit 1907. Fushëbardhasit gdhendën në kujtesën historike të brezave emrat e nxënësve të parë: Lulo Nora, Dulla Kondi, Fejzo Meçe, Neki Golemi, Zilfo Kondi, Hete Kondi, Zeqo Cama, Lufto Kondi, Kasëm Golemi, Bajo Kazo, Haki Çarçani, Zenel Çarçani. (në mungesë të dokumentacioni, emrat janë nga gojëdhëna popullore). Në shkollën e sapokrijuar pasuan edhe nxënës si: Nesimi Yzeiri, Nazif Veliu, Musa Sabriu, Boro Zani, Bejet Proda, Myftar Çarçani, Cenko Kondi, Daut Çarçani, Feim Çarçani, Zenel Çarçani, Felek Golemi, Novruz Bello, Rrapo Bineri, Tafil Lagji, Ferik Shalari, Rrapo Veliu, Xhelo Çarçani, Kalem Golemi etj. Shekulli XX do të shkundte pluhurat e myket e shekujve të marrë së bashku. Nxënësit e tij të parë pas pesë vitesh do të përjetonin vitin e madh të flamurit, pavarësinë e vitit 1912, vit që u shkrua e ardhmja shqiptare. Nexhipi me shokët e tjerë kudo në Labëri e Shqipëri ishin xixëllonjat e para të zgjimit të madh kombëtar të diturisë. Gurët e themelit në traditat atdhetare e arsimore në Fushëbardhë, përkojnë me Kongresin e Manastirit (1908), që diskutoi dhe miratoi alfabetin e njehsuar për të gjithë shqiptarët. 150 delegatët mësues të shqipes nga Shqipëria dhe bashkësitë e shqiptarëve nga Rumania, Turqia, Egjipti, Italia, Amerika, Franca etj., vendosën që era e shqipes të përhapej me shpejtësi në gjithë Shqipërinë. Fëmijët fushëbardhas nisën “vallen e shkronjave“, atë valle për të cilën poeti fushëbardhas Zeqir Cama tek “Shkallët e Labërisë” (1977) në poezinë “Vallja e germave“ këndonte: 

“Dymbëdhjetë burra festeshkruar, 
Në dorë morën abetaren
Lugjesh, shpellash aq magjike,
Si kështjellat madhështore,
Nisën vallen germat shqipe…”

Do të kalonin dekada dhe shkolla do të nxirrte mësuesit e parë. Do kalonin luftëra si Lufta e Lëkurësit, në Gjashtë, beteja e Skërficës më ’14-n, Lufta e 20-s në Vlorë, LANÇ, por shkolla do mbetej vatër e dijes dhe e shpresës. Marathonomakë të dijes dhe meteorët e diturisë në Fushëbardhë kanë lënë gjurmë nëpër dekada. Brezat ja lënë vendin njeri-tjetrit. Kujtojnë të parët, ata që sakrifikuan, përcjellin gjurmët e ndritura të shkollimit në breza. Nexhip Çarçani do të ngelet meteor i diturisë fushëbardhase, një kujtim që s’do të shuhet kurrë, një monument i gjallë i përjetësuar në shpirtrat e njerëzve i trupëzuar bashkë me diturinë. Mësues në 110 vjet janë të shumtë: Nexhip Çarçani, Zini Sako, Njazi Fico në vitet 1939-1945 nga Palortoja, Pandeli Badihavaja nga Suha në vitet 1944-1945, Foto Biçuni nga Bularati në vitet 1944 -1946, Hysni Ceka nga Elbasani në vitet 50-të; dhe nëpër vite: Tamaz Kondi, Faik Kërpaçi, Abedin Nikolla, Petrit Beqiri, Bardhok Bello, Lutfi Mullai, Flutura Memushi/Mullai, Donika Kërpaçi, Irma Beqiri/Dadaj, Ilir Babaramo, Kiçua nga Zheji, Kristofor Papingji, Thanas Budali, Klara Kore, Aristotel Diamanti, Dhimitër Harito, Aktive Shehu, Frosina Piperi (Kondi).., Ervisa Kusho, Matilda Zani etj. Janë mbi 80 mësues që Fushëbardha i respekton, sepse respektojnë shkollën e tyre, vatrën e tyre të diturisë që në dhjetravjeçarë në konkurrime e olimpiada në rreth por edhe kombëtare nga shkollat fqinje të qytetit dhe fshatit thoshin: “Kujdes, po vjen shkolla “Karafil Bello“ e Fushëbardhës“!. Ato ishin vite të nderit e lavdisë së shkollës në Fushëbardhë. Nderin dhe lavdinë shkollës ja dhanë mësues e nxënës të pasionuar të zgjuar prej natyre dhe studios që ishin më shumë se një refren diturie. Nxënës që mësuan në Fushëbardhë janë me qindra në 110 vite, por do dalloja: Adil Çarçani, Resul Bedo, Dilaver Poçi, Arif Kazo, Zeqo Cama, Pajtim Bello, Agim Golemi, Zenel Shalari, Nexhip Onjea, Shamet Lagji, Ilir Shalari, Banush Nora, Trifon Golemi, Çano Nora, Flamur Golemi, Adriatik Cama, Mikel Onjea, Lili Miho, e shumë të tjerë, të cilët kanë bërë emër dhe lartësuar emrin e Fushëbardhës dhe Labërisë.
Mbyllja e shkollës së Fushëbardhës, tani 17 km larg dijes
Në këtë 110 vjetor të shkollës “Karafil Bello” të Fushëbardhës, 9 fëmijë nga fshati Fushëbardhë të Gjirokastrës duhet të përshkojnë 17 kilometra për të shkuar në shkollën më të afërt. Në shtator të 2017-s, ku nxënësit mësonin më parë, u mbyll sepse nuk plotësonte kapacitetin. Tani për arsimimin e fëmijëve të Fushëbardhës duhen shpenzime për rrugën deri tek shkolla “Bilal Golemi”, pranë Urës së Kardhiqit, si shkolla më e afërt për momentin. Një shqetësim i shumëfishtë që theu traditën e kështjellës së dijes. Në këtë 110 vjetor shkolla e Fushëbardhës është e “burgosur“ me shpresë në shenjtërinë e përjetshme të diturisë. Shkolla ka qëndruar e hapur për 110 vjet. Por kjo vjeshtë erdhi e zymtë për diturinë. Në shkollën “Karafil Bello” në vjeshtën e 2017-s rezultonin mësues Ervisa Kusho/Tefa, Matilda Zani dhe Erjon Kore nga Gjirokastra, që mbulonte edhe Zhulatin; ndërsa nxënësit ishin Paulo Onjea, Alisia Adriatik Zani klasa e dytë, Senada Hetem Tefa klasa e parë, Asim Gesti Shehu dhe Idare Gesti Shehu parashkollor, Marjo Hektor Mullaj etj. Nxënësit ngelën “pranë dijes të pa nxënë”. Mbyllja e përkohshme e shkollës është dhimbja e çdo fushëbardhasi, por shpresa dhe besimi si dhe prushi i diturisë është përherë i ndezur, më i ndezur se vitet e tranzicionit shqiptar. Shqetësim i prindërve, i kryepleqësisë së Fushëbardhës dhe mësueseve, shqetësim i mbarë shoqërisë. “Shtëpia e dijes”, që rrezatoi dritë diturie për më shumë se një shekull pret ringritje e rigjallërim, pret shpresë nga shteti, pretë dritë jeshile nga DAR, Gjirokastër që shkolla të vazhdojë, që portali “Mësues për Shqipërinë” të hedhë dritë shpresë për nxënësit e mësuesit e Fushëbardhës, që ëndrra e rilindësve të vijojë, që “drita e diturisë përpara të na shpjerë”! Dashuria për arsim e dituri përbën një nga tiparet më dalluese esenciale të fushëbardhjotëve. Mësues që arsimuan nxënësit fushëbardhas janë sot krenar për produktin e tyre, intelektualë të këtij fshati, anembanë Shqipërisë, për mësues, mjekë, oficerë, juristë, inxhinierë, profesorë, doktorë, biznesmenë të zotë etj. Me farën e diturisë fushëbardhasit janë kontribues realë në shoqëri, të nderuar, të respektuar, të vlerësuar për aftësitë dhe kontributet e tyre në interes të progresit të vendit. Fushëbardha nuk harron figurat e dashura të mësuesve të shumë brezave, që ngelen përjetë monumente të kulturës dhe diturisë. Ata për 110 vite kanë luftuar në llogoren e dritës së diturisë duke dashuruar profesione nga më të larmishmit, por mbi të gjitha ishin dhe janë njerëz, etalon të fisnikërisë në “mbretërinë“ e dijes. Mësuesit e Fushëbardhës ishin dhe ngelen pjesë e vyer e traditës pedagogjike shqiptare, me punën me frymë përparimtare, duke ndriçuar mendjen e bijve e bijave të Fushëbardhës. Nderim dhe respekt për të gjithë ata që u falën nxënësve të fshatit dritë diturie.