Shërbimi sekret i Ali Pasha Tepelenës

Nga Ergys Alushi

Shënim i Igumenit Anania i Manastirit të Panteleimonit mbi mënyrën si u vra Ali Pashë Tepelena.
1822 janar 17

Epirotika kronika IV 1929 / greqisht
1822 më 17 janar, ditë e martë, prenë Ali Pashain brenda në ishullin dhe në Manastirin e shën Pantelejmonit dhe mu në dhomën e zotit Zizi Kucnukit nga Janina. E goditën me dygëk nga poshtë, nga qilari dhe pastaj e prenë. Dhe ishte një burrë i sulltanit, Reshit pasha, që dërgoi një tjetër që e preu, i cili quhej Mehmet pasha. Brenda ishte dhe Vasiliqia e Ali Pashait, në një dhomë tjetër. Dhe, pasi muarrnë trupin dhe kokën e tij e shpunë në Janinë, ushtria pastaj nxuarr portat dhe hekurishtet dhe çdo gjëje tjetër sa mbeti vetëm Manastiri me muret…Shkrova unë, Anania Gumeni Panteleimon. ( Nga fleta e fundit e Pentikostarit të Manastirit të Panteleimonit )

Kjo polici ishte e rreptë dhe e vëmendshme, jo vetëm në jetën publike, në sarajet e tij, në zyra, në pazare, nëpër rrugë e kudo, por deri edhe në jetën private të shtetasve. Për personat që dyshohej, dhe letrat që qarkullonin brenda pashallëkut të tij, lexoheshin nga njerëzit e Aliut, shpesh herë dhe në prani të tij përpara se të shpërndaheshin me postë, brenda apo jashtë pashallëkut të Janinës. Në këtë rrjet ai angazhonte njerëz të profesioneve të ndryshme, duke filluar nga emisarët e tij diplomatikë, tregtarë, udhëtarë, mjekë, persona të dërguar posaçërisht jashtë kufijve të shtetit të tij, për të mbledhur informata me karakter politik e ushtarak, e deri barinj, që i përdorte si korrier. Sipas dokumenteve franceze, vetëm në Korfuz, Ali Pasha kishte rreth 40 informatorë të tij. Ky rrjet kishte depërtuar deri në zyrat më të larta të Portës Osmane. Kjo kishte bërë atë, që gati çdo gjë që bisedohej apo vendosej në divanin e Sulltanit, i bëhej e njohur Aliut brenda 8 ditëve. Sipas burimeve franceze Pashai dërgoi në Stamboll për qëllime dhe dy mjekë.

Kështu përshkruhet në një nga burimet e kohës vrasja e Pashait të Janinës, Ali pashë Tepelenës, jeta e veprimtaria e të cilit ka dritëhije të shumta dhe ende të pazbardhura në mënyrë të plotë. Pas shumë vitesh sundimi të pashallëkut të tij, luftërave, aleancave e miqësive e armiqësive me sulltanin e të tjerë njerëz fuqiplotë të kohës, I kishte ardhur fundi edhe Pashait të Janinës. Deri ditën që u vra me të pabesë, Pashai i Janinës kishte ndërtuar një pashallëk të fuqishëm, duke synuar pas kësaj edhe bashkimin e të gjitha pashallëqeve në Shqipërinë e kohës, por pa e realizuar dot këtë. Për të arritur deri në krijimin e kësaj fuqie, Ali pashë Tepelena u mbështet fuqishëm dhe nga ajo që mund të quhet sot, policia sekrete e tij. Lindja, zgjerimi dhe forcimi i pashallëkut të Janinës u bë në kushte luftërash të ashpra midis Ali Pashë Tepelenës dhe armiqve të brendshëm e të jashtëm të Shqipërisë. Veçanërisht Fuqitë e Mëdha të kohës, Franca, Rusia e Anglia, jo vetëm kishin organizuar agjenturat e tyre në Janinë për t’u informuar mbi planet e Pashait dhe për të intriguar në dëmin e tij, por arritën deri atje, sa të shkaktojnë kryengritje të mëdha me anë të feudalëve armiq të Ali Pashës, që të shkatërronin pushtetin e tij, të mos lejonin bashkimin e pashallëkut të Janinës me atë të Shkodrës dhe ta bënin Shqipërinë një pikë nga ku mund ta sulmonin më lehtë Perandorinë Osmane.

Fillimet e policisë sekrete
Të njëjtat veprime bënë dhe katër sulltanët që sunduan gjatë kohës së qeverisjes së Pashait të Janinës. Ata synonin që pashallëku i Janinës të mbetej i vogël e i copëtuar, pasi kështu e kishin më lehtë për ta sunduar. Në këto kushte, Pashai nga Tepelena ishte i detyruar të merrte të gjitha masat, jo vetëm për të siguruar pashallëkun, por edhe pushtetin e personin e tij. Që kur ai mori në duar postin e Derven Pashës, që i siguronte atij ruajtjen e rrugëve, ai organizoi për të parën herë në zotërimet e tij një polici sekrete, e cila nuk ekzistonte në asnjë provincë tjetër të Perandorisë Osmane. Në të ai përqendroi gjithë kujdesin, pasi ajo ishte një nga mjetet më kryesore për të shmangur çdo veprimtari kundër tij. Kjo polici ishte e rreptë dhe e vëmendshme jo vetëm në jetën publike, në sarajet e tij, në zyra, në pazare, nëpër rrugë e kudo, por deri edhe në jetën private të shtetasve. Ajo e informonte Pashain me të dhëna të sakta mbi veprimtarinë, bisedat dhe planet e kujtdo që i interesonte atij. Përveç detyrës për sigurimin publik dhe ndjekjen e kriminelëve ordinerë, ajo survejonte, jo vetëm të huajt, por dhe grekët, bile dhe shqiptarët, në të gjitha marrëdhëniet e tyre me Stambollin ose qytetet e tjerë evropianë. Në këtë mënyrë, Pashai informohej në kohë për çdo lëvizje dhe krijonte mundësi të parandalonte veprimtarinë e drejtuar kundër tij. Për personat që dyshohej dhe letrat që qarkullonin brenda pashallëkut të tij, lexoheshin nga njerëzit e Aliut, shpesh herë dhe në prani të tij përpara se të shpërndaheshin me postë, brenda apo jashtë pashallëkut të Janinës. Ai nuk bënte kurrë lëshime mbi të dhënat e agjentëve të tij zyrtarë. Dhe kur ia kërkonte nevoja, nuk respektonte asnjë rregull të postës së huaj, as atë të sovranit të tij.

Kush ishin agjentët e besuar të Pashait
Në krye të kësaj policie qëndronin shqiptarët më të besuar të Ali Tepelenës. Më i njohuri ka qenë Tahir Abazi, njeri me karakter të fortë, trim e që nuk bënte lëshime. Në këtë post punoi dhe Thanas Vaja, besnikëria e të cilit ndaj pashait ishte e padiskutueshme. Edhe bashkëpunëtorët e tjerë ishin zgjedhur nga më të aftit e më të besuarit. Në këtë mënyrë Pashai ndërtoi në zotërimet e tij një rrjet të gjerë, tepër sekret zbulimi, fijet e të cilit shtriheshin pothuaj kudo që ai mund të grumbullonte informata të vlefshme për mbrojtjen dhe sigurimin e zotërimeve të tij. Në këtë rrjet ai angazhonte njerëz të profesioneve të ndryshme, duke filluar nga emisarët e tij diplomatikë, tregtarë, udhëtarë, mjekë, persona të dërguar posaçërisht jashtë kufijve të shtetit të tij, për të mbledhur informata me karakter politik e ushtarak,e deri barinj, që i përdorte si korrierë. Për misione të rëndësishme, përpara se këta njerëz të dilnin jashtë pashallëkut, ai kërkonte garanci, siç ishte lënia peng e fëmijëve apo të afërmve të tjerë, në mënyrë që ata, jo vetëm të ktheheshin në kohën e duhur në Janinë, por dhe që të kryenin sa më mirë detyrën e ngarkuar; t’i njoftonin atij për gjithçka që do të shikonin e dëgjonin në vendin e dërguar.

Ku shtrihej policia sekrete e Ali pashë Tepelenës
Vllahija, Moldavia, Thraka e Maqedonia ishin të mbushura me këta njerëz. Pashai ishte i pranishëm me njerëzit e tij në të gjitha skajet e Perandorisë. Asgjë nuk ishte e huaj për të dhe politikën e tij. Tregtarët e Janinës me banim në Venecie, Trieste, Fiume, Raguzë dhe qytetet e tjerë të shtetit Osman mbanin me Alinë korrespondenca nga më të ndryshmet. Sipas dokumenteve franceze, vetëm në Korfuz, Ali Pasha kishte rreth 40 informatorë të tij. Ky rrjet kishte depërtuar deri në zyrat më të larta të Portës Osmane. Në shërbim të Ali Pashës ishte dhe selihtari (mbajtësi i shpatës dhe bostanxhibashi (kryekopshtari) i sulltanit. Pashai i paguante ata mirë, me anë të përfaqësuesit të tij në Stamboll, dhe ata nuk e mashtronin kurrë në informatat e tyre. Në vitin 1810 në shërbim të tij u fut dhe Veziri i Madh ( kryeministri i shtetit Osman ), i cili mbronte shpesh herë hapur interesat e Pashait të Janinës në Portën e Lartë. Ali Pasha u paguante fshehur shuma të mëdha edhe punonjësve të tjerë të ministrive osmane më me influencë dhe e kishte këtë metodë pune të vazhdueshme. Kjo kishte bërë atë, që gati çdo gjë që bisedohej apo vendosej në divanin e Sulltanit, i bëhej e njohur Aliut brenda 8 ditëve. Sipas burimeve franceze Pashai dërgoi në Stamboll për qëllimet e tij dhe dy mjekë. Ata futeshin në të gjitha shtëpitë e lagjeve të funksionarëve dhe feudalëve të mëdhenj osmanë, në Pera e Fanari, mblidhnin informata, penetronin në intimitetet e personave të lartë osmanë dhe për çdo gjë informonin atë. Ali Pasha penetroi me anë të rrjetit të tij. jo vetëm brenda në Portën e Lartë, por dhe në kabinetet kryesore të fuqive evropiane.

Si u burgos agjenti i pashait në Vjenë 
Në vitin 1809 Napolon Bonaparti urdhëroi burgimin në Vjenë të tregtarit nga Janina, Stavro Joanit, babai i themeluesit të bankës kombëtare dhe kjo vetëm e vetëm sepse ai dyshonte se ai ishte agjent i Ali pashë Tepelenës. Botimet greke pranojnë se Stavri Joani shpenzoi për daljen nga burgu 14 mijë grosh, para këto që iu dhanë më vonë nga Ali pasha si “shpenziime të bëra për shkak të interesave të tij”. 

Zbulimi i planit sekret të Rusisë
Një ndër funksionet kryesore të kësaj agjenture ishte zbulimi i veprimtarisë armiqësore të fuqive të mëdha, portës së lartë dhe pashallarëve armiq të Pashait, si dhe ne neutralizimin e kësaj veprimtarie. Në vitin 1807 Rusia, që kishte pushtuar ishujt e detit Jon tentoi të shpërthente një kryengritje në pashallëkun e Janinës, në bashkëpunim me Lidhjen e bejlerëve të Shqipërisë Jugore (kryesisht bejlerët e Çamërisë. Megjithëse kjo kryengritje ishte organizuar me fshehtësinë më të madhe nga rusët e Korfuzit, njerëzit e Aliut e zbuluan në kohën e duhur. Ai arrestoi një numër të madh agjentësh rusë dhe preu që në origjinë fijet e këtij komploti. Një komplot të tillë rus agjentët e Aliut kishin zbuluar dhe në vitin 1804. 

Edhe Franca komplot kundër Pashait të Janinës
Një veprimtari të gjerë armiqësore për shkatërrimin e pashallëkut të Janinës dhe zhdukjen fizike të Pashait nga Tepelena, zhvilloi dhe Franca. Francezët ndoqën, jo vetëm rrugën që kishin ndjekur më para rusët, por edhe forma të tjera. Konsulli i Napolonit në Janinë, dhe vëllai i tij, që kryente funksionet e zëvendëskonsullit francez, me rezidencë në Prevezë, organizuan në pashallëkun e Janinës një agjenturë të rregullt spiunazhi, për t’iu kundërvënë asaj të Pashait të Janinës. Ajo, jo vetëm ndiqte e survejonte Ali Pashain, veprimet e tij me Stambollin dhe veçanërisht bisedat e tij me emisarët e tjerë evropianë, por konsullata frënge u bë shpejt një qendër akuzash e shpifjesh kundër tij. Një korrespodencë e rregullt filloi të shpërndahej midis ambasadorit francez në Stamboll, ministrit të jashtëm francez, komisarit imperial të Napolonit ne Korfuz dhe konsullit francez në Janinë. Ajo kishte objekt ta diskreditonte Aliun në Stamboll, të nxiste në oborrin e tij ngatërresat e mundshme, të organizonte pakënaqësi e revolta në zotërimet e tij, t’i paraqiste veprimet e pashait jo sipas trajtave të vërteta në Stamboll dhe, së fundi të tërhiqte urrejtjen e Sulltanit, mbi kokën e tij. Për të bërë të dështonte kjo veprimtari, Ali Pashai, që drejtonte vet të gjitha fijet e rrjetit të tij, përdori forma nga më të ndryshmet. Ato filluan me censurimin e fshehtë të të gjithë korrespodencës diplomatike franceze që kalonte nëpërmjet pashallëkut të tij, kryesisht asaj me Stambollin.. 

Kur Napoloni dështoi ndaj Ali pashë Tepelenës
Rezultatet më të mira ky rrjet i dha më 1808 kur Napolon Bonaparti po përgatitej të pushtonte në fshehtësi pashallëkun e Janinës. Pashai, që ishte në dijeni të këtij plani, thirri fshehurazi një gdhendës nga Malta që i përgatiti atij vulat e ministrit të jashtëm të Francës, të ambasadorit francez në Stamboll, të kryekomandantit të ushtrisë franceze në Dalmaci, të Guvernatorit francez në ishujt jonianë, të konsullit të Napolonit në Janinë dhe të konsullit francez në Shkodër. Me anë të këtyre vulave, ai u bë zot i gjithë korrespodencës franceze që kalonte në pashallëkun e tij. Ai gjeti zarfe me madhësi e ngjyra të ngjashme me ato franceze. Letrat që iu kapte francezëve, i hapte, i lexonte, dhe po të ishte nevoja i kopjonte dhe, pasi vuloste i fuste në zarfe të rinj dhe u jepte rrugë të lirë qarkullimi. Në këtë mënyrë ai zbuloi nga korrespodenca franceze, projektet e Francës për pushtimin e pashallëkut të Janinës si dhe mjaft të dhëna të tjera që ushtarakët e Korfuzit dhe diplomatët francezë ekspozonin në planet e ardhshme për pushtimin e Shqipërisë. I gjithë ky bagazh i grumbulluat nga Pashai iu dërgua në origjinal në Stamboll dhe iu shpërnda edhe pashallarëve kryesorë në territoret evropiane, që të thoshnin edhe ata fjalën e tyre në Portën e Lartë. Ky zbulim i hapi sytë edhe Sulltanit, që iu kundërvu qëllimeve franceze. Rezultati ishte se Shqipëria nuk u shkel nga ushtria franceze. Që atëherë, konsulli francez nuk dërgoi asnjë letër nga Janina që të mos kapej e lexohej nga njerëzit e Aliut. Dhe atëherë kur konsulli, filloi t’i shkruante informacionet e tij me shifër, njerëzit e Aliut me ndihmën e anglezëve, arritën të gjenin çelësin e shifrës dhe t’i zbërthenin vetë letrat. 

Letrat e koduara me shifra të Pashait
Për të ruajtur sekretin e korrespodencës së tij nga agjentët e huaj edhe Pashai filloi të bënte korrespodencë të shifruar. Për të mbikëqyrur konsullin francez, Ali Pasha kishte vënë në shërbim të tij edhe gra, të cilat duke mbushur ujin në pusin përpara konsullatës frënge, regjistronin çdo lëvizje të njerëzve të saj. Edhe qeveria angleze kishte njerëzit e saj në Janinë. Kjo agjenturë kishte filluar veprimtarinë e saj atje sapo Aliu kishte marrë në dorë fuqinë. Por, pashai ishte tepër i shkathët dhe nuk e linte veten të mashtrohej nga kjo fuqi. Fillimisht, meqë me anglezët shkonte mirë, ai nuk i preku njerëzit e saj. Por në vitin 1809 kur situate e brendshme e pashallëkut ishte tepër e rëndë, megjithëse ai vazhdonte të mbante marrëdhënie të mira me Anglinë, - pas largimit të kolonelit Zhurç, i cili, krahas detyrës për të rekrutuar me lejen e pashait ushtarë shqiptarë, lëvizte edhe fijet e agjenturës angleze – të gjithë agjentët e saj u arrestuan me urdhër të Pashait, arrestime këto për të cilat, me gjithë protestat e anglezëve, Aliu nuk u dha sqarime më kurrë.

Si i zbulonte intrigat 
Në Stamboll veprimtaria e agjentëve të Ali pashë Tepelenës synonte edhe në drejtime të tjera. Qëllimi i saj ishte të zbulonte çdo akuzë, shpifje apo intrigë të turrur nga armiqtë e tij të brendshëm apo të jashtëm në Portën e Lartë. Të dhënat që merrnin njerëzit e tij në Stamboll apo në kabinetet e tjerë evropianë, mbi planet e sovranit apo fuqive të tjera, si dhe çdo hollësi tjetër që i interesonte, i shërbente atij si një barometër për qëndrimet që do të mbante ndaj Sulltanit dhe fuqive të tjera. Jo vetëm duke u informuar, por edhe duke u informuar aktivisht me këta njerëz në Stamboll, Ali Pashai kishte mundur shpesh që, jo vetëm t’u shmangej përplasjeve me sovranin, por dhe që t’i krijonte atij një ambient të tillë, që të merrte vendime në favor të interesave të veta. Ajo që tërheq vëmendjen është se kjo agjenturë ishte e implikuar dhe në rrëzimin e sulltanëve. Vrasja e Sulltan Selimit të 3-të ishte vepër edhe e agjenturës së Ali pashë Tepelenës. Ky implikim u bë për vetë qëllimet politike të Pashait. Me sa kishte mundësi ai përpiqej, që qeveria osmane të ishte sa më e çorientuar, që të ishte në fuqi ai sulltan, që do përkrahte më shumë interesat e tij, sepse vetëm kështu do ta kishte më lehtë që të arrinte qëllimin final-aneksimin e pashallëkut të Shkodrës dhe krijimin e një pashallëku të madh shqiptar, të shkëputur nga varësia politike e Perandorisë Osmane.