Shërbëtori Trocki, më i rrezikshëm se armiku (Lenin)

2910
Spiro MËHILLI

Lev Davidoviç Bronshtein Trocki

Në vend të hyrjes
Ardhja në pushtet e bolshevikëve, të kryesuar nga Vladimir Iliç Lenini, ishte fatkeqësi për mbarë njerëzimin. Kjo kastë përfitoi nga situata e krijuar gjatë Luftës I Botërore, ku miliona ushtarë u rreshtuan në formacione luftarake në të dy krahët, e që u shoqërua me miliona të vrarë e të plagosur, që mbetën invalidë për gjithë jetën. Rusia cariste hodhi në frontin perëndimor rreth 15 milionë e 500.000 ushtarë dhe oficerë. Kohëzgjatja e luftës; humbjet e mëdha të forcave ushtarake ruse, ku të vrarët, të plagosurit dhe robërit në duart e armikut kapën shifrën 51%, të numrit të tyre të përgjithshëm, dëmet e pa llogaritshme materiale dhe politika perverse e bolshevikëve “Paqe, bukë, tokë”, bëri që ushtarët rusë të braktisnin frontin. Lideri i partisë, Lenini, me kërkesë dhe këmbëngulje të Vilhelmit II dhe financimeve të shumta që u derdhën jo vetëm nga qeveria gjermane, por edhe nga lobet hebreje të Roshthildëve, Rokfelerëve etj, u dërgua të merrte pushtetin në prill të vitit 1917. Sikurse dihet, ai dështoi, dhe u desh fundi i tetorit 1917, që me grusht shteti, ose të ashtuquajturin “Revolucion Socialist të Tetorit”, të vinte në pushtet dhe të krijonte një qeveri komuniste. Rreth tij ishin Lev Trocki, Zinovievi, Kamenievi, Xherxhinski, Buharini, Stalini, Svjerdllovi, Orxhonikidze, Frunze, Kirovi, Jagoda e shumë të tjerë. Me vdekjen e Leninit, në janar të vitit 1924, në pushtet erdhi Josif Visarionoviç Xhugashvili – Stalini, i cili, për të mbajtur dhe konsoliduar pushtetin e tij filloi luftën pa kompromis ndaj kundërshtarëve politikë. Zanafilla do të ishte Trocki, njeriu më i aftë dhe erudit i të gjithëve, që Lenini, në testamentin e lënë, u kishte kërkuar shokëve të udhëheqjes, që pas vdekjes së tij, drejtimin e partisë dhe të shtetit ta merrte Lev Trocki. Dora-dorës do shohim përplasjet mes të dyve, Stalinit dhe Trockit, plan ogurzi ky, që në vite do shoqërohej edhe me likujdimin e udhëheqësve të tjerë. Gjatë 29 viteve që ai qëndroi në krye të atij shteti gjigant, çoi në likujdimin fizik të më se 40 milionë vetave, pa llogaritur 27 milionë të vrarë dhe 25 milionë invalidë në Luftën e II Botërore. Urrejtja e Stalinit për Trockin kaloi çdo kufi. Në janar të vitit 1928 Stalini pasi e shkarkoi nga të gjitha funksionet shtetërore në janar të vitit 1928, e izoloi atë në Tashkent, në Alma Ata, 4000 km larg Moskës. Në janar të vitit 1929 ai, së bashku me të shoqen dhe nipin u rrëmbyen dhe u dërguan për internim në Turqi. Këtu filloi dhe kalvari i vuajtjeve, ku qëndroi deri në vitin 1933, kur kërkoi strehim politik në Francë, e mandej nga viti 1934 në Zvicër për të vazhduar në Norvegji deri në dhjetor të vitit 1936 strehohet në Meksikë. Gjatë atyre viteve Stalini i vrau atij të dy djemtë dhe pothuaj të gjithë pjesëtarët e familjes, duke filluar nga e ëma. Së fundi do i vinte rradha vet Trockit, duke u ekzekutuar më 20 gusht 1940 me kamë në pjesën e pasme të kokës nga Frank Xheksoni ose Ramon Merkader. Vdiq më 21 gusht, në moshën 62 vjeç. Publicistika ruse dhe sovjetike e kohës, e mbuloi me heshtje emrin e Trockit. Në Enciklopedinë e Madhe Sovjetike, janë pasqyruar vetëm dy shkrime: “Trockizmi”, dhe “Blloku antiparti trockist-revizionist”. Asnjë e dhënë mbi biografinë, qoftë dhe shkurt, të këtij lideri bolshevik. Autori Spiro Mëhilli i kushton figurës së Trockit plot 140 faqe, ku bën fjalë mbi veprimtarinë e tij revolucionare, marrëdhëniet me Leninin, Stalinin e shumë shokë të tjerë të luftës e të punës. 
Jeta e Trockit
Lev- ose dhe Leon, por meqë dhe djali i madh i Trockit u pagëzua me emrin Leon, në këtë libër parapëlqej që Trocki të quhet Lev. Lev Davidoviç Bronshtein u lind më 26 tetor (7 nëntor) të vitit 1879 në fshatin Janovka, Ujezda Elisavetgrad, e gubernës Kersonsk të Perandorisë Ruse, tani fshati Bjeresllav Bobrinsk, i rajonit Kirovgrad të Ukrainës. Ishte fëmija i pestë i një borgjezi të vogël, David Leontjeviç Bronshtein (1847-1922), pronar tokash me prejardhje nga kolonizatorë hebrej dhe i Anna (Anetta) Lvovna Bronshtein, që e kishin origjinën nga guberna e Polltavës. Në fëmijëri ai fliste gjuhët ukrainase dhe ruse. U arsimua në shkollën kishtare ortodokse të Shën Pavlit në Odesë (1889-1895), ku ishte i pari në të gjitha disiplinat. Ato vite jetoi në familjen e Moisi Filipoviç Shpencerit, kushëri i dytë nga e ëma, drejtues tipografie dhe botues i revistës “Matezis” dhe poetes Fani Solomonova. E filloi karrierën e tij me një pjesë teatrale në sallonet letrare të Odesës. Gjatë kohës së maturës u lidh me propagandistë revolucionarë, të cilët i futën në kokë idetë socialiste. Si mbaroi të mesmen me rezultate të shkëlqyera, në vitin 1896 shkoi në Nikollajevsk dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Matematikë-Fizikës në Universitetin e Novorosiskut, të cilin e braktisi shpejt. Pa mbushur 18 vjeç mori pjesë në themelimin e lidhjes së punëtorëve të Rusisë Jugore si dhe në lëvizjen e vitit 1897. Më 28 janar të vitit 1898 u arrestua për veprimtari politike. Aty u njoh me Aleksandra Sokollovskën, një nga ish-drejtueset e lidhjes. Në vitin 1900 u internua 4 vjet në Siberi, në gubernën e Irkutskut, ku dhe vendosi lidhje me botuesit e “Iskrës”, me rekomandim të Kerzhizhanovskit. Në internim ai herë pas here humbte ndërgjegjen, gjë që sipas doktor G. A. Zivit, ishte pasojë e epilepsisë së trashëguar nga e ëma. Në kohën e internimit u martua me Aleksandra Sokollovskën, tani Lvovna, si pasojë e të cilës u lindën dy vajza: Zinaida (Vollkova) 1901 -1933 dhe Nina (Nevelson) 1902-1928. Pas dy vitesh internimi, në vitin 1902, arriti të arratisej dhe shkoi jashtë shtetit, duke përdorur mbiemrin Trocki, sipas emrit të vjetër që ruante në burgun e Odesës dhe shkoi në Londër, ku u lidh me Leninin dhe u propozua redaktor i gazetës “Iskria”, organ i Partisë Social-Demokrate Ruse. Në Kongresin II të Partisë Social Demokrate Ruse (PPSDR), që u mbajt në vitin 1903, Trocki u ngrit kundër vijës revolucionare të shpallur nga Lenini. Së bashku me menshevikët, ai arriti të hiqte paragrafin e parë të statutit të PRRSD. Sipas Martinovit, ai doli kundër organizatës monolite të tipit të partisë luftarake marksiste, kundër disiplinës në parti. Trocki mbante qëndrim mohues ndaj diktaturës së proletariatit. Atë vit, ai shkoi në Bruksel, në Paris, në Zvicër dhe në Gjermani, ku u takua me studentë revolucionarë rusë. Në Paris, pa u ndarë zyrtarisht me Aleksandra (Anna) Sokollovskën, u martua me Natali Ivanovnën, lindur Sedova, por martesa nuk u regjistrua asnjëherë. Atyre u lindën Leon Sedovi (1906-1938) dhe Sergei Sedovi (1908-1937),që mbanin mbiemrin nga e ëma. Në vitin 1904, kur midis bolshevikëve dhe menshevikëve dolën mosmarrëveshje të theksuara politike, Trocki u hodh nga menshevikët dhe u afrua me A. L. Parvusin, i cili mbështeste teorinë e “Revolucionit permanent”. Në shkurt të vitit 1905, Trocki ilegalisht u kthye në Rusi së bashku me Natali Sedovën dhe u bë një nga themeluesit e sovjetit punëtor deputet të Petërburgut, kur formalisht kryetar i sovjetit ishte S. Hrustavljov-Nosar. Në të vërtetë, sovjetin e drejtonin Parvusi së bashku me Trockin dhe pasi Nosar u arrestua më 26 nëntor 1905, president u bë Trocki. Nga viti 1905 deri më 1907, ai do të mbante postin e kryetarit të sovjetit të Petërburgut, megjithëse më 3 dhjetor 1905 u arrestua së bashku me një grup të madh deputetësh. Më 1906 u dërgua në lokalitetin Obdorsk në Siberi, duke iu hequr të gjitha të drejtat qytetare. Atë vit shkroi librin “Rezultatet dhe perspektivat” që mbështetej në idetë e Marksit. Në kundërpërgjigje, Lenini do të shkruante: 

“Trocki paraqet sot ideologjinë e një fraksioni, nesër do të paraqesë atë të një tjetri dhe për këtë shkak proklamohet mbi të dy këto fraksione. Më duhet të deklaroj se Trocki përfaqëson vetëm fraksionin e tij”.

Në vitet 1905-1907 Trocki bashkë me menshevikët ishte kundër konceptit të Leninit në parti. Ai mohoi idenë leniniste të hegjemonisë së proletariatit në revolucion, kundërshtoi teorinë mbi partinë revolucionare si dhe domosdoshmërinë e lidhjes së punëtorëve me fshatarët. Ai e quante fshatarësinë si klasë revolucionare, duke hedhur parullën demagogjike: “Pa carin, por me një qeveri punëtore”. Gjithashtu, ai, në tërësi ishte kundër teorisë leniniste të transformimit të revolucionit borgjezo-demokratik në revolucion socialist, kur së bashku me bashkëpunëtorët e tij, mbrojti teorinë antimarksiste, pra teorinë e “revolucionit permanent”. Trocki donte të vërtetonte idenë që revolucioni rus do të ishte fillimi i revolucionit global dhe suksesi i socializmit në Rusi do të pasohej nga shumë vende evropiane. Pasi u arratis, u largua nga Berezova dhe në vitin 1907 shkoi në Vjenë, ku vendosi shtabin e tij politik. Më 30 prill 1907 shkoi në Londër, ku mori pjesë në Kongresin V të PPSDR si i deleguar i veçantë dhe u takua përveç Leninit dhe pjesëtarëve të tjerë të kongresit, ku bënte pjesë dhe Maksim Gorki, edhe me Josifi Xhugashvilin. 

Lenini vendosi të botonte gazetën “Proletari” ku ftoi dhe Trockin që të kontribuonte me shkrimet e tij. Me që Trocki refuzoi bashkëpunimin, Lenini më 13 shkurt 1908 i shkroi Maksim Gorkit:

“Përsa i përket Trockit, ne vendosëm menjëherë ta ftonim në “Proletari”, duke dashur ta vëmë çështjen mbi baza më kolegjiale. Nuk e di nëse Trocki u zemërua për këtë formë, por na dërgoi një letër të shkruar jo me dorën e tij, “me porosi të shokut Trocki”, ku lajmërohej redaksia e “Proletarit”, se ai nuk pranon të shkruajë, është i zënë. Sipas mendimit tim, e ka bërë për t’i dhënë rëndësi vetes. Edhe në Kongresin e Londrës, ai e mbante veten me të madh. Nuk e di nëse ai do të bashkohet me bolshevikët…?”
Në vitin 1908 filloi botimi i gazetës “Pravda”. Në vitet e revolucionit të Stolipinit, 1909-1910, kur bolshevikët me Leninin zhvilluan një luftë parimore në dy fronte, kundër likuidatorëve dhe otzovistëve, për mbrojtjen e vijës të partisë marksiste, Trocki mbështeti mensheviko-likuidatorët, bundistët dhe të tjerë armiq të leninizmit. Në Kopenhagë, në shtator të vitit 1910, u mblodh Kongresi III i Internacionales II Socialiste. Aty Trocki përveç Leninit u takua me Roza Luksemburgun, Plehanovin, Çernovin dhe për herë të parë me Inessa Armand, që për shumë vite do të ishte e dashura e Leninit.

Sipas Fikret Karçiç, në vjeshtën e vitit 1912, Lev Trocki punoi reporter për llogari të gazetës radikale majtiste në Rusinë Jugore “Mendimi Kievit”. në Ballkan, ku u bë dëshmitar i Luftës Ballkanike të viteve 1912-1913. Në 25 dhjetor të vitit 1912 ai botoi përshtypjet e tij në librin “Luftërat Ballkanike 1912-1913”. U ndodh në Kumanovë, në Ferizaj e në Shkup, dhe shkroi sesi ushtarët serbë vrisnin e prisnin njerëz të pafajshëm. Në urën kryesore mbi Vardar, arriti të shikonte kufoma shqiptarësh me koka të prera. Ai konstatoi fshatarë serbë të maskuar si ushtarë, që kishin ardhur nga të gjitha anët e Serbisë në Fushë-Kosovë vetëm për të plaçkitur. Në Ferizaj pa sesi në shtëpinë e një të pasuri u nxorën katër meshkuj dhe u therën para syve të grave. Ai arriti të konstatonte se në ushtrinë serbe bënin pjesë të papunë, të paaftë, elementët të ligj dhe të padobishëm, kryesisht nga llumi i shoqërisë. Kur Trocki kishte pyetur një ushtar serb, ai i ishte përgjigjur: “Kur je në luftë, komandanti të jep urdhra dhe urdhrat duhen zbatuar”. 

Në 1912 Trocki bashkoi likuidatorët, otzovistët, trockistët e bllokut antiparti të gushtit dhe i drejtoi kundër Leninit dhe Partisë Bolshevike, duke u maskuar si centristë, që “qëndronin” mbi bolshevikët e menshevikët dhe që “luftonin” për partinë e tyre. Lenini u shpreh:

“Trocki e ka për detyrë kryesore t’u hedhë punëtorëve pluhur syve…nuk është e mundur të bisedohet mbi thelbin e çështjeve me Trockin, sepse ai nuk ka një ide të caktuar. Ai është një diplomat ordiner”.

Në janar të vitit 1913 Trocki u takua me Stalinin në Vjenë. Në konferencën e dytë të partisë, në verën e vitit 1913, ai u shkëput prej Leninit dhe u lidh me menshevikët, pasi nuk mund të pajtohej me konceptin e tij të partisë si një organizatë autoritare. Në vitin 1914, ai filloi shtegtimin në Rumani; në Zvicrën neutrale, ku publikoi pamfletin “Lufta dhe Internacionalja”; në Francë, në Gjermani, në Turqi dhe së fundi në SHBA, për të jetuar në Nju Jork deri në vitin 1917. Lenini do të shkruante:

“Shërbëtori Trocki, më i rrezikshëm se armiku”.

Në atë periudhë, trockistët dolën hapur kundër vijës leniniste në të gjitha çështjet e luftës, paqes dhe revolucionit. Duke maskuar politikën oportuniste me fraza “të majta”, ata shkuan më thellë kundër disfatës së borgjezisë në luftën imperialiste, kundër kthimit të luftës imperialiste në luftë civile, si dhe kundër teorisë leniniste të revolucionit socialist. Trockistët konsideroheshin socialshovinistë të fshehtë, centristë.

Në shkurt 1917 Lenini shkroi:

“Emri i Trockit do të thotë: frazeologji e së majtës dhe një bllok me të djathtën kundra qëllimeve të së majtës”.

Më 4 (17) mars 1917, Lenini shkroi “Letra nga larg”, ku u përpoq të analizonte ngjarjet e revolucionit demokratik-borgjez. Tani ai, Trocki dhe Stalini mund të ktheheshin në Rusi, pasi qeveria demokratiko-borgjeze bëri amnisti të përgjithshme. Më 7 (20) mars, Stalini, Kamenievi me të shoqen, Olga, u nisën me tren dhe më 12 (25) mars 1917 arritën në Petrograd. Më 15 (28) mars 1917 ai dhe Kamenievi morën drejtimin e “Pravdës”. 

Rënia e Nikollait II, Trockin e gjeti në Nju Jork, ku botonte gazetën “Bota e Re”. Ai kishte shkuar atje pasi ishte dëbuar nga Franca në fund të vitit 1916. Sipas Nicola Baciut, ambasadori amerikan në Moskë, Averell Harriman, pinjoll i një familjeje shumë të pasur amerikane në hekurudha e në banka dhe prona që në rininë e tij, anëtar me ndikim në partinë demokrate, mik personal i Ruzveltit dhe anëtar themelues i Komitetit për Punët e Jashtme, financoi Trockin, për t’u kthyer në Petrograd me 275 bashkëpuntorë revolucionarë dhe 10 milionë dollarë të marra borxh, në premtim të koncesioneve të pasura minerare. Në të njëjtën kohë, ai ishte edhe i përzgjedhur i Eduard Rothshildit. Kur u nis nga Nju Jorku më 27 mars (9 prill) 1917, u arrestua nga autoritetet kanadeze në Halifaks dhe u mbajt në burg për një muaj, pasi iu gjetën me vete 10.000 dollarë, shumë e madhe për kohën. Atë muaj, Trockin e mbajti në Kanada Lloid Xhorxhi. Me ndërhyrjen e presidentit Uillson dhe me kërkesë të qeverisë provizore ruse, kanadezët e lejuan të udhëtonte me anijen “Kristiana”. Kur arriti në Norvegji dhe më pas në Suedi, autoritetet vendase i kujtuan atij dhe shoqëruesve, triskat e bukës. Gjatë udhëtimit me tren nëpër Finlandë, Trocki takoi socialistët reformistë belgë Emil Vanderveldin dhe De Manin, i cili në vitin 1939 u bë kryetar i Partisë Socialiste Belge, që udhëtonin për në Petrograd. Në Bjelloostrov kishte dalë t’i priste delegacioni i Internacionalistëve të Bashkuar dhe i Komitetit Qendror të Bolshevikëve. Midis tyre ishte Uricki, bashkëpunëtor i përhershëm nga Skandinavia i gazetës “Fjala jonë” dhe në kohën e luftës ai që i lidhte me Rusinë. Në stacionin Finlandskij, që i takonte fundit të muajit maj, Uricki dhe Fjodorovi, mbajtën fjalime mirëseardhjeje. Trocki vajti drejt e në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, ku Çeixe, kryetari i pazëvendësueshëm në atë kohë, e priti ftohtë, ndërsa bolshevikët propozuan që ai të futej në Komitetin Ekzekutiv si ish-kryetar i tij më 1905. Kështu ai u bashkua me bolshevikët, filloi aktivitetin revolucionar në krah të tyre dhe mori masa që të zgjidhej Qeveria e Përkohshme me në krye Aleksandër Kerenskin.

Ndërkohë më 4 prill, në kryeqytet ishte kthyer Lenini i shoqëruar nga 32 veta. Ai dështoi që në mbledhjen e parë në marrjen e pushtetit. Pjerevjezevi, Ministër i drejtësisë, që e dinte mirë se kush ishte Lenini, dërgoi në shtyp informacionin, të cilin qeveria e mbante sekret. 

“Lenini është agjent i zbulimit gjerman. Në kabinetin e tij janë gjetur prova të pakontestueshme. Sipas hetimeve paraprake dhe informatave të mbledhura, njerëzit që i shërbejnë atij janë: në Stokholm, Jakov Fjurstejnberg, i njohur me emrin Henetcki dhe Aleksandër Parvus (Helphand), ndërsa në Petrograd, bashkatdhetari Kozllovsk dhe zonja Sumenson, kushërirë e Henetckit. Kozllovski është personi kryesor që merr paratë nga gjermanët dhe i kalon në Berlin nëpërmjet bankës “Diskonto Hezelshaft” në “Nia Bank” në Stokholm dhe prej andej në “Bankën Siberiane” të Petrogradit. Për momentin, në llogari bankare ndodhen mbi 2 milionë rubla. Në të njëjtën kohë, censura ushtarake ka zbuluar një këmbim telegramesh midis agjentëve gjermanë dhe atyre bolshevikë”. 
Të nesërmen gazetat shkruanin:

“Lenini është tradhtar. Ai ka marrë para nga gjermanët të bëra transfertë prej “Nia-Bank” në “Bankën Siberiane” me ndërmjetësinë e një të quajturi Henetcki në Stokholm”.
Bolshevikët nuk mund të pranonin që ideatori, krijuesi dhe udhëheqësi i partisë bolshevike të ishte agjent. Ata që punonin në ilegalitet reaguan duke e quajtur lajmin thashethemnajë të nxjerrë nga qarqe të caktuara për diskreditimin e figurës së Leninit, të partisë bolshevike dhe të qëllimit final, marrjes së pushtetit.
– Vijon nga numri e ardhshëm –
Sigal