Sherbet Karuli/ Dhe thonë se nazistët ishin kalimtarë në Shqipëri!

Të tmeruar nga forcat partizane, sidomos nga ato të Pezës, komanda naziste në Tiranë gjatë periudhës 5 – 18 nëntor 1943 ndërmori një operacion të gjërë me pjesëmarrjen e më shumë se tetëmijë forcave gjermane. Operacioni ishte emërtuar me kodin “505”. Objektivi i tij ishte konkret: të asgjësoheshin forcat partizane të zonës së Pezës që të vendosej një farë qetësie rreth Tiranës. Të krijohej një zonë e lirë për një komunikim pa rrezik mes kryeqytetit dhe pjesëve të tjera të vendit. T’i jepej një “mësim” i mirë tërë forcave të tjera partizane që vepronin në jug dhe në veri të Shqipërisë. Nazistët nuk ishin të vetëm. Në mbështetje të tyre kishin marrë edhe forca jo të vogla ballistësh të Alush Lleshanakut, Hamit Matjanit, Musa Picarit dhe të eksponentëve të tjerë ballistë. Në përgjigje të të gjithë këtij plani operacional të nazistëve, edhe komandanti i formacioneve partizane të Pezës, Babë Myslimi kishte marrë masat e veta. Kuptohet, nuk do të bëhej luftë frontale, sepse diheshin numri i madh i forcave të gjalla gjermane dhe armatimi i tyre i kohës. Por Babë Myslimi, mjeshtër i luftës partizane, organizoi mbrojtjen e fshatrave nga dëmtimet e mundshme që mund të shkaktonin forcat gjermane. Ndërsa vet lëvizte ku e gjykonte, se do të duhej të ishte vet në ballë të luftimeve. Mbas disa luftimeve të përgjakshme të kryera në fshatra të ndryshëm, në mbrëmjen e 10 nëntorit 1943 e gjykoi të shkonte në fshatin Shënkoll me rreth 120 partizanë të drejtuar nga vet ai dhe militanti i shquar Kristo Themelko. Mbas një udhëtimi të lodhshëm, forcat partizane u futën në fshat. Kuptohet, të njoftuar nga spiunë për këtë lëvizje të partizanëve me Babë Myslimin në krye, forca të shumta naziste u gjëndën në fshat! Në kushtet, kur armiku ishte në fshat, ballëpërballë me partizanët, detyra e komandës partizane kërkonte që të sulmoheshin me të gjitha forcat, duke pasur edhe mbështetjen e banorëve atdhetarë të fshatit. 

Porositë e babë Myslimit

I zgjuar prej natyre siç ishte, Babë Myslimi komunikoi me kryetarin e këshillit nacionalçlirimtar të fshatit, që banorët të ruanin gjakftohtësinë, për të mos u bërë pre e ndonjë terrori të mundshëm gjakatarë. Sakaq, Babë Myslimi urdhëroi kuadrot e formacionit partizanë që luftëtarët të vendoseshin në pozicione sa më të favorshme luftimi, nga ku do të mund edhe të mbroheshin, por edhe të sulmonin. Një organizim të tillë bëri edhe kuadri tjetër i forcave partizane, Kristo Themelko. Qellimi ishte që të shfrytëzohej befasia, sikundër edhe terreni i njohur nga ana e partizanëve. Por edhe nazistët, me përvojë për të tilla situata, nuk vonuan të merrnin masa për të mos pasur dëmtime në njerëz e në armatime. Natyrisht, edhe ata kishin mbështetjen e spiunëve, që në të tilla raste bëhen tepër të rrezikshëm. Ndërsa ishin futur brënda unazës së rrethimit partizan, u dha sinjali për fillimin e sulmit kundër forcave naziste. Brënda një kohe të shkurtër u vranë mjaft ushtarë gjermanë, ndërkohë që mbetën të shndërruar kufoma nëntë oficerë nazistë. Mbas një lufte të përgjakshme që arriti gati trup më trup, me urdhër të Babë Myslimit partizanët u tërhoqën, duke krijuar ca më posht një tjetër front të mundshëm për të luftuar. Mjaft nga banorët e fshatit, teksa ishin në punët e tyre, mbasi kishin dëgjuar të shtëna të pandërprera armësh, kthehen me shpejtësi në shtëpitë e tyre pa dijtur gjë se në fshat kishin ardhur dhe vazhdonin të luftonin forca naziste! 

Masakrat gjermane

Të egërsuar në kulm nga humbjet e mëdha që u kishin shkaktuar partizanët, tërë urrejtjen e tyre prej bishe nazistët e shfryn mbi fshatarët e pambrojtur e të pafajshëm! Të parin morën kryetarin e këshillit nacionalçlirimtar të fshatit, Hajrulla Uku, të cilit, fillimisht, i kërkuan që të tregonte se cilët ishin militantët më të shquar antinazistë. Hajrullaj qendroi si burrë, duke mos treguar asnjë emër. Për këtë qendrim ata e masakruan barbarisht. Dhe mbas tij u lëshuan si bisha nëpër shtëpitë e fshatarëve duke vrarë burra, pleq, gra e deri edhe fëmijë. Shkurt, kryen një masakër të vërtetë. Në fund të të gjithë asaj batërdie të madhe, fshatarët panë të ishin vrarë edhe Ramazan, Ajet, Qamil, Nezir, Qerim, Haxhi, Hajdar, Shyqyri, Mustafa, Ismail, Sefer dhe Hamdi Uku, Idriz, Dije, Halit, Rexhep, Isa, Imer, Selim, Naile dhe Qazim Sala, Qazim dhe Shkurt Meta. Masakër shnjerëzore! Vetëm nga fisi Uku u masakruan 16 njerëz, nga fisi Sala 8 të tjerë dhe nga fisi Meta 2 njerëz. Ç’kërkonin nazistët në Shënkoll, në këtë fshat të thellë e malor të rrethit të Tiranës? Kush i informoi se Babë Myslimi ndodhej pikërisht në atë fshat në krye të partizanëve?! Kush ua tregoi rrugën drejt atij fshati?! Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk janë të vështira për t’u dhënë. nazistëve ua mësuan rrugën dhe i dërguan atje ballistët. Ajo vepër vërtet shnjerëzore ishte mirëfilli e nazistëve, por pse të mos mendojmë, se ajo nuk mund të kryhej pa ndihmën e bashkëpunëtorëve të tyre, ballistët. Dhe thonë se nazistët kanë qënë kalimtarë në Shqipëri! Dhe thonë, se ballistët nuk paskan qënë bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj! 

(Veteran dhe invalid i LANÇ, Kolonel në pension).