Shaqir Vukaj: Stalini i këkon Titos: “Më fol për Enverin”

1885
EKSKLUZIVE / Pjesë nga libri ditar “Rusia dhe Kosova” shkruar nga Shaqir Vukaj, ambasadori shqiptar në Moskë në vitet 1998-2002. Për herë të parë bisedimet sekrete për Kosovën
Tito i premton Enverit: 
Do t’ua kthejmë Kosovën
Që gjatë luftës, megjithëse Stalini ishte dakord që marrëdhëniet midis Moskës e Tiranës të realizoheshin nëpërmjet Beogradit, në forma të ndryshme ai filloi të shfaqte një farë interesimi për Shqipërinë. Kështu, në takimin me Millovan Gjlasin, një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos, në prill të vitit 1944, u interesua për Shqipërinë e shqiptarët. Gjatë këtij takimi Stalini e pyeti atë se ç’ndodh në Shqipëri në të vërtetë? Ç’është ky popull? Mbas shpjegimit të Gjilasit, se në Shqipëri është pak a shumë e njëjta situatë si në Jugosllavi, ai i shpjegoi Stalinit se, shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër në Ballkan, madje më të vjetër edhe se sllavët. Pyetja se nga i kanë marrë shqiptarët disa emërtime sllave të vendbanimeve të tyre, tregon se Stalini nuk ishte krejt i paditur për Shqipërinë. 
Pa mbaruar lufta, gjatë takimit me Hebrangun në janar të vitit 1944, ai, jo vetëm ishte interesuar për Shqipërinë, por kishte dhënë porosi që angazhimet e përgjegjësitë që Jugosllavia kishte marrë përsipër për Shqipërinë, duhej t’i plotësonte.
Projekti jugosllav
Biseda me Hebrangun, porositë që ai kishte dhënë për Shqipërinë, kundërshtimi i tij ndaj projektit jugosllav për përfshirjen e Bullgarisë brenda Federatës Jugosllave, veçanërisht pretendimet territoriale të Jugosllavisë ndaj fqinjëve, e kishin bërë Stalinin të dyshonte për aktivitetin e qëllimet e Titos dhe bashkëpunëtorëve të tij. Fakti që as Gjilasi, as Hebrangu e as ndonjë personalitet i lartë jugosllav nuk i kishte thënë asgjë Stalinit se në planet e veta udhëheqja jugosllave kishte dhe përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave e për të cilat Stalini kishte të dhëna (me dhjetra këshilltarë e zbulues sovjetikë punonin në këtë periudhë në Jugosllavi), siç shprehen disa studiues të kohës së sotme, kishin rritur dyshimet tek Stalini se mbas këtyre veprimeve diçka fshihej. Jo thjeshtë përfshirja e Shqipërisë e bënte atë dyshues, por mënyra si vepronte Tito, mungesa e sinqeritetit dhe fshehja prej tij dhe udhëheqjes sovjetike e këtyre veprimeve, e bënin atë të ishte më i vemendshem ndaj veprimeve të jugosllavëve.
Tito në Moskë
Në prill të vitit 1945 Tito bëri vizitën e parë zyrtare në Moskë, në cilësinë e kryetarit të Jugosllavisë. Siç shkruan Gjilasi në kujtimet e tij “Në marrëdhëniet midis Stalinit dhe Titos mund të vije re diçka të veçantë, të pathënë, sikur ata kishin pakënaqësi ndaj njëri-tjetrit, por që secili prej tyre përmbahej…”. Në prag të vizitës në Moskë, më 22 prill 1946, Tito ftoi për vizitë ambasadorin sovjetik në Jugosllavi A.J.Llavrentiev. Sipas materialit sekret të këtij të fundit, dërguar Moskës, Tito trajtoi disa probleme tepër të rëndësishme që kishin të bënin me Shqipërinë. Ndërmjet tjerave ambasadori shkruante: “U diskutua për kërkesat e Greqisë. Tito theksoi me insistim se Vlora nuk i duhet dhënë në asnjë mënyrë Greqisë. Rëndësia e Vlorës është jashtëzakonisht e madhe, sepse Vlora është pikë tepër e rëndësishme strategjike dhe se duke e lidhur Vlorën me rrugë hekurudhore me Jugosllavinë, nëpërmjet saj, më vonë, mund të eksportohen dhe të importohen të gjitha mallrat. Rëndësia e Vlorës bëhet edhe më e madhe, në se Trieste nuk do të përfshihet në përbërje te Jugosllavisë”. Më poshtë Llavrentievi shkruante se “nga biseda me Titon, kuptohej se, sipas tij, në fund të fundit, Shqipëria duhej të përfshihej në përbërjen e Jugosllavisë Federative„.
Takimi me Stalinin
Sipas ambasadorit sovjetik, “Tito shprehu pretendime territoriale ndaj Rumanisë, por ai nuk mendon qe t’i ngrejë këto probleme dhe se ai shpreson se ky problem do të rregullohet midis dy palëve. Po ashtu Tito vazhdoi me pretendimet ndaj Hungarisë dhe ndaj Austrise”. Në fund të majit 1946 Tito, në krye të një delegacioni të madh, ku bënin pjesë rreth gjysma e Qeverisë jugosllave, vizitoi përsëri Bashkimin Sovjetik. Ky ishte takimi i fundit midis Stalinit e Titos, mbasi ai nuk shkoi më në B.S. sa ishte gjallë Stalini. Sipas përshkrimit të hollësishëm që i ka bërë këtij takimi K. Popoviçi, botuar në librin e Dedierit me titull “Josif Broz Tito”, Stalini u interesua përsëri për Shqipërinë. 
Dëshmia
Sipas Popoviçit: “Gjatë bisedës u preken probleme ushtarake dhe, më vonë, probleme të politikës së jashtme. Stalini ishte tepër i interesuar për Shqipërinë. Ai pyeti me hollësi për marrëdhëniet e KQ të Partisë Komuniste shqiptare, për fraksione të veçanta, duke u futur në detajet më të hollësishme. Kështu, për shembull, ai pyeti Titon:
-A e njihni Ju Enver Hoxhën? Çfarë njeriu është ai? A është komunist? A kanë ata probleme të brendshme midis tyre? Çfarë informacionesh keni ju për këto?
J.Tito: – Unë nuk jam takuar me Enver Hoxhën. Ai është një djalë i ri, gjatë luftës ka fituar popullaritet… Dhe, në përgjithësi, në udhëheqje të Shqipërisë janë njerëz të rinj. Me sa dimë ne, midis tyre nuk ka probleme të veçanta.
A.Rankoviç: – Ata nuk kanë probleme të mëdha, me përjashtim të faktit se shokët e Byrosë Politike, Enver Hoxhën nuk e konsiderojnë partiak të fortë, prandaj përpiqen që gjithmonë të dërgojnë me të Koçi Xoxen, si anëtari më i vjetër i partisë në Byronë Poltike. Në plenumin e prillit ata kanë diskutuar për vijën e ndjekur veçanërisht ndaj Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, kanë sqaruar disa probleme dhe kanë përjashtuar nga Byroja Poltike Sejfulla Malëshoven, si përçues të këtyre gabimeve. Që atëherë udhëheqja është bërë më kompakte.
J.Tito : – Këto probleme mund t’i zgjidhim ne me ta.
Stalini : – Mirë.
Më tej, për problemet e politikës së jashtme u fol për Bullgarinë dhe Hungarinë”. 
Enveri në Beograd
Mbas vendosjes se marrëdhëniet diplomatike mdis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, përfaqësuesi i Shqipërisë arriti në Moskë në prill të vitit 1946. Nga biseda e ministrit të jashtëm të Bashkimit Sovjetik, Molotov, me përfaqësuesin e parë të Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik, Koço Tashko, shihet se Moska në atë kohë ishte e informuar pak, madje shumë pak për Shqipërinë. Madje edhe për probleme të politikës së jashtme të Shqipërisë, që mendohet se Bashkimi Sovjetik jo vetem i dinte, por edhe i drejtonte. Ndërmjet të tjerave Molotovi e ka pyetur përfaqësuesin shqiptar nëse Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike me SHBA-në e Britaninë e Madhe. Sigurisht që ai do të pyeste edhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë, që, sipas përfaqësuesit shqiptar, ishin shumë të mira, vëllazërore. Megjithë bisedën e shkurtër, sepse ai ishte takim për dorëzimin e kopjeve të Letër – kredencialeve, Molotovi u interesua për shumë probleme të gjendjes së brendshme, për gjuhën shqipe e afërsitë e saj me gjuhët e tjera, për besimet fetare në Shqipëri etj. Nga dokumentet e arkivave ruse shihet se me kalimin e kohës, Kremlini e rriti interesimin për Shqipërinë, veçanërisht në prag të vizitës së Enver Hoxhës në Beograd, vizitë që u realizua në periudhën 3 qershor – 2 korrik 1946.
(Vijon nesër)
Sigal