Shaban Bardhi: Unë, korrieri i çetës, rrëfej për Heroin, Myslim Peza dhe Konferencën

1478
“Çeta e Pezës, e formuar më 5 qeshor 1940, u rrit dhe u forcua shpejt, në saje të punës bindëse dhe vëllazërore që bënte komandanti legjendar, Heroi i Popullit Myslim Peza”. Kjo është bindja e një prej luftëtarëve më të afërt të Heroit, Shaban Bardhi, veteran 94 vjeçar, nga fshati Mënik i Tiranës. Ai rrëfen për “Telegraf” gjithë peripecitë e punës së tij si korier në shtabin e çetës së Myslim Pezës, si dhe evidenton cilësitë e larta si luftëtar të Mylim Pezës, si dhe ato patriotike, morale e shoërore në ato kohë shumë të vështira për gjithë kombin shqiptar në vitet 1939-1942 dhe më pas kur, pas konferemcës së Pezës u dha kushtrimi për “luftë pa kompromis kundër okupatorit fashist, pa dallim feje, krahine e ideje”. 
Kur e keni nisur aktivitetin tuaj luftarak si korrier në shtabin e Çetës së Pezës drejtuar nga Myslim Peza? 

-Më 22 janar 1942 isha për herë të parë në Maknor, në lagjen “Caush”, kur erdhi Babë Myslymi. Ishte fillimi dhe nuk e njihja. E shihja dhe më bënte përshtypje shtati i tij i gjatë, i fuqishëm; dhe një njeri me mjaft autoritet. E kuptova se ai dinte që ne si adoleshentë ishim edhe dashamirës të Pezës, ndaj dhe u intersua për të dhënë armë. Kështu, na angazhoi me detyra që lidheshin me informimin rreth bashkëpunëtorëve të fashizmit. Atij i duhej ky informacion për të mbrojtur Pezën dhe çetën e saj që ai komandonte. Për të, kishte rëndësi që të informohej se kush në zonat përreth Pezës ishte xhandar, kush ishte milic, të atillë që mund të bashkëpunonin me armikun dhe mund të spiunonin e godisnin çetën. Mbasi ma mësoi emrin, më thirrri dhe më tha: “Hajde Shaban, se kam një porosi për ty: Do shkosh tek Dem Xhepa në Tiranë për një punë që do kryesh atje”. Ky ishte takimi im i parë me Myslim Pezën dhe detyra e parë që mora prej tij. Unë jam nga Mëniku, aty banoja atëhere, një fshat afër Pezë-Helmësit. Isha i ri fare dhe ende nuk kisha dalë partizan, të kuptohemi. Pra, u angazhova korrier pranë Myslim Pezës, edhe pse nuk isha akoma partizan. 
Kush ishte sfida e parë e detyrës së korrierit që sapo more atëhere? 

-Ka qenë një moment, shumë delikat për mua. Më bie rasti të marr një detyrë nga shokët e luftës, për të dërguar në një takim një djalë të ri, që ishte bashkë me Gogo Nushin dhe Shaban Sulën, të cilin e njihja. Gogon në fakt, e njoha më vonë. Ky “djali i ri”, duhej të takonte Babë Myslimin, për gjëra që, jo unë, por vetëm ata duhej t’i dinin. Unë thashë që “qenka i yni”, ma sugjeruan për takim më Babën shokët e luftës. Meqë i gjatë dhe dy të tjerë, që unë i mësova më pas se kush ishin: Gogo Nushi dhe një tjetër me emrin Shaban Sula. Ky djali ishte bir beu, kaq gjë e dija. Më tha Gogoja: “A e njeh këtë djalë?”. I thashë: “Po e njoh, ka tokat atje tek ne”. “Bukur”, ma ktheu Gogo Nushi, “atëhere shoqëroje për tek Babë Myslimi”. Ashtu bëra. U nisëm për në Maknor në një vend të quajtur Rrabaçeç, ku ishte Babë Myslimi. E pa një herë me vëmendje, e i tha këtij djalit:“Hajde, le të pimë një gotë raki”. Mua mu duk se e kisha bërë detyrën time dhe duhej të rrija i qetë. Kur, të nesërmen në mëngjes, çohem dhe shkoj për të marrë kalin për të ikur. Por pashë që kali nuk ishte më aty. “Ç’farë kërkon o Shaban?”, më pyet Baba kur pa se po vija vërdall duke e kërkuar. “Po ja Babë, i thashë, po shoh që të marr kalin dhe të nisem”. “Çfarë kali ore; kalin e kam dërguar me një njeri tjetër për dru në pyll”, më tha. “E po, mirë atëhere”, i thashë, unë po nisem me këmbë”, dhe i zgjata dorën për t’u ndarë. “Si? Vetëm do të shkosh ti?”, më qortoi. “Në asnjë mënyrë jo; ne do ikim bashkë”. Kështu, unë ecë, e ai ecë, dhe pas disa orësh mbërritëm në Romanat. Aty më thotë: “Këtu tani, prit se do të të vijë kali i ngarkuar me dru. Do shesësh drutë që të fitosh ndonjë lekë, se nuk mund të shkosh në Tiranë, ashtu fillikat”. U habita! Babë Myslimi mendonte për ne, deri dhe për gjërat më jetike. Ai i rrethonte bashkëluftëtarët e tij me një dashuri të madhe njerëzore. Por ndërkohë, nuk i honepste kurrë dredhitë. Ai kishte biseduar me atë “djalin” atë natë dhe me sa duket, kish diktuar që ai kishte qenë kundër luftës, spiun. Ndaj dhe më qortoi mua: “Dëgjo Shaban! Njerëz të tillë, si ai djali që solle dje, mos më sill më! Dakord?”. Ula kokën. Natyrisht, ai ishte komandant i pakorruptueshëm, dhe mbi idealin e shokëve të çetës nuk vinte asgjë tjetër. Ishte kohë lufte dhe Baba ishte tejet i kujdesshëm që të mos infiltronin elementë armiq në Pezë. Unë u ktheva dhe takova sërish Gogo Nushin dhe Shaban Sulën. I tregova se si më ndodhi dhe ata fillimisht u habitën, pastaj nisën të qeshnin. Kurse unë isha në sprovën e korierit. Kisha dhe unë idelaet e mia antifshiste dhe doja të ndjehesha mirë me angazhimin që më kishte besuar Babë Myslimi. 
Si rrodhën ngjarjet më pas; komento ndonjë moment të rëndësishëm të asaj kohe në Pezë?

-Mua mu desh të marr veten nga vërejtja që më bëri Babë Myslimi. Unë po mësoja kështu rregullat e rrepta të luftës, disiplinën e saj, etj. Pas nja 3-4 muajsh Babë Myslimi më erdhi afër dhe më tha: “Mos u mërzit për atë vërejtjen që të bëra atëhere, por gjërat duhet të shoshiten mirë, se kjo është luftë dhe lufta nuk të fal. Unë të qortova për të mirën tënde dhe për të mirën tonë të përbashkët”. 
Kryeje ndonjë detyrë tjetër në atë kohë në Pezë, apo vetëm atë të korierit pranë komandantit të çetës, Babë Myslimit? 

-Dëgjo, gjërat atëhere në çetën e Pezës ishin tamam si në një familje. Kuptohet, çdo gjë duhej trajtuar me disiplinë të rreptë. Disiplinë e rregull strikte për çdo gjë. Mbaj mend që një nga luftëtarët e çetës, antifashist i orëve të para të këtij formacioni, Fadil Çelmeta, plus detyrës së tij në llogoren e luftës, merrej edhe me financat e kësaj çete. Dhe unë, gjithashtu isha ngarkuar, që veç detyrës së korrierit, të bëja edhe blerjet e ndryshme për harxhimet e çetës. Më ngacmon ajo analiza e saktë që bënte Myslim Peza, mënyra e tij për të qenë i për të njohur njerëzit. Për të ndarë elemntët e mirë nga të liqtë. Andej nga fundi i vitit 1943, kur sapo kishte filluar “Operacioni i Dimrit”, morëm vesh se djali i beut, ai “djali i ri”, për të cilin Baba më kish qortuar nga ja kisha çuar në takim, kishte tradhëtuar. Ai ishte bashkuar me forcat armike. Dhe Myslim Peza, ky hero legjendar, nuk kishte gabuar aspak, por e kishte psikologjisur atë, si një njeri që nuk mbante anën e luftës, por atë të dredhive e spiunllëqeve kundër çetës. Ndaj Mylimi erdhi e më tha në konfidencë: “E more vesh për atë djalin? Ta thashë Baba ty, që ai nuk ishte për luftën tonë, por kundra nesh, kundra popullit dhe në anën e fashistëve”. Unë ula kokën dhe heshta gjatë. Kuptova ndërkaq se sa delikate ishte detyra që kisha nisur. Ajo qe “shkolla e parë” për mua, ku mësova se me sa vëmendje duhej të dëgjoja komandantin në luftë. Aq më shumë kur bëhej fjalë për një udhëheqës aq popullor, si Myslim Peza. 
Si korier i Myslim Pezës kujtoj se sa të matura ishin porositë e tij. Më porosiste kur shkoja me detyra në Kuç, afër Vorës, në Çalabërzez, diku përtej Lumit të Erzenit në zonën e Romanatit, etj. Akoma më precize ishin porositë e tij kur më niste për në Tiranë. Ai na “armatoste” ne luftëtarëve të thjeshtë me besim, me kurajo. “Kujdesi në luftë”, sipas Myslim Pezës, “të bën edhe më të forte seç je”. “Kur je i kujdesshëm në luftë, na thoshte Babë Myslimi, bëhesh më trim, dhe ke më shumë shanse për ta fituar luftën”. Si Myslim Peza nuk lind më nëna! 
Cilat kanë qenë episodet më mbresëlënëse që të janë fiksuar në memorie gjatë kohës së luftës? 

-Ja një tjetër episod. Myslim Peza bënte çmos të ndihmonte popullin e varfër në çdo zonë ku kishte influencë, për t’i mbrojtur nga tagrambledhësit e pashpirt të qeverisë kuislinge. Më kujtohet, që në zonën e Kuçit, (afër Vorës), për të mbrojtur njerëzit fukarenj nga një lloj takse, “e dhjeta në natyrë”, i çoi fjalë përmes njerëzve tek kryeplaku i katundit Kuç, Ramazan Duka, që “nëse do vijnë tagrambledhësit, i thoni se drithin e mori çeta e Pezës”. Kuptohet, kjo ishte thjeshtë një “taktikë” e Babë Myslymit, që të mos varfëroheshin më shumë fshatarët. Kisha një Ymer Capi, mik. I them Ymerit që të shkojmë tek Ramazan Duka, e ashtu bëmë. Shohim që fshatarët kishin grumbulluar grurin për t’ja çuar Musa Picarit, që ishte komandant i ballit Kombëtar për zonën e Kuçit. Unë i them Ramazanit: “Kam ardhur nga ana e Myslim Pezës dhe e Shyqyri Pezës. Shpërndaua fshatarëve bereqetin. Dhe u thoni se “bereqeti i ka kaluar çetës së Pezës”. U angazhua edhe Xhevdet Petrela atëhere me këtë punë. E theksova këtë detaj, për të thënë se Myslim Peza bënte gjithmonë vetëm punë të mira në interes të popullit të vet. Kujdesej shumë për njerëzit, ishte gjithmonë një udhëheqës shumë i përgjegjshëm. 
Ku ishe, në momentet kur u mblodh Konferenca e Pezës? 

-Unë personalisht nuk kam qenë në Pezë ditën kur u mblodh Konferenca e Pezës. Kisha marrë një detyrë nga Myslim Peza për të kryer një detyrë korieri qysh pesë ditë para konferencës. Mbajtja e Konferencës ka qenë sekret për disa kohë edhe më pas. Arësyet dihen, se armiku përgjonte kudo, cep më cep. Unë më mbrapa e marr vesh, që edhe detyra për të cilën më kishte çuar Babë Myslimi në Tiranë kishte qenë pikërisht funksion të kësaj konference. Për këtë mbledhje të rëndësishme, ku do thirrej për “luftë pa kompromis kundër okupatorit fashist, pa dallim feje, krahine e ideje”, nuk dihej as data se kur do mblidhej. Por unë kisha detyrë në Tiranë, ku më nisi Babë Myslimi. Se në Tiranë ishte edhe rreziku që mund të minonte konferencën. Unë këtë gjë e mora vesh mbrapa. Më pas u fol se si kishin ardhur në shtëpinë e Babë Myslimit më 16 shtator 1942, komunistët e nacionalistët, që nga Enver Hoxha, Nexhmije Xhuglini, Haxhi Lleshi, Baba Faja Martaneshi, Ramazan Jarani, Abaz Kupi, Halim Begeja dhe Ndoc Çoba, që si më i vjetri edhe kish hapur punimet e conferences. Kur më pas, e morëm vesh, që ai ishte përlyer me nazistët. Dhe historia dihet tashmë: Myslym Peza dhe komunistët vazhduan luftën pa kompromis kundër fashistëve, kurse një pjesë e madhe e nacionalistëve, si dhe ballistët e legalistët u bashkuan me okupatorin. 
Momenti më i vështirë që ke kaluar gjatë LANÇ?

-Janë disa, por po them vetëm dy: Një herë, kur rashë në rrethim, në fshatin tim të lindjes, Mënik ngaqë u zbulova nga forcat fashisto-balliste dhe pas disa orësh luftë dola nga rrethimi. Rasti tjetër; kur së bashku me Abdulla Zenelin nga Peza e Vogël, kishim ngarkuar një kalë plot me granada për ta çuar tek Maçtë në Tiranë, me urdhër të Myslim Pezës. 
Materiale shkresore, letra, komunikata, ai dërgonit nga një bazë në tjetrën? Si ralizohej kjo punë nga ju? 

-Posi jo?! Madje mbaj mend ditët e fillimit, kur sapo nisa ta bëj detyrën e korrierit. Ishim në Maknor. “Hajde këtu”, më tha Baba. Më tërhoqi pranë vetes dhe më tha që të dërgoj disa shkresa që ishin komunikata lufte. I kishte mbështjellë në formën e një cigareje, si tuba të vegjël, aq të holla ishin shkresat. “Edhe në torbë ato mund t’i zbulojnë fashistët rrugës, prandaj futi brenda kashtës së samarit të gomarit”, më tha, dhe ashtu bëra, e qeshë shumë i garantuar. Myslim Peza ishte udhëheqës lufte që dinte të vlerësonte shumë sekretin. 
Si vepronte Babë Myslimi, me ata që kërkonte ti afronte me luftën nacional-çlirimtare?

-Nuk është arësyeja të përmend emra, por di shumë raste kur Babë Myslimi dinte t’i bënte për vete njerëzit e lëkundur. Kishte milicë që për shkak të një rroge që merrnin, nguronin të afroheshin me luftën çlirimtare. Një rast i tillë ishte ai i një milici, quhej Hamdi Çali. I thamë Hamdiut, sipas porosisë vëllazërore të Babë Myslimit: “Po deshe pushkë, shko në Pezë, po nuk deshe, rri në shtëpi; me fashizmin nuk ke pse bashkëpunon se ai ka okupuar vendin”. Mu desh t’i rrija afër rreth 40 ditë Hamdiut. Dhe Hamdiu u bë partizan, u vra në betejë dhe tani është dëshmor i Atdheut. Ja kështu, i bindte dhe i bënte për vete njerëzit heroi, Myslim Peza. Po ashtu, Haxhi Hysa në Shetel, e la detyrën e milicit dhe u bë partizan, vetëm në në saje të punës bindëse të Babë Myslimit. 
Jetëshkrimi
KUSH ËSHTË SHABAN BARDHI
-Shaban Bardhi: Lindur në vitin 1921, në fshatin Mënik, Tiranë.
-22 janar 1942-shtator 1944: Korier i Myslim Pezës, komandant i Çetës së Pezës, formacioni i parë antifashist në Shqipëri e Europë.
-Qershor 1942: Bie në rrethim, në fshatin e tij të lindjes Mënik ngaqë zbulohet nga forcat fashisto—balliste dhe pas disa orësh luftë del nga rrethimi. 
-1942-29 nëntor 1944: Vazhdon sërish detyrën e korrierit dhe ndërlidhësit, pranë shtabit të Myslim Pezës dhe shërbeu në zonat Grecë, Arbanë, Sauk, Tiranë. 
-Tetor 1944: Komandant i komandës së vendit për zonën e Urës së Beshirit, më pas në Sauqet. 
-Pas Çlirimit: Punoi në shërbimin e Policisë për 25 vjet rresht. 
-Viti 1968: Del në pension, me gradën “kapiten”. 
-Në vazhdim: Ka milituar dhe vazhdon të militojë si veteran i LANÇ në organizatën Kombëtare të Veteranëve. 
———————————————————-
KUJTIMET E MYSLIM PEZËS PËR DITËN E KONFERENCËS
“U ba e zakonshme që netët e atij shtatori t’i prisnim me kangë. Po ashtu u përcollën edhe pjesëmarrësit në hyrjen e shtëpisë ku zhvilloi punimet Konferenca, atë ditë të së mërkurës, së paharrueshme të 16 shtatorit 1942. Para shtëpisë, fëmijët pezakë, të rrshtuar nga Kajo Karafili, këndonin me gëzim kangë partizane. Arësyeja kryesore që më shtyu të vendos që Konferenca të mblidhej në shtëpinë time, ishte rreziku që duhej të përballonte ajo më mbrapa. Sado i fshehtë që të mbahej vendi i Konferencës, me gjithë ata njerëz që do të vinin aty, të lloj-lloj rrymave politike, ishte e pamundur të mos merrej vesh nga fashistët. Masa e parë e pushtuesve e tradhëtarëve, siç edhe u morë, do të ishte djegia e saj. E, pra, unë që kur e kisha nisë luftën, isha i vendosur që pa u djegë një herë shtëpia ime, nuk do të bahesha kurrë shkak për t’u djegë shtëpitë e të tjerëve. 
Pjesëmarrësit u ulën në tavolina të mbuluara me copë të kuqe. Dhoma ishte e varfër, por e zbukurueme si duhej për ngjarjen e madhe që do të zhvillohej. Tavani ishte mbulue i gjithi me një flamur të madh kombëtar. Muri përballë hyrjes ishte zbukurua me portretin e Skënderbeut dhe me dy shkaba e dy yje partizanë. Në muret anash ishin portretet e Ismail Qemalit, Bajram Currit, Naim Frashërit, Avni Rustemit e Qemal Stafës. Ishin edhe flamujt e Aleatëve të Mëdhenj, parrulla, etj”. 
(Myslim Peza, “Kur dhashë besën”, fq.166-167)
KALENDAR HISTORIK
Ngjarjet më të rëndësishme gjatë LANÇ në Pezë
-5 Qershor 1940: Krijimi i Çetës së parë patriotike në Shqipëri, me komandant, heroin legjendar Myslim Peza.
-21 Gusht 1940: Çeta mori emrin “Çetë partizane”, e para në Europë.
-16 Shtator 1942: U mblodh Konferenca e parë pluraliste Nacional-çlirimtare.
-15 Mars 1943: Krijimi i Batalionit të parë partizan të Pezës.
-18 Korrik 1943: Krijimi i Grupit të parë parizan të Pezës.
-9 Tetor 1943: Krijimi i Brigadës së 3-të Sulmuese në Arbanë. 
-Dhjetor 1944: Kalimi në Pezë i Brigadës së parë Sulmuese.
-18 Gusht 1944: Krijimi i Brigadës 22 Sulmuese. 
Sigal